E merkure, 24.04.2024, 03:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Elvin Luku: Intervistë me gjuhëtarin Ardian Vehbiu

E marte, 17.07.2012, 06:55 PM


VEHBIU: SHQIPES I ËSHTË SËMURUR SISTEMI IMUNITAR

- Intervistë me gjuhëtarin Ardian Vehbiu

Nga Elvin Luku

Ndërsa debati për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit është kthyer sërish në shqetësimin kryesor të akademikëve dhe gjuhëtarëve, studiuesi i gjuhës Ardian Vehbiu, thekson se analiza duhet të fillojë me ndarjen e këtyre dy çështjeve nga njëra-tjetra. Në këtë intervistë, gjuhëtari Vehbiu është i mendimit se drejtshkrimi i shqipes mund të rishikohet, ndërsa i sheh ndryshimet e mundshme në funksion të ruajtjes së standardit. Duke folur në lidhje me përdorimin pa kriter të fjalëve të huaja, studiuesi i njohur nënvizon se problemi kryesor duhet të gjendet te norma leksikore dhe jo thjesht te zëvendësimi i fjalëve të huaja, me fjalë shqipe. Gjatë këtij bashkëbisedimi, publicisti Ardian Vehbiu, flet edhe për kulturën e debatit në shtyp, nevojën e rishkrimit të teksteve të historisë me sfond patriotik, apo dhe për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në mesazhin e tij, në prag të kremtimit të këtij jubileu të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, z.Vehbiu thekson se bashkimi i kombit nuk vjen me deklarata, por, në radhë të parë, me bashkëpunim ekonomik dhe kulturor, këtej e përtej kufirit.

Z. Vehbiu, ju keni qenë tepër aktiv në shtyp me trajtimin e temave të letërsisë, sociologjisë, komunikimit, e, sidomos, temat që prekin fushën e gjuhësisë. Po e nisim bisedën nga kjo e fundit. Në Shqipëri është rihapur debati për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe. Një grup gjuhëtarësh kërkojnë ndryshimin e standardit të gjuhës. Pjesa tjetër këmbëngul që themelet të mbeten të paprekura, por kërkon pasurimin e gjuhës. Cili është mendimi juaj për këtë?

Debati për gjuhën, standardin, drejtshkrimin dhe normën leksikore (çështjet e fjalëve të huaja) po zë më shumë vend se ç’duhet në vëmendjen e publikut; kjo dëshmon, të paktën, se njerëzit janë të shqetësuar për gjuhën, sikurse dëshmon edhe se, grupe të ndryshme interesash, po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë interes publik për shqipen, që të çojnë përpara politikat e veta partikulariste.

Përndryshe, këtu ka shumë gjëra që mund, madje që duhet të diskutohen. A është e nevojshme të rishikohet standardi? A është momenti që të rishikohet standardi? A i zotëron pushteti qendror dhe lokal mjetet dhe autoritetin e nevojshëm për të ndërmarrë këtë lloj reforme? A ekzistojnë studime të tilla gjithëpërfshirëse mbi shqipen e sotme, që të përligjin hapjen e këtij diskutimi? E kështu me radhë.

Natyrisht, ndryshimi i standardit është një gjë; ndryshimet në drejtshkrim një gjë tjetër. Madje, në një kuptim, ndryshimet në drejtshkrim kërkojnë ta ruajnë standardin, jo ta ndryshojnë – por duke bërë disa ndreqje, sipas rastit. Në parim, drejtshkrimi i shqipes sot nuk është i gdhendur në gur, mund të rishikohet dhe të ndryshohet. Megjithatë, duhet gjithnjë të pyesim nëse i sjell kjo ndonjë përfitim kulturës shqiptare dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi apo jo, pra ta shtrojmë çështjen në mënyrë utilitare. Ndërkohë, duhet të mësohemi ta ndajmë çështjen e drejtshkrimit dhe të standardit, nga mënyra totalitare dhe e dhunshme me të cilën u imponua standardi në vitet 1970, sidomos në dëm të traditës letrare të gegërishtes; sepse ata që i trajtojnë këto së bashku, janë viktima të një të menduari magjik. Edhe një hekurudhë mund të jetë ndërtuar duke ia prishur dikujt shtëpinë pa shpërblim; ose një liqen hidrocentrali duke përmbytur një qytet të tërë, me tradita dhe kulturë të vetën (Kukësi); por kjo nuk përligj zhbërjen e hekurudhës ose të hidrocentralit sot. Disa gjëra mund t’i zhbëjmë vetëm në kujtesën kolektive.

Në shtyp është artikuluar vazhdimisht shqetësimi për huazimin dhe përdorimin e fjalëve të huaja, diskutim në të cilin keni marrë pjesë edhe ju. Në një analizë të botuar së fundmi, ju shkruani se ky problem është shtruar keq për diskutim dhe se kjo dukuri “është simptomë e një sëmundjeje me rrënjë të thella”. A mund të na e shpjegoni tezën tuaj?

Ta konsiderosh problemin e përdorimit pa cak e pa kriter të fjalëve të huaja si gangrenë të shqipes dhe si rrezik, potencial, të rrëgjimit dhe të zhdukjes së kombit, tradhton një paaftësi – kushedi të qëllimshme, për të kuptuar se ku fle lepuri.

Të sjellim një krahasim: le të marrim një të sëmurë me SIDA, i cili vuan, ndër të tjera, nga infeksione të shumta të lëkurës: puçrra, ndonjëherë të qelbëzuara, që i dalin gjithandej. Le të marrim edhe një mjek synim-mirë, por sylesh, që ia kuron këto puçrra duke ia lyer me një pomadë antibiotiku; por sapo ia shëron njërën, hop i del një tjetër gjetiu.

Fjalët e huaja janë puçrrat e ligjërimit shqip, të cilat s’mund të kurohen me antibiotikë, siç bëjnë xherahët puristë – sa më profanë, aq më arrogantë. Përkundrazi, hapi i parë drejt kurës është të kuptohet se ky zell për zëvendësim fjalësh, i zbatuar në praktikë, e dobëson normën leksikore deri në atë shkallë, sa ua bën më të lehtë huazimeve parazitare që të hyjnë në përdorim.

E keqja shqipes, në këtë prizëm, i vjen edhe nga voluntarizmi i atyre synim-mirëve, që kërkojnë t’ia prashitin leksikun vend e pa vend, duke ia shkatërruar ekosistemin. Përkundrazi, një hap i mundshëm drejt frenimit të kësaj paqëndrueshmërie leksikore (ku hyjnë, veç fjalëve të huaja, edhe neologjizmat, krahinizmat dhe ekzoticizmat), është të luftohet për të rrënjosur, hap pas hapi, bindjen se me leksikun e shqipes nuk mund të bëjmë ç’të duam; se ka një normë për t’u respektuar; dhe se zëvendësimi lirisht i një fjale të huaj është po aq atentat ndaj normës sa edhe futja e një fjale të huaj parazitare.

Shqipes i është sëmurur sistemi imunitar (norma); dhe antibiotikët e puristëve veç ia keqësojnë statusin. Për fat të keq, kjo politikë gjuhësore sa primitive, aq edhe e paefektshme dhe në fund të fundit kundërprodhuese, është shndërruar tani në mushkën mbi të cilën mushkërojnë gjithfarë Adhamudhësh të gjuhës, të cilët shpëtojnë shpirtin e tyre patriotik, teksa shqipes vetë nuk po i ndalet rrokullima.

Z. Vehbiu, ju vazhdimisht keni ngritur alarmin për varfërim të mendimit politik, historik, sociologjik e psikologjik shqiptar. Çfarë kuptoni ju me pasurim të mendimit shqiptar?

Ndoshta varfërim nuk është shumë i saktë si term, edhe pse e kam përdorur vetë, shumë herë; më mirë do të ishte ta quanim shthurje, çnyjëtim, shpërbërje, ose një mendim që nuk po komunikon dot më me veten, dhe është prandaj i dënuar të përsëritet, mekanikisht. Kjo vjen ngaqë mungon dialogu mes palëve – në politikë, në kulturë, në dije; sikurse ngaqë elitat shqiptare po e humbin interesin e mirëfilltë për gjërat e holla të kësaj bote, që nuk lidhen drejtpërdrejt me fitimin, pasurimin material, llogaritë bankare, luftën për pushtet dhe maninë prej parvenu-je për t’iu mburrur komshiut. Për shembull: dalin libra, ndonjëherë të rëndësishëm, me peshë, por këtyre nuk u bëhet jehonë; mungojnë debatet rreth tyre, mungojnë shkollat e mendimit, mungojnë fermentet intelektuale; ndërkohë që publikut i është ndezur një nostalgji e paparë, gati ripërtypëse, për gjithçka të rikuperuar prej kulturës totalitare – filma, këngë festivalesh, skeçe – në një kohë që e reja shpërfillet, shpesh pa të drejtë; dhe vetë vijueshmëria e kulturës nuk ruhet dot më. Dialogut dhe përplasjes së mendimeve lakuriq ua kanë zënë vendin rrapëllimat sensacionale në mediat, të cilat shpesh e kanë burimin nga lexime të cekëta që u bëhet tezave të ndryshme. U përmbys dynjaja, për “Skënderbeun” e Schmitt-it; në një kohë që “Skënderbeu” i Plasarit kaloi pothuajse në heshtje. Ka një preokupim të tepruar me identitetin shqiptar, që vepron edhe si faktor censure ose vetëcensure; por që nuk ndihmon as edhe në rishikimin e historisë së shqiptarëve, të cilën deri më sot na e kanë mësuar si të ishte strip vizatimor, me një mori mustaqellinjsh të paepur, që bëjnë kërdinë mbi pushtuesit shumëngjyrësh. Mungesa e mendimit nga njëra anë, indiferenca ndaj atij mendimi që ende guxon – kaq mjafton për ta kënetëzuar gjeografinë kulturore të shqiptarëve.

Dy fjalë edhe për kulturën e debatit në shtyp apo TV…

Do të flas vetëm për shtypin, pasi nuk e ndjek televizionin shqiptar, përveçse kur gjendem në Shqipëri; dhe në shtyp, me sa shoh unë, zakonisht nuk ka debat, por vetëm monologë, të ndërprera, herë pas here, nga kacafytje ku autorët sulmojnë personalisht njëri-tjetrin, ose flasin për veten dhe për interesa të tyret vetjake. Modelin e kritikës ad hominem, për fat të keq, e ofron këtu politika, e cila i jep publikut shembuj të përditshëm të vulgaritetit, fyerjeve dhe lapërdhive; dhe politikën e ndjekin pastaj mediat, pa treguar kurrfarë delikatese për njeriun, për individin. Ndërkohë, shumë media online i lënë tani komentet e lexuesve të pamoderuara; dhe në ato hapësira aty kureshtari mund të shohë përpjekjet e azdisura të cave – shpresoj të mos jenë të shumtë – që nuk lënë bajgë pa lëshuar kundër autorëve, ose atyre pak burrave dhe grave që ende duan t’i thonë diçka publikut të tyre, përtej vijave të forcës së pushtetit politik. Nëse ka një emërues të përbashkët të debateve, polemikave dhe përplasjeve në shtyp, ky do të ishte balta; ose përdhosja e tjetrit me çdo kusht, mundësisht me fakte “të nxjerra” nga e kaluara, nga dosjet, nga pësh-pëshet, nga kamerat e fshehta, nga përgjimet, nga deponimet – një ndyrësi e paparë, një gjiriz që ka plasur në sheshet e komunikimit tonë publik; një fekalizim i këtij komunikimi, që nuk ka lënë njeri pa ndotur, dhe që e ka shndërruar vetë agora-n, pikërisht atë agora që aq shumë e ëndërronim në vitet e totalitarizmit, në një nevojtore publike të kombit.

Kohët e fundit, ju keni evidentuar disa gabime në tekstet e historisë, që përdoren në shkollat e mesme. Ndër të tjera, ju vëreni një kombëtarizëm të qëllimshëm në këto tekste. Cilat janë efektet e tij? Dhe për ta zgjeruar pak tezën, çfarë pasojash u vinë Shqipërisë dhe shqiptarëve, këtej e përtej kufirit, nga kombëtarizmi militant?

Vërtet – pata nxjerrë një seri shkrimesh në blogun tim Peizazhe të fjalës, të cilat patën jehonë edhe në media. Mua më shqetëson fakti që gjimnazistëve nuk po u mësohet historia në një nivel të tillë, që të tregojë respekt për gjimnazistët vetë dhe për të menduarit e tyre kritik; por po u rrëfehen, shpesh herë, përralla, gënjeshtra, mite; dhe këtë autorët e teksteve e bëjnë me vetëdije, sepse ata vetë e njohin historinë mirë. E gjithë kjo, në emër të një edukimi kinse patriotik, i cili konsistoka në lyerjen me gëlqere të gjithçkaje, për t’i nxjerrë shqiptarët në histori pikërisht ashtu siç i përfytyrojnë disa nga mendjet më të cekëta në opinionin publik. Për mua, edukimi patriotik i nxënësve duhet të synojë që t’i përgatitë këta me aftësitë, qoftë edhe vetëm elementare, të gjykimit kritik për historinë; dhe sidomos, të respektit për të vërtetën. Në fakt, historia e shqiptarëve, ashtu siç mësohet në shkollat e mesme, është e tëra e mbështetur në mitin kombëtarist romantik të shekullit XIX: shqiptarët si populli më i vjetër në kontinent, që armiqtë kanë dashur ta fshijnë nga faqja e dheut, por që ka rezistuar, e ka ruajtur traditën dhe gjuhën në male duke luftuar, veç duke luftuar, dhe tani është duke rilindur. Nxënësit e mbarojnë gjimnazin, kësisoj, pa e pasur fare idenë se çfarë ka ndodhur pikërisht me shqiptarët, në rrjedhë të shekujve; atyre u duhet dije, ndërsa ne ua japim kombëtarizmin si të ishte fé.

Kemi hyrë në vitin e përvjetorit të madh, në prag të kremtimit të një shekulli pavarësi. Si i gjen shqiptarët ky jubile? A mund të flasim sot, në një kontekst të ri gjeopolitik, për bashkim?Nëse po, si duhet të jetë ai?

Shqiptarët nuk po bashkohen, përveçse me fjalë bombastike dhe duke tundur flamurin kombëtar. Kushtet sot janë të tilla, që bashkimi mund të kish hedhur hapa të rëndësishëm përpara, si në ekonomi ashtu edhe në kulturë; por kjo kërkon bashkërendim dhe zotim të madh, nga institucionet dhe shoqëria civile – në një kohë që llafet janë falas. Nuk jam i sigurt nëse ndër elitat ka dëshirë të mirëfilltë për bashkim, meqë shpesh retorika e bashkimit më duket sikur vihet në shërbim të synimeve politike private. Vetë koncepti i bashkimit kombëtar trajtohet ndonjëherë në mënyrë primitive, feudale; sikur të ishte fjala për bashkim tokash (çifligjesh), jo njerëzish. Natyrisht, një Shqipëri e bashkuar e së nesërmes, që sundohet nga një oligarki e cila e ushtron pushtetin me demagogji të kulluar dhe folklor, duke u veshur nga koka në këmbë me flamurin kuqezi, nuk është ndonjë farë arritjeje për t’u lakmuar. Çfarë duhet, përkundrazi, është një afrim kapilar i shqiptarëve në të dy anët e kufirit, i tillë që të përfitojë masivisht nga dyfishimi i tregut të mallrave dhe të ideve. Për fat të keq, vërej që, në disa qarqe, edhe vetë argumenti i bashkimit sillet në vështrim në një kontekst larje hesapesh midis grupeve; ose si një lojë supremacie midis palëve, e cila shpesh mëton të rekrutojë edhe aleatë të jashtëm me peshë. Për fat të keq, ne nuk kemi bërë asgjë, për të përfituar nga koniunktura – me përjashtim të ndonjë katedraleje në shkretëtirë, e cila funksionon si përmendore për lavdinë e atyre që e kanë ngritur. Vetë temën e Bashkimit kombëtar e ndesh rëndom në kontekste politike – ky politikan tha kështu, ai tjetri ashtu; në një kohë që bashkimi politik do të ketë ndonjë farë kuptimi e sidomos vlere vetëm në qoftë se kanë funksionuar afrimi dhe pastaj bashkimi ekonomik dhe kulturor. Kur mendoj se shqiptarët ky jubile mund t’i kish gjetur të integruar mes tyre dhe sidomos në Europë, si qytetarë europianë, të lirë në një botë të lirë, atëherë bindem se festimi me bujë i 100-vjetorit të Pavarësisë i shërben vetëm klasës sot në pushtet, për të konsoliduar dhe legjitimuar pozitën e vet në krye të vendit; sa për qytetarët shqiptarë, këta përvjetorin e Pavarësisë do të bënin mirë ta kremtonin – e theksoj, kremtonin, jo festonin – duke reflektuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora