Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Një libër i shkruar me dashuri

| E hene, 23.07.2012, 07:52 PM |


NJË LIBËR I SHKRUAR ME DASHURI

Mendime rreth monografisë “ISHTE! DARZEZA E RE” i studiusit Fatmir Miraka

NGA PËLLUMB GORICA

Në leximet e librave jam i prirë të shkruaj për vlerat që mbartin. Promovimi i vlerave, historisë, trashëgimisë kulturore, mjedisit, ngjarjeve, është një mision fisnik e tepër domethënës për të nxjerrë në pah tiparet, të veçantat e karakteristikat e secilës krahinë, zonë, qytet, fshat. Në këtë rrjedhë janë botuar e vazhdojnë të botohen monografi, jetëshkrime, kujtime, studime... . Dhe, është bukur, kur shkruhet me sinqeritet, që historia, ngjarje, traditat të mos harrohen. Studiuesi nga Sulova e Gramshit, Fatmir Miraka, ka botuar librin “Ishte! Darzeza e re”. Një botim interesant për këdo që do të njohë të shkuarën e këtij vendbanimi të dikurshëm të Gramshit, shtrirë buzë lumit Devoll, dikur pjesë përbërëse e krahinës së Sulovës. Kjo, më shumë e lidhur për banorët e Darzezës,  të shpërngulur nga shteti në fund të viteve ‘80 në Fier, për të ndërtuar aty një vepër të madhe energjike, Hidrocentralin e Banjës.

Në fakt, autori prej vitesh shkruan për krahinën e Sulovës. Ka botuar librin me kujtime për fisin e tij, Miraka të Sultit në Gramsh, me titull “Pema e jetës”.

“Ishte! Darzeza e re” i studiusit Fatmir Miraka, me ndërtimin e thjeshtë, është shkruar me dashuri dhe një ndjeshmëri realiste, një punë serioze e tillë që meriton të vlerësohet. Të shkruash, së pari duhet të kesh talent, njëkohësisht edhe njohuri të gjëra kulturore.  Ndaj, ajo që duhet theksuar në këtë prurje  të autorit, është fakti se është shkruar me rrëke mendimesh e episodesh interesante, gjë që lexohet me kënaqësi.Të bie në sy bukuria dhe thjeshtësia e thurjes së fjalës, shkathtësia e sintaksës popullore, ku spikat pasioni, këmbëngulja për të vlerësuar peisazhin, historinë, traditat e këtij vendbanimi, por edhe për t’i analizuar ngjarjet me syrin kritik. Për të shkruar këtë monografi e ka ndihmuar njohja deri në detaje e historive në bisedat me të moshuarit, por edhe duke bujtur në konakët e Darzezave, ndërtuar, ashtu thjesht e me paraqitje mbresëlënëse. Të Darzezave të thjeshtë, bujarë e mikpritës, të dashur për miqtë apo edhe për këdo siç e kërkonte zakoni i pritjes e përcjelljes  me fjalë shpirti. Darzezasit shquhen për mikpritje. Kushdo që vinte për herë të parë aty, këtë e vinte re menjëherë.

Monografia “Ishte! Darzeza e re” hapet me një parathënie, ku lexuesi përqëndrohet në strukturën komplekse të librit, vlerave njerëzore, historike, mjedisit natyror, traditave të Darzezës. Në vazhdim prezantohet njohja në fëmijëri dhe e rinisë së hershme e autorit për Darzezën me episode, histori të dëgjuara e të përjetuara, duke i ndërthurur me emra, vende, rrethana. kapitujt e tjerë autori shkruan realisht për të kaluarën e largët të Darzezës, me copëza faktesh të përzgjedhura nga historia e saj, përpjekjet e banorëve për mbijetesë. Për më tepër hidhet dritë për shumë nga etapat historike të këtij vendbanimi, duke sjellë në vëmëndjen e lexuesve jo pak  fakte të qëmtuara ( sigurisht të shfletuara), por edhe mbledhura nga të moshuar të krahinës, e veçanërisht të këtij vendbanimi me histori e kulturë të lashtë. Në morinë e këtyre fakteve të paraqitura dhe ngjarjeve të bien në sy referimet. Librat shkruajnë gjithnjë për libra të tjerë dhe çdo histori apo ngjarje tregon një histori të rrëfyer më parë, dhe, që natyrisht autori i citon në librin e tij. Teksa u drejtohet historive gojore, bën shpjegime më të besueshme për gjithçka që ka dëgjuar, lexuar, përjetuar. Ngërthen ngjarje që kanë lënë mbresa, emra, toponime, virtyte. Darzeza, si pjesë përbërëse e krahinës së Sulovës, është e njohur për vlerat historike e kulturore, emrave të njohur për çështjen kombëtare, për njerëzit e virtytshëm e me shpirt të madh. Lexon copëza tipike jete të ndërthurura me ndjesi intensivisht e vërtetësisht. Interesant është përshkrimi modest për njerëz punëtorë, ngjarje të rënda, fenomene, duke i sjellë në vëmendje e analizuar ato, por edhe rrëfimet nga mënyra e të jetuarit, të mikpritjes, mirësjelljes e komunikimit në këtë vendbanim. Me realizëm pasqyron ndjenja të holla njerëzore, vrojtime, histori të njohura dhe të panjohura, të cilat, të para në optikën e autorit apo studiuesit, të surprizojnë për sasinë dhe cilësinë e tyre. Me stilin e të shkruarit pasqyron dhjetra rrëfenja të bukura. Në të gjitha këto rrëfime është përvoja e brezave.

Një vend me rëndësi në faqet e kësaj monografie zënë traditat. Autori i përmend si krenari. Përshkruan edhe kostumet popullore me ngjyra të bukura, aktivitet kulturore, pjesmarrjen e amatorëve në evenimente, po ashtu shkruan edhe për punimet e leshit, ndërtimet, ritet e zakonet e dasmave, krushqitë, dollinë e të tjera veçori karakteristike të krahinës së Sulovës.

Studiusi, Fatmir Miraka, përshkruan edhe përpjekjet e banorëve të këtij vendbanimi për të jetuar me djersën e tyre, dhe, si rridhte ajo me ngjarje. Me gjakftohtësinë analistike, jo emocionale, por me nuanca logjike, me vështrimin  realist të problemeve e situatave të kohës dhe pasqyrimin e vështirësive ekonomike, ai ka shkruar me argumenta për peridhat e vështira që kaloi edhe ky vendbanim në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas. Përshkruan me dhimbje peripecitë e shumta që kaluan mjaft familje në vitet e sistemit të kaluar monist por, edhe me hollësi, detaje e angazhimet për zhvendosjen e banorëve, përgjegjësinë e një misioni të tillë  dhe akomodimin në një vendbanim tjetër buzë detit Adriatik në rrethin e Fierit, e cila mori emrin Darzeza e Re, si i përballuan  kushtet e reja të banimit.

Studiusi, Fatmir Miraka, me evidentimin e vlerave njerëzore, natyrore, të trashëgimisë kulturore, e, më së shumti historisë e ngjarjeve të këtij vendbanimi, shkroi me dashuri një libër memorial për të mos u harruar Darzeza e dikurshme buzë Devollit në krahinën e Sulovës.