E premte, 19.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Identiteti I gjinisë asnjanëse (VI)

E diele, 15.07.2012, 10:36 AM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

Nga Dr. Nuhi Veselaj

v. KOnstatime TË TJERA PLOTËSUESE RRETH IDENTITETIt

tË asnjanësve të PARANYJËZUAR

Në këtë krye të punimit do të bëjmë fjalë: së pari, diçka-diçka rreth përplotnisë së identitetit formal gramatikor të asnjanësve dhe së dyti, rreth identitetit semantik plotësues të  asnjanësve në raport me sinonimikë të tjerë.

1. Rreth identitetit formal gramatikor

Siç e pamë gjatë analizës të tre tipat e asnjanësve (asnjanësit e mirëfilltë primitivë, prejmbiemërorët dhe prejpjesorët) e tregojnë  identitetin e vet edhe nga ana formale kundrejt trajtave të dy gjinive të tjera, dallim ky që shihet në bazë të  nyjë-mbaresës shquese të emërores në numrin njëjës e shumës:  as. -t(ë)-it, ndaj m. i,u dhe f. -a,-ja, fakt ky që do të shihet më qartë nga nyjë-mbaresat në raportin ndërgjinior dhe nga pjesëza paracaktuese dhe nyja e përparme.

a)    Raporti ndërgjinisor: asnjanës/mashkullor/femëror

Raporti i  nyje-mbaresave të shquarsisë për të tria gjinitë, sipas numrit njëjës e shumës  (ose nj/sh) del kështu:

nj/sh                                nj/sh                             nj/sh

1. as.   ujë-t     -                    m.  ujë-i     -                   f.     -          ujëra-t(?)

krye -t   -                         krye kreu /krerët  (krena-t)     -

2.        të mirë-t  -                       i mirë-i /të mirë-t         e mirë-a /të mira-t

të mirit?

të gjallë-t   -                    i gjallë-i/ të gjallë-t     e gjallë-a /të gjalla-t

(të gjall-it!?)

3.        të prerë-t   -                     i prerë-i /të prerët       e prerë-a/ të prerat

(të prenët a të premët)     (të prerit ? të premit a të prenit)

të folur -it   -                   i folur-i /të folurit        e folur-a /të folura-t

(të folurët?, të folunët)

të folët

Shënim: Sipas  shembujve të mësipërm pranohet se asnjanësi në gjendjen e sotme nuk ka

shumës.  Shumësi i rastit ujët ose uji del  në gjinië femërore: ujnat/ujnat. A do të diferencohet apo jo, siç u cek më sipër, njëjësi i asnjanësit me -ËT të rastet e asnjanësve të paranyjëzuar ndaj shumësit mashkullor më -IT, mbetet çështje e hapur.  Rasti të folët del  e përftuar nga pjesorja e shkurtër folë (me folë), mundësi kjo që ofrohet si rezervë e hapur

b) Raporti nyjë-përcaktuese e përparme joshquese ndaj

emrit të gjinisë përkatëse

Edhe sipas nyje-mbaresës së përparme përcaktuese: në njëjësin e pashquar: nj/ata, një/këta + emri asnjanës ose  ky këta  + emri mashkullor ose kjo këto + emri femëror, del  sheshazi identifikimi i asnjanësit, si p.sh.:

 

1)  as.  nj/ata ujë-t (të ftohtë)   m. ky ujë(i ftohtë)       f.  (ca) ujëra (të ftohta

nj/ata, një/këta krye        ky krye  (disa) krerë  krena(!)       -

2)         një të mirë               (një)  i mirë   të mirë   (një) e mirë (ca)  të mira

të gjallë               i gjallë         të gjallë             e gjallë  të gjalla

3)               të prerë                 i prerë          të prerë             e prerë  të prera

të folur                i folur           të folur             e folur  të folura

 

Krahaso përcaktorin një ose disa (ca) bashkë me nyjën e përparme në trajtën e pashquar :

as.  një të .. .   m një i ose disa të ...         f. një e ose  disa të...

 

Trajta e shumësit të asnjanësit, pra, del e shkrirë në njërën nga dy gjinitë aktive.

 

c) Raporti asnjanës/mashkullor sipas

nyje-mbaresës shquese

 

Siç e pamë edhe nga disa shembuj nga nënpikat e pikës a) raporti asnjanës/ mashkullor sa i përket nyjë-mbaresës së shquarsisë dilte në disa shembuj i përbashkët e në disa me dallime ose me prirje dallimi ndërgjinior, si p.sh: -ët njëjësi i gjinisë asnjanëse, ndërsa -it, nyjë-mbaresa e shumësi të gjinisë mashkullore. Një ndarje e tillë kërkohet të shtrihet, edhe për disa tipa të pjesoreve nga foljet me tog zanor, si b.f. të krahasohen trajtat: të shkruarit, të kryerit, të shkëlqyerit, të zhgënjyerit, të ushqyerit, të punuarit, të përzierit(!), të ndierët,  me  shkruarët, të kryerët, të shkëlqyerët, të zbardhëllyerit, të punuarët, të përzierët. Trajta e bollduara (të nxira) prej nesh janë të normëzuara e ato të tjerat jo ose nuk dalin të shënuara në burimet përkatëse.

 

Në të vërtetë,  trajtat me -ËT jo me -IT fundore i ndeshim sporadikisht në burime të caktuara edhe sot, por  në mënyrë të dukshmne i ndeshëm në  veprën e prof. Seman Rizës të folunët, të trupsuenët, të mishnuemët, të lëndësuenët, të lanët, të padrejtët e ndonjë tjetër. (Shih. S. Riza Vepra 1, ASHAK, Prishtinë 1996.)  Edhe nga prof. I Ajetri është përdorur një  formë e tillë, si p.sh. të shkruemËt  etj. (Shish: edhe te R. I. “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”, Pejë 1998 f. 133). Ndërsa nga Fjalori i Mehmet Elezit (2006) dalluam këto dy trajta: të panët, të prunët.

 

Kjo çështje, siç u tha, mbetet e hapur. Për mendimin tonë një mundësi e tillë dallimi, duke e specifikuar nyjë-mbaresën përkatëse, në raportin ndërgjinisor asnjanës/ mashkullor (-ËT/-IT), është i mundshëm dhe mund të jetë funksional.

 

 

2. Rreth identitetit semantik plotësues të asnjanësve

në raport me sinonimikë të tjerë

 

Siç e pamë gjatë analizës vetëvetësia a identiteti i asnjanësve të paranyjëzuar (prejmbiemërorë dhe prejpjesorë) karakterizohet jo vetëm me prejardhjen e tyre, por edhe me nënfushën përkatëse të specifikuar semantike që mbulojnë në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, nënfushë kjo e cila dallohet qartë kundrejt nënfushave të tjera që mbulojnë emrat e dy gjinive të tjera po në kuadër të asaj fushe. T’i rikujtojmë përkimet dhe dallimet në raportin asnjanës prejmbiemëror me emrat femërorë me paranyjëzim (tipi e mira) ose me prapashtesim (tipi mirësia) ose asnjanësin prejpjesor me emrat e veprimit me prapashtesat -im e -je, ngase këta, emrat e gjinive aktive femërore e mashkullore, siç u tha më sipër, janë të pajisur dukshëm me elemente konkretizimi në krahasim me  asnjanësit përkatës të paranyjëzuar.

Sidoqoftë, përveç asaj që u tha më sipër, identiteti i asnjanësit të paranyjëzuar në fushë të abstraksionit del i pacenueshëm edhe sipas disa kritereve e veçorive të tjera, fakte këto që edhe më mirë e ndriçojnë specifikën e asnjanësve të paranyjëzuar dhe, me sa dimë, këto specifika a raportet sinonimike semantike të ndërsjella nuk dalin aq të prekura e jo më  të trajtuara  me gjerësinë e duhur në studimet e deritashme mbi këtë temë. Ndërkaq, identiteti i asnjanësve, sidomos i prejpjesorëve del i identifikueshëm edhe në situata të tjera që ne po i trajtojmë në vijim në disa pika sipas këndvështrimeve të tjera plotësuese dhe gjithsesi në raport me  sinonimikë të tjerë përkatës:

 

E para, kuptimi i asnjanësve prejpjesorë në sistemin emëror, siç e provuam paksa në kreun e mëparshëm, mund të krahasohet me kuptimësinë e paskajores së mirëfilltë (me+pjesore) të sistemit foljor. Siç dihet me paskajoren e mirëfilltë shprehen kuptime abstrakte kryesisht përgjithësuese në krahasim me mënyrat e tjera me të cilat shprehen kuptime më të veçanta, d.m.th. gjithnjë e më konkretizuese. Është e vërtetë se edhe me asnjanësin prejpjesor, siç e pamë, shprehet një nocion pak a shumë i ngjashëm me atë të paskajores së mirëfilltë. Kur themi kështu kemi parasysh se edhe tek asnjanësit e paranyjëzuar, sidomos te prejpjesorët në kohën tonë po abstraktohet jo vetëm gjinia, duke u rrudhur në gjysmëgjini, por edhe numri i rasave, i cili po reduktohet  ose po ngushtohet më fort vetëm në dy rasa të veçanta të njëjësit të shquar (emërore e kallëzore) si trajtë mbizotëruese a si koncept abstrakt jashtëkohor, ta quajmë kushtëzimisht kështu. Ngjashëm me këtë ndodh edhe me paskajoren e mirëfilltë, ku del i përjashtuar numri, gjinia dhe disa nuanca të qarta kohore. Është e vërtetë se në situata të caktuara të ligjërimeve të gjuhës sonë në vend të asnjanësit mund të përdoret paskajorja e mirëfilltë ose anasjelltas. Siç e pamë gjatë analizës zëvendësimi i ndërsjellë logjikisht del i pranueshëm dhe semantikisht i lejueshëm. Dhe për të vërtetuar këtë që e thamë, d.m.th. kulmin e ndërkëmbimit reciprok të këtyre dy mjeteve shprehëse asnjanës prejpjesor / paskajore e mirëfilltë po e  ilustrojmë më poshtë me dy shembuj::

 

1)                     Procesi të shkruarit ose të shkruarët do të thotë me shkrue, ose Të folurit a të folurët a të folët do të thotë me folë, e kështu me radhë, ose anasjelltas:

2)                     Folja me shkrue nënkupton të shkruarit ose me folë nënkupton të folurit a të folët.

Gjithsesi ndërlidhja reciproke e këtyre dy formave nuk mund të mohohet.

 

E dyta, siç u provua në punimin tonë para se të shprehet rezultati, qoftë i veprimit, qoftë i  cilësisë, të gjendjes a të qenit si ide, qëndron a zhvillohet një proces jo i thjeshtë, por mjaft i ndërlikuar, i cili si realitet shprehet mjaft natyrshëm me fjalë-shenja tashmë të ravijëzuara në gjuhën tonë, siç u tha, qoftë me asnjanësin e paranyjëzuar, qoftë me paskajoren e mirëfilltë me + pjesore,  pra, qoftë nga çdo folje e rëndomtë, qoftë edhe me trajtat e foljeve ndihmëse: me qenë +... ose me pasë + ...

 

“Emrat prejpjesorë asnjanës, shkruan prof. Sh Demiraj,- e kanë ruajtur mjaft lidhjen kuptimore me foljet përkatëse e kjo u ka dhënë mundësi  atyre të marrin edhe kundrina të drejta e rrethanorë që janë gjymtyrë plotësuese karakteristike për foljet; të ngrënët bukë; të hyrët brenda” (Shih Gram. historike.... f. 992.).,

 

shprehje këto, të cilat, siç konstatojmë edhe ne, me ndonjë nuancë kuptimore fare të vogël mund të zëvendësohen mjaft natyrshëm me paskajoren e mirëfilltë: me ngrënë bukë; me hy brenda.

Sipas kësaj mënyre mund të shkëmbehen edhe shprehje të tëra frazeologjike. Së këtejmi, me hy pakëz më thellë në sinkroni del se shprehjet me paskajoren e mirëfilltë mund të përdoren në disa versione e farë fjalish dhe me forma të tjera me të cilat shprehen situata me elemente konkretizimi, por, gjithsesi, karakteristikë e saj themelore (e paskajores së mirëfilltë) mbetet, vetëm për vetëm, të shprehurit e koncepteve abstrakte, pikërisht ngjashëm siç mbetet edhe karakteri i koncepteve abstrakte të asnjanësit të  paranyjëzuar të ditëve tona.

Po sjellim edhe dy shembuj  konkretë nga përditshmëria jonë:

 

1) S’ka rrugë tjetër vetëm të shpërngulurit e tyre ose S’ka rrugë tjetër vetëm me u shpërngulë ata.

2) Të pavarësuarit ishte rruga dhe qëllimi ynë. ose Me u pavarësue ishte rruga dhe qëllimi ynë.

 

Si duket këto dy forma: asnjanësi prejpjesor e paskajorja e mirëfilltë me + pjesore, janë formëzuar kuptimisht në atë kohë kur gjuhës shqipe i janë nevojitur forma të reja për të shprehur koncepte abstrakte, ndonëse paskajorja e mirëfilltë mund të ketë moshë më të hershme. Sidoqoftë, këto dy forma i bashkon nënfusha e abstraksionit të lartë.

Mirëpo, meqë në letrarishten e sotme të gjuhës sonë, si duket, e mbështetur në kontekst të ngushtë (zyrtar) më tepër në fushën praktike të konkretizimit pa u thelluar edhe në fushën kuptimore të abstraksionit, u lanë nën hije të normëzimit ose u anashkaluan pikërisht të dy format e përmendura prej nesh, duke mos u dhënë vendi i merituar në kuadër të normëzimit, qoftë, paskajores së mirëfilltë, qoftë edhe asnjanësit të paranyjëzuar, trajtat e nënvizuara prej nesh tek shembujt e mësipërm të pikës së parë praktikisht dalin të zëvendësuara me barasvlerës të tjerë të pajisur me më shumë elemente konkretizuese se ata që i shënuam fillimisht. Te ne, rëndomë nuk po përdoret përkatësisht  as  me u shpërngulë, ose me u pavarësue, madje as  të shpërngulurit as  të pavarësuarit,  por  emrat sinonimikë të prejardhur përkatës: shpërngulja, pavarësia si p.sh.:

S’kishte rrugë tjetër vetëm shpërngulja e tyre ose

Pavarësia ishte rruga  dhe qëllimi ynë.

Pra, mesazhi shprehet po me emra abstraktë, por këta, siç u përpoqëm ta tregojnë ne, ngase me fjalë- termat e prejardhur shpërngulja, pavarësia procesi i veprimit përkatës del më i formëzuar me elemente konkretizimi të veprimit ose të rezultatin e veprimit në krahasim me dy format e sipërshënuara. Kjo, madje mund të jetë arsyeja që më fort parapëlqehet  në stilin përkatës fjalë-termi pavarësia se prejpjesori pavarësimi.

Ta kemi të qartë ne nuk kontestojmë ligjshmërinë trajtave të fundit, por as trajtat e mësipërme nuk i kundërshtojmë, të cilat e kanë vendin e vet në kontekste të caktuara. Natyrisht, aty ku shprehen koncepte të abstraksionit më të lartë ato fjalë (të shpërngulurit, të pavarësuarit) duhet të përdoren pa ndonjë ngurrim, ngase dhe në këtë kompleks identiteti i asnjanësit të paranyjëzuar del mjaft i dukshëm.

 

E treta, dihet se pikërisht forma e asnjanësit të pashquar ndërkohë ka shërbyer për të formuar trajtat e pashtjelluara të foljes, siç janë: paskajorja ashtuquajtur e dytë: për të punuar (për + pjesore e nyjëzuar ose e asnjanësuar) e dy format e tjera  a) të tipit: me të punuar (me + pjesore e nyjëzuar ose e asnjanësuar) dhe b) një të punuar (një + pjesore e nyjëzuar ose e asnjanësuar) Edhe dukuria e shprehur me këto forma tregon qartë vetëvetësinë a identitetin e asnjanësit në funksion të një veçorie formëformuese të një abstraksioni gjithashtu të lartë.

 

E  katërta, asnjanësit e nyjshëm me ndonjë singularia tantum i lidh kuptimi, ndërsa me pluralia tantumët i lidh forma e shumësit, e cila, në të vërtetë, tashmë i takon gjinisë femërore. Sidoqoftë, këto veçori i japin tërthorazi identitetin asnjanësit më tepër se çdo trajte tjetër brenda sistemit emëror. Në të vërtetë, edhe nga ky fakt del në pah specifika identifikuese e asnjanësve të paranyjëzuar

Sidoqoftë, për të pasur njohuri më të plotë rreth kësaj pike po njoftojmë lexuesin e nderuar se në FShS (2002) zakonisht paranyjëzorët, qoftë si pluralia tantumë, qoftë të përzier (njëjës e shumës), qoftë si singularia tantumë dalin në gjininë gramatikore femërore dhe nuk mashkullorëzohen dot dhe se numerikisht përfshirja e tyre në këtë burim është si vijon: pluralia tantumë të tipit: të dhemburat, të fshirat dalin mbi 30 shembuj, trajta të përziera njëjës e shumës, tipi e bardhë të bardhat, e dashur të dashurat mbi 60 shembuj, ndërsa singularia tantumë të tipit: e tashme e tashmja, e djathtë e djathta, e veçantë e veçanta etj, sillen rreth 20 -shit.

 

E pesta, edhe asnjanësit e tipit të pasurit, të pandehurit, të ftuarit, të lumturit që në emëroren e njëjësit të shquar marrin nyjë-mbaresën -it me emrat e nyjshëm mashkullorë (prejpjesorë e prejmbiemërorë: i pasuri të pasurit, i pandehuri të pandehurit, i ftuari të ftuarit, i lumturi të lumturit), i lidh  forma, jo me njëjësin e shquar, por me trajtën e emërores të shumësit të shquar, por i ndan kuptimi kategorial, veç atij njëjës/shumës edhe ai diatezor: vepror / pësor.

Ja si shpjegohet dallimi i mbiemrit të emërzuar i dituri të diturit ndaj asnjanësit të diturit në FGJSH 2006, f. 191:

I dituri, të diturit  m. - ai që di shumë, dijetar.

Të diturit              as.  - mundësia për të ditur diçka;

gjendja kur di diçka.

Siç po shihet, karakteristikat dalluese që i përmendëm më sipër dalin mjaft qartë në formulimin e mësipërm. Sigurisht, teksti i shpjegimit të asnjanësit mund të ishte formuluar edhe më ndryshe, por edhe kështu si është, bie në sy shpjegimi se tek asnjanësi me emrat abstraktë ceket mundësia dhe gjendja etj. Sidoqoftë, nga konteksti dallohen mjaft mirë nocionet e dy fjalëve (ndonëse të formuar mbi temë të së njëjtës temë motivuese fjalëformuese): emrit të paranyjëzuar, të përgjithshëm të gjinisë mashkullore, njëjës e shumës, ndaj emrit  të gjinisë asnjanëse, vetëm në trajtën e njëjësit të shquar.

Megjithatë, siç u përsërit disa herë prej nesh, nëse gramatikanët, përkatësisht standardologët tanë e shohin të nevojshme dhe të arsyeshme mund të zbatohet një sugjerim yni, që nuk është i papërkapshëm: asnjanësit me marrë nyje-mbaresën -ËT, si b.f.: të pasurët, të pandehurët, të ftuarët,  të fortët,  të lumturët, të diturët,  e kështu me radhë, ndërsa emrat e tillë të njerëzve (frymorëve) në shumësin e shquar të gjinisë mashkullore me e ruejtë nyje-mbaresën -IT: të pasurit, të pandehurit, të ftuarit, të fortit, të lumturit, të diturit, e kështu me radhë.

Lidhur me këtë lypsen sqarime edhe më të hollësishme. Këtë rast  po shtojmë edhe këto të dhëna anësore, por që nuk janë pa interes. Emrat e tillë në gjininë mashkullore të regjistruar në FShS 2002  për nga numri dalin më shumë se asnjanësit mbi të njëjtën temë fjalëformuese, kështu si trajta përfaqësuese të gjinisë mashkullore, tipi: i pasuri të pasurit i ndeshëm mbi 30 raste, por sipas gjedhes shumimi i tyre, varësisht nga konteksti, mund të jetë i pakufizuar ashtu si edhe numri shembujve të asnjanësve mbi të njëjtën temë prodhuese.

Prandaj, për ta pasur edhe më të qartë këtë çështje po japim në vazhdim pasqyrë-skemën me nga dy shembuj karakteristikë (për dy tipat e asnjanësve të paranyjëzuar), duke tërhequr vëmendjen në nyjë-mbaresën  përkatëse për secilen gjini:

 

Skema e dallimeve ndërgjinisore sipas nyjës së përparme

dhe të nyjë-mbaresës së shquarsisë

-----------------------------------------------------------------------------------------

Numri                       N ë n f u s h a   s e m a n t i k e

abstrakte             konkrete                      abstrakte

------------------------------------------------------------------------------------------

1.     njëjës      as.  të mirë-t                    m. i mirë-i                   f. e mirë-a.

shumës                 -                              të mirë-t                     të mira-t

ose

2.      njëjës        të folur-it  a të folur-ët     i folur-i                       e folura

shumës             -                                të folur-it                         ?

ose

3.     njëjës           të ditur-it a të ditur-ët       i ditur-i                     e ditur-a

shumës            -                                  të diturit                         ?

 

Siç po shihet, siç u cek edhe më sipër, njëjësi i pashquar  merr nyjën një, prandaj  le të krahasohen trajtat e njëjësit  të asnjanësit me ato njëjës e shumës të mashkullores  në shembuj-fjalitë e mëposhtme:

1)      Ma bëj një të mirë o ti njeri i mirë.

2)     Ma  bëni një të mirë o ju njerëz të mirë.

Pra, siç po shihet ndërtimisht nyja e njëjësit të asnjanësit formalisht ka homoformë, jo me njëjësin, po me trajtën e shumësit të gjinisë mashkullore, po kjo semantikisht nuk paraqet kurrfarë problemi në kontekst, ngase asnjanësi ka të bëjë me nënfushë abstrakte veprore që nuk i afrohet në asnjë mënyrë konkretes, ndërsa emri në mashkullore, zakonisht ka të bëjë me emërtimin e njeriut si emër i përgjithshëm, që lidhet domosdo me konkreten dhe ka kuptimësi pësore. Prandaj, mund të thuhet se trajtat e tilla nuk mund të paraqesin assesi homonimi të vrazhdët me ndikim oponence për të rrezikuar zhdukjen e njëra - tjetrës nga ana përmbajtësore, por kur është fjala tek ana formale, një dukuri e tillë nuk mund të quhet e padiskutueshme ose aq e papërfillshme. Ky është shkaku që ne propozuam që asnjanësi me marrë nyjë-mbaresën -ë/t, ndërsa shumësi i mashkullores me –i- anaptetike, –i/t, siç po përsëritet herë-herë në punimin tonë.

 

E gjashta, asnjanësi del si forma më e përshtatshme (në letrarishten e sotme) për të sqaruar kuptimet e fjalëve të caktuara si p.sh

dekretim do me thënë të caktuarit (caktimi!/ me caktue) me vendim zyrtar në një detyrë,

tatuazh                         të vizatuarit (vizatimi!/ me vizatue) në lëkurën e njeriut,

shfrim                          të nxjerrët  (nxjerrja!/me nxjerrë) e dufmës,

virgjër                          të qenët  (qenie!/me qenë) i padjallëzuar,

shtegtim          -              të ikurit (ikja!/me ikë) në një vend tjetër,

mikpritje                       të priturit (pritja/me pritë) e mikut me përzemërsi,

frymëmarrje                 të marrët frymë (marrje frymë/me marrë frymë),

frymëzënie                   të zënët  e frymës(zënie frymë/me t’u zënë fryma!) etj.,

 

prandaj zëvendësimi i asnjanësve me emrat sinonimikë prapashtesorë në kllapa me pikëçuditje, për mendimin tonë, siç u argumentua deri tashti prej nesh, nuk është aspak i drejtë për dy arsye:

së pari, sepse emrat e tillë, siç u cek disa herë, tregojnë diçka të kryer, ndërsa me asnjanësit shprehet koncepti i veprimit kohësisht i papërcaktuar, koncept ky që megjithatë karakterizohet me një shtrirje të lehtë semantike (që mund të jetë një nocion që shpreh nën hije, një diçka të kryer ose në kryerje e sipër, por jo vetëm një veprim të kryer, siç shprehin tipat e emrave të tjerë me trajtat e veta, qoftë të gjinisë mashkullore, qoftë të asaj femërore) dhe

së dyti, me një zëvendësim të tillë përkatës polisemantik, duke e përjashtuar asnjanësin, varfërohet dukshëm (pa kurrfarë kompensimi e arsyeje) të shprehurit përkatës i gjuhës shqipe, ngase asnjanësi edhe në gjendjen e sotme përmban shumë elemente të njohura pozitive të trashëguara  dhe me shumë vlerë në të mirë të të shprehurit më të qartë e më të plotë të koncepteve, zakonisht nga fusha abstrakte, pa i munguar edhe shtrirja e lehtë në nënfusha të tjera stilistike. Vlera këto që e njomin të shprehurit shqip po aq edhe më tepër (në raste) seç bëjnë format e tjera të caktuara sinonimike.

Gjithsesi, në shumicën e rasteve zëvendësimi i asnjanësit me paskajoren e mirëfilltë  del më natyrshëm se me emrin përkatës të veprimit.

 

E shtata, edhe kur bëhet fjalë për valencën si tipar karakteristik të emrit prejfoljor, asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë domosdo ofrohen si material i imponueshëm, si element më i përshtatshëm, prandaj asnjanësit e tipit të tillë patjetër duhen pasur parasysh në analizat përkatëse, ngase pikërisht këta, madje më tepër se emrat e veprimit me prapashtesat -im, -je ose me -esë, -si,  etj., shprehin nocione abstrakte dhe bartin në vete struktura argumentale, sepse nga të gjithë emrat prejfoljorë, asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar, nga pikëpamja e tipareve të brendshme që kanë, janë më abstraktë se të tjerët. Siç e pamë pikërisht emrat asnjanës të paranyjëzuar si emra me valencë të theksuar këmbeheshin kuptimisht me foljet (paskajoren). Krahaso edhe njëherë, raportin paskajore e mirëfilltë/ asnjanësi prejpjesor, ku të dyja kategoritë gramatiko-sintaksore, si të thuash, i lidh konkretisht e njëjta bazë argumentale, prandaj edhe nga ky këndvështrim konstatimi që dhamë më sipër për paskajoren del i drejtë.

Duke bërë fjalë për këtë temë, studiuesi ynë i mirënjohur Thoma Dhima, ndonëse nuk i kishte në qendër të vëmendjes asnjanësit prejpjesorë, po emrat prejpjesorë të veprimit me prapashtesat -im, -je e të tjera e zë në gojë edhe kundërvënien folje-emër dhe konstaton mirë kur thotë se “kjo kundërvënie si nga ana morfologjike ashtu edhe nga ajo sintaksore dhe semantike (tregon) se kemi të bëjmë me forma që vërtet kundërvihen, por që nga ana tjetër hyjnë në marrëdhënie plotësimi me njëra tjetrën. (Aty f. 324.)

Sidoqoftë, pritet që jo vetëm ky autor, por edhe të tjerë t’i qasen këtij problemi, duke i pasur si objekt qendror pikërisht asnjanësit e paranyjëzuar, ngase këta u prijnë për nga abstraksioni të gjithë prejfoljorëve të tjerë që bëjnë pjesë në mozaikun e emrave abstraktë dhe ku valenca është më e dallueshme.

 

E teta, kur kemi parasysh ngurtësimin e asnjanësit në shprehje të caktuara, jo vetëm në terma të ashtuquajtur teknikë, por edhe në frazeologjizma e thënie të qëndrueshme, shohim njëfarë ngjashmërie të asnjanësit me natyrën e termit të mirëfilltë. I vetmi ndryshim qenësor ndërmjet tyre është se termi përgjithësisht paraqitet si njësi e terminologjisë me veçori të veçanta sipas nënfushës së caktua konkrete, të shkencës, të artit, të organizimit të punës etj., ndërsa asnjanësi nuk i përket vetëm një njësie të veçantë, sipas fushës së caktuar konkrete, por një nënfushë të specifikuar në kuadër të fushës së abstraksionit. Megjithatë, asnjanësit si terma mund t’i përkasin çdo fushe të veprimtarisë përkatëse, qoftë, të shkencës, të artit, të organizimit të punës etj., kur del e nevojshme me u shprehë koncepte të veprimit të një abstraksioni të lartë. Në të vërtetë, siç mund të ketë përjashtime edhe në terminologji, ngase përkundër parimit që çdo term shpreh vetëm një nocion, ngase edhe te termat në nivel pak më të gjerë në profil, por jo në nënprofil, po ashtu dalin përjashtime, por, përjashtime mund të ketë edhe lidhur me asnjanësit. Vërtet, nocioni i asnjanësit lidhet me konceptimin e emërtimit përkatës, por ai koncept mund të ketë shtrirje edhe në ndonjë nënfushë tjetër semantike, siç ndodh shpesh që përdorimi nga  stili neutral jo të fytyruar, të dalë i shprehur me asnjanës edhe në stilin e fytyruar etj.

Sidoqoftë, edhe nga krahasimi i tillë term/asnjanës sa i përket nënprofilimit rreth një nocioni të vetëm të përcaktuar, duket se ka ngjashmëri. Pra, edhe nga kjo pikëpamje a nënprofil, sadopak, del në shesh  në njëfarë dore edhe identiteti i asnjanësit.

 

E nënta, së fundi, si pikë të veçantë në kontekst të identifikimit të asnjanësit po e përmendim raportin: mbiemër prejpjesor / asnjanësi prejpjesor. Ky raport del i trajtuar mjaft mirë në veprën  e studiuesit Valter Memisha me titull “Dukuri semantike gjatë formimit të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe (monografi)” ( Gjirokastër, 1999), ku ndër të tjera autori  kur thekson aftësinë fjalëformuese të mbiemrave të tillë me anë të konvertimit, ndër emra prejpjesorë të tjerë domosdo përmend emërzimin e tyre si asnjanës të tipit  prejpjesorë, siç janë shembujt:

të ardhurit, të hyrët, të menduarit, të vepruarit, të folurit, të qarët, të qeshurit, të kafshuarit, të ecurit, të  dalët, të korrurit  etj.,

njëherazi duke sqaruar se:

“E rëndësishme  të theksojmë këtu është veçoria kuptimore dhe lidhja  (e  tyre) me mbiemrat prejpjesorë. Kuptimi i këtyre mbiemrave gjatë procesit të emërzimit nuk largohet nga ai i foljeve përgjegjëse, ata e bartin bërthamën kuptimore duke shënuar veprim abstrakt, gjendje ose rezultat veprimi, veçan për emrat e gjinisë asnjanës. Kur folja përgjegjëse e mbiemrit  që emërzohet, është moskalimtare edhe emri e ruan këtë përbërje, si të ardhur,  të ecur, të dalë, të hyrë të shkuar etj.”, por “kur folja përgjegjëse e mbiemrit prejpjesor është kalimtare, atëherë edhe emri në gjininë asnjanëse përdoret sipas rrethanave me kuptim vepror: të pasurit; me kuptim pësor: të korrurit,  të vjelët, të prerët etj.; madje dhe me kuptim vetvetor e mesor: të dashuruarit (si proces), të fejuarit, të martuarit, të ankuarit, të dëshpëruarit, të zemëruarit etj.(Aty f. 70-71.)

 

Edhe pse pjesorja e shqipes ka përgjithësisht kuptim pësor dhe kjo vlen sidomos për foljet kalimtare, pjesorja e foljeve jokalimtare ka kuptim vepror dhe kjo kuptimësi reflektohet si te mbiemri ashtu dhe te asnjanësi prejpjesor por dallimi në raportin mbiemër prejpjesor / asnjanës i paranyjëzuar prejpjesor është tejet i madh, andaj identiteti i asnjanësit del i pacenueshëm edhe nga ky aspekt, sepse siç e thekson prof. Shaban Demiraj, ndonëse  emrat e tillë “në origjinë kanë qenë mbiemra prejpjesorë asnjanës të substantivuar, por nga pozita e shqipes së re nuk mund të interpretohen veçse si emra prejfoljorë asnjanës (Aty, f. 70.), sepse ndërkohë asnjanësit e tillë kanë fituar të gjitha tiparet leksiko-gramatikore të emrit.

Gjithsesi edhe pse kanë një mbështetje burimore mbiemrat prejpjesorë dhe emrat prejpjesorë asnjanës kanë identitet të ndryshëm, ngase u takojnë dy klasave, përkatësisht  dy pjesëve të ndryshme të ligjëratës.

 

 

*    *    *

 

Prandaj të gjitha këto veçori dhe ndonjë tjetër, përveç atyre që u cekën gjatë analizës në krerët përkatës të këtij punimi, siç janë asnjanësit e emërzuar nga ndajfoljet e e shprehjet ndajfoljore të formuara nga kategori të tjera leksiko-gramatikore, sidomos ato të rasës rrjedhore me nyjën e përparme  (tipi: plasa së foluri), i japin shtat nga aspekti formal dhe ai përmbajtësor identitetit të asnjanësit të paranyjëzuar dhe njëherazi, padyshim, shtrojnë nevojën me e ruejtë dhe me e sforcue përdorimin e asnjanësit në gjuhën tonë letrare për konceptet  përkatëse, sidomos në fushë të abstraksionit.

Është e vërtetë se për të mbuluar pikërisht koncepte abstrakte dolën edhe forma të tjera, qoftë të përgjithësuara me konotacion të ri, qoftë me shkallëzimin e niveleve të abstraksionit si dhe ndërlidhur me nivele të konkretizimit, por asnjanësi që tani mbulon konceptin kulmor si nënfushë të veçantë të abstraksionit nuk u trondit dhe, si duket, nuk ka gjasa dhe as që do të ketë rast me u tronditë natyrshëm as në të ardhmen nga asnjëra nga ato forma sinonimike me të cilat tani bashkëjeton. Pra, diferencimi i niveleve semantike të fushës së abstraksionit në nënfusha përkatëse, nuk dëmton, përkundrazi ndihmon dhe qartëson më mirë nënfushën semantike të asnjanësit ashtu siç qartësohen edhe profilimet e formave të tjera sinonimike në gjuhën shqipe.

Pra, meqë edhe në të ardhmen gjuha jonë, si çdo gjuhë e gjallë e një populli të civilizuar në rritje e sipër, gjithnjë e më tepër do të ketë nevojë për të shprehur nocione të llojllojshme si në fushën konkrete e sidomos në atë abstrakte, atëherë si prejpjesorët pandajshtesorë, prejpjesorët prapashtesorë, ashtu edhe prejpjesorët e prejmbiemërorët e paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse duhet t’i ruajë dhe t’i kultivojë në bashkëjetesë sinonimike ashtu si edhe tipat e emrave të tjerë. Kur themi duhet t’i ruajë dhe t’i kultivojë kuptohet pa e përjashtuar konkurrencën lojale për koncepte të caktuara polisemantike e ndonjë formë tjetër.

Me një veprim të tillë, duke u dhënë vendin e merituar emrave të gjinisë asnjanëse në gjuhën tonë standarde, mendojmë ne, do të kontribuohet pa mëdyshje, në të mirë drejt kristalizimit të nënfushave përkatëse semantike e stilistike që mbulojnë emrat sinonimikë, duke i ruajtur ngjyrimet e mozaikut të strukturës përkatëse emërore, pa rrezikuar ekzistencën e njëri-tjetrit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora