E enjte, 28.03.2024, 10:39 AM (GMT)

Mendime

Arif Kutleshi: Thirrje qytetare për dorëheqje

E enjte, 26.07.2012, 06:59 PM


THIRRJE QYTETARE  PËR DORËHEQJE

ALIBIA  SI ´STREHË´ E PASTREHË E ATIFETE JAHJAGËS

Shkruan: Arif KUTLESHI

Jo njëherë më ka rënë nga të huajt të dëgjojë se si ne shqiptarët jemi mjeshtër të arsyetimeve  sa herë që nuk duam t´u bindemi marrëveshjeve me të tjerët, dhe sa herë që shkelim fjalën e dhënë.

Këto ditë, kur Atifete Jahjaga paralajmëroi opinionin se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht, se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Palëve që e sollën atë në Fron, m´u kujtua edhe njëherë, talenti ynë për arsyetime.

Po po, por...dhe qe alibia jonë, qe strehimorja jonë e ngulimit dhe e akomodimit, me rraçka e plaçka pa pritë e pa kujtue.

Dorëheqjet ekspresse të të dy pararëndësve të saj ndërkaq na bënë të shpresojmë se me moralin tonë edhe njerëzor, edhe intelektual, edhe shtetëror, megjithatë, i kishim punët jo dhe aq keq, sepse, të dy kandidatët Sejdiu dhe Pacolli, nuk u hamendësuan për vendimet e tyre të prera. Sigurisht, vendime këto të dhimbshme për të dy, por gjithsesi vendime me nivel, siç na pëlqen të thirremi në tabanin e kodeksit popullor, vendime këto burrënore, që shkaktuan me të drejtë edhe njëfarë katharsisi tek ne.

Gjesti i të dyve sigurisht që bëri jehonë për të mirë në mediat dhe sferat e influencës në Europë, sepse nga Kosova po dilte një mesazh i mirë që thoshte se liderët e Kosovës së re, anipse pa përvojë shtetërore, po jipnin shembullin e dinjitetit dhe të kurajos. Ishte ky një dinjitet dhe një kurajo e shtetit të ri, përkatësisht, e burrështetasve të tij.

Studjuesit e huaj, antropologët, njohësit e rrethanave kulturore e politike të shqiptarëve, megjithatë, jo njëherë kanë theksuar, se shqiptarët kanë edhe një vijë të tyre të kuqe, jashta së cilës nuk dalin asnjëherë. Autorët austro-hungarezë ndërkaq decidivisht theksojnë se shqiptarët kanë moralin e tyre, jashtë të cilit, kurrë nuk dalin. Në nëntekst të këtij postulati, ata shtojnë se shqiptarët nuk munden e nuk thyhen asnjëherë nga dalldia e joshjeve çfarëdoqofshin ato.

Baron Nopsca është për shembull më i zëshmi në mesin e një vistri bashkëstudjuesish të fenomeneve shqiptare, që potencon këtë fakt. Ai nuk tutet se do të prehet në besë nga cubi shqiptar që veç sa kishte kryer një hajní në një fis aty afër. E dija, thotë ky njeri i gjithanshëm austro-hungarez, se akëcili malësor do të ma kryente porosinë dhe për asnjë çmim nuk do të zhburrënohej duke e prishur marrëveshjen dhe pritjen time që kisha për të.

Po ky studjues e njohës i hollë i shqiptarëve na entusiazmon sot me fjalitë e tij krahasimtare midis malësorëve shqiptarë  analfabetë e injorantë dhe arkëtarëve europianë të shkolluar.

Vrasësit shqiptarë të gjak e hakmarrjeve ai i quan shumë më të moralshëm se sa zuzarët quasi të qytetëruar europianë që shfrytëzojnë çdo moskujdesí e sinqeritet naiv të të çnukin.

Të lidhura këto paranteza me të sotmen tonë të ligështuar nga vapa e natyrës, dhe nga tëhuajësimi i njërëzisë dhe i njerëzores shqiptare politike shtetërore të Kosovës, nuk kanë se si të mos na dekurajojnë e deiluzionojnë, për horizontin tonë të pritjes nga Atifete Jahjaga.

Nga ato pak dalje të saja publike, nga ato pak shpërfaqje të personalitetit të saj, të nxitur edhe nga nostalgjia historike për mungesën e prosperimit të pamjaftueshëm të Shotës bashkëkohore shqiptare në shoqërinë babaxhane patriarkale, patjetër që kishte fituar simpatinë e shumicës prej nesh për një kuadër të respektuar të policisë. E kursyer në fjalë, ajo mëtonte të  thoshte më shumë pa tekst, sikur na luste ta kuptonim më mirë gjuhën figurative të nëntekstit të saj. Aq më shumë madje, na

imponohej gjuha e figurës së saj. Pantomima e saj.

Meqenëse siç thashë e siç dihet teksti dhe konteksti ynë lidhen pashkëputshëm e kalakryqas apo arbitrarisht siç do të thoshte Saussure, (kur flet për shenjën), edhe ne duhet pranuar tashti, se u shkrimë pak si tepër e pak si kalakryqas e arbitrarisht, nga imazhi që krijuam për policen Atifete.

Natyra e njeriut me gjasë është e prirur nganjëherë që të prodhojë efekte shtesë e të paqena duke harruar realen e realitetin e duke u besatuar me fiktiven e imagjinaren.

Kjo ndodhë shpesh e veçmas kur pretendojmë në detektime dhe kur pushtohemi nga apodiktimet hipotetike. Kur bëhemi poetë të prozaikes duke prodhuar ngjyra dëshirore lirike e dramatike edhe kur na mungon përceptimi, edhe kur s´kemi as një shenjë frymëzimi.

Dhe rezultati i gjithë kësaj në Rastin Jahjaga nuk ka se si të jetë ndryshe përveç kërkimi i strehimores dhe i gjetjes së alibisë agallare duke e bërë finik fët e fët pritjen qytetare të popullit dhe të lidhësve të Marrëveshjes e të dorëzanisë.

Dhe këtu duhet theksuar menjëherë se kënaqësia e padurueshme e mohit dorëzanor të Dell-it amerikan  pa  dell shqiptar, nuk prodhon asnjë efekt.

Edhe Pandora na e pat lënë fajin pse kishim pasur guximin dhe pse kishim qenë aq injorantë kur e hapëm kutinë e saj.

Edhe Prometheun e patën lënë fajtor pse kishte pasur guximin dhe pse kishte qenë aq i marrë t´ua vidhte Perëndive zjarrin për hir të dashurisë njerëzore.

A do të bëhet Atifete Jahjaga Pandora Jonë e cila do të shkaktojë vonesa dhe mosaprovime të një varg çështjesh ligjore e kushtetuese duke bllokuar e shkaktuar krizë të re në Kosovë?

A do të bëhet Atifete Jahjaga numri një i Kosovës së pavarur jo veç me postin e zaptuar e të përvetësuar presidencial, por edhe me tradhëtinë e parë nga numri një i shtetit, kundër bashkështetasve, kundër bashkëqytetarëve, dhe kundër bashkëatdhetarëve të vetë?

Apo do të thërras zërin e arsyes që siç thamë del nga thellësitë e kohërave kur shqiptari nuk dilte jashtë moralit të vet, pa marrë parasyshë cili ishte morali i të tjerëve karshi tij.

Para se Atifete Jahjaga porse të thirret në të drejtën e saj për t´u strehuar nën theknen e Kushtetueses, ajo duhet ta di se ka obligim para popullit për Fjalën e Dhënë, ka obligim para popullit për shkallën e  legjitimitetit e të besueshmërisë që nuk e ka, ka obligim para popullit për shkallën e korrektësisë që nuk e ka, dhe ka obligim para popullit për  shkallën e kompetencës, që nuk e ka.

Në përmbyllje, po theksoj vetëm se edhe me tridhjetë vjet qëndrim jashtë, jam nënshtetas i Republikës së Kosovës, dhe nuk dua që në Berlin a në Vjenë a në Paris a kudoqoftë në Europë, ta kem ndërgjegjjen e vrarë me veten dhe para miqëve të huaj të shumtë e të profileve të ndryshme, se nuk e kam ngritur zërin publikisht kundër një policeje të quajtur Atifete Jahjaga e lutur miradashtas të udhëheq punët presidenciale të Kosovës përkohësisht, dhe e azginuar të vetëshpallet presidente e popullit, që domethënë edhe presidente e imja, hiç pa votuar për të.

Presidentja a Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjedhet tek para se të ketë kredibilitetin, besueshmërinë, dhe guximin qytetar, intelektual e njerëzor, fillimisht të nominohet e të dalë para nesh, para popullit, para meje dhe para krejt Diasporës që përgjatë gjithë dekadave nuk kurseu as paranë as trupin e as shpirtin që të kemi njëherë një Kosovë të pavarur e të dinjitetshme me një President a Presidente jo të katapultuar  nga zori si  oficerja e policisë Atifete Jahjaga momentalisht, por me loçkë të zemrës të mëvetësishëm e të dinjitetshëm që rrezaton legjitimitet e besueshmëri, që rrezaton korrektësi, që rrezaton fisnikëri që rrezaton  autonomi e sovranitet në veprim e në politikbërje, që rrezaton atdhetarizëm dhe kompetencë.

*A. Kutleshi është autor i dhjetë librave imagjinative dhe përkthimore.  Jeton në Austri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora