E enjte, 28.03.2024, 10:47 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Agolli: Podrimjen e takova para 1 muaji, dukej si djalosh optimist

E diele, 22.07.2012, 06:33 AM


Nga Fatmira Nikolli

TIRANE - Lajmi se një prej miqve të tij më të mirë është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, kilometra larg vendlindjes, e ka prekur thellë Dritëro Agollin. Në takimet që kishim pasur me të, për intervista të ndryshme në shtëpinë e tij, na kish qëlluar të dëgjonim, biseda hokatare që kish bërë me Ali Podrimën. Se si poetët bisedonin deri pas mesnate, se si Podrimja vinte e rrinte edhe një javë të tërë në shtëpinë e Dritëroit, se si ky i fundit një muaj më parë i kishin thënë që do rrosh deri në 100 vjeç. Dritëroi na e kish përmendur shpesh, e na kish folur me vlerësime të mëdha, për poetin e njeriun Podrimja, por edhe për mikun Ali. Nuk qe fort e lehtë ta merrje dje në telefon as për ngushëllim, e as që t'i kërkoje një fjalë homazh, e megjithatë ai e pa të arsyeshme të "bisedonte" për të, por këtë herë pa atë, t'ia thoshte dy fjalë mikut, edhe pse ky s'do i dëgjonte kurrë. I rëndë dukej ai telefon në ato çaste, kur i shpreh ngushëllimet Dritëroit. Në të qindtën e sekondës, kushedi sa kujtime i përndrijnë në mendje, kushedi sa biseda e sa të qeshura, kushedi sa net dimri e vere të kaluara në Tiranë, në atë shtëpinë pranë Teatrit të Operës, kushedi sa plane të lëna në mes kaq dhunshëm, sa premtime të thyera, prej atij, që krejt padashje u bë "besëthyer" e anuloi edhe ardhjen e përvitshme të gushtit në Tomorr; se Podrimja në kujtimet Dritëroit jeton ende një njeri aktiv, si ai miku që e takonte edhe në Çorovodë edhe në Berat, si ai njeriu që qe një zog i lirë që udhëtonte pa fund, e si një zog edhe fundin e pat larg folesë. Dritëroi rrëfen si e njohu e si do ta mbajë mend, poetin e dhimbjes e dashurisë Ali Podrimjen...

Si e pritët lajmin e shuarjes së Ali Podrimjes?

Lajmi për vdekjen e Ali Podrimjes na ka mërzitur, na ka pikëlluar. E, jo vetëm ne që e njihnim, por edhe ata që lanë lexuar poezinë e tij. Ishte një poet nga më të shquarit e shqiptarëve, në të dy anët e Shqipërisë, edhe këtej edhe andej Drinit. Ali Podrimja ishte një njeri aktiv edhe sa i takon problemeve të shoqërisë e jetës së njerëzve, këtu në Shqipërinë zyrtare dhe andej në Shqipërinë tjetër. Më duhet të them se ka qenë një shok i mirë për të gjithë poetët. Nuk ishte ziliqar e as xheloz. I donte poetët e Shqipërisë e të Kosovës, shkruante për ta dhe i linte mënjanë mëritë, xhelozitë e zilinë. Është humbje e madhe ikja e tij. Është humbje për njerëzit edhe për ne poetët.

E takonit shpesh?

Sa herë që vinte në Tiranë më vizitonte në shtëpi e kjo jo vetëm vitet e fundit, por edhe para 1990-ës ka ardhur shpesh. Ai i takonte të gjithë miqtë e tij poetë e shkrimtarë. Shpeshherë ka ndodhur që kur vinte, të rrinte edhe një javë edhe 10 ditë këtu me mua në shtëpinë time. Ka qëlluar që bashkë me të, të vinte edhe Azem Shkreli, poeti tjetër i njohur që edhe ai është ndarë nga jeta. Zakonisht qëndronte gjatë dhe rrinim zgjuar e bisedonim deri vonë pas mesnate. E kam ndjerë në ato biseda dinamizmin e tij, lëvizjet. Donte të ishte gjithnjë në udhëtime. Ishte një zog që fluturonte. I donte aq shumë udhëtimet sa më ka qëlluar ta takoj edhe në Çorovodë, por shkonte edhe në Tomorr tek teqeja çdo muaj gusht.

Po hera e fundit që e keni takuar kur ka qenë? Si iu duk ai?

E kam takuar mbase një muaj më parë kur erdhi këtu. Ishte shumë optimist madje dukej si djalosh. Ai ka qenë një moshë me bashkëshorten time, Sadijen dhe i thashë se do të jetosh deri në 100 vjeç. Ai iku, po la pas një emër të madh, dhe kjo ka rëndësi. Emri i tij nënkupton një poet të përmasave të mëdha. Do e mbaj mend si një njeri të dashur, si një njeri të mirë. Humbjen e tij e kemi përjetuar shumë keq, jo vetëm se s'do mund t'ia lexoj më poezinë e bukur, por sepse do të më mungojë edhe zëri i tij, që nuk do ta dëgjoj më.

(Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora