E enjte, 18.04.2024, 11:11 AM (GMT+1)

Editorial

Shefqet Dibrani: Flamuri i Kosovës

E hene, 07.04.2008, 09:26 PM


ANOMALI KOSOVARE:

FLAMURI I KOSOVËS

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Shefqet Dibrani
Kosova u bë shtet i pavarur, e bashkë me të u bë edhe me flamurin e vet. Flamur të cilin e zgjodhën vet apo ia sollën këtij vendi në “pako” si shumë çështje të tjera  kjo nuk do shumë mend, pasi dihet se për Flamurin e Kosovës nuk u lejua të debatohet siç qe premtuar një kohë të gjatë. Ndoshta ndërkombëtarët e kanë ditur se kosovaret do ta kanë vështirë të përcaktohen për simbolin e vet, prandaj është bërë mirë që nuk kanë pyetur fare ashtu siç po shihet se nuk na kanë  pyetur as kur bombarduan mbi Serbinë, as kur na çliruan nga serbi dhe as tashti kur u bë pavarësia e Kosovës. Megjithatë, e vetmja meritë e pamohueshme e kosovarëve ka qen dhe mbetet kooperimi dhe urtësia e tyre ndaj kërkesave të Amerikës, dhe kështu duke u bërë të dëgjueshëm ndaj urdhrave dhe kërkesave të aleatëve tanë, kanë arritur synimin e ëndërruar shekuj me radhë. Prandaj sa më shpejt që të kuptojmë këtë të vërtetë do të jetë më mirë për ne dhe për të ardhmen e këtij vendi.

U shpalos flamuri, siç janë shpalosur edhe flamujt tjerë. Edhe ky i Kosovës valëviti siç valëvitin edhe flamujt e shteteve të mëdha dhe shteteve të vogla. Edhe flamuri i Kosovës është një pëlhurë dhe ka dimensionet e veta, ka ngjyrat dhe simbolin e vet. Natyrisht u gëzuan të gjithë!... parlamentarë dhe qytetar, me një fjalë është gëzuar i tërë populli i Kosovës, sepse flamuri simbolizon shtetin e pavarur, dhe kjo gjë është një realitet i pamohueshëm.

E, Kosova u pavarësua, falë miqësisë e dashamirësisë së Amerikës. Atij vendi që na deshi më shumë se sa që e deshëm ne vetën tonë. Jo vetëm me rastin e Kosovës, po Amerika edhe para njëqindvjetësh  e bëri Shqipërinë shtet e shqiptarët i bëri komb më vete. Prandaj lutjet e Kosovës dhe të Kosovarëve, sikundër edhe të të gjithë shqiptarëve duhet drejtuar nga Amerika, nga Shtëpia e Bardhë që rrezaton paqe e prosperitet për tërë demokracinë evropiane, ku shtetet e mëdha me përulësi gjunjëzohen përpara Amerikës, prandaj të mos hezitojnë shqiptarët për t’u bërë aleat të sinqertë të këtij vendi që na qiti në dritën e paqes dhe të lumturisë, të prosperitetit dhe të demokracisë, duke na nxjerr nga skëterra e skllavërimit komunist e të skllavërimit sllav që na pushtoi edhe me mendje edhe me ideologji.

A nuk na mbrojti Amerika me aleatët e saj evropian nga vrasjet e barbaria e serbit, e ne për çudi të të gjithave, si për inat të tyre u vramë edhe në paqe mes veti. Madje, fatkeqësisht, ne vramë emra e simbole, intelektual e komandant që i shpëtuan krimit e barbarisë serbe. A nuk është për të qarë e për të lebetitur?!...

Po kush nga popujt e botës dogji flamurin e vet ashtu siç bënë kosovarët duke e djegur Flamurin e Presidentit Historik të Kosovës, flamurin e dr. Ibrahim Rugovës. Flamur ky që 100%, kishte elemente nacionale më shumë se ky që na e caktuan për simbol të Kosovës. Por lakej plëngprishës, e servil injorant, kandidat shkencash e alamet doktorantësh e dërguan atë Flamur në muze?! Madje a nuk është për të qar kur kujtojmë sa intelektual e akademik mbllaçitën kundër atij flamuri. Tash nuk e di se çfarë mendojnë për këtë flamur, por se janë duke heshtur merret vesh. Ndërsa politikan të tjerë a nuk patën premtuar se simbolet e shtetit do t’i nënshtrohen verdiktit të popullit, që me një referendum popullor do të vendoset për Flamurin e Kosovës. Por as ky premtim nuk u mbajt mësa premtime të shumta.  Tash nuk dihet nëse patriotët e politikës kosovare u majmën nga gënjeshtrat apo nga korrupsioni i tepruar që ngulfat demokracitë e brishta?!...

Unë nuk jam kundër këtij Flamuri të cilin e kam pranuar bujarisht, por jam për të trokitur në ndërgjegjen e të gjithë atyre që kanë kundërshtuar Flamurin e Ibrahim Rugovës, kanë kundërshtuar edhe Himnin e Ibrahim Rugovës, kurse flamurin e patën djegur në vende publike dhe tashti as gëk e mëk nuk guxojnë të bëjnë.

Shikuar në zhvillimet politike dhe diplomatike që ndodhën rreth Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë askush nuk duhet të bëhet i marrë dhe të mos e donë dhe pranon Flamurin e Kosovës ashtu si duhet të duhet Kosova. Askush të mos rrah gjoks se kishte sjell një flamur tjetër, madje të mos rrah gjoks as vizatuesi e dizajnuesi se qenka vepër e tij. Gjërat në Kosovë kanë rrjedhur ndryshe nga ajo që është thënë, se problemet janë zgjedhur në formë pakoje, duke mos na kënaqur plotësisht, por synimet janë realizuar, dhe kjo nënkupton se duhet edhe më tej me u përpjekur. Prandaj sakrifica dhe vetëmohimi ynë duhet të matet dhe të tregohet tashti në paqe, sepse të gjitha vendet e përparuara kanë zhvilluar demokracinë e tyre vetëm duke qen aleat besnik dhe luajal i pragmatizmit amerikan, vetëm duke u treguar kooperues dhe veprues me të gjitha vendet e Evropës duke mos anashkaluar as Serbin dhe Rusinë që tash për tash sikur janë duke shprehur mllefin e tepruar jo ndaj nesh sa ndaj dështimeve dhe politikave të tyre të gabuara, që kanë ndjekur dhe po ndjekin (jo vetëm kundër shqiptarëve por), kundër gjithë Evropës, e sidomos kundër Amerikës.

Flamuri i Kosovës le të jetë një simbol që do të përfaqëson demokracinë dhe mendjen e ndritur të këtij kombi në hapësirën ballkanike. Ai duhet të mbahet lart, madje me krenari nga vet kosovarët, dhe s’ka se si ndryshe se tashti ai Flamur përfaqëson identitetin tonë nacional.

E sa i përket kundërshtarëve të Flamurit të dr. Ibrahim Rugovës, sidomos elita intelektuale që mbllaçiti aq ligësisht, dhe zjarrvënësit që e dogjën në Prishtinë, e kanë për detyrë t’ia vënë gishtin mendjes së tyre dhe të pendohen që “për inat të resë thanë na vdektë djali”?!...

Fundja e fundit, aspak nuk është turp të pendohesh, turp është të mos korrigjohesh atëherë kur mund ta bësh një gjë të tillë, atëherë kur duhet në aspektin moral të justifikohesh, në të kundërtën të korrigjojnë miqtë që na sollën Lirinë dhe Pavarësinë,  e vetëm në saje të tyre dhe të Zotit, Kosova jonë do ta ndërtoj edhe DEMOKRACINË e cila duhet të rrezatoj shpresë e prosperitet, dhe duhet të bëhet shembull i mirë edhe për vendet e rajonit!

Zvicër, 6.04.2008.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora