E merkure, 24.04.2024, 07:50 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Meditime në 100 vjetorin e Pavarësisë

E marte, 24.07.2012, 07:46 PM


Meditime në 100 vjetorin e Pavarësisë

Nga Reshat Kripa

100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare po afron me gjithë madhështinë e kësaj dite historike. Për herë të dytë, pas periudhës së asaj të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, shqiptarët panë të lind shteti i tyre i lirë, shteti i tyre i pavarur.

Në këtë ditë historike  unë meditoj. Para syve  më shfaqen rrugët disa shekullore të këtij kombi deri sa mbërriti në atë ditë të lumtur. Më dalin para rrugët e përgjakura nëpër të cilat u detyrua të ecë ky komb.  Por më dalin edhe figurat e shquara të atyre burrave, disa të mbivlerësuar dhe disa gati të harruar, të asaj periudhe madhështore të rilindjes shqiptare.

Nuk e di por ndjeva një krenari kur Presidenti i Republikës i dha, ditëve të fundit, qytetit tim, Vlorës dhe firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë titullin “Nderi i Kombit”. Dyzet firmëtarë, dyzet burra të shquar të vendit që përfaqësonin Vlorën, Shkodrën, Gjirokastrën, Dibrën, Beratin, Pejën, Korçën, Gjakovën, Durrësin, Plavën e Gucinë, Elbasanin, Ohrin e Strugën, Përmetin, Krujën, Lushnjen dhe shqiptarët e Bukureshtit. Ata përfaqësonin gjithë Shqipërinë Etnike për të cilën shqiptarët kishin vite që kishin ëndërruar  dhe derdhur gjak.

Një krenari të tillë e kisha ndjerë edhe në vitin 1962, në pesëdhjetëvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, kur  regjimi totalitar i dha qytetit tim titullin “Qytet Hero”, megjithëse në listën e firmëtarëve të asaj kohe, me urdhër të diktatorit, ishin hequr shumë nga firmëtarët e vërtetë dhe zëvendësuar me të afërmit e lakejve të komunizmit dhe një gjë e tillë më hidhëronte së tepërmi.

Pak më lartë thash se meditoj. Çfarë ëndërroj? Në këtë vit jubilar do të kisha dashur që atdheu të ngrinte një memorial dhe pranë tij një varrezë madhështore, në njerën nga kodrat e qytetit tim ose edhe në kodrat e kryeqytetit,  ku të preheshin eshtrat e dyzet firmëtarëve martirë të kësaj dite historike.

Dëgjoj Kryeministrin shqiptar të deklarojë se së shpejti do të sjellin në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog dhe familjes së tij. Natyrisht e përshëndes këtë vendim. Ata e meritojnë një nder të tillë. Por, a nuk do të ishte në nderin e kombit shqiptar të kishte në gjirin e tij edhe të gjithë martirët e Pavarësisë. Ata aktualisht prehen në të gjitha skajet e globit tokësor, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Turqi, Vjenë dhe ku e di unë se ku tjetër, për të përfunduar të shpërndarë në Shqipërinë mëmë. Madje ka midis tyre edhe nga ata që nuk kanë ende një varr ku të përulen me respekt bijtë e këtij vendi, pasi komunizmi i la qëllimisht pa një vend ku të prehen të qetë.

Pikërisht këto meditoj tani. Hap kompjuterin dhe lexoj për aktivitetin e tyre. Një jetë e tërë në shërbim të atdheut. Ndaj edhe unë e ndjej për detyrë të shkruaj për ta. Natyrisht nuk mund të shkruaj për të gjithë, pasi shkrimi do të dilte pa fund. Po shkruaj  për aktivitetitn e katër prej tyre, për katër nga krerët e asaj kupole që solli Pavarësinë e Shqipërisë, madje për ta vetëm shkurtimisht sa për dijeni, pasi ata njihen nga të gjithë.

Mid-hat Frashëri

1908 -  Boton në Selanik gazetën “Liria”.

14   22  nëntor  1908   Kryetar  i  Kongresit   Manastirit  dhe   Nënkryetar   i

Komisionit të Hartimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

28 nëntor 1912 – Delegat i Elbasanit dhe i Pejës, Gjakovës, Plavës dhe  Gucisë  si

dhe Përmetit në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë dhe Ministër i Botores në Qeverinë e parë Shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora.

1923  -  1925 – Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Athinë.

1927 – Boton revistën “Dituria” dhe hap librarinë “Lumo Skëndo”.

4 prill 1929 – Si asnjë nga paraardhësit apo pasardhësit e tij lë testamentin, me anën e të cilit i linte shtetit shqiptar gjithë pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme për ngritjen e një Instituti Albanologjik në Tiranë.

1939 – Ideator i traktit të parë nacionalist për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike që u bë baza e dekalogut të ardhshëm të Ballit kombëtar, themeluar në nëntor 1942 ku ai ishte Kryetar i tij.

1 – 2 gusht 1943 Kryeson delegacionin e Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes ku së bashku me delegacionin e Frontit Nacionalçlirimtar vendosën për vazhdimin e luftës kundër okupatorit deri në fitoren e Shqipërisë Etnike.

1949 – Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”.

3 tetor 1949 – Ndërron jetë. Varri i tij ndodhet ende në Neë York (SHBA).

Rexhep Mitrovica

1910 – Pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit

28 nëntor 1912 – Delegat i Pejës, Gjakovës dhe Plavës e Gucisë në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

1920 – 1924 – Anëtar i Komitetit të Kosovës për degën e Durrësit.

1921 – 1923 – Ministër i Arsimit në Qeverinë shqiptare.

1925 – 1939 – Emigron jashtë vendit

Shtator 1943 – Inisiator dhe Kryetar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit

Nëntor 1943 – qershor 1944 – Kryeministër i Shqipërisë

1944 – Emigron fillimisht në Austri dhe më vonë në Turqi.

1967 – Ndërron jetë në Turqi. Varri i tij ndodhet ende në Stamboll.

Qazim Kokoshi

1900 – Anëtar i klubit “Labëria”.

28 nëntor 1912 - Delegat i Vlorës në Kuvendin Kombëtar. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë

1913 – Nënprefekt në Lushnje.

1914 – Kryesekretar i Prefekturës Vlorë.

1920 – Së bashku me Osmën Haxhiun dhe Qazim Koculin bën pjesë në treshen udhëheqëse të Luftës së madhe patriotike të Vlorës kundër pushtuesve italianë.

1921 – Deputet i parlamentit shqiptar

1924 – Bashkohet me lëvizjen e Fan Nolit.

1925 -1928 – Emigron në Itali

1932 – 1936 – I burgosur për pjesmarrje në lëvizjen e Vlorës kundër politikës së Mbretit Zog.

1943 -  Pas vrasjes së Reshit Çollakut, (burri i vajzës së tij) internohet në Bergamo Itali.

1945 – Kthehet në Shqipëri. Arrestohet dhe dënohet si armik i popullit

1946 -  Vdes në burgun e Vlorës. Për  të ende nuk ka ende një varr.

Lef Nosi

1909 – Kryetar i klubit “Vllaznia”  dhe themelues e Kryetar i shoqërisë “Afërdita” në Elbasan. Figurë qëndrore e organizimit të Kongresit Arsimor të Elbasanit si dhe hapjes së shkollës së parë normale në Shqipëri më 1 dhjetor 1909.

25 mars 1910 – Boton gazetën “Tomori”.

28 nëntor 1912 -  Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Ministër i Postë-Telegrafit në Qeverinë e Ismail Qemal Bej Vlorës.

1937 – Boton fletoren “Dokumenta Historike” ku ndodhet edhe Akti i Shpalljes së Pavarësisë.

1939 – Internohet nga pushtuesit italianë në Itali

14 shtator 1943 – Anëtar i  Asamblesë  Kushtetuese    shkëputi  Shqipërinë  nga Italia dhe e shpalli të pavarur.

1945 – Arrestohet nga komunistët dhe dënohet me vdekje me pushkatim. Ekzekutohet në vitin 1946 në “Kodrën e Priftit”. Edhe për të ende nuk ka një varr.

Përmenda vetëm këta, pasi mund të shtoja edhe të tjerë firmëtarë si Bedri Pejani, Salih Gjuka, Aristidh Ruci, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja,  Myfit Bej Libohova, Hajredin Cakrani, Xhelal Koprencka e të tjerë. Lista është e gjatë, dyzet firmëtarë. Të gjithë meritojnë respekt dhe nderim në këtë përvjetor. Por përmenda vetëm katër, pasi kanë diçka specifike që nuk e kanë të tjerët. Këta ose prehen larg atdheut për të cilin  u sakrifikuan, ose nuk kanë një varr ku të afërmit ose kombi mbarë të përulet dhe t’u sjellë një tufë me lule.

A e kanë të drejtën e një varri në atdheun e tyre? Natyrisht që po.  Kush  duhet  t’i sjellë eshtrat e atyre që dergjen jashtë atdheut? Kush duhet t’i gjejë eshtrat e atyre që ende nuk kanë një varr? Kush duhet të  ngrejë  një  varrezë  model  për  martirët  e  pavarësisë?

Natyrisht që shteti shqiptar.  Është detyra e tij ta kryejë këtë detyrë.

Para një viti një miku im me banim në Paris më tha se ishte i gatshëm të investonte për të sjellë eshtrat e Mid-hat Frashërit në Shqipëri.  Unë u entusiazmova me këtë gatishmëri. Cili nacionalist i vërtetë do të kursente për të sjellë eshtrat e Mid-hat Frashërit apo Rexhep Krasniqit? Cili nacionalist do të kursente për të gjetur eshtrat e Lef Nosit apo Qazim Kokoshit? Nuk besoj se mund të ketë nacionalist të vërtetë që të mos jetë i gatshëm.

Do të doja që emrat e tyre të ndiheshin në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të t’i shihja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione por, për fat të keq,  faqet e librave dhe radiove e televizioneve janë mbushur me ata që e zhytën këtë vend në errësirën mesjetare. Do të doja t’i shihja të përjetësoheshin në përmendore dhe memoriale në sheshet  kryesore të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera por, për fat të keq, sheshet janë të mbushura me përmendore komunistësh që i bënë varrin këtij kombi. Do të doja që emrin e tyre ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit por, përsëri për fat të keq, edhe këto institucione mbajnë emrat e atyre që për ideal kishin internacionalizmin proletar dhe  jo idealin kombëtar.  Në këtë jubile të madh do të doja që eshtrat e atyre që prehen larg atdheut të kthehen më në fund në truallin e tyre. Mjaft lënguan në dhe të huaj. Megjithse ai vend i priti dhe i respektoi, vendi tyre është Shqipëria. Do të doja që të gjendeshin eshtrat e atyre që nuk kanë një varr dhe të vendoseshin në një varrezë ashtu siç u takon.  Ata u sakrifikuan për shtetin shqiptar dhe është ky shtet që duhet t’u jap shtratin e prehjes së përjetëshme. Kjo do të jetë vepra më monumentale që duhet të bëjë shteti shqiptar. A do ta bëjë vallë? Nuk e di. Është në nderin e tij  një gjë e tillë. Këtë kërkesë e bëjë unë, një qytetar i thjeshtë. Por kjo është edhe dëshira e pjesës dërmuese të shqiptarve.

Vitet do të kalojnë. Brezat e ardhshëm që do të vijnë do të përulen me  respekt të madh përpara kujtimit të atyre që u bënë themeluesit e të parit shtet shqiptar. Në të kundërt, mjerë Shqipëria që do të mbetet pa historinë e saj më të lavdishme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora