Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Qielli ngjyrë harresë

| E hene, 16.07.2012, 07:17 PM |


QIELLI  NGJYRË  HARRESË

POEZI

PËLLUMB GORICA


Shpirti im – një tempull
 
Në themele me rrënjë ëndrrash,
brenda meje gurë të sertë,
Me psherëtima këngë trishtilash,
Qiellit  tim i çukas nëpër fletë.
 
Shpirti im - tempull, ku shpresat gjallojnë
nën flakëza të zbehta qiriri,
Jashtë meje, mes territ kërkojnë
trashëgiminë e  rrënjëve te biri!
 
Mbi blloqe statujash, yjet ulen,
të ribëjnë një qiell prej drite,
Në jetë, veç perëndive u përulem.
S'ka gjë se sot ngjaj jashtë orbite.
 
Jam grimcë lirie e rebel i përjetshëm
me frymën e një të lodhuri përtërirë.
Në shkallët e shpirtit pulsoj etshëm
si oaz kryeneç në këtë shkretëtirë.


Në “pentagram”

Rrjedha e vargjeve kurrë nuk më thinjet,
në pentagramin e natyrës së arnuar,
Si një bard,  kurrë nuk nginjet
shpresë e ëndrrës së filluar.
 
Nata shpesh yjet m’i fsheh,
 Kur hëna s’derdh asnjë  rreze dritë.
Si vetmitarët më pandeh,
po  prapa dere i qëndroj pritë.
 
Me legjenda e mbështjell vetveten,
imazhe i gërvish pena,
 Kërkoj prej qiellit të vertetën...
I pres mëngjezet mbi bedena.


Qielli ngjyrë harresë
 
Ajo kohë iku tashmë,
Si një zog vjeshte pa zë,
Ëndërr e pashpresë
Në një qiell pushtuar
nga ngjyrë “Harrese”.
 
Larg me heshtjen e kërrusur,
Nën një shteg, në mugëtirë.
Arsyen e errësirës humbur
Si fustan vejushe zi - nxirë.