E premte, 29.03.2024, 05:22 AM (GMT)

Kulturë

Fatmire Duraku: Pseudo vlera dhe pseudo autorë

E diele, 15.07.2012, 01:33 PM


Pseudo vlera dhe pseudo autorë

Nga Fatmire Duraku

Arti është tik-tak i shpirtit. E, në një mënyrë, fryma e secilit nga ne. Është ajri, është i vetmi zot në vetminë tënde të thellë, të trishtueshme. Është vetëm yti. Gjithherë yti, edhe sa të jetë brenda lëkurës sate, por edhe pasi ta nxjerrësh jashtë vetes. Është patjetër Yti. Është ngjyra, shikimi, dhembja dhe dashuria jote. Është ti vetë! E te ne, sidomos sot? Te ne mund të mos jetë yti dhe nuk bëhet asgjë. Punë e madhe. Autorët, paguajnë lekët dhe tjetri-për të ekzistuar, ua shkruan librat! Ja, pse plot autorë sot te ne nuk e kanë një ngjyrë shkrimi, por dhjeta ngjyra. Varet se cilin libër cili autor ia ka shkruar... e ky që i nënshkruar është krekoset me librat  në të cilat as të vetmen germë nuk e shkroi vetë! Sa i duhet kjo kujt dhe sa e ndien të vetin ai, ajo, shpirtin e huaj-librin, të cilin e shkroi tjetër kush? Zot!

Te ne çdo gjë është bërë e mundshme, është e mundshme  ndoshta dhe do të jetë e mundshme për një kohë të gjatë. Pse jo, ndërsa kjo ecën pa pengesë.

Kot pse e para qe fjala!

E... Letërsia, Muzika, Piktura, Filmi... arti në përgjithësi, në të gjitha periudhat e kohës kanë luajtur dhe luajnë rol të madh në afirmimin e një individi, të një komuniteti, të një mjedisi, në afirmimin e një shteti, të një kombi. Veçse që të ndodhte kjo caktoheshin resorë të veçantë që do të merreshin me një punë të tillë shumë të rëndësishme. Për ne-për njërin krah të kombit shqiptar nuk vlen diçka e tillë. As qe vlerë dje, as është  vlerë sot. Te ne pra, në Kosovë, tash e nga dita e parë e shpalljes së Republikës, nuk qe kështu, nuk çau kokë askush se çfarë ndodh me kulturën, me letërsinë e mirëfilltë, me muzikën, artin pamor, filmin dokumentar e artistik, etj.,  çfarë ndodh me krijimet artistike, me të cilat artistët që i kanë krijuar bredhin derë me derë e – zoti im, nuk gjejnë kund derë t`u hapet, t`i ndihmojë që veprat e tyre të shohin dritën, të botohen këtu, e lere me të prezantohen jashtë, të plasohen në mjedise të tjera, përmes të cilave do ta flisnim veten dhe universalen, do të tregonim kush dhe çfarë kulture kemi, çfarë shpirti! Dhe, jo veç se nuk qe kështu me ndonjë veprim konkret, por askush as e pa të udhës të mendojë për diçka të këtillë. Një qëndrim i tillë, një gjendje e tillë, domosdo, sjell  deri te zhgënjimi total i krijuesit, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të deklarojë se i vjen turp të tregojë me çfarë merret!? Shikuar nga kjo prizëm, ne (ndoshta) mund të jemi i vetmi shtet që nuk çan kokë për vete, për afirmimin e traditës së vet, të kulturës dhe të artit në botë. E çuditshme dhe tragjike. Ndoshta është në pyetje mungesa e përvojës apo ndonjë tendencë, e cila vështirë do të shpjegohej. Sidoqoftë, është e qartë – Institucionet përkatëse të shtetit për një veprimtari të këtillë, për afirmimin e arit e të kulturës, të lashtësisë dhe të traditës në këtë sferë, nuk bënë derri tash asgjë dhe nuk ka shenja se do të bëjnë diçka më tepër as në të ardhmen e afërt.

Kjo, vetvetiu flet, se askujt nuk i bëhet vonë për asgjë, që do të afirmonte kulturën, artin, shkencën – vetë shtetin tonë të ri. E vetmja gjë e rëndësishme është se si të gjejnë mënyrë, si t`i  zgjasin duart në xhepa t e shtetit, ta vjedhin, t`ia  këpusin nga një pjesë të pasurisë, për të siguruar “hajnat: ardhmërinë e vet dhe të brezave të tyre. Kjo nga poshtë - lart, njëjtë, nga lart - poshtë. Vërdallë. Me maska apo pa to, ditën apo natën, nuk e kanë dert.

E krijuesit, ata çfarë mund të bëjnë në një mjegull të tillë?

Si të ekzistojnë, nga çfarë të ekzistojnë. I shëtisin rrugët dhe presin, si ata me duar të shtrira buzë rrugës,  t`iu ofrojnë para ata që dëshirojnë të botojnë ndonjë  libër! Dhe, kështu lind pseudo libri, lind pseudo autori, të cilit i mbetet vetëm të vë emrin e vet krye-libri, pa e  shkruar vetë as të vetmen germë! Ja, pra, pse gjithë këta autorë në vitet e fundit, për të cilët nuk ka dëgjuar kurrë kush, ja pse në vitet e fundit pseudo librat, pseudo përkthimet...

- Fajin për këtë e kanë edhe  shkrimtarët, - më tha me një rast nga po e bisedonim këtë temë një koleg imi. – Pse ua shkruajnë librat!?

-          Pse, - e pashë me habi. – Duhet edhe ata të jetojnë nga diçka.

- Ama, u shkruajnë libra atyre që s`e dinë çfarë është libri. Shiten!

Ashtu është, siç e thotë ai. Megjithatë, prapë dhe gjithnjë mendoj se faji është tjetër kund dhe i tjetër kujt. Shkrimtarët duhet të jetojë... Mjeshtri tjetër përveç shkrimit nuk kanë! Nuk kanë

zgjidhje tjetër, askush nuk kujdeset për ta...e kaq shumë e kanë obliguar shoqërinë me punën e vet  dhe frytet e çmuara. Sot, të njëjtit, e kanë vetëm mundësinë të shiten, ngjashëm siç bëjnë punëtorët e krahut. Nuk kanë hapësirë të ndërmarrin asgjë tjetër, nuk kanë udhë të ndërrojnë asgjë. Kot. Krijuesit megjithatë e kanë vështirë t` i ndërrojnë fytyrat, e ndërrimi i fytyrës sot dhe këtu është e vetmja mënyrë të lidhesh në vallen e korruptimit, të lojës... e ky është kushti, ose bëhu pjesë e lojës ose vdis në rrugë!  Një dëshmi, ndër mijëra dëshmish, ta zëmë është shpërblimi vjetor për librin më të mirë të vitit në të gjitha gjinitë e letërsisë. Aty, për gaz të botës, kanë marrë shpërblime librat dhe autorët për të cilët askush deri në atë çast nuk ka dëgjuar. Asnjë lexues. Do të thotë, librat që janë shpërblyer, i ka lexuar ndoshta vetëm ai që i ka shkruar (e zoti e di kush i ka shkruar!), ndërsa ai që i ka shpërblyer e ka marrë vetë edhe  shpërblimin.  e autorit të librit! Me marrëveshje. Paç!

Një mik imi, që natyrisht nuk do t`ia  përmend emrin, i caktuar anëtar i jurisë për një shpërblim vjetor të rëndësishëm, rrëfen se si autori i caktuar e ka blerë jurinë, me paratë e shpërblimit, por ngaqë ato qenë pak, ai shtoi dhe një hise tjetër të njëjtë me shpërblimin  për jurinë, vetëm ta shënojë në biografinë e vet se është shpërblyer. Pra, këtu dhe sot nuk është asgjë e re të konstatosh se çdo gjë blihet me lekë! Blihet autorësia e libri që nuk është shkruar,  blihet shpërblimi që nuk është merituar, blihet çdo gjë, shkrimi në gazetë, blihet çdo gjë, e – në këtë mënyrë rrjedh uji në  mullirin tënd. E libri i mirë, e autori i njohur, ngel me libër në dorë, ngaqë ai nuk ka para të paguajë t`i botohet apo shpërblehet libri, poezia, proza, drama etj.!?

Shpërblimi – çfarëdo qoftë ai, nuk ia rrit vlerën librit! Ky është ngushëllim dhe sado të jetë ngushëllim, megjithatë dhemb! Dhemb, ngase puna me të cilën merret nuk i duhet askujt! Paradoksale duket, e është e vërtetë!

Njërit, apo tjetrit (qoftë poet, prozator, dramaturg), i cili për tërë jetën nuk kurseu të afirmojë fjalën shqipe në botë tashmë i vjen keq të tregojë haptas me çka merret, ngaqë puna e tij është degraduar deri në pafundësi,  tjetrit poashtu, i cili për tërë jetën nuk pushoi të plasoi muzikën autoktone shqipe në botë i vjen turp pse ajo që ai krijon nuk i duhet askujt,  të tretit, që robëroi veten-kënaqësitë e jetës, i mbyllur në studio, të krijojë vepra arti pamor, që do të na prezantonin jashtë shtetit në dritën më të mirë, i vjen të shaj çastin që ndau mendjen të merret me art.

Ç` është arti, pra?!

A është arti  mjeshtri nga i cili nuk fiton asgjë, nga i cili bëhesh i varfër!

Gjithë këtë marifet, tashmë kanë zënë ta shfrytëzojnë disa matrapaz dhe të derdhin mjegull, të botojnë nga disa ekzemplarë libri dhe t`i endin te njëri e tjetri, për t`u fryrë se brenda natës ata kaluan  vitet dhe tashmë janë më të mirët në letërsi, apo në muzikë, apo në pikturë... I botojnë librat, herë – herë të financuar nga institucionet tona, me sytë e vet në ballina, me fotot e tyre të rrethuar nga mbesat e nipërit, sikur në ndonjë pashallëk, ku çdo gjë sillet ashtu siç do pashai. Lere se libra të tillë – të nivelit të shkrimit të  viteve të para të pasluftës së Dytë Botërore, botohen e qarkullojnë si pleh mes nesh, por – ja, që vlera të tilla tashmë (falë disa emrave të dyshimtë nga mërgimi, të cilët i shesin edhe të afërmit e vet për para) kanë zënë të botohen edhe jashtë vendit. Apo, të njëjtit nga dhjetë apo njëzet ekzemplarë libri i botojnë këtu, për t`u bërë emra me nam, për t`u fryrë me gjashtë-shtatë libra të botuar në gjuhët e huaja, gjermanisht, anglisht, kroatisht, italisht, turqisht etj.

Një autor, ta zëmë, në moshën mbi pesëdhjetë vjeçe ( e them me bindje se ende s`i njeh të gjitha germat e alfabetit të shqipes), paraqitet në këtë moshë me librin e vet të parë – nën çdo nivel, nën çdo vlerë letrare, del pra me librin e vet të parë – të pabotueshëm dhe po atë libër e përkthen në anglisht, gjermanisht, italisht, kroatisht... dhe po me atë libër i fiton shpërblimet që i ka bota jonë letrare,  të cilën gjë, sado të dëshmuar, nuk ia dolën ta bëjnë për tërë jetën as autorët e shquar, ata ndër më eminentët që i ka ky krah i letërsisë.

A e kanë të qartë ata matrapazë, pseudo autorë, çfarë dëmi i bëjnë letërsisë sonë, vlerës së Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Ali Podrimjes, të cilët për tërë jetën bënë punë kolosale t`i tregojnë botës se këtu ka art dhe ka vlera. Pse rrënohet ajo që u ndërtua me aq mund dhe sakrifica?

... kujt i duhet kjo dhe sa e dëmton letërsinë shqipe jashtë?

Njëmend, gjendje për të vajtuar!

Një punë mjaft të keqe në këtë rrjedhë bëhet edhe  në Rumani. Atje  disa persona të caktuar, të njohur nga opinioni ynë,  ose nuk e njohin  letërsinë ose kanë mision të caktuar t`i  qesin hije të keqe letërsisë shqipe, duke përkthyer vepra tejet të dobëta të autorëve që te ne nuk paraqesin  ndonjë vlerë letrare. Ndryshe si do të mund t`i shpjegojë njeriu ato pseudo vlera dhe ata pseudo autorë, që prezantojnë poezinë, romanin, dramën shqipe, të krijuar sot dhe këtu!?

Diçka e tillë nuk i shërben as kulturës, as artit, as shkencës shqiptare. Përkundrazi!

Kujt i shërben pra kjo?



(Vota: 71 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora