Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën

| E diele, 22.07.2012, 08:06 AM |


Kadare: E ka Hoxha, e mësova nga arkivat

Nga Fatmira Nikolli

Ismail Kadare sqaron arsyet pse e hedh në gjyq bashkëshorten e diktatorit Enver Hoxha. Në një intervistë të shkurtër dhënë për "Gazeta Shqiptare" ai shprehet se ka qenë dëshira për të pasur dorëshkrimin origjinal të veprës së tij që mori jetë në vitin 1972 që e ka shtyrë. Shkrimtari i njohur sqaron se e ka mësuar nga arkivat faktin që dorëshkrimi origjinal i veprës së tij gjendet në duart e Nexhmije Hoxhës. Ndërsa shprehet se kjo është një histori e vjetër për të cilën nuk ka dëshirë të flasë në media, shkrimtari më i njohur shqiptar në botë, i vlerësuar më disa çmime ndërkombëtare, bën me dije se për këtë çështje nuk ka pasur kontakte me Nexhmije Hoxhën. Mbetet ende e paqartë se përse Nexhmije Hoxha e ka mbajtur dorëshkrimin e "Dimrit të vetmisë së madhe" prej kaq shumë vitesh dhe përse ajo nuk ia ka kthyer veprën autorit.

Zoti Kadare pse e hodhët në gjyq Nexhmije Hoxhën?

Kam dashur të kem në shtëpi dorëshkrimin tim origjinal për veprën "Dimri i vetmisë së madhe". Është një histori e vjetër kjo. Nuk do të doja të flisja për të.

Jeni i sigurtë se e ka Nexhmije Hoxha?

E kam kërkuar nëpër arkiva, aty ku ishin të tjera veprat të miat. Por, ndërsa dorëshkrimet e veprave të tjera i gjeta dhe i mora, dorëshkrimi i romanit "Dimri i vetmisë së madhe" mungonte.

Si e mësuat se e ka ajo?

E kam mësuar nga arkivat, përmes kërkesave që janë bërë aty. Ju thashë që është një histori e vjetër kjo. Janë kontaktuar disa institucione, ndër to edhe Muzeu Historik Kombëtar, por edhe arkiva të tjera që kanë qenë të përfshira.

Pra, e dini vetëm nga hulumtimet e bëra nëpër arkiva?

Po, informacionin e kam marrë përmes këtyre kontakteve me muzetë e arkivat, ku janë ruajtur veprat e mia. Ashtu siç thashë edhe më lart dorëshkrimin e romanit tim e ka Nexhmije Hoxha.

E keni kontaktuar ndonjëherë vetë Nexhmije Hoxhën për këtë çështje?

Jo unë vetë nuk kam pasur kontakte me të, është zyra avokatore që është marrë me këtë çështje. Unë nuk do të doja që të mediatizohej kjo çështje, megjithatë media ka punën e saj

_____________

Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën

Nga Thimi Samarxhiu

Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën për dorëshkrimin origjinal të librit "Dimri i Vetmisë së Madhe". Shkrimtari i njohur Ismail Kadare i është drejtuar dje Gjykatës së Tiranës, për të rimarrë dorëshkrimin origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe", i cili mbahet padrejtësisht, sipas tij nga Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Në padinë e depozituar dhe marrë në dorëzim nga gjyqtari Bledar Abudullai, Kadare ndër të tjera kërkon dhe rifitimin e së drejtës së autorit mbi këtë vepër. Kjo padi vjen vetëm pak kohë pasi Ismail Kadare ribotoi veprën e tij "Dimri i Vetmisë së Madhe", vepër e cila gjatë periudhës së komunizmit u censurua si në titull ashtu edhe në përmbajtje.

Padia

Avokatët mbrojtës të Ismail Kadaresë kanë depozituar dje në Gjykatën e Tiranës padinë civile kundër Nexhmije Hoxhës. Në objektin e kësaj padie kërkohet nga ana e Gjykatës së Tiranës: "Rifitimi i të drejtës së autorit mbi veprën artistike, dorëshkrimi origjinal i librit "Dimri i Vetmisë së Madhe" dhe rikthimi i dorëshkrimit origjinal i veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe" në posedim të z. Ismail Kadare. Marrja e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar inventarizimin dhe sekuestrimin e dorëshkrimit origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe", mbajtur në mënyrë të paligjshme nga e paditura Nexhmije Hoxha dhe lënia përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur të përcaktuar nga gjykata deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes." Ndërkaq, padia në fjalë është hedhur në short dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga ana e gjyqtarit Bledar Abdullai.

Precedenti

Vetëm pak muaj më parë Nexhmije Hoxha i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim kundër gazetarit Blendi Fevziu, të cilin e akuzonte se kishte vjedhur dhe publikuar më pas në librin e tij, ditarët e Enver Hoxhës. Organi i akuzës, pasi ka marrë në pyetje familjarët e diktatorit Hoxha, gazetarin Fevziu dhe ka kryer verifikime në Arkivën e Shtetit, ka vendosur të rrëzojë këtë kallëzim me argumentin se hetimi i akuzës në Arkivin e Shtetit u konstatua se s'gjenden procesverbale të dorëzimit të dokumenteve personale të diktatorit Hoxha. Ndërkaq, e veja e diktatorit sërish shprehet se ato ditarë janë vjedhur dhe se nuk gjenden askund.

Gazeta Shqiptare