E enjte, 25.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Dinos Kubatis: Ali Podrimja - prometheu i letërsisë bashkëkohore të njeriut

E premte, 27.07.2012, 08:23 PM


ALI  PODRIMJA: PROMETHEU  I  LETËRSISË BASHKËKOHORE TË  NJERIUT.

NGA DINOS KUBATIS

Njeri i madh për kulturën e vendit të vet, Kosovën, është sot poeti Ali Podrimja, -bile ndokush mund të thotë edhe për gjithë Serbinë, - pasi dihet që, deri para pak vjetësh, Kosova ndodhej nën zotërimin e serbëve.

Që të themi të drejtën, Ali Podrimja, mbizotëron edhe aty lart, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqipfolëse përreth, të cilat dikur i takonin asaj dhe poeti kosovar, u takon atyre trojeve.

Po vetëm atyre ? Mos vallë çdo poet, nuk i përket gjithë botës dhe jo vetëm asaj pjese, që e lexon dhe emocionohet prej fjalës së tij, por edhe asaj pjesës tjetër, ’’të gjithës’’, e cila parandjen një drithërimë të padukshme, të cilën e tejçon në hapësirat e Gjithësisë, ku përhapet dhe kumton zëri i poetit ?

Ali Podrimja, është pikërisht ‘’poeti i përbotshëm’’, i cili jeton, përpunon dhe rikthen në letër, nëpërmjet një fjale hirplote dhe njëherësh të fuqishme e bashkëkohore, vet njeriun e sotëm, me ndjenjat dhe problemet, me pasojat e veprimeve dhe të shqetësimeve të tij.

Nëse do të operojmë, realisht, një anatomi të veprës poetike të Podrimjes, do të vërtetojmë, se poeti, me një mënyrë të vetën, ndodhet në të gjitha pikat aktuale dhe kohore, të cilat përbëjnë një gur kufiri për Njerinë dhe jetesën e tij në Tokë, ndërkaq shpeshherë arratiset dhe e vëzhgon, -e gjurmon do të mund të thoshja, -deri tej, jetën e tij tokësore konvencionale.

Po kush është Ali Podrimja, i cili: ’’çdo ditë përballon pushtetin e liliputëve’’, ai, i cili uron: ‘’të rriten thonjtë dhe (të) gllabërojnë prenë e madhe’’ ? Është ai, i cili vetëpagëzohet në baptisterin e Siloanit, pastrohet shpirtërisht dhe ngre bajrakun e revolucionarit mbinjerëzor, për të ndjerë Golgothanë, në të cilën tani gozhdohet Njeriu, sipas një përshkrimi të hollësishëm, që mbizotëron në shoqërinë e sotme njerëzore.

Duke mbërritur në ‘’Golgothanë’’ e tij, e cila është ndërkaq edhe mali i dëshmimit të secilit prej nesh, ai do britmojë: ’’Ku është Zoti ?’’.

Nëpërmjet shqetësimeve të tij metafizike, poetin e ngërthen angështimi, por jo vetëm për këtë gjë. Nuk dëshiron kurrsesi të mbetet në shprehjen, që thotë: ’’Hap portën dhe humbas në boshësi’’. Ai e ndjen se boshësi nuk ka. Po çfarë është ajo, e cila ndodhet pikërisht aty dhe, kur hapim portën tonë, pyesim së bashku me poetin edhe ne të tjerët ? Mos vallë duhet një Promethe tjetër, siç vijojnë të gënjejnë pacipërisht Epimithitët dhe pa pikë pendese, dëshirojnë ta idealizojnë edhe një herë ‘’Zjarrin ‘’ e Dijes ? Këta fëmijë, shpirtrat e shqetësuar të së Nesërmes, diçka përcaktojnë: ’’Në qytetin tonë thonë tani fëmijtë/ se Ai shkoi të sjellë flakën / të cilën një ditë me shi e vodhën Njerëzit ‘’. Në këtë mënyrë bën çmos të na sjellë prej ‘’gjumit të Tokës’’, të na vendosë në gjendje alarmi, për të mbërritur para se të jetë shumë vonë, sepse në mënyrë metaforike, na ndërgjegjëson se: ’’edhe lindja edhe vdekja kanë tjetër peshë’’ dhe na bën pjesë të atij zbulimi metafizik, nëpërmjet vargjeve të tij.

Cilat janë ndjenjat, cilët janë vendet, cilët janë lëshimet dhe kundërshtitë e Njeriut ? Si një Robinson Kruzo i ri, gjurmon, përmbyt dhe reformon, nëpërmjet pyetjeve, dyshimeve, diskutimeve, dëshirave, pathosit, vërtetësive, pavërtetësive, nëpërmjet habive dhe koridoreve, nëpër labirinthe çorientues, mbrojtës i jetës, mbrojtës i ideve,mbrojtës i idesë së Atdheut dhe vlerës së Njeriut.

Herë i qëllimshëm, herë me një kulturë ironike, për të përvijuar dhe shpërfaqur ndjenjën e vërtetë, përherë njerëzor, me një ndjeshmëri të veçantë, i brishtë ndaj dashurisë, mirënjohës ndaj familjes, i shtangur ndaj mrekullive të natyrës dhe realist i rreptë ndaj çdo realiteti, ligësisë, mosmirënjohjes, dhe prapamendimit, nuk bën tjetër, veçse nyjëzon Njeriun ideal, duke flakut tej ‘’qesharakët’’, që ‘’luajnë zotat’’ dhe duke nxitur mbijetesën tonë ‘’në litar’’, me qëllim që të largohemi prej mashtrimit dhe të përballim gjithë realitetin, në botën absurde, ku ne jetojmë.

Poeti, i shqetësuar për këtë botë, e cila rrëshqet përditë, kërkon,por i duket se:’’nuk duket më kopeja / as i zoti’’, humbur diku në ndërvarësinë e vendosjes dhe të plogështisë,agonisë dhe thërret:’’Pastroni shpirtin /.../ pastroni sytë / zbuloni vrimën në Gjithësi / dhe mandej vërtetoni / se mund të jetoni ...‘’.

Nostalgjik, ai kthehet pas për të lëvruar shekujt, për të kërkuar bashkëkohorët dhe për të vërtetuar: ’’Shndërrit për sa nuk u tha / kultura e lashtë’’, e cila, pasi fillimisht u rafshua, u varros dhe u harrua,në mënyrë që të ketë vetëm një zgjidhje, e cila ishte përdoruar me siguri të plotë në kohët më të hershme: ’’Varka e Noes’’, për të arkëtuar menjëherë më pas të vërtetën e madhe, e cila na bren:’’Po nuk duket Bregu’’...

Ali Podrimja është një poet i fuqishëm dhe i arrirë. Poet dashurie, romantik, i ndjeshëm, por,paralelisht, edhe rivendikues për atdhenë, për jetën, për Njerinë. Shpesh të trand, kur flet për fatin e atdheut të vet: ’’Hap pëllëmbën dhe peshoj / pikën e gjakut tënd’’ dhe menjëherë më pas, tragjikisht: ’’Më ndëshkuan ndërsa besoja / në pikën e gjakut’’.

Për jetën beson se: ’’Kurrë nuk mjafton koha / të lindësh, të jetosh / dhe të vdesësh’’.

Për Njerinë: ’’Ka kohë që vetminë e shtëpisë / në lëkurën time e lexoj’’,ose: ’’Në mure gërvishje të tmerrshme / të thonjve të një populli’’.

Është poet i ‘’vështirë’’ Ali Podrimja. Mënyra e tij e të shprehurit krijon probleme të gjithanëshme. Shkrimi i tij shtrihet në thellësi, pamjet e tij shpërfaqin prush, fjalët e tij vishen me nënkuptime alegorikë. Është fatlum ai, i cili mund të zhbirojë fjalën e tij, është i lumtur ai që mund të nxjerrë kuptimin e tij dhe të lëvrojë brenda këtyre mendimeve, sepse përfiton ndjeshmërinë dhe stoicizmin e poetit, frymëzimet dhe shtysat, predispozicionin filozofik dhe shtrirjen e njohjes përkrah ndjenjës.

Shkrimi i Ali Podrimjes, mrekullon, sepse e lë fjalën të bjerë si pikë e rëndë shiu, e, ndërsa është duke rënë, shndërrohet në një rrjedhë të furishme uji të pastër, e cila akumulohet, që të mund të vërë në lëvizje mendimin dhe ndjenjat e lexuesit,-të atij lexuesi, i cili është ndërgjegjësuar, se poeti shpërfaq pikërisht atë, nëpërmjet vargjeve të tij,-ato të vet njeriut, i cili ‘’lëngon’’ prej dyshimeve, frikës, emocioneve, entusiazmit dhe gjithshkaje tjetër, që quhet ‘’shprehje njerëzore’’. Poeti shpërfaqet, pra, pas kërkimeve të vargjeve dhe deponimeve të veta, se vuan edhe ai, por paralelisht edhe kërkon, del në ballë dhe lufton, percepton, ofron zgjidhje, është optimist dhe guxon, ashtu si tjetri në krah të tij dhe më tej, tejembanë i gjithë njerëzimi.

Vargu i poetit është i prerë, i ngjeshur, i arrirë në mesazhe dhe ide, i përmbytur me ndjenja dhe jo përherë tepër i mirëkuptuar.

Por, të magjeps grishja, për të kaluar edhe ti vet në anatominë e fjalëve, të cilat kompozojnë vargjet, strofat, poezitë, që nga fillimi deri në fund. Atëhere, duhet, që me devotshmëri të thellë, t’i operosh dhe të vëzhgosh pjesët përbërëse. Të mos i kalosh përciptas, sepse një vështrim i shpejtë, i bën padrejtësi, jo vetëm poetit, por edhe ty, pasi nuk mund të ndjesh kuptimin tërësor, i cili, në fund të fundit, shpërfaqet shpeshherë tronditës.

Vet poeti deklaron kategorikisht dhe prerë, po aq edhe me zemër të pastër: ’’Mbyllem në një zë njerëzor ‘’ ! Dhe pikërisht ky është Ali Podrimja, një zë njerëzor, i cili del nga brendësia e shpirtit, një zë që shpreh të tjerët dhe atë vetë dhe mbështetet mbi një copë letre të bardhë, për të mbetur regjistruesi i kohës dhe i kompozimit tonë psikologjik, arkiv i pashuar në përjetësi, shpëtim për lexuesin, të cilin shpreh dhe, së fundi, denjësi e poetit të ndjeshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora