E merkure, 24.04.2024, 04:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: Opsionet dhe hipotezat

E marte, 17.07.2012, 07:15 PM


OPSIONET DHE HIPOTEZAT

ESSE

NGA THANI NAQO

...E solli rasti të jem në një tavolinë me dy profesorë matematike dhe një fizikant. Kuptohet se fizikanti e kishte "të ngopur" matematikën, përndryshe nuk mund të ishte bërë i tillë. Si u ndodha në rrethin e tyre nuk ka rëndësi, por mjaftoi që kisha studjuar ekonomi dhe njëri nga profesorët e matematikës më kishte dhënë mësim në fakultet. Debati plasi kur të tre parashtruan, (secili sipas vetes), opsionet mbi teorinë e dispozicioneve, pastaj opsionet për teorinë e permutacioneve dhe, deri këtu unë isha i qartë, por mbeta i habitur kur objekt diskutimi midis tyre u bë edhe formula e  Binomit të Njutonit. ((E dija këtë formulë mbasi e kisha mësuar (nga halli), përmendësh dhe ajo akoma nuk më qe fshirë nga mendja)). Mbeta i habitur sepse mua më qe tiposur që kur isha student se Binomi i Njutonit nuk pranonte të tjera opsione, ndërsa, për hipoteza, as që bëhej fjalë.  Mirëpo, edhe kjo formulë u bë objekt diskutimi midis profesorëve, kaloi më shumë se një orë, gjersa ndjeva besdi për shkak se jo vetëm nuk po hyja fare në llogjikën e tyre matematikore, por nuk po më mbante vendi për kohën e humbur. Nuk më mbtej gjë tjetër, vetëm se të thërrisja në ndihmë durimin dhe të shikoja i hutuar profesorët kur nxinin letrat me formula. Atëherë fillova të  bëj gjoja sikur isha i vëmëndshëm ndaj formulave, por në fakt, sytë më mbetën të mbërrthyera në drejtim të banakut të klubit. Banakierja qëlloi një flokëverdhë e bukur që ia vlente ta sodisje. Ajo jepte e merte me ekspresin e kafes, herë mjegullohej nga avulli dhe pastaj, kur avulli largohej, ajo shfaqej akoma më e bukur. Lëvizjet e saj ishin të llogaritura dhe përpikmëria e tyre fillonte që kur nderte dorën për të marë gota, kur i mbushte ato me konjak a fërnet, lëvizje që shfaqeshin mbi lartësinë e banakut, me pamje ballore nga tavolina ku isha ulur unë dhe të tre profesorët. Kur ekspresi shfryu si kalë dhe banakierja humbi matanë avullit dhe, kur u shfaq kësaj here, ajo ishte duke qeshur. Herët e para më qe dukur si një bukuri biondinë mjaft serioze, që nuk hidhte sytë aspak se ç'bëhej në sallë, përndryshe, sytë e saj të kaltër do të ishin takuar të paktën njëherë me të mitë, pasi kaloi më shumë se një orë që unë po e vëzhgoja me interes estetik. Nuk e mora vesh përse qeshi dhe me cilin, por ndjeva se më tërhoqi kërraba krejt fantazinë time duke u dhënë rrugë "opsioneve dhe hipotezave djaloshare." Megjithëse banakierja shfaqej  nga mesi e lart, për shkak të lartësisë së banakut, unë e plotësova siluetën e saj edhe nga mesi e poshtë në disa variante duke më ardhur në ndihmë teoria e opsioneve, mbështetur nga hipotezat përkatëse që anonin të gjitha nga përsosmëria dhe uniformiteti. Ndjeva kënaqësi kur zbulova se hipotezat paskeshin patur mundësinë magjike (dhe unë nuk e dija këtë) që të komletonin edhe një gjysëmtrup, pikërisht pjesën e padukshme të banakieres, mespamjen e padukshme nga anash, pastaj nga pas, duke u mëshuar hipotezave ashtu siç e dëshironte "shija" ime. Ndërsa profesorët vazhdonin "dymenë e tyre", ardhin çasti që mua nuk më mbante vendi për të vërtetuar se cila nga hipotezat e mia për banakieren përputhej me realitetin. Që të vërtetoja të gjitha ato, më duhej të çohesha me ndonjë pretekst dhe, derushka e vogël, që të çonte në rrethakun e banakut, do të më jepte mundësinë të shikoja realisht vithet dhe pulpët e banakieres, mbase edhe pamjen e saj nga pas, por ndrova mendje. E lashë që banakierja të mbetej kompleks opsionesh dhe hipotezash dhe, kur të më hynte në punë në ndonjë tregim a, roman, unë do të kisha disa portrete të saj, mjafton t'i ndryshoja ngjyrën e flokëve, buzët, gjinjtë e ngrehur dhe të tjera cilësi përshkruese, pra, në arsenalin tim letrar do të kisha dymbëdhjetë portrete, që dolën nga dymbëdhje hipotezat. Të dymbëdhjeta opsionet ishin në lidhjen me përsosmërinë që kishte banakierja nga mesi e lart dhe me dymbëdhjetë hipotezat që unë ia vesha asaj nga mesi e poshtë. Meqënëse dera e klubit ishte diku afër tavolinës tonë, fizikanti pagoi dhe dolëm.

((Ardhi çasti që me banakieren u ndodha përballë dhe përballja me të u bë një ditë më pas, të nesërmen,  në rrugë aq sa për pak do t'i kisha thirrur: "Je ti apo nuk je ti?!" sepse mbeta sa i habitur aq edhe i zhgënjyer nga të dymbëdhjetë opsionet dhe po aq hipotezat e mia të një dite më parë:  nga mesi e poshtë bamarierja e kishte trupin të hardallosur. (Me siguri gjymtym nga ndonjë aksident, ose ajo kishte e lindur e tillë.))

"Më mirë mos e kisha parë të plotë," mendova atëherë.)

Përfundimisht, po kaloj edhe njëherë në ditën e shkuar kur profesorët prashtronin opsionet dhe rezultati i formulës së Binomit të Njutonit doli me të njëjtën vlerë. Që të tre ishin të kënaqur dhe të mirëkuptuar njëri me tjetrin. Pastaj, profesori im, që e kishim patur edhe antar kolegjiumi në redaksinë e gazetës Stundeti i Bujqësisë, u kthye nga unë dhe më pyeti befas:

-Kush dominon në artin e të shkruarit të letërsisë, opsionet apo hipoetzat?

Fillimisht u hutova por, për të mos shfaqur paditurinë time në matematikën e lartë, parashtrova opsionin tim, më shumë "për të qenë brenda":

-Opsionet dhe hipotezat janë...(u gëlltita dhe shtova me marifet fjalën... "afërsisht"), në të njëjtin raport.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora