Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albana Mëlyshi Lifschin: Fundjavë në "Mystic River"

| E shtune, 21.07.2012, 08:28 AM |


Fundjavë në "Mystic River"

-Shënime udhëtimi-

Shkruan: Albana Mëlyshi Lifschin

Daljet nga Nju Jorku me makinë janë një çlodhje e vërtetë. Makina fluturon nëpër rrugët e shoqëruara nga gjelbërimi i pafund dhe pastaj mjafton një ‘exit’ i papritur për të hedhur në një ‘planet’ ku s’ke qënë kurrë.

***

 Po afronte mesdita kur mbërritëm në Mystic River, Keneriket  (Connecticut ) dhe tek shfaqeshin hotelet e para njëri pas tjetrit na u krijua një ndjenjë sigurie që do të gjenim vende lehtësisht. Por, në fakt na u desh të ktheheshim disa mile pas, përtej  Interstate 95, për t’u  rehatuar së fundi në “Quality in”. I shfaqëm habinë tonë sportelistit të hotelit i cili na tha se Seaport është “populluar" shumë sot, pasi të nesërmen ka një shou me anije duri, ku do të ekspozoheshin mbi 100 të tilla , që nga ato  më të vjetrat, dmth mbi 100 vjeçare.

 Im shoq tërhoqi një hartë të vendit ku ndodheshim. Mystic-objekt i vizitës sonë ndodhet në një distancë të barabartë midis Nju Jorkut dhe Bostonit. Vizitorët më të shumtë  e ndoshta më të shpeshtë  vinin nga të dy shtetet, Nju Jorku dhe Masaçusets. Mistik-u i Keneriket, është një nga muzeumet e gjalla, historike, të SHBA. Çdo vit  ai pret e përcjell 400,000 visitors. 

-Shiko, i gjithë  ky vend është ‘mistik’ –thotë im shoq duke vënë gishtin tregues në hartën që ka përpara- dhe  vazhdon,- këtu kemi ‘fshati i vjetër mistik’, ‘banka mistike’, ‘shtypi mistik’…  dhe madje edhe Piceria ka prapashtesën  ‘mistik. E tërhequr nga koncepti “mistik” unë isha ende në pritje të diçkaje magjike dhe nuk mund ta pranoja që kjo të ishte kaq e thjeshtë. Rrugës më kishte  munduar  fjala ‘ mistik’. Cfarë kishte magjike,apo të çuditshme në këtë vend? Kisha blerë një libër “Haunted Connectikut” e më kishte mbetur në mëndje legjenda tragjike e Mary Hart, të cilën e kishin varrosur parakohe dhe fantazma e saj i kishte ndjekur banorët e fshatit tërë kohën. Kjo ishte më reale se sa kalërimi i kalorsit pa kokë,në luginën e heshtur të NY.Gjithësesi kjo nuk i takonte Mistikut. ku ndodheshim.

Në fakt përgjigja qe shumë më e thjeshtë dhe larg fantazisë sime. Mystic-vinte nga një fjalë e përdorur  nga banoret e parë të Amerikës, ata që ne u mësuam t’i quajmë indianë-  siç i kishte quajtur  Kristofor Kolombi për arsye që tashmë dihen. Ata ishin vendosur këtu që në vitin 1654,dhe në gjuhën e tyre  fjala missituk do të thoshte  lum me batice të madhe

 Vendosëm që shëtitjen në qytet, atë pasdite, ta bënim në këmbë. U ndalëm  para një porte të madhe ku qe vendosur tabela e mirseardhjes: Welcome to Mystic Seaport! Pikërisht në të djathtë të hyrjes,qe “instaluar ‘ një anije madhe druri, me ngjyrë të kuqe cila u bë objekti i parë i kameras sonë.  Porti mistik  ka më shumë 60 ndërtesa origjinale historike të grumbulluara në një vend e të restauruara me fizionominë e shekullit të 19-të. Në radhën e shtëpive të banimit syrit të vizitorit nuk mund t’i shpëtojë kurrsesi pamja e tre shtëpive të ndërtuara me një stilt të veçantë,  në krah të njëra tjetrës. Në gardhin e secilës, pranë portës kryesore, ishte vendosur pllakë me informacion, ku përfshihej viti i ndërtimit , emri i pronarit, fotografia e tij dhe e zonjës së shtëpisë si edhe dhe roli i tyre në jetën e fshatit Seaport të shek.19.Mësojmë që shtëpitë janë ngritur nga vëllezërit Greenman dhe e gjithë kjo zonë që quhej  Grennmanville, kishte trashëguar emrin e tyre. Po cilët ishin vëllezërit Greenman? 

Vëllezërit  Greenman

Librat thonë se Greenman ishin ata që i dhanë formën fshatit mistik Seaport. Ndoshta ky vend nuk do të qe zhvilluar po qe se nuk do të blihej nga tre vëllezërit Xhorxh, Kllark dhe Tomas Greenman në 1837. Të tre vëllezërit kishin marrë nga babai i tyre mjeshtërinë e ndërtimit të anijeve. Ata blenë tokën që kishte akses tek lumi në një kufi ujor të mjaftueshëm për të zhvilluar ndërtimin e anijeve dhe lançimin e tyre në lum. Të tre vëllezërit kishin talente të veçanta të cilat sëbashku, në harmoni, u siguronin sukses. Xhorxhi ishte bisnesmen i zoti, Kllarku kqyrte ndërtimine anijeve dhe Tomasi ishte  projektuesi  i tyre. Vëllezërit punësuan banorët e fshatit në bisnesin e tyre.  Në fillim të viteve ’40 të shek 19, bisnezi i ndërtimit të anijeve  lulëzoi. Fillimisht prodhuan anije peshkimi e më pas në 1844 anijen me avull  "Florida". Suksesi i tyre bëri që komuniteti të rritej. Vëllezerit Greenman  furnizonin komunitetin me mallra ushqimore dhe nevoja të tjera. Sot duket  disi e habitshme që punëtorëve,të punësuar në bisnesin e tyre ata u kishin dhënë apartamente banimi thuajse ngjitur me ta.

Shtëpitë e tre vëllezërve  të ngjashme në stil, në krah të njera tjetrës tregojnëpër unitetin që ata kanë patur në mes tyre. Si  drejtues në komunitet ata i shërbyen atij edhe në një plan tjetër duke u bërë edhe udhëheqës të tij shpirtëror.. Në 1851 hapën kishën e tyre baptiste.  Vëllezërit Greenman ishin kundër skllavërisë. Gjatë luftës civile kur  Presidenti  Linkoln mobilizoi kombin për ribashkimin e vendit,ata u bashkuan më të dhe nndihmuan luftën .Vëllezërit Greenmen lançuan gjashtë anije me avull të mëdha  në vitin 1862-63 duke i vënë në shërbim të unionit. Pas mbarimit të luftës dhe më pas me rënien e periudhës së ndërtimit të anijeve,vëndi tashmë i quajtur me emrin e tre vëllezërve Greenmanville, u fokusua ne prodhimin e tekstileve dhe kadifes. Në ditët tonë më ‘produkti ‘ i tij është mësimi  i artit të marinës.  Ky vend sot  ka muzeun më të  madh të marinës në SHBA . Ndoshta do të ishte surprizë e këndëshme për ju  po t’u tregonim se ekonominë e Mystic River në ditët tona e ka ndihmuar Hollivudi.  Kur e mësova këtë fakt më erdhi mirë pasi m'u provua parandjenja se duhej të egzistonte një lidhje e tillë, që kurse egziston një film i tillë artistik me të njëjtin emër.  Në 1987 këtu u xhirua  filmi ” "Mystic Pizza”,që merrej me jetën e tre kamariereve  në  një piceri, të luajtur nga aktoret Lily Tejlor Anabeth Gish dhe Julia Robert, atë kohë ende e panjohur. Filmi ndihmoi në zhvillimin e karierës se aktoreve por edhe në atë të qytetit. Në 1996 rregjisori i shquar Steven Spielberg zgjodhi pikerisht këtë vend për të xhiruar mjaft pjesë të filmit "Amistad"  që ushfaq në kinema një vit më pas. Filmi gjithashtu luhej nga aktorë shumë të njohur si Morgan Freeman. Mathew McConaughey dhe Anthony Hopkins, të tre në kulmin e karierës së tyre.Filmi punësoi mjaft nga banorët e  qytetit të vogël, rriti popullaritetin e Mistik-ut dhe shtoi turizmin. Madje na thanë se pas xhirimit të filmit  çmimi i shtëpive në Mistik  u rrit shumë.

Mbrëmja na gjeti në restorant “LLatitude”, të cilin im shoq e kishte zgjedhur, pasi aty  mund të darkonim jashtë në tavern duke ndjekur perëndimin e diellit në horizont.

Të nesërmen në mëngjes shëtitja u bë  brenda portit dhe buzë lumit deri në orën 11:30, kohë kur fillonte udhëtimi me anijen “Sabino”. Në Mystic River nga mbi 100 anije druri të stileve të ndryshme, anija me avull  Sabino, dykatëshe  të tërhiqte vëmendjen menjëherë. Mësuam që ishte një nga katër anijet historike, që janë deklaruar si ‘Landmark’.

Në 2008, para katër vjetësh, anija “Sabino “ bëri 100 vjetorin e saj. Sot ajo  është  kthyer në një anije turistike për të dëfryer turistët . E prita me shumë dëshirë udhëtimin me të. Ai që na shërbente si guidë, ishte një detar me sens humori. Pasi na ftoi në bordin e anijes, na tha se një kat më poshtë ishin xhaketat e shpëtimit,  të cilat janë më bollëk dhe shtoi:

-Janë tharë, dhe janë gati për përdorim.

U dëgjuan të qeshura. Natyrisht as që bëhej fjalë për ndonjë të papritur të tillë. Së paku askujt prej vizitorëve s’u shkonte mendja për një rrezik të mundshëm. Anija “Sabino” dikur përshkonte rrugë të gjata, në kohë të mirë dhe në stuhi detare. Anija operon me avull. Në katin e poshtëm  dikush shtynte qymyrin në furrën e anijes. Si mundej vallë  ta përballonte gjithë atë nxehtësi kaq pranë vetes? Tani në verë, gratë nuk durojnë  do t’u afrohen as sobave për të gatuar, nëse kjo nuk do të ishte e domosdoshme. Gjithësesi gjatë dimrit kjo pjesë e anijes është më e preferueshja, madje në kohët e shkuara quhej ‘salloni i zonjave’. Vura re që në të dy krahët e anijes,së këtij kati ,ndenjëset ishin dekoruar  dhe shtruar me kadife , gjë që vërtet i jepte një pamje komode  “salonit të zonjave”..Përfytyroja gratë  e shek. 19 apo fillimit të shek .20-të, duke bërë biseda nga më të ndryshme në ambjentin e ngrohtë të motorrit , ndërsa burrat në katin e sipërm”përlesheshin “ me stuhinë. Që nga viti 1820 deri 1920 banorët e kësaj ane mbështeteshin  në anijet më avull si mjet transporti ashtu sic përdorim sot makinat.  Ato kohë me rrugët e këqia dhe urat e shumta, udhëtimi me anijen me avull ishte shumë më i shpejtë. Një rrugë toksore që  normalisht zgjaste 8 orë ,me anije reduktohej në një orë. Anija me avull “Sabino”, ishte e fundit qëndroi ende në bisnes, pas zhvillimit të hekurudhave dhe daljes së makinave. Ajo u ndërtua në 1908, nga W. Irving  Adams  dhe operoi  në pjesën më të madhe të jetës së vet duke transportuar njerëz dhe mallra midis qyteteve të Maine dhe ishujve. Në 1974 u ble për të shërbyer si pjesë e ekspozitës  në portin e Mystic River .Gjithësesi  më e vjetra ndër anijet e drunjta të shout ishte “Austalia”, ndërtuar në vitin1862 me emrin Ella Aida. Këtë anije të vjetër nuk e shikoni në ujë. Ajo ruhet në formën origjinale të saj në një ambjent të mbyllur. Gjatë jetës së saj,ajo iu shit britanikëve  e u dërgua në  Bahamas.  Gjatë luftës civile u shfrytëzua nga tregëtarët e jugut kryesisht  për transport. Në 1961 pati një ide për restaurimin e saj, por anija e vjetër ishte shkatërruar kaq keq sa nuk ja vlente shpenzimi për restaurimin e saj. Sot vizitorët mund të ecin buzë anijes Australia, si pjesë e muzeumit të madh duke ekzaminuar skeletin e saj të drunjtë  tashmë në degradim të vazhdushëm

 Pas një dite të gjatë shumica e vizitorëve qenë ulur në stola buzë ujit, çlodhja që të jep perëndimi i diellit është e madhe. Me humbjen e rrezeve të fundit , njerëzit si të përgjumur filluan të lëvizin nga karriket. Në krahun tonë qe një tendë ku shiteshin kryesisht vela për anije dhe pranë tyre mbi bar disa libra. Duhej të ishin intruktuese, ndoshta për ndërtimin e anijeve. Libra të tillë pamë edhe në dyqanin turistik të portit, i cili ishte gjithashtu i pasur  me relike,autentike  dhurata më  interesantë që mund t'u bëhej miqve apo edhe vetvetes.  Përveç dy librave unë bleva edhe magun tim, i cili ishte i zbukuruar nga pamja e farit (lighthouse)  të portit mistik.

 Fari i portit

Fari është një nga enigmat e rrëfimeve magjike të fëmijërisë që na shoqëroi deri në rritje. Për herë të parë mësuam për Farin e madh të Aleksandrisë që në ditet tona”eshtrat’i prehen diku në ujrat e Mesdheut.  Kisha parë fare, apo ‘lighthouse’ nga larg, kujtimin e njerit e kam ruajtur nga udhëtimi me tren për në  Bon të Gjermanisë, por asnjëherë s’më kishte rënë  rasti të hyja në një të tillë ndaj imazhi i tij përsëri kishte ruajtur një farë magjie.Tabela e varur mbi derë me shënimin OPEN të ftonte brenda, ndërsa pas teje dera mbyllej automatikisht. Ndodheshe para katër ekraneve të cilët shkriheshin në një, kur fillonte filmi dokumentar  e  të bëhej se ishe ti që po luftoje me dallgët e egërsuara që përplaseshin mes shkrepëtimave e vetëtimave gjarpërueshe mbi det. Momente  të frikshme. Pikërisht në këto situata kur jeta lufton me vdekjen, drita e Farit nuk duhej të shuhej kurrë, përkundrazi mbetej e vetmja shprese orientimi për detarët fatkeq.  Nga dokumentari mësojmë që e para lighthouse apo fari i parë është ndërtuar në 1716. 

 Një telefonatë në mesnatë

Qe pothuaje mesnatë kur ra telefoni.Mu deshën disa sekonda,siç isha ashtu përgjumësh, të kuptoja se ishte telefoni i recepsionistit. Ia kalova receptorin tim shoqi, i cili  edhe ai njëlloj si unë, mezi u përmend.

-Po zbres në recepsion,dikush thotë që për shkak të një difekti në kompjuter informacioni që kemi dhënë nuk u del i plotë..  Po shkoj më mirë vetë poshtë se sa t’ja përsëritja informacionin në telefon.

Im shoq u kthye shpejt duke më thënë që ajo thirrje telefonike nuk qe berë nga recepsioni, por nga një i panjohur jashtë  hotelit, i cili u kishte kërkuar të lidhej me numrin e dhomës sonë. Mbeta një copë herë e habitur. Papritur kupton që deri atë moment  ke menduar se këto gjëra ndodhin vetëm nëpër filma dhe të zë një ndjenjë frike kur përballesh me një realitet kaq të prekshëm. I panjohuri duke llogaritur edhe kohën e përgjumjes, guxon të telefonojë hotelin duke zgjedhur rëndon një numër dhome, dhe pastaj të hiqet si personi i sportelit,dhe në mënyrë tepër të sjellshme, madje duke të kërkuar ndjesë për orën e vonë të telefonatës. Natyrisht i ka interesuar numri i kredit kardës.  “Jam me fat,thashë me vete që më është bërë zakon që për punë bisnesi  ia kaloj tim shoqi telefonin. Po të qe për mua, duke mos më shkuar mendja kurrë për keq, do t'ia kisha dhënë numrin e kredit kardës time pa pasur kurfarë dyshimi . E keqja të duket se nuk do të vijë kurrë tek ty deri në momentin që shfaqet , e nëse s’je vigjilent, i hap derën lehtësisht.

Ky qe episodi i fundit, të cilin mendja ime do ta ruaj për një kohë të gjatë, bashkë me kujtimin e kësaj vizite interesante në vendin mistik.

Korrik, 2012