E enjte, 25.04.2024, 01:03 PM (GMT+1)

Editorial

Baki Ymeri: Jeton Kelmendi dhe Një përurim i paharruar shqiptar në zemër të Bukureshtit

E diele, 06.04.2008, 06:03 PM


Jeton Kelmendi dhe

Një përurim i paharruar shqiptar në zemër të Bukureshtit

 

Baki Ymeri

 

Poeti Jeton Kelmendi dhe prof. Xhelku Maksuti
Organizuar nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës „Shqiptari”, në mesditën e 4 prillit 2008, ditën e fundit të samitit të NATO-s, në sallën e selisë së Partisë Nacionale Liberale të sektorit 6, në prani të një publiku të zgjedhur intelektualësh rumunë, arumunë e shqiptarë, u përurua me sukses vepra e poetit kosovar me banim në Belgjikë, Jeton Kelmendi, Ce mult s/au rarit scrisorile / Sa fort janë rralluar letrat, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Ishte një moment i paharruar që do të mbetet në kujtesë të poetit dhe dashamirëve të kulturës sonë në veri të Danubit. Nga të pranishmit shquheshin presidenti I Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë me prejardhje korçare (M. Istrate), kryetari i nderit të kësaj bashkësie (Xh. Maksuti), një mik i madh i demokracisë shqiptare (T. Puiu), sekretari i shoqatës së rumunëve të kudondodhur (F. Godja), poeti V. Moldovan, gazetar i revistës „Lumea Militara” (Bota Ushtarake), bashkëshorti i kushërirës së Sejfulla Malishovës (M. Simion), pjestarë të komunitetit

shqiptar, bij dhe bija rilindasish, miq të tjerë të kulturës shqiptare, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.  Moderatorë të lansimit ishin prof. Xhelku Maksuti dhe autori i këtij shkrimi, përkthyes i poezisë së Jeton Kelmendit në gjuhën rumune. Me këtë rast, prof. Maksuti përgëzoi pjesmarrjen e autorit në këtë manifestim, përkujtoi vizitën e tij në Kosovë dhe Kosovën para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.

 

Një heshtje e gjallë e bukurisë me shpirt të qetë

 

„Poeti Kelmendi, sipas prof. Xhelku Maksutit, që vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të krishtërimit shqiptar dhe betejave shqiptare për liri e pavarësi, është shqiptari i parë të cilit I përurohet një libër në Bukuresht pas shpalljes së pavarësisë. Ky autor i ri dhe i talentuar, i lindur në Pejë para 30 vitesh (1978), tejmatanë Prizrenit historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), e nderon sot Kosovën si poet, gazetar dhe misionar i NATO-s në samitin historik të Bukureshtit (2008).

Kujtoj me admirim Pejën e Haxhi Zekës dhe kelmendasve të tij, të cilën e kam vizituar para 30 vitesh. I kam lexuar me admirim vargjet e Ali Podrimjes, Sali Bashotës, Miradije Ramiqit, Ibrahim Kadriut dhe një varg poetësh tjerë nga Kosova, tashmë të njohur për opinionin rumun, dhe ja, vjen edhe ky vëlla yni nga Dardania e lashtë, të cilin e përgëzoj për vlerat e pakontestueshme të lirikës dhe dhuntisë së tij për ta gjetur kuptimin e dashurisë. Admiroj poashtu përkushtimin e Baki Ymerit për rikëndimin e vlerave shqiptare në gjuhën rumune, duke respektuar origjinalin dhe cilësinë, duke patur parasysh faktin se përkthyesi është një idealist që e gjen veten edhe në poezinë e të tjerëve, duke e përjetuar vëllimin „Sa fort janë rralluar letrat” si një uratë admirimi edhe nga ana e njohësit më të mirë të poezisë shqipe në gjuhën rumune, Marius Chelaru, i cili e vlerëson këtë vepër si „një udhëtim në një botë të brendshme, të sentimenteve multikolore dhe sekondave që derdhen përmes gishtërinjve të kohës, duke e konstruktuar realen në kohën kur koha, nganjëherë, duket se është thuajse „e prekur” dhe e thithur nga poeti, si çdo pjesë tjetër e ndjeshmërisë së dashurisë dhe shpirtit njerëzor”.

Ballina e librit te Jeton Kelmendit ne gjuhen rumune
„Monaliza e Kelmendit, e shkruar më 2006, është një heshtje e gjallë e bukurisë me shpirt të qetë. Prof. Xhelku Maksuti në fjalën e tij e përkujtoi përkushtimin e Rexhep Ismajlit i cili e fisnikëroi botën shqiptare me antologjinë e parë të poezisë rumune në gjuhën shqipe (1979), duke bërë fjalë pastaj për analogjitë që ka universi poetik i Mihai Eminescut me lrikën e Jeton Kelmendit, një lirikë ku ndjehet ideali kombëtar dhe sentimenti i ngazëllimit pas çrobërimit nga sundimi i huaj, siç ka qenë edhe rasti i Kosovës, në ditën e shenjtë të 17 shkurtit 2008. Autori vjen në Bukuresht si një luftëtar optimist i afirmimit të fjalës së bukur, si një misionar dhe vizionar i lirisë, për të cilën shkruan gjatë viteve të robërisë, se e din se „një ditë do të vijë dita ime”, ngase është e vërtetë se secili prej nesh „e ka nga një ditë”. Sa shumë janë rralluar letrat! Letrat janë rralluar ngase mendimi nuk ka vlerë për fjalë, dhe as fjala që e lodh mendimin nuk ka vlerë. Ti je zonja fjalë, ndërsa unë jam zoti mendim. Zonja fjalë je e bukur, kur mendimi im ta shton bukurinë, thot poeti me fjalë të tjera. Jeton jeton në Belgjikë me Kosovën në zemër. Përmes lirikës së tij të qartë e të brishtë, autori i jep kuptim jetës, duke e mundur të keqen si një luftëtar/mendimtar, i cili përmes universalitetit të tij,  jep kontribut për çlirimin e popullit të vet. Zoti Kelmendi! Lusim Zotin të përgëzosh evolucionin tënd, e të na bësh të mbetemi përjetë krenarë për faktin se të kemi njohur në Bukuresht, si një misionar i klasicizmit shqiptar të ditëve tona! (Xhelku Maksuti)

 

Drita e fjalëve

 

Në fjalën e tij, Mihai Antonescu, poet, prozator dhe eseist, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, theksoi: “Më duket se prej shekujsh e mbaj në trup këmishën e poezisë shqipe, ndërsa drita e saj e nxit murlanin në shpirtin tim me vargje të cilat më shërojnë nga vdekja duke i lexuar, apo, duke ua dëgjuar fëshfërimën e mrekullueshme.  Fuqia e vargjeve të poetëve shqiptarë buron nga zemra e përjetshme e një dheu të mbrujtur me dashuri dhe vuajtje që e përmbushin misionin e jetës me merita që mbeten në histori. Ja, mbaj në pllakat e shuplakës shpirtin poetik të Jeton Kelmendit, ndërsa drita e tij më duket e mjaftueshme, ngase buron nga rrënja e fjalëve që I lartëson në drejtim të shikimit, aq sa e kuptoj britmën e tyre edhe në adresën time, një lexues I gjorë, dhe më bën të jem dëshmitar i çastit fitimtar të lotit kosovar. Jetoni është një zjarr i brendshëm I degdisur nëpër prita e pritje fjalësh që s’të lënë të mbetesh i vetmuar, edhepse i kaplon nga një here vetmia në largësinë e një mendimi të cilit i janë fshehur rrugët. Poeti shkëput nga mishi i shpresës një mahnitje turbulluese që turfullon me të gjitha hijet që vijnë pas teje, dhe vjeshtat kalojnë këndejpari si një heshtje e fillimit kur të mbyll e shkuara në vetmi. Kush e din se cila erdhi më parë: “ardhja apo

shkuarja”,  pyet poeti duke ëndërruar t’i shërojë me fjalë krejt të vetmuarit e botës. Duke na i shëruar plagët e pashërueshme të shpirtit, Jeton Kelmendi e fiton betejën mendimtare të mundimit duke arritur të bëhet një zë i veçantë i ndërgjegjes artistike të shpirtit shqiptar.  Kështu, poemat e tij i japin peshë plotnisë dhe vlerës, duke u shndërruar në stoli të vërteta. Nga do të nisë dita ime e nesërme, ku është hija ime e djeshme, pyet poeti duke i kundruar te guri i padukshëm ëndrrat dhe zgjimin nga ëndërrimi, ujin, bukën dhe antinjeriun, shirat e lodhura, dëborën dhe krojet që s’duan të rrjedhin më shumë për ne ngase ua kanë rrëmbyer qiellin, dhe asnjë çik dimri nuk ma kanë lënë, thotë poeti: “dhe asgjë nuk ka mbetur për mua/ kush do ta gjejë vallë kodin tim/ për nesër”.

Delikat dhe i sinqertë, poeti sjell në gjykatën e instancës së fundit të gjuhës së tij dhe të gjithëve, çdo gjë të mbrujtur me vërtetësi, dashuri, dyshim apo fitore, në një regjistër personal të mirëstruktuaruar, që e vë pa kurrfarë dyshimi në qarkun e zërave të mëdhenj të lirikës së sotme shqipe: “Ëndrrës sime dhe zgjimit tënd”, thotë poeti, “nuk u dihet Atdheu/ as zhurmës sonë dhe as heshtjes sate/ nuk u besohet dita e nesërme/ thuase është e pasnesërmja jote/ nga e cila kam frikë” Ja pra, kjo është “Ardhja jonë në pergamenë”, në horizontin e mallit dhe pritjes së një përgjigjeje, poeti dëgjon qetësinë e skalitur në gjurmët e fjalëve, në brigjet e të cilave unë, shtegtar i vonuar apo i ardhur para kohe, nuk jam veçse njeriu me duart e pastra nga bardhësia e të cilave ka marrë fluturimin një pulëbardhë e vetmuar: “Një çik më vonë do të dalë në gurin e fjalës/ për ty do të dal dhe unë/ do të të pres gjatë/ me të gjitha shkuarjet/ me të gjitha ardhjet”. Dhe ja, dha Zoti një “një çik më vonë”, më mirë më vonë se kurrë, të dalë një “bandit” që din të përkthejë, e të na e sjellë shpirtin poetik të Kosovës kreshnike në veri të Danubit, në gjirin e gjuhës së një kombi me të cilin na lidh një e shkuar e lashtë dhe e bukur, nga e cila buron edhe fjala më e lashtë dhe më e bukur e nënshtratit të gjuhëve tona: bukuria. Qoftë i gëzuar dhe paharruar ky çast i bekuar! (Mihai Antonescu)

 

Shpërthim autokton i shpirtit shqiptar

 

Jeton Kelmendi ne mesin e miqve rumun
Poezia e Jeton Kelmendit është shpërthim autokton i shpirtit shqiptar. Këtë e ka thënë kohë më parë, Agim Gjakova, duke shtuar: “Ai i jep poezisë së tij art dhe shpirt, pra ndjenjë të bukur. Ndjenja e tij poetike përçohet tek lexuesi, nuk mbetet tek autori. Ajo godet

mprehtë, gjallnisht dhe hijshëm. Madje hijshëm edhe kur nëpër midis vargjeve ka heshtje”. Sa fort janë rralluar letrat, dhe sa fort dimë t’i identifikojmë miqtë për t’i njohur dhe afirmuar! Kështu e hapi fjalën në përurim poeti Florentin Popescu, shkrimtar i shquar rumun, admirator i poezisë shqipe, autor i tregimit “Beqari arnaut trimi i zonjës Neaga”. Sipas tij, “disa thonë se Kosova është Fole e Trimërisë, ne themi se Rumania është Atdheu i Poezisë. Ja ku e keni antologjinë e pesë poetëve të Kosovës Insula Nemuririi (Ishulli i Pavdekësisë). Kosova është ishulli i ëndrrave tona për qëndresë dhe mbrojtje. Fjala poetike e Jetonit dhe tejkalimi i saj në gjuhën e Emineskut, si dhe përurimi që i bëhet në këtë zonë të bukur të Favoritit, e zbukuron Bukureshtin me një moment të ri në folenë e pikëpjekjeve shpirtërore ndërmjet shpirtit shqiptar dhe gjuhës rumune të atdheut të poezisë. Kam pasur nderin të marr pjesë në lanismin e librit të Sali Bashotës në Bukuresht (2005), kam krijuar admirim të hatashëm ndaj vlerave letrare të Ali Podrimjes, Sabri Hamititi, Ibrahim Berishës, Basri Çapriqit, Ibrahim Kadriut. Tani po dëgjoj se do dalin në dritë dy antologji poetike me vlera antologjike të Brahim Avdylit dhe Fatmir Salihut. Kadriu shpreh keqardhje se s’na mbetet kohë për kremte.

Kelmendit i vjen keq pse janë rralluar letrat. Neve s’na vjen keq pse fjalët e poetit të veprës në fjalë të ftojnë tu bësh ballë betejave të jetës për të mbajtur lart flamurin e atdhetarizmit dhe qytetërimit shqiptar. Poeti e përjeton jetën në Kosovë, Francë, Belgjikë e gjetiu. Ai është një shpirt i brishtë që din t’i mësoje fjalët të të dashurojnë. Fjalët e tij janë fluturime lirike që të japin dritë për imagjinatë, aftësi, përgjegjësi dhe ekuilibër.”. Në përmbyllje, Florentin Popesku lexoi disa vargje të zgjedhura nga lirika e Jeton Kelmendit në gjuhën rumune. Pastaj iu dha fjala autorit, i cili shprehu kënaqësinë e tij shpirtërore për të marrë pjesë në një nga përurimet më të bukura që i është bërë poezisë së tij, jo vetëm në Kosovë, por edhe tejmatanë kufijve të Saj. Manifstimi u mbyll me një koktej simbolik, me cakrime gotash e fjalësh, me zgjerimin e rrjetit të miqësisë në qytetin, që sipas Lasgushit, mban emrin më të bukur të të folurit shqip.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora