Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Të falem, o Zot, që jam lindur shqiptare

| E merkure, 18.07.2012, 07:33 PM |


Të falem, o Zot, që jam lindur shqiptare

Nga Meri Lalaj

Nuk u besoj reklamave që jepen në televizor. Kurrë nuk e blej atë pako makarona së cilës i bëhet reklamë. Mikesha ime përkundrazi beson gjithçka. Këmbënguli se duhej të shkonim me pushime në Sharm El Shelkh sipas një superoferte. U binda. U nisëm. Sapo mbërritëm në aeroportin e tyre filloi zallamahia e vizave, duhej të plotësonim ca formularë. Ndonëse ishte një orë e vonë e natës, punonjësit e aeroportit të ngeshëm punonin ngadalë pa e prishur terezinë “avash-avash”. Ne qëlluam në Hotelin “Al Diwan”, që nuk ishte hotel i ri.

Kur gdhiu dita pamë se hoteli i ndërtuar me një arkitekturë shumë interesante shtrihej në gjerësi me disa ndërtesa të bardha dykatëshe të ndryshme nga njëra tjetra sipas stilit arab besoj, janë pa çati sepse atje bie shi vetëm njëherë në vit. Edhe këto çati-dysheme ishin të shtruara me pllaka sikuse korridoret tona dhe të rrethuara me bedena të bardhë. Dritaret pa grila vetëm me perde të rënda nga brenda dhe në vend të hekurave disa kafaze të drunjtë me forma arabeskash. Përqark hotelit një mur i lartë rrethues i bardhë. Fare pak gjelbërim disa palma kokëvarura dhe disa shkurre anash ndërtesave. Rrethuar nga ndërtesat e bardha ndodhej pishina me tri lartësi të ndryshme uji për të rritur e për fëmijë. Kur dilje nga pishina si nga një shkëmb rridhte uji i vakët për t’u shpëlarë. Kudo ka hapësira, ndërkaq mendja më shkon tek ndërtesat shumëkatëshe të Durrësit, Sarandës, Vlorës ngjitur me njëra tjetrën për të thithur sa më shumë pushues, që në të vërtetë i largojnë pushuesit.

Sapo marrin vesh arabët se jemi shqiptarë na përmendin bashkëkombasin tonë Mehmet Ali Pashën, i cili themeloi shtetin e Egjiptit. Egjiptianët kanë pasur probleme pas “Pranverës Arabe”, më shpjeguan se hoteli ku qëndruam ne kishte qenë i mbyllur për nëntë muaj dhe tani në vend të personelit të dikurshëm me 130 persona, fuksiononte vetëm me 25 persona. Në të gjithë hotelin shërbenin vetëm meshkuj, pastrimin e bënin disa djem të rinj. Veçse hoteli 200 metra më tej “Gardenia Plaza” ishte i ndërtuar në një stil më europian, dritaret me grila dhe stili i ndërtesave ndryshonte. Po ashtu pjesa tjetër e Sharm El Shelkh-ut Naama Bay, që e pamë natën ishte një mrekulli me restorantet e shumtë, klubet, supermarketet, kazinotë të gjitha sipas stlit spanjoll, italian, rus, japonez e të tjera. Kurse Old market ishte pjesa e vjetër e qytetit nëpër muret ishin të shkruara tok me fportretet e tyre fjalë nga filozofia e faraonëve.

Deti ndodhej 700 metra larg dhe për atje ne shkonim me autobus që nga porta e hotelit sepse vapa përvëluese arrinte 44-45 gradë celcius e përgjatë rrugës nuk kish asnjë hije për t’u mbrojtur nga dielli. Plazhi ynë quhej “Gjiri i Peshkaqenëve”, nuk pamë asnjë peshkaqen, por në ujin e kthjellët shumë të kripur e të tejdukshëm të Detit të kuq pamë peshq të mrekullueshëm bojporokalli me vija të zeza, fare të kaltër, të kaltër me vija të zeza, njëri prej peshqve e kish emrin Royal Angel Fish (Peshku Engjëll Mbretëror). Një ditë pamë edhe vezë oktapodi, që lundronin sipër ujit posi copa pelteje ngjyrë jargavani. Një vend shumë i mirë për të notuar.  Plazhi në vend të rërës kishte gurë të vegjël të thërrmuar si zhavor që të përvëlonte këmbët. Në atë gji hynin shumë zhytësa me aparatet përkatës për të parë koralet. Në gji ndodheshin të ankoruar disa vaporë të vegjël që merrnin udhëtarët për shëtitje në det.

Pashë femra të mbulura kokë e këmbë me dolloma të zeza, madje disa e kishin edhe fytyrën të mbuluar, përveç syve, por ata sy (jo të gjithë) ishin aq shprehës, aq të bukur, aq joshës saqë ua kalonin hireve të një femre me trup të veshur me rroba banje. Këto femra të mbulura futeshin në det apo në pishinë me të gjitha rrobat, gëlldum e në ujë dhe nuk dilnin për orë të tëra. Vajzat e reja ishin të hajthme të pambuluara plotësisht ishin të veshura me streçe të ngjitura pas këmbëve dhe me një bluzë të lehtë mbi to. Pashë edhe një sheik veshur me dollomanë e bardhë karakteristike arabe, ai ecte duke mbajtur përdore një femër veshur krejt në të zeza dhe rreshtuar njëra pas tjetrës ecnin edhe pesë femra të tjera posi pata të zeza dhe të gjitha ato ishin gratë e tij. Ai vinte nga Arabia Saudite.  Sheiku mori me qira një anije të bardhë i hipi atje të gjitha gratë e tij dhe u nis për një udhëtim shtatëditor derisa të fillojë Muaji i Ramazanit.

Më bënë përshtypje burrat, që ishin shumë të lidhur me familjen: ata futeshin në ujë me mbathje të gjata duke u kujdesur për fëmijët e tyre, i mbanin në krahë, luanin me ta ndërsa bashkëshortet e ngjallura pinin çaj rehat me mikeshat e tyre. Miku im Ezz më tregoi se një burrë e ka të vështirë të martohet në Egjipt pa i siguruar gruas së ardhshme një apartament të mirë dhe sidomos ta mbulojë me flori: byzylyk, varëse, vathë, unazë e të tjera.

Më së fundi i hipim avionit për t’u kthyer, lemë pa vendin e diellit  përvëlues dhe afshit të nxehtë me mallin e madh për Shqipërinë. Është ora pesë e mëngjesit sapo ka lindur dielli dhe fluturojmë përmbi shkretëtirën e pamatë me rërë të Misirit dhe kujtoj Çajupin: “Fushë dhe fushë dhe fushë prapë / Fushë e pasosur dhe shumë vapë...” Greqia duket më ndryshe nga lart me ngjyrën blu të deteve dhe shkëmbinjtë radhë- radhë. Ndërsa shoh tek harta përballë se ku ndodhemi tak ma bën zemra kur lexoj: Prevezë, Janinë, Këlcyrë, aromë Shqipërie... Vend ku ke dëshirë të vdesësh dhe sa e lumtur jam o Zot, që jam shqiptare. Vetëm kur je larg Atdheut e ndien se sa i shtrenjtë është Ai për ty.

Korrik 2012