Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Keze Kozeta Zylo: Zëri i vargut të Ali Podrimes lëshon tinguj qiellorë me fuqi hyjnore...

| E diele, 22.07.2012, 07:28 AM |


Zëri i vargut të Ali Podrimes lëshon tinguj qiellorë me fuqi hyjnore...

Nga Keze Kozeta Zylo

Ikja e parakohshme e Bardit të poezisë shqipe Ali Podrimes i dha ditës së sotme një nxirim me rè në ngjyrë mavi nga ato që di t'i përshkruajë vetëm një lloj pene si Ai, i cili iku larg, larg, që shumë prej nesh as se kanë arritur dhe as që do ta arrijnë…

Fjala e tij poetike kishte gati fuqi hyjnore, shëronte zemrat e lënduara, fashonte plagët e Kombit që rridhnin gjak dhe zgjonte nga gjumi letargjik, ata, gjumashët që gërrhinin në prehëra njerkash, ata që medoemos duhej të rrinin zgjuar!...

Dhe poeti i pagjumë ja niste kujes si në poezinë “Vaji për Kosovën”:

Na pate apo të kishim/ Në tokë as në qiell/ mori e uruar/, Hap shuplakën dhe peshoj/ Pikën e gjakut tënd/  (Munih, 1998)

Edhe pse se kishja takuar kurrë poetin fizikisht, është e çuditshme se si fjala e tij poetike të bënte mik bese.  Eshtë zëri i vargut që lëshon tingull qielli gati-gati Profeti, dhe ti si lexuese e apasionuar magjepsesh e tëra dhe ngrihesh si pupël për të takuar poetin atje në qiell, atje pranë yjeve ku kanë vendin vetëm kjo racë shkrimtarësh...për më tepër ky soj njeriu..., ky soj prindi që humbi birin e tij dhe i kushtoi një vëllim të tërë elegjiak, të pikëlluar “Lum Lumi” prej të cilit shkëpusim poezinë “Tim bir, Lumit”:

Erdhe në jetë/ Nuk ka më nevojë për kuje, lutje/ Kryesorja të jetosh/ Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë/ Prandaj:Bukën ta pjekësh dy herë nën saç/ Ujin ta ziesh deri në shkallën 99/ Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër/ në kohë kosmos”.

Poeti sikur ta parandjente ikjen me kohë ndaj në vend të Parisit vendvdekja shkruajti poezinë: “Parisi Vendlindja”, i cili thotë se: “Kur do të hyjmë në Paris/ ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve/ te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore/ ...Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi/ as perëndive të krisura/  Ma jep besën, Lum Lumi/ se nuk do të harrojmë vendlindjen/”

Metafora e vargut te tij ndrin thellë nga ninëza e syrit, dhe prej aty lexojmë baladat, këngët e vajit, të dasmave, dhe kaltria e qiellit të shpirtit të tij botën e çmendur shëron...

Çdo poezi e tij është filiz dhimbjeje, ngase u lind nga mitra e dhimbjes, nga mitra e përgjakur e një Kombi të tërë , ku poeti qysh fëmijë ndjeu ndjekjet e Hienave dhe të shkaut, ndjeu tmerrin e piklës së gjakut në fytyrë...

Në librat e poetit është udha e gjatë e bijve, janë poezitë me shkronjat prush që do të qëndrojnë të përflakura në përjetësi...

Ato janë drithërimë, lule bozhuri e përgjakur, por dhe ringjallje për brezat që do të vijnë.

Në kuadrin e 100 vjetorit të Shqipërisë dhe 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në koncertin e muzikës klasike që u organizua në Manhattan nga TV Alba Life dhe artistët shqiptaro-amerikane poeti i shquar Ali Podrimja ishte i përzgjedhuri i poetëve me poezinë “Epika” të interpretuar mjeshtërisht nga një i ri i shkollës së mesme në Staten Island, Bledar Maqellara, një artist që premton shumë.  Vargjet si: Me shekuj kam shitur gjakun/ E jam rritur me gjakun e shitur/ -Me shekuj kam hëngër veten/ E ditur s'kam të qesh me veten e tepruar.../ Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet/ “ ndezën sallën dhe si me magnet u elektrizua e tëra nga brohorritjet, duartrokitjet.

Tokës së Manhattanit e cila është në kërthizë të botës i kaluan mornica, ato shkuan deri në “Kombet e Bashkuara” që ishte me minuta larg saj…

Ajo ndërtesë gjigande struket e gjitha në një pikë loti të Ali Podrimes, ndoshta, ndoshta në një varg, në një strofë ajo fshihet… dhe ngrin…

Ndërsa poezia e tij i drejtohet miqve, miqve që e duan Kosovën, miqve që nuk e falin gjakun e Kosovës, ne miqtë e librave të tij, s’do ta harrojnë kurre Bardin e poezisë, Ali Podrimen, ngase poetë të tillë bëhen vetëtimë drite, qumësht lirie, zëri i vargut të tyre lëshon tinguj qiellorë, gati gati me fuqi hyjnore…

Amen!

21 Korrik, 2012

Staten Island, New York

Ps: Të interesuarit mund ta shikojnë dhe dëgjojnë poezinë e Ali Podrimes “Epika” interpretuar nga studenti i talentuar Bledar Maqellara në koncertin e muzikës klasike në Manhattan, në minutën 14:20...në lidhjen më poshtë:

http://www.youtube.com/watch?v=Yl-AfmSUe8k