E shtune, 20.04.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Editorial

Sami Repishti: “Letra Baritore 'Fides Et Patria'” - Nji koment

E enjte, 19.07.2012, 05:24 PM


LETRA BARITORE “FIDES et PATRIA” – NJI KOMENT

Nga Prof. Sami Repishti - Ridgefield, CT . SHBA.

Kam lexue me interesim dhe perfitim “Letren baritore te Ipeshkevinjeve te Shqiperise Fides et Patria (Fe e Atdhe), te leshueme ne Tirane , 2012, me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise se Shtetit Shqiptar,  drejtue besimtareve katolike dhe te gjithe njerezve me vullnet te mire.

Si laik, me pelqen te quej veten njeri me vullnet te mire. Nga nji qendrim i ketill “Letra baritore…”me jep nji lloj krenarie qe ndiej  kurdohere qe ne Shqiperine time dhe te pareve te mij, ngjarje me peshe kombetare ose morale, shembellejne ngjarje te tilla ne boten e qytetnueme; si p.sh. Enciklikat papenore dokumente udherrfyese per te gjithe. Ata synojne ruejtjen e vlerave shpirtenore e morale nga shoqenia moderne e hypnotizueme nga nji forme kapitalizmi te eger, dhe nji konsumerizmi te çmendun qe na rrethon.

Dokumenti pershkohet nga nji fryme optimiste, inherente e besimit te krishtene qe nalteson konceptin e “shpreses”. “Nuk mund te mos i gezohemi ende faktit qe disa vlera te rendesishme sikur jane jeta, martesa dhe familja edhe pse te demtuara ne shume aspekte jane serishe vlera ku mbeshtetet shoqeria shqiptare. Kjo e fundit ka prirjen per t’i ruajtur dhe kultivuar ata edhe me shume” (f.3) me deshiren dhe vizionin e nji te ardhme ma te mire.

“Letra baritore…” trajton dy aspekte te sotme te vendit tone: aspektin fetar dhe ate kombetar  dy perkujdesje qe Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare ka ushqye ne mendjet dhe zemrat e shqiptareve qe ne shekullin e pare te krishtenimit ne Shqiperi.

Ne boten ku jetojme, sot vrehet qarte nji prirje e thelle me mohue, ose te pakten me anashkalue mesimet qe frymezohen nga besimi ne Hyjni, ose edhe me i vulgarizue . Kjo prirje ka shkue aq larg sa qe vihet ne dyshim edhe e drejta e atyne qe besojne ne Zotin, dhe predikuesve fetare, me fole lirisht fjalen e tyne, me çfaqe mendimin e tyne dhe me ofrue keshillin e tyne. Kisha katolike perballohet sot me probleme te veshtira si rralle here ma pare. Prandej, “letrat baritore” jane nji domosdoshmeni!

Ketu, ne SHBA , ku forma materialiste e mendimit dhe e jetes ka  ec shume gjate ne rrugen e vet dhe ka krijue nji shoqeni hedoniste te forte, ka arrijte kufijt e proklamuem nga vitet e çthuruna te ‘60 dhe ’70-es, te njohuna si “hippies” dhe te parullave te tyne “free your body, free your mind” (ban ç’te duesh, mendo si te duesh). Ashte nji liri e cmendun qe perjashton pergjegjsine  vetiake dhe kolektive, sikur jeta e jone te siellej ne zbrazeti pa asnji bosht- bota ku mbretnoi rregjimi i droges, muzikes se çmendun, dhe çthurjes seksuale.

Keto kohet e fundit, ne SHBA, subjekti i perballimit te rrymave shoqenore ka qene “martesa ne mes dy personave te te njajtit seks” ne emen te nji lirie te plote. Nji hap i ketill kaq ekstrem per shoqenine –ashtu si e njohim na- ka shkaktue reagime te forta. Ne qender te rezistences kunder kesaj rryme degjeneruese, qendron hjerarkia e Kishes katolike e cila flet ma za te nalte dhe keshillon e drejton besimtaret katolike, ne rrugen e percaktueme mire nga doktrina e krishtene.

Nuk ashte fjala thjeshtesisht per ndergjegjsimin e pranise se ketyne fenomeneve. Ajo qe vihet re çdo dite e ma teper, ashte pyetja ne se Kisha Katolike ne pergjithesi ka te drejte me shpalle “edikte” dhe me kerkue zbatimin e tyne pa debat, dhe pelqim paraprak.

Disa kisha kristiane (jo-katolike) jane te mendimit se “e verteta” merr forme simbas ambientit kulturor ne nji kohe te caktueme. Me nji fjale, edhe te vertetat themelore relativizohen. Linde pyetja: a duhet qe edhe Kisha Katolike te ndjeke kete metode qe pranon se e verteta ashte e vertete vetem persa kohe qe populli e pranon si te vertete –menjifjale, ajo ka permasa vetem tokesore dhe popullore. Emily Ostertag tue komentue tash se voni per kete problem mendon se “ka  disa te dhena qe nuk mund te kundershtohen, ne  qofte se pranojme se ka te verteta ne kete bote”. Kisha katolike shqiptare i referohet Krijuesit, dhe mbeshtetet ne qendrimet e mbajtuna nga Vatikani. Shembull? “Familja rravizohet ne shestimin e Krijuesit si nje vend paresor i humanizmit te personit njerezor”, dhe te shoqenise, e gjithashtu edhe si “djepi i jetes e i dashunise” (f.4) Koncepti i familjes tradicionale, burre, grue e femij ashte i paprekshem!

Reagimet e Kishes Katolike ndaj fenomeneve “negative” thuhet se mund te jene shkaktue nga “pasiguria dhe paniku”. Kjo teze nuk merr parasyshe faktin se kjo Kishe ka rranje dymije vjecare me parime te vendosuna fortesisht; ajo nuk ashte nji sekt i perkohshem i lindun nga kaprice te elementeve shpesh here te disekuilibruem. “Ata (veprimet e Kishes) ndjekin nji stategji te percaktueme mire,” shkruente  rishtazi ish jezuiti Tim Iglesias, ne The New York Times (24 maj 2012)”Kisha ka ardhe ne perfundimin se nji bashkesi ma e vogel, ma e bashkueme dhe qe pranon doktrinen me entuziasem rreth Kishes ashte ma e preferueshme se nji tjeter e shperndame, jo unike dhe e pakontrollueshme”. A do te thote kjo se “katolicizmi” (universalizmi) i Kishes asht tkurre?

“Letra baritore…”tregon te kunderten. Ajo u ban thirrje bashkesive fetare te ndryshme te ruejne trashegimin dhe te ”perjetojne nje dialog te perzemert dhe harmonik…qe duhet ruajtur e te mbrohet gjithnje nga prirjet fundamentaliste”(f.5) Ky qendrim tregon konfidence dhe fortesi. Dhe me kete qendrim ajo “…kerkon (edhe) rruget e dialogut dhe mirekuptimit per ate ardhmen e Shqiperise.”(f.5) Tue pranue diversitetin Kisha katolike shqiptare hjedh bazat e  solidaritetit njerezor.

Kisha katolike akuzohet se ne kundershtimet e saj dallohet nga “nje mos-tolerance absolute” ndaj kerkesave te kohes. Nji percaktim i ketill ashte mohimi i se drejtes se Kishes katolike me shprehe, kur paraqitet nevoja, bindjen e saj se ekzistojne disa parime themelore baze qe bajne katoliket ata qe jane: “katolike”. Pervec kesaj, “mos-toleranca absolute” nuk ashte gjithnji shenj “pasigurie dhe paniku”. “Ka raste kur kjo kambengulje e Kishes ashte prove e bindjes se thelle dhe e kurajos me  fole haptas kunder cdo gjaje qe ajo (Kisha) e sheh si te gabueme”, shkruen Rev. Charles W.Papenfuss, i kishes episkopale te Wisconsin. Kete “mos-tolerance absolute” Kisha katolike shqiptare e tregon ne perpjekjet e saj me mbrojte familjen, martesen, monogamine, dhe me kundershtue divorcin, dhunen familjare, bixhozin,  droget , alkoolin, etj. Ajo ashte e papajtueshme me “plagen e rande te hakmarrjes” dhe quen pajtimin ”nji akt hyjnor”. Aborti ashte vrasje. Pike! Eutonazia ashte vrasje. Pike! Vetevrasja ashte kunder dashurise se Hyjit te gjalle. Pike! (f.6)

“Kisha katolike si nji institucion i edukimit te ndergjegjes nuk do te heshte kurre se ngrituni ne mbrojtje te familjes dhe te vlerave qe e bejne ate me te qendrueshme, dhe me te forte”.(f.5) Ky qendrim tregon bindje dhe guxim, dy cilesi te rrallla qe u

treguen botenisht edhe gjate viteve te represionit “…  te rregjimit komunist, nje nga me te egrit ne bote” …kur “Kisha katolike pesoi nje torture dhe perndjekje shume te madhe”.(f.2)…pasojat e se ciles po i ndjejme edhe sot e kesaj dite. Per kete, ajo i ben thirrje bashkesive fetare per mirekuptim e bashkepunim me kultivue ‘dialogun fetar’”…si nje vlere te rrenjosur brenda kultures se popullit tone”.(f.5)

Vuejtja e persekutimi nuk maten, as peshohen. Por nga aspekti numerik i tragjedise njerezore ne vendin tone te martirizuem nga komunizmi, “Letra baritore” me te drejte thekson se”…shembulli i madh dhe qendresa heroike e shume te krishteneve katolike dha nji kontribut shume te madh ne ardhjen e lirise”(f.2)

Krimet komuniste ne Shqiperi, pasojat e te cileve i vuejme akoma sot, jane njohe nderkombetarisht si “krime kunder njerezimit.” Vete Papa Gjon Pali II, gjate vizites tij ne vitin 1993, deklaroi se ajo qe ka ngja ne Shqiperi nuk ka ngja ne asnji vend te Europes, dhe Europa duhet ta dij kete. Me çfarosjen fizike te klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjeter ne zbritjen poshte drejt ferrit: gjenocidin! Teorikisht, ky gjenocid ashte planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht ne zhdukjen fizike te nji pakice te caktueme (ketu kleri katolik shqiptar) vetem sepse kane qene kundershtare te vendosun te sistemit, jo thjeshtesisht si indidivide, por si nji grup shoqenor ne vete, i cili kishte pranue vullnetarisht misionin e perhapjes dhe ruejtjes se fese katolike ne Shqiperi. Pak peshe çonte fakti qe ky grup ka perba kolonen vertebrore te organizimit te nji shoqenie te mobilizueme per qendrese ne kryengritjen e Skenderbeut, krenaria e historise sone kombetare. Pak peshe çonte fakti se ka qene pikerisht ky grup i veçante qe ka mbajte te gjalle shqiptarizmin per ma shume se pese shekuj robenie otomane. Pak peshe çonte fakti se ashte pikerisht ky grup qe vazhdon me predikue-ashtu si ne te kaluemen: “per te krishtere, …dashuria shkon deri ne dashuri per armikun”(f.5)

Historia e popullit shqiptar nuk njeh nji rast te vetem kur kleri dhe popullsia katolike te mos kene qene pjesemarres, dhe ne shume raste udheheqes, ne kalvarin e gjate te vendit tone ne luftat kunder fqinjve e anmiqve kercenues. Me nji ton pervuejtenie, “Letra baritore” shkruen:” Nuk mund te mos permendim ne krye te kesaj Letre faktin se nder eterit themelues te shtetit dhe te kombit te ri shqiptar, qendrojne figura te rendesishme te hierarkise katolike, dhe mbar komunitetit katolik…”(f.2) Me 25 Prill 1993 me viziten e Atit te Shenjte, Gjon Pali II, u rimekamb perseri hierarkia kishtare katolike. Me 19 tetor 2003, u lumezue krenaria e jone Nana Tereza, dhe tashti po perfundon procesi diocezian i kanonizimit te 40 martireve te komunizmit. Kisha Katolike Shqiptare mbijetoi, u ringjall, dhe rritet cdo dite e ma shume. Ky Lazarus i shekullit tone na gezon te gjitheve!

*

Pjesa e dyte e binomit, “atdheu”, paraqitet me nji emocionalitet qe, pa damtue forcen e arsyes, prek cdo zemer shqiptare.

Para ase gjithash, na keshillohemi “Ashte detyra e qytetareve  t’i japin ndihmen e tyne pushtetit civil per te miren e shoqerise, ne shpirtin e se vertetes, drejtesise, solidaritetit dhe lirise. Dashuria dhe sherbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyra e mirenjohjes dhe nga rendi i dashurise”.(f.6)Ky kushtezim ashte themelor!

“Letra” deklaron gjithashtu se “…qytetaret jane te detyruar ne ndergjegje e te mos i ndjekin ato ligje te autoriteteve civile qe jane ne kundershtim me kerkesat e rendit moral, me te drejtat themelore te personit dhe me mesimet e Ungjillit”.(f.7)

Kjo deklarate ashte e ngarkueme me kuptim, dhe parashikon edhe rrjedhimet e paevitueshme qe ajo sjelle. Ketu shihet ajo qe Imzot Desmond Tutu, i Afrikes jugore, quente “ e drejta kristiane me u revoltue”. Ne kete deklarate une shoh edhe thelbin e rezistences anti-komuniste tek shqiptaret katolike: revolte kunder shtypjes se fese dhe asgjasimit fizik te klerit katolik , - dhe e pershendes.

Kjo logjike, vijon “Letra baritore”, “…mosbindja civile ne rastin kur ligji dhe rregullat kundershtojne ligjet e pashkruara te ndergjegjes e te arsyes, apo te vertetat hyjnisht te zbuluara, perben nje te drejte te pacenueshme e te patjetersueshme te personit, te drejte te cilen ne si ipeshkevinj bejme thirrje qe t’a ushtrojne te gjithe”. (f.7)

“Letra baritore” e sheh sfiden e se ardhmes shqiptare ne “…kthimin e plote te timonit te anijes shqiptare drejt Europes”.(f.7) Ky qendrim i pakompromis europian na gezon. Europa ashte shtepia e jone. Aty kemi gjete strehim ne ditet e veshtira; aty kemi gjete ushqim sa here qe kemi kerkue drite e dituni. Prandej edhe thirrja drejtue  te gjithe intelektualeve ‘katolike e jo-katolike’ “…qe te marrin angazhime ne jeten politike dhe shoqenore te vendit, duke i dhene kesaj jete shpirt e gjalleri e duke sjelle ne proceset demokratike dhe shoqenore te Shqipoerise nje fryme te re”. (f.7)

“Letra baritore” perfundon me nji mesazh per te rinjte”…e ardhmja e shoqerise, e atdheut tone, dhe e Kishes”. Aty kerkohet “…ruajtja e traditave dhe virtyteve me te bukura te trasheguara…”.”Pa virtyt nuk ka atdhe”.(f.6) “Letra baritore” thekson randesine e angazhimit arsimor  dhe kulturor dhe denon analfabetizmin dhe dembelizmin, dy smundje te randa te trashegueme nga e kaluemja e errte. “Letra” nxite “krijimin e personalitetit dhe dinjitetit njerezor” nepermjet shkollimit dhe deshires per te verteten, dhe ban thirrjen, qe buron nga deshprimi i jone i pergjithshem : “Mos e braktisni atdheun! Atdheu ka nevoje per ju!”

Duhet te punojme per “Nje Shqiperi me Zotin, e per njeriun! Kjo me kujton keshillen e Imzot Rrok Mirdites, Argjipeshkev i Tiranes dhe i Durresit gjate vizites tij ne SHBA.

 

City University of New York

Maj 2012



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora