E merkure, 24.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Faleminderit

Albert Vataj: Merr rrugën e amshimit poeti i kushtrimeve lirike

E shtune, 21.07.2012, 07:36 PM


Merr rrugën e amshimit poeti i kushtrimeve lirike

Nga Albert Vataj

Ka marrë rrugën e amshimit poeti i kushtrimeve lirike. Duke u fikun të gjallët e një poeti, një yll lind, një yll që është me ne në muzgjet medituese të poetit, në amën e pambarueme për me jetu në çdo moment me kangën e shpirtit. Zani dhe pena, zemra dhe poezia u kthyen në në flakadan të luftës për liri të Kosova, golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të sosun të të gjallëve të tijë, tharmi i kangës që diti me e këndu edhe atëherë kur jetonte me vdekjen. Ali Podrimja nuk është më. Hapat e tij kanë ndalur. Zemra dhe pena e këtij shpërthimi, janë thyer. Gjurmët e kësaj ikje shkruhen nxitimthi mbi kujën e kushtruar që nga Franca, për të mbushur me oshëtimë vdekjeje dhe pikëllim ndarje me botën shqiptare të letrave dhe jo vetëm, në moshën 70-vjeçare të lirikut. Ai iku si një poet i madh, si një penë e fuqishme, si një njeri që diti dhe mundi me e mbush jetën dhe gjithkënd përreth tij me energji pozitive. Ali Podrimja vdiq. Vdiq poeti. Ai u shua për të ndritur me kandë e me kushtrim, kahdo ku terri lëshon rraj, e flligsia dëbon dritën. Fjala dhe shpirti mbeten përmes vargjeve të tij, në mbamendjen e sejcilit që kungoi dëshirën për emocione të epërme.

Kur Vdes poeti- mëton Dritero Agolli, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje. Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës. Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij. Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë. Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash. Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese. Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak. Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur, sos këtë ndarje me poetin, Agolli.

Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thërritem e urisë për liri, dashuri dhe devocion.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora