Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Lindja e Shqipërisë nga Nikola Gay

| E premte, 20.07.2012, 06:58 PM |


KUR LINDI SHQIPËRIA

“LINDJA E SHQIPËRISË’’, NGA NIKOLA GAJ

Recensues Frank Shkreli

“Një shtëpi e ndarë dhe e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë.  Një komb i copëtuar nuk mund të jetojë, ai duhet të luftojë për bashkim ose të vdesë.’’   Harold Nikëlson

Kohët e fundit u promovua në Londër libri “Lindja e Shqipërisë’’ në gjuhën angleze nga autorja Nikola Gaj, botuar nga Shtëpia Botuese ‘’IB Tauris’’.   “Lindja e Shqipërisë”, trajton me saktësi shkencore ‘’Çështjen Shqiptare’’, e cila edhe pas 100-vjetë pavarësi mbetet një plagë e hapur për të gjithë shqiptarët, por  edhe me pasoja të rënda për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.

Në librin e saj, autorja Nikola Gaj ve në dukje se marrveshjet midis fuqive të mëdha aleate, në kurriz të shqiptarëve dhe përsa i përkiste fatit të Shqipërisë dhe    shqiptarëve, nuk kishin asnjë ndjenjë ose bazë morale – duke venë  në këtë mënyrë vazhdimisht në dyshim pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ajo shkruan se si të mëdhejtë e Evropës në fillim të shekullit të kaluar, coptuan Shqipërinë duke shpërblyer fqinjtë me më shumë se gjysmën e kombit shqiptar.

Libri është përqendruar  kryesisht në rolin e politikës britanike por edhe të fuqive të të tjera evropiane  si dhe mbi politikën e Uashingtonit zyrtar pas vitit 1917 ndaj çështjes shqiptare, duke u bazuar në burime të dorës së parë në arkivat britanike, amerikane e të tjera.

Thelbi i librit është se politika e hapët, diplomacia dhe  intrigat e ulëta të fuqive të mëdha evropiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në fillim të shekullit të kaluar, ishin, jo vetëm në përputhje me ta, por edhe aq armiqësore dhe  anti-shqiptare, sa ishin edhe politikat ekspansioniste të fqinjëve të saj në Ballkan.  Prandaj si rezultat i kësaj politike dhe diplomacie të fuqive të mëdha evropiane dhe fqinjëve grabitës, Shqipëria ka sot kufijtë që ka  – një padrejtësi prej një shekulli në kurriz të kombit shqiptar dhe si e tillë, heret ose vonë - më mirë heret se vonë – kërkon një zgjidhje të përhershme dhe përfundimtare.

Nikola Gaj, në librin e saj shkruan për formimin e shtetit shqiptar pas përmbysjes së Perandorisë Osmane, por mbi të gjitha, ajo përqendrohet duke përshkruar në hollësi se pse trojet shqiptare u ndanë copa copa midis vendeve fqinje, duke rrezikuar në këtë mënyrë vet ekzistencën e kombit shqiptar.   Ajo lidhë ngjarjet ndërkombtare të kohës me rrethanat e mbrendshme shqiptare duke mbuluar me fakte e dokumentacion një histori që fillon nga luftërat ballkanike dhe që përfshinë episode shqiptare dhe ndërkombëtare, - por edhe ngjarjetnë vendet   fqinje – duke filluar nga konferencat e Londrës e deri tek Konferenca e Paqës në Paris dhe krijimit të Ligës së Kombeve.  Në librin prej 338 faqesh, tetë kapitujsh dhe një mori fusnotash, bibliografi të pasur si edhe harta e fotografi personalitetesh shqiptare dhe të huaj të asaj periudhe, Nikola Gaj, shpjegon se pse dhe si u arrijtë më në fund pavarësia e Shqipërisë, bazuar në idetë që mbizotëronin në atë kohë mbi etnicitetin dhe identitetin kombëtar, por që më së miri u përcaktua me frazën e presidentit të atëhershëm amerikan Woodrow  Wilson, si “Vetvendosje kombëtare’’, për kombet e vogëla.

Nikola Gaj e fillon librin duke shkruar për shfaqjen e nacionalizmit shqiptar bazuar në gjuhën e folur në trojet shqiptare dhe mbi përpjekjet e patriotëve shqiptarë që identiteti shqiptar të pranohej nga fuqitë e mëdha të kohës, me qëllim që të ndalohej dhënja e tokave shqiptare shteteve fqinje. Ajo flet për diskutimet, në radhët e përfaqsuesve të fuqive të mëdha, për të përcaktuar se çdo të thoshte ëmëri “Shqipëri’’, si edhe mbi pranimin e gjuhës dhe etnicitetit si baza për krijimin e shtetit të ri.  Ajo në librin e saj nënvijon gjithashtu vështirsitë me të cilat përballeshin shtetet e vogëla, në këtë rast Shqipëria, sidomos kur nuk gëzojnë përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe.

Për më tepër, ajo shkruan në hollësi mbi arsyet dhe ndërlikimet e vendimit që morën fuqitë e mëdha për të anulluar pavarësinë e Shqipërisë dhe për të copëtuar tokat shqiptare duke ua dhënë  Serbisë, Greqisë dhe Italisë.  Njërin prej kapitujve, autorja Gaj ia kushton Konferencës së Paqës në Paris dhe se si “parimi i vet-vendosjes’’ nuk ishte paraparë që të zbatohej në rastin e Shqipërisë dhe flet për përpjekjet e Presidentit amerikan Wilson, përballë kundërshtimeve ndaj qendrimit të tij - për të rivendosur një zgjidhje për pavarësinë e Shqipërisë, të bazuar në parimin e etnicitetit – e që kundërshtohej vendosmërisht nga fqinjtë e Shqipërisë dhe mbështetsit e tyre evropianë dhe Rusia.

Autorja shkruan se Presidenti Wilson përballej me presione të shumta nga fuqitë evropiane përsa i përkiste Shqipërisë.  Madje edhe ndihmësit e tij e këshilluan Wilsonin që të tregonte më shumë mirëkuptim ndaj qendrimeve të evropianëve për “çështjen shqiptare’’, kryesisht për shqetsimet dhe interesat amerikane në lidhje me situatën në zonën e Adriatikut dhe në Ballkan.  Por, Presidenti Wilson hodhi poshtë edhe këshillat e ndihmësve të tij dhe mbeti i vendosur në bindjen e tij se Shqipëria nuk duhej përdorur si një gur shahu.  Duke u këthyer nga Konferenca e Paqës për në Shtetet e Bashkuara, Wilsoni i dërgon një telegram Sekretarit të Shtetit Robert Lansing, i cili pas largimit të Wilsonit kryesonte delegacionin amerikan në Konferencën e Paqës, e në të cilin presidenti amerikan i shkruante:

“Deshta që para se të largohem tu shpreh ju dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim të thellë mbi fatin dhe të drejtat e Shqipërisë. Kam frikë se në mesin e shumë çështjeve të tjera që mund të duken më të rëndësishme, të anashkaloni ose të mos përfillni këto të drejta.  U lutem shumë që ju të jeni jashtzakonisht të kujdesshëm në lidhje me këto të drejta (të Shqipërisë’’.

Më pastaj, në pjesën tjetër të librit, ajo shkruan për arsyet që patriotët shqiptarë hoqën dorë nga varësia e tyre në fuqitë e mëdha duke përdorur, sipas saj, mjetet diplomatike dhe ushtarake ndaj kundështarëve të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.  Autorja nënvijon taktikat që përdorën shqiptarët, kryesisht nepërmjet organizatave ndërkombëtare, që më në fund të siguronin  pavarësinë e tyre, megjithëse sipas saj, ata ishin të detyruar të moderonin kërkesat e tyre kombëtare me qëllim që të siguronin përkrahjen ndërkombëtare për mbijetimin e shtetit të ri.

Ky libër i bazuar në dokumentacion të dorës së parë, është një kontribut jashtzakonisht i vlefshëm në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë.  Pasi thuhet se historia është ajo që e tashmja dëshiron të mësoj për të kaluarën,  atëherë libri, “Lindja e Shqipërisë’’ e autores Nikola Gaj, duhet të lexohet doemoshmerisht nga shqiptarët por sidomos nga të huajt, të cilët kanë nevojë të mësojnë se si dhe pse kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër në Evropë e ndoshta në botë - që sot e kësaj dite - mbetet i ndarë e i copëtuar në një gjysëm dyzinë shtetesh fqinje rreth e përqark shtetit amë.

Botimi i këtij libri në këtë 100-vjetor, eshtë doemosdo një kontribut ndaj së vërtetës, por është edhe si një kujtesë se megjithë arrritjet e shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë kombi shqiptar nuk është ende ai që duhet të jetë - një, dhe i bashkuar - ashtu si e donin dhe e ëndërronin Rilindasit e Lidhjes së Prizrenit, për ndryshe rrezikon çfarosje.