E enjte, 28.03.2024, 11:04 AM (GMT)

Kulturë

Mark Vuji: Vetëvlerësimi mësimor (VI)

E diele, 15.07.2012, 09:37 AM


VETËVLERËSIMI MËSIMOR

OSE

TË NXËMË, TË SILLEMI E TË KOMUNIKOJMË ME TË TJERËT, DUKE KONTROLLUAR RREPTËSISHT VETVETEN, MBËSHTETUR DHE NË DRITËN E OPINIONIT SHOQËROR

 

NGA PROF. AS. DR. MARK VUJI

 

KAPITULLI I SHTATËMBËDHJETË

 

VETËVLERËSIMI FORCON PËRGJEGJËSINË E NXËNËSVE PËR PËRGATITJEN SHKENCORE DHE PËR KRIJIMIN E MARRËDHËNIEVE TË DREJTA ME TË TJERËT NË FAMILJE, NË SHKOLLË DHE NË SHOQËRI

 

Vetëvlerësimi rigoroz bën që nxënësi të ndjejë përgjegjësitë që ka ndaj vetes dhe të tjerëve për formimin shkencor dhe për njohjen e zbatimin e vlerave, normave morale dhe kufizimeve shoqërore si nxënës dhe qytetar të një vendi demokratik.

 

Shënim paraprak

Aftësia e nxënësve për të përcaktuar kërkesat ndaj vetvetes si zbatues i vlerave, i normave dhe i kufizimeve sociale, është një tregues i rëndësishëm, që flet se ata kanë arritur pjekurinë e nevojshme socialkulturore që të bëjnë vetëvlerësime gjithnjë e më të sakta  e me përgjegjësi edhe në aspektin socialpsikologjik.

“Vetëvlerësimi, - thuhet në manualin “Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 69, - i aftëson fëmijët të respektojnë veten e të tjerët dhe të mësojnë për përgjegjësitë që shoqërohen me të. Normat dhe limitet janë të rëndësishme për të mundësuar këtë proces. Normat dhe limitet u mësojnë fëmijëve respektin reciprok dhe përgjegjësinë për veprimet e tyre. Ky mësim fillon të merret që në fëmijëri.”

Për të arritur deri këtu, shkolla dhe familja duhet të bëjnë një punë të madhe për të formuar tek fëmijët bindjen se ata duhet të punojnë, jo vetëm për t’i njohur vlerat, normat dhe kufizimet shoqërore, që ka krijuar shoqëria, por edhe për përgjegjësinë që kanë që t’i zbatojnë ato me korrektësi të madhe, si e vetmja rrugë për të siguruar imazhin e tyre të mirë si nxënës e qytetarë të denjë të një shoqërie demokratike, si një kërkesë e domosdoshme për të fituar respektin e të gjithëve.

Në këtë kapitull do të përpiqemi të shikojmë se ç’ndikim ka vetëvlerësimi për forcimin e përgjegjësisë së nxënësve për formimin shkencor dhe për sjelljen e tyre brenda e jashtë shkollës.

1. Vetëvlerësimi nga nxënësit të çdo veprimtarie që kryejnë, forcon përgjegjësinë e tyre për të formuar një imazh gjithnjë e më të mirë.

2. Vetëvlerësimi i sinqertë konkretizon përgjegjësinë që ka nxënësi për zgjidhjen pozitive të problemeve, me të cilat ndeshet.

3. Vetëvlerësimi rigoroz, i nxit nxënësit për rritjen e kërkesave ndaj vetvetes dhe për forcimin e vetëpërgjegjësisë për realizimin e tyre.

4. Forcimi i lidhjeve në mes të vetëvlerësimit e vetëpërgjegjësisë, i hap rrugën suksesit të qëndrueshëm.

5. Vetëpërgjegjësia, kur mbështetet në vetëvlerësime të kujdesshme, e ruan dhe e forcon imazhin e mirë të nxënësve.

6. Vetëvlerësimi analitik, që nxënësit u bëjnë arritjeve, konkretizon përgjegjësinë e tyre që ata bëjnë për  t’i hapë rrugën zhvillimit përspektiv të problemeve që studiojnë.

7. Vetëpërgjegjësia realizohet vetëm atëhere kur nxënësi pranon me vetëdije vlerat, normat dhe kufizimet sociale, që ka vendosur shoqëria dhe lufton që t’i zbatojë ato.

8. Vetëvlerësimi, që në të vërtetë është një pasqyrë e gjendjes së brendëshme, që shkakton tek nxënësit emocione, kënaqësi, shqetësime, autokritikë etj., forcon vetëpërgjegjësinë.

9. Vetëpërgjegjësia krijon marrëdhënie të reja respekti në mes të nxënësve dhe çon në përshpejtimin e vetëformimit gjithnjë e më të plotë të “Un-it” të tyre.

10. Vetëvlerësimi fuqizon vetëpërgjegjësinë dhe së bashku zhvillojnë motivimin e nxënësve për punë dhe për sjellje gjithnjë e më korrekte.

11. Vetëvlerësimi, vetëformimi dhe vetëpërgjegjësia realizohen me sukses, kur shkolla u transmeton nxënësve vlera, norma dhe kufizime sociale me profesionalizëm të lartë.

12. Të zhvillojmë teknika të reja për të mënjanuar luftën për pushtet mbi fëmijët dhe për të fituar zemrat e tyre.

13. Vetëpërgjegjësia fitohet gradualisht nga nxënësit që në vitet e para të fëmijërisë së tyre në familje, në shkollë e shoqëri dhe zhvillohet gjatë gjithë jetës nëpërmjet të vetëvlerësimeve rigoroze.

14. Vetëpërgjegjësia mënjanon lindjen e konflikteve në mes të nxënësve dhe krijon marrëdhënie afektive mes tyre, që i hap rrugën integrimit të tyre social.

15. Vetëpërgjegjësia, kur ka si objekt kryesor kapërcimin e shqetësimeve që nxjerr vetëvlerësimi,  që nxënësit u bëjnë  veprimeve të tyre, forcon vetëbesimin dhe mbron imazhin e mirë.

 

Le t’i zhvillojmë problemet më gjerësisht.

 

17 – 1. VETËVLERËSIMI NGA NXËNËSIT I ÇDO VEPRIMTARIE QË KRYEJNË, FORCON PËRGJEGJËSINË E TYRE PËR TË FORMUAR NJË IMAZH GJITHNJË E MË TË MIRË.

 

Vetëpërgjegjësia e orienton nxënësin për të kapërcyer probleme të ndryshme, me të cilat ndeshet brenda e jashtë shkollës, sado të vështira të jenë ato. Nxënësit mësojnë mekanizmin e vetëpërgjegjësisë, duke marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve që dalin nga vetëvlerësimi i përgjegjshëm i veprimeve të përditshme. Vetëpërgjegjësia është një dukuri, që kërkon nga individët të mbështeten në arsyetime të forta, që sigurojnë zgjidhjen e problemeve socialpsikologjike shqetësuese.

Vetëpërgjegjësia tregon cilësinë e kulturës sociale që nxënësi merr në shkollë, që përbëhet nga niveli akademik, nga vlera, norma morale, kufizime shoqërore, ide e qëndrime ndaj problemeve të ndryshme, nga konceptime rolesh, raportesh, kodesh dhe interpretimesh etj., që bëjnë të mundur zgjidhjen e drejtë të problemeve dhe situatave të caktuara. Ky proçes quhet ndryshe dhe shoqërizim. “Duke iu përgjigjur miratimit ose mosmiratimit të prindërve dhe gjyshit e gjyshes, - thuhet në manualin “Një udhëzim mbi disiplinën pozitive”, faqe 69,- dhe duke kopjuar shembujt e tyre, fëmija mëson gjuhën dhe modelet bazë të sjelljes në shoqëri.... Fëmija i vogël, duke ndërvepruar me të tjerët dhe duke luajtur lojëra fëminore, mëson të konformohet me qëndrimet e pranuara të një grupi shoqëror dhe të çmojë faktin se jeta sociale bazohet mbi rregulla. Shoqërizimi në fakt nuk përfundon në fëmijëri. Ai është një proçes i gjatë sa ç’është vetë jeta.”

Pikërisht, në bazë të kësaj kulture dhe të këtyre rregullave, realizohet vetëpërgjegjësia. Pra, shkolla duhet të punojë me kujdes që të ngulisë në vetëdijen e nxënësve vlerat, normat dhe kufizimet sociale, që ka krijuar shoqëria deri më sot me qëllim që ata të orientohen në realizimin me përgjegjësi të  marrëdhënieve me të tjerët.

Ky proçes nis në moshë të njomë në familje, pastaj forcohet në shkollë dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Kujdesi i familjes dhe i shkollës për zgjerimin e nivelit kulturor të fëmijëve, ka një rëndësi të madhe, sepse njeriu me kulturë është më i vetëpërmbajtur. Ky është dhe themeli i vetëpërgjegjësisë.

Mësuesit që i vlerësojnë mendimet e fëmijëve e u krijojnë atyre një mjedis dashamirës, i edukojnë ata me shpirtin e çiltërsisë ose, siç thonë disa autorë, kur veprohet kështu, ata kuptojnë që në këtë moshë përgjegjësinë që kanë ndaj vetes dhe të tjerëve për veprimet që kryejnë.

Cilësia e vetëkontrollit dhe e vetëvlerësimit, që nxënësit i bëjnë veprimtarisë së tyre, varet nga niveli i kulturës që merr në familje, në shkollë dhe në shoqëri dhe nga shkalla e formimit të vetëpërgjegjësisë për t’i zbatuar ato me cilësi të lartë.

 

17 – 2. VETËVLERËSIMI I SINQERTË KONKRETIZON PËRGJEGJËSINË QË KA NXËNËSI PËR ZGJIDHJEN POZITIVE TË PROBLEMEVE ME TË CILAT NDESHET

 

Është e vërtetë se të gjithë njerëzit, gjatë tërë jetës, në një mënyrë ose në një tjetër, bëjnë vetëvlerësimin e punës së tyre herë haptazi dhe më shumë në heshtje. Vetëvlerësimi ose kontrolli mbi vetveten ka vlera të mëdha si për të rriturit, ashtu për nxënësin. Kush humbet kontrollin mbi vetveten, ai vepron në tym, pa ditur se ku po shkon dhe nuk ndjen përgjegjësinë e duhur për veprimet që kryen.

Pikërisht, këtu fillon puna e mësuesit si edukator, që kërkon mënyra e mjete për t’i mësuar nxënësit që, përpara se të vendosin të bëjnë një veprim, të mendojnë për pasojat e tij.

Vetëvlerësimi serioz konkretizon përgjegjësinë. Ai është për nxënësin paralajmërim i pasojave. Psh., “po të mos mësosh përpara teorinë, nuk mund të zgjidhësh problemat.” “Po të mos mësosh në shtëpi, të nesërmen nuk mund të përgjigjesh në mësim.” “Po të shpifësh për shokët, nuk gëzon më respektin dhe dashurinë e tyre.” Gjithnjë pasojat negative janë rezultat i veprimeve të pamenduara mirë. Siç dihet, nxënësit ndodhen përpara një shumëllojshmërie pasojash. Mësuesit dhe prindërit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm për aftësimin e tyre që t’i vlerësojnë pasojat me përgjegjësinë e duhur.

Ndërhyrja e të rriturve për t’i ndihmuar fëmijët që t’i kuptojnë pasojat logjike, duhet të jetë e menduar mirë.

Parandalimi i veprimeve me pasoja negative, siç mund të jetë pirja e duhanit apo marrja e drogës etj., nuk mund të bëhet me ndëshkime dhe ofendime. Ato zgjidhen duke vepruar në bazë të parimeve të disiplinës pozitive, që nxisin e forcojnë tek fëmijët bashkëpunimin për zgjidhjen e problemeve.

Vetëvlerësimi i saktë zhvillon vendosmërinë për të ndryshuar. Ai ka vlera të mëdha edukative, sepse të ndihmon t’i dalësh të keqes përpara dhe rrit përgjegjësinë për të parandaluar dëmtimet e mundshme pra, për të frenuar pasojat negative.

Vetëvlerësimi ndihmon që të forcohet rishikimi i veprimeve në dritën e pasojave që mund t’i vijnë individit prej tyre. Mësuesit e ditëve tona duhet të luftojnë që t’i përgatisin nxënësit si agjentë të ndryshimeve pozitive në të gjitha drejtimet e mundshme.

Si përfundim, mund të themi se vetëvlerësimi i ndihmon nxënësit që të konkretizojnë përgjegjësinë për punën që bëjnë. Vetëvlerësimi pa vetëpërgjegjësinë kthehet në një informacion  pasiv, me ndikim të pakët mbi psikologjinë e tyre.

 

17 – 3. VETËVLERËSIMI RIGOROZ I NXIT NXËNËSIT PËR RRITJEN E KËRKESAVE NDAJ VETVETES DHE PËR FORCIMIN E VETËPËRGJEGJËSISË PËR REALIZIMIN E TYRE

 

Vetëvlerësimet e nxënësve, kur verifikohen nga mësuesi, krijojnë mundësi që ata të zbulojnë rezerva të reja në vetvete për të vënë në lëvizje kapacitetin e tyre intelektual në luftë për përvetësimin e dijeve, të vlerave, normave e kufizimeve sociale bashkëkohore.

Të gjitha vëzhgimet dhe provat që kemi bërë tregojnë se mësuesit duhet t’i ndihmojnë nxënësit që të realizojnë vetëvlerësime serioze me qëllim që ata të rrisin për herë e më shumë kërkesat ndaj vetvetes për të arritur rezultate gjithnjë e më të larta në mësime dhe në krijimin e marrëdhënieve të drejta në jetën shoqërore si dhe për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë për t’i realizuar ato me sukses.

 

17 – 4. FORCIMI I LIDHJEVE NË MES TË VETËVLERËSIMIT DHE VETËPËRGJEGJËSISË, U HAP RRUGËN SUKSESEVE TË QËNDRUESHME

 

Është i njohur konkluzioni filozofik “Suksesi sjell suksesin”. Mësuesi duhet t’i ndihmojë nxënësit që të realizojnë sukseset e para si individ e klasa, me qëllim që t’i vënë ata në rrugën e kërkimit të sukseseve të reja.

Nxënësit që jetojnë në një atmosferë suksesi, vetorganizohen më mirë në punë për të realizuar objektivat që i kanë vënë vetvetes. Kur mësuesi nxit vetëvlerësimin për njohjen e gjendjes dhe të vetëpërgjegjësisë për ndryshimin e saj në drejtim pozitiv, sukeset bëhen më të qëndrueshme dhe shtytës përherë e më të fuqishëm për të ecur përpara.

Vetëvlerësimi i gjendjes hedh dritë mbi sukseset dhe rrit përgjegjësinë për t’i ruajtur e ngritur ato në nivele gjithnjë e më të larta. Sukseset që zbulohen nga vetëvlerësimet e përgjegjshme, janë solide dhe kthehen më shpejt në një edukatë pune.

Ndryshe ndodh kur tek nxënës të veçantë apo klasa, mbizotëron hija e dështimit. Në këtë rast, çdo gjë shkon drejt rënies. Atmosfera e sukseseve krijon lidhje të forta shpirtërore në mes të nxënësve. Ata i bashkon gëzimi i punës dhe shpirti i përgjegjësisë për të ecur gjithnjë përpara.

 

17 – 5. VETËPËRGJEGJËSIA, KUR MBËSHTETET NË VETVLERËSIME TË KUJDESSHME, RUAN DHE E FORCON IMAZHIN E MIRË TË NXËNËSVE

 

Çdo nxënës përpiqet që të krijojë një imazh sa më të mirë që të jetë e mundur për vetveten, por rëndësi ka se sa ata e ndjejnë përgjegjësinë për ta ruajtur dhe zhvilluar atë gjatë të gjithë jetës. Mësuesit me profesionalizëm të lartë, këtij problemi i vënë shumë rëndësi, sepse sa më e fortë të jetë vetëpërgjegjësia e nxënësve për veprimet që kryejnë, aq më i sigurtë bëhet formimi dhe ruajtja e imazhit të tyre pozitiv.

Imazhi i suksesshëm nuk fitohet menjëherë. Nxënësit e kanë të vështirë që ta realizojnë atë pa ndihmën e mësuesve dhe të prindërve. Ata, që të kenë një imazh të mirë, duhet të shquhen për ndenja të larta përgjegjësie për njohjen dhe zbatimin e vlerave, normave e kufizimeve sociale dhe të kthehen në hulumtues të zotë për të kërkuar informacion të ri social dhe për ta përpunuar atë në mënyrë krijuese.

Imazhi i mirë për nxënësit është një pasuri e madhe, që ata duhet ta ruajnë si sytë e ballit gjatë gjithë jetës, sepse lidhet me vetëpërgjegjësinë e tyre për punën që bëjnë dhe mund të themi se ai është edhe produkt i saj.

 

17 – 6. VETËVLERËSIMI ANALITIK, QË NXËNËSIT U BËJNË  ARRITJEVE, KONKRETIZON PËRGJEGJËSINË QË ATA KANË PËR T’I HAPUR RRUGËN ZHVILLIMIT PERSPEKTIV TË PROBLEMEVE QË STUDIOJNË

 

Mësuesit e kujdesshëm i mësojnë nxënësit se si të analizojnë çdo ditë rezultatetet e punës që bëjnë ose arritjet e tyre. Ky vetëvlerësim sistematik e mban gjithnjë të gjallë ndjenjën e tyre të përgjegjësisë për të punuar me rendiment përherë e më të lartë.

Kur nxënësi fiton reputacion në mes shokëve për korrektësi në komunikim me të tjerët dhe nderohet nga të gjithë, ai e ndjen edhe më fort përgjegjësinë për ruajtjen e arritjeve të tija në të gjitha fushat e luftës për të fituar dije shkencore dhe për krijimin e marrëdhënieve shoqërore korrekte.

Vetëpërgjegjësia që lidhet me realizimin dhe ruajtjen, konsolidimin e arritjeve, është një mjet i fuqishëm që vepron mbi psikologjinë e nxënësve dhe i mban ata në aksion të vazhdueshëm për të siguruar një përspektivë gjithnjë e më të mirë. Pra, vetëpërgjegjësia bëhet mbështetje e punës sistematike dhe godet fort të mësuarit me hope, që dëmton rëndë arritjet e nxënësve si në mësim, ashtu dhe në jetën shoqërore, ku kërkohet të konsolidohet si një figurë e lartë dhe e qëndrueshme etiko-morale.

 

17 – 7. VETËPËRGJEGJËSIA REALIZOHET VETËM ATËHERE KUR NXËNËSI PRANON ME VETËDIJE VLERAT, NORMAT DHE KUFIZIMET SOCIALE QË KA VENDOSUR SHOQËRIA DHE LUFTON PËR T’I ZBATUAR ATO

 

Prindërit, mësuesit dhe aktivistët e organizatave shoqërore, ku bëjnë pjesë nxënësit, duhet, jo vetëm t’i njohin ata me vlerat, normat e kufizimet shoqërore, por edhe t’i aftësojnë që t’i zbatojnë ato me vetëdije të plotë, gjë që rrit përgjegjësinë që ata kanë për qëndrimet që mbajnë ndaj ngjarjeve e dukurive të ndryshme shoqërore.

Në kushtet e punës në shkollë, nxënësi mëson jo vetëm organizimin e jetës sipas normave shoqërore, por edhe edukohet për t’i mbrojtur ato nga shkelësit e tyre. Në këtë rast, vetëpërgjegjësia bëhet vepruese, sepse mbështetet në rezultatet e vetëvlerësimeve serioze, siç mund të jetë qëndrimi ndaj përdorimit të drogës, të alkoolit, duhanit etj.

Pranimi me vetëdije i vlerave dhe i kodeve etiko-morale, fuqizon vetëpëgjegjësinë për zbatimin e tyre.  Kjo përbën bazën e formimit të imazhit të nxënësve si qytetarë të denjë për shoqërinë demokratike bashkëkohore.

 

17 – 8. VETËVLERËSIMI, QË NË TË VËRTETË ËSHTË NJË PASQYRË E GJENDJES SË BRENDËSHME, QË SHKAKTON TEK NXËNËSIT EMOCIONE, KËNAQËSI, SHQETËSIME, AUTOKRITIKË ETJ., FORCON VETËPËRGJEGJËSINË

 

Siç e kemi thënë edhe në ndonjë vend tjetër, vetëvlerësimi është vetanalizë, që nxjerr në dritë cilësinë e zbatimit të normave dhe kufizimeve sociale, por në të njëjtën kohë ngjall dhe emocione pozitive ose negative, kënaqësi ose shqetësime etj. Të gjitha këto vënë në lëvizje ndjenjën e përgjegjësisë të individit për veprimtarinë e tij.

Kur nxënësi kryen një veprim që vlerësohet nga të gjithë, ai bindet edhe për saktësinë e përfundimeve që ka nxjerrë vetë, prandaj emocionohet, ndjen kënaqësi, u gëzohet rezultateve të punës së tij, ashtu siç mund të përjetojë dhe të kundërtën në raste dështimi etj.

Vetëvlerësimi e vetëpërgjegjësia veprojnë njëherësh me forcë mbi psikologjinë e nxënësve, mbi situaten e tyre shpirtërore, që jo rrallë krijojnë edhe gjendje stresi, që mund t’u dëmtojë atyre shëndetin. Në këto raste, ndihma cilësore e mësuesit dhe e prindërve, bën të mundur kapërcimin e gjendjes shqetësuese.

Mësuesit e prindërit duhet të përpiqen t’i ndihmojnë nxënësit që të krijojnë atmosferë suksesi dhe gëzimi dhe t’i mësojnë ata se si të punojnë që të arrijnë rezultate që krijojnë gjendje shprese për një të ardhme gjithnjë e më të mirë, që stimulojnë psikologjinë e perspektivës.

 

17 – 9. VETËPËRGJEGJËSIA KRIJON MARRËDHËNIE TË REJA RESPEKTI NË MES TË NXËNËSVE DHE PËRSHPEJTON VETËFORMIMIN GJITHNJË E MË TË PLOTË TË “UN-it”

 

Shkolla dhe familja, duke i ndihmuar nxënësit që të forcojnë vetëpërgjegjësinë për qëndrimin që mbajnë ndaj shqetësimeve me të cilat ndeshen, ua lehtësojnë punën për kapërcimin e tyre si dhe për të plotësuar “UN-in” me vlera të reja.

Për të forcuar plotësisht vetëpërgjegjësinë, mësuesi duhet t’i mësojë nxënësit edhe se si të përfitojnë nga përvoja e të tjerëve. Ai duhet t’i orientojë ata që, duke kontrolluar veprimet që kryejnë, të bëjnë krahasime me vlerat e partnerëve, sepse kjo i ndihmon ata që të krijojnë marrëdhënie korrekte mbi bazën e vlerave pozitive reciproke.

Edhe vetëpërgjegjësia duhet t’i nënshtrohet një vetëvlerësimi të organizuar mirë nga vetë individi, në rastin tonë nga nxënësit, sepse kjo, kur realizohet drejt, e mban të gjallë luftën për të ecur përpara me sukses dhe pa konflikte të dëmshme.

 

17 – 10. VETËVLERËSIMI FUQIZON VETËPËRGJEGJËSINË DHE SË BASHKU NXISIN MOTIVIMIN E NXËNËSVE PËR PUNË DHE PËR NJË SJELLJE GJITHNJË E MË KORREKTE

 

Vetëpërgjegjësia nuk qëndron pa vetëvlerësimin, që sqaron se për çka duhet të përgjigjemi, që na njeh me realitetin e marrëdhënieve që krijojmë me të tjerët në mësim e jashtë tij.

Sjellja duhet të kontrollohet dhe të vlerësohet nga nxënësi me përgjegjësi të plotë më shumë se çdo gjë tjetër, sepse ajo lidhet shumë me imazhin e tij. Në manualin “Një udhëzim mbi disiplinën pozitive”, faqe 71, thuhet: “Një vlerë i përket botës së individit, kur ajo e udhëheq sistematikisht sjelljen e tij, duke demonstruar kështu se ajo është bërë vërtetë cilësi e tija. Ky proçes duhet të ndodhë në një liri të plotë. Ajo çka imponohet, nuk do të përjetohet si një vlerë dhe as nuk do të pranohet si një rregull i brendshëm i sjelljes. Përveç kësaj, një teprim rregullash mund të minojë vetafirmimin dhe vetëvlerësimin e fëmijës e për rrjedhim do të pengojë kapacitetin e tij për t’ju hapur vlerave të tjera. Po kështu, mungesa e rregullave dhe e kontrollit, çon në mungesën e pikave të referimit, në një qëndrim indiferent, sepse kurrgjë s’ka vlerë.”

Si përfundim, mund të thuhet se vetëvlerësimi e informon nxënësin për cilësinë e përgatitjes akademike dhe të njohjes së vlerave, normave, kufizimeve shoqërore dhe për cilësinë e zbatimit të tyre, kurse vetëpërgjegjësia e ndërgjegjëson atë që të vetëvepronjë me korrektësi në përpunimin e qëndrimeve të tij ndaj ngjarjeve e dukurive të ndryshme shoqërore pra, ndaj njerëzve që përfshihen në to.

 

17 – 11. VETËFORMIMI, VETËVLERËSIMI DHE VETËPËRGJEGJËSIA E NXËNËSVE REALIZOHEN ME SUKSES KUR SHKOLLA U TRANSMETON ATYRE NORMA, VLERA DHE KUFIZIME SHOQËRORE ME PROFESIONALIZËM TË LARTË

 

Realizimi i vetëformimit, vetëvlerësimit dhe vetëpërgjegjësisë, nuk është një proçes edukativ i lehtë. Ai kërkon profesionalizëm të lartë. Vetëformimi nuk arrihet duke u kufizuar vetëm me këshilla dhe informacione, por është e domosdoshme që nxënësit të përfshihen në veprimtaritë vetëformuese që ata të përjetojnë dobinë që kanë prej tyre. Këtu ka rëndësi të madhe që fëmijët të kuptojnë pasojat logjike të veprimit ose të mosveprimit të tyre. Njohja e pasojave lidhet me cilësinë e vetëvlerësimit dhe të vetëpërgjegjësisë, si forcë për të parandaluar veprimet negative. Psh., dhënia ose marrja e kopjes është një veprim me pasoja të rënda, sepse nxënësi humb imazhin e tij të mirë dhe ndëshkohet sipas rregullave në fuqi.

Mësuesit e kujdesshëm theksojnë gjithnjë pasojat logjike si një mjet për të nxitur veprime pozitive.

Përforcimi i vlerave e normave morale ka rëndësi të madhe për të ngulitur tek nxënësit gjërat e mira. Prandaj vetëvlerësimet e vazhdueshme ndihmojnë për të krijuar marrëdhënie të drejta me të tjerët, duke përfshirë dhe mësuesit e prindërit. Kjo krijon mundësi që ata të forcojnë përgjegjësinë për veprimet që kryejnë, duke komunikuar me të tjerë në shkollë, familje e shoqëri. Duke vepruar kështu, realizohet një vetëformim aktiv i fëmijëve që len gjurmë të forta në kulturën e tyre në fushën e marrëdhënieve shoqërore.

Lufta që bën shkolla e familja për t’i përgatitur nxënësit si vetëformues, vetëvlerësues dhe vetëpërgjegjës të aftë, është një kontribut që japin ato për formimin e anëtarëve të ardhshëm të komunitetit, që do të çojë më tej zhvillimin e tij të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror.

 

 

17 – 12. TË ZHVILLOJMË TEKNIKA TË REJA PËR TË MËNJANUAR LUFTËN PËR PUSHTET MBI FËMIJËT DHE PËR TË FORCUAR PËRGJEGJËSINË E PUNËS QË BËJMË PËR TË FITUAR ZEMRAT E TYRE

 

Siç dihet, nxënësit ndodhen përpara dy lloj pasojash: natyrore e logjike.

Nuk mund t’i lejojmë fëmijët të provojnë pasoja natyrore për të kuptuar rrezikshmërinë e tyre. Ne nuk mund të pranojmë që ata të bëjnë një lojë të rrezikshme, që të kuptojnë dëmin që sjell ajo pra, pasojën.

Pasojat natyrale duhet të shikohen me kujdes. Fëmijët duhet të nxiten që të vetëvlerësojnë pasojat e veprimeve që kryejnë dhe të ndjejnë përgjegjësinë që kanë, për dëmet që u sjellin ato.

Nxënësit e të gjitha moshave duhet të aftësohen që në vetëvlerësimin e veprimeve të tyre të jenë në gjendje të kapin pasojat logjike të veprimeve që kryejnë. Psh, disa e shfrytëzojnë keq kohën. Ata duhet të kuptojnë se pasoja logjike e këtij veprimi është prapambetja.

Ndërhyrja e të rriturve për të ndihmuar fëmijët për të kuptuar pasojat logjike, duhet të jetë e menduar mirë. Parandalimi i veprimeve me pasoja negative, siç mund të jetë pirja e duhanit, apo marrja e drograve etj., nuk bëhet me ndëshkime e ofendime, por duke zbatuar parimet e disiplinës pozitive, që nxisin tek fëmijët besimin e respektin reciprok dhe bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve. Krijimi i një mjedisi miqësie për fëmijët në familje dhe në shkollë, është mjeti më i mirë për të siguruar ndikimin e prindërve dhe të mësuesve mbi psikologjinë e tyre socialkulturore.

Në manualin “Një udhëzim për një disiplinë pozitive thuhet: “Të rriturit duhet të marrin rolin e lidershipit, duke shfrytëzuar teknika që nxitin një mjedis pozitiv për të fituar fëmijët dhe jo për të fituar mbi fëmijët. Një nga këto teknika janë masat e natyrshme dhe logjike në vend të ndëshkimit.”  (faqe 75).

Kur mësuesi di të hyjë në zemrën e fëmijëve, ai gëzon besimin e tyre, që kthehet në një respekt reciprok të vërtetë dhe rrit përgjegjësinë që kanë për të siguruar një sukses të plotë në zbatimin e vlerave, normave dhe kufizimeve sociale. Ne duhet t’i bindim nxënësit se vetëvpërgjegjësia është qëndrimi që secili mban ndaj vetvetes për punën që bën për t’u vetëformuar deri në atë shkallë sa të forcojë dhe të ruajë imazhin e tij në zhvillim e sipër, gjithnjë të pastër.

Përfundimisht, në edukimin e moshës shkollore, fiton mirëkuptimi logjik edhe jo ndëshkimi kërcënues, që kërkon të vendosë pushtet mbi fëmijën.

 

17 – 13. VETËPËRGJEGJËSIA FITOHET GRADUALISHT NGA NXËNËSIT QË NË VITET E PARA TË FËMIJËRISË NË FAMILJE, SHKOLLË E SHOQËRI DHE ZHVILLOHET GJATË GJITHË JETËS NËPËRMJET VETËVLERËSIMESH RIGOROZE

 

Vetëpërgjegjësia është një ndjenjë e rëndësishme, që e ndjek njeriun gjatë gjithë jetës dhe e mban brenda kërkesave, rregullave dhe të ligjeve që ka vendosur shoqëria.

Që në moshë të njomë, fëmija mëson nga nëna se ç’është mirë e ç’është keq. Atyre u duhet bërë gjithnjë e qartë se çfarë janë duke bërë dhe çfarë u kërkohet të bëjnë me qëllim që të mësohen të gjykojnë mbi veprimet e tyre, dmth që të bëjnë vetëvlerësime të thjeshta. Ata, pak nga pak, mësojnë edhe vetëpërgjegjësinë, që është një koncept i vështirë për t’u kuptuar.

Po përpiqemi të japim një kujtesë për të gjithë ata që punojnë për të përgatitur nxënës vetëpërgjegjës për punën që bëjnë dhe për sjelljet e tyre.

 

KUJTESË

për ata që punojnë për t’i bërë fëmijët të përgjegjshëm për veprimet që kryejnë.

 

1. Të jenë sistematikë në kërkesat ndaj nxënësve për zbatimin e detyrave dhe rregullave.

2. Përpiquni që ata të ndjejnë përgjegjësi për veprimet që kryejnë.

3. Kur t’i qortoni, arsyetoni çdo gjë me kujdes.

4. Mos kërkoni të vendosni me kërcënime e ndëshkime pushtet mbi fëmijët, por gjeni rrugën për të fituar zemrat e tyre.

5. T’i mësoni që ata të jenë të arsyeshëm në kërkesat që bëjnë për plotësimin e dëshirave të tyre.

6. T’i aftësoni ata që të përcaktojnë kriterin e tyre për të gjykuar me saktësi vetveten dhe të tjerët.

7. Keni kujdes që, paralajmërimi i nxënësve për pasojat e veprimeve të ndryshme, të jenë të besueshme.

8. Kur të ngarkoni nxënësit me punë, organizoni diskutime për të nxjerrë përgjegjësinë për realizimin e tyre.

9. I mësoni të kërkojnë falje, kur nuk kanë të drejtë.

10. Luftoni që të futni në shpirtin e tyre kërkesën ndaj vetvetes për të korrigjuar të metat. 11. Mësoni që ata të nxjerrin mësime nga sukseset dhe të metat.

12. Edukoni nxënësit me shpirtin problemzgjidhës dhe të përgjegjshëm për të krijuar marrëdhënie të drejta me të tjerët si qytetarë të një shoqërie demokratike.

 

Si përfundim, mund të themi se puna për edukimin e fëmijëve mund të quhet e mirë atëhere kur ata i njohin vlerat, normat dhe kufizimet shoqërore dhe ndjejnë përgjegjësi për zbatimin e tyre në krijimin e marrëdhënieve me të tjerët dhe në qëndrimin ndaj vetvetes.

 

17 – 14. VETËPËRGJEGJËSIA MËNJANON KONFLIKTET E KRIJON MARRËDHËNIE AFEKTIVE NË MES TË NXËNËSVE DHE I HAP RRUGËN INTEGRIMIT TË TYRE SOCIAL

 

Mësuesit dhe prindërit duhet të përqëndrohen shumë tek puna për forcimin e ndjenjës së vetëpërgjegjësisë së çdo nxënësi, sepse ajo përbën çelësin e zgjidhjes së problemeve të vështira, që lidhen me edukimin e shpirtit problemzgjidhës dhe të përgjegjshëm për të krijuar marrëdhënie të drejta me të tjerët.

Kur nxënësi ndjen përgjegjësi për veprimet që kryen, zakonisht nuk krijon konflikte me të tjerët dhe përpiqet t’i menjanojnë rastet që mund t’i lindin ato.

Vetëpërgjegjësia krijon kushte për të forcuar mirëkuptimin që mbështetet mbi vlera, norma dhe kufizime sociale si dhe për të krijuar afrime shpirtërore me njëri-tjetrin, që përbën bazën e integrimit të tyre social.

Shkolla e familja duhet t’i përgatisin fëmijët që të bëhen nxënës të suksesshëm dhe qytetarë të vetëpërgjegjshëm dhe të denjë të shoqërisë demokratike, që me punën e sjelljen e tyre të gëzojnë respektin e të gjithëve.

 

17 – 15. VETËPËRGJEGJËSIA, KUR KA SI OBJEKT KRYESOR KAPËRCIMIN E SHQETËSIMEVE QË NXJERR VETËVLERËSIMI QË NXËNËSIT U BËJNË VEPRIMEVE TË TYRE, FORCON VETËBESIMIN DHE MBRON IMAZHIN E MIRË

 

Vetëpërgjegjësia e nxënësit për veprimet që kryen brenda dhe jashtë orës së mësimit, është një parandaluese e mirë e shkeljeve të disiplinës së punës, të normave shoqërore dhe në të njëjtën kohë është një rregullatore e fuqishme për të gjetur rrugët për realizimin e vizioneve individuale e të përbashkëta për të siguruar një përgatitje të plotë për një të ardhme gjithnjë e më të sigurtë.

Vetëpërgjegjësia është edhe një qëndrim ndaj vetvetes për punën që bën secili për t’u vetëformuar dhe për të ruajtur imazhin në nivelin e kërkesave shoqërore të kohës si dhe aftësitë për të vetëmonitoruar e vetëvlerësuar të gjithë aktivitetin mësimor e social që zhvillon.

Si përfundim, mund të themi se vetëbesimin, vetimazhin e vetëformimin, nxënësit i mbajnë në normat shoqërore që kërkohen nëpërmjet vetëkontrollit e vetëvlerësimit rigoroz dhe me një ndjenjë e vetëpërgjegjësie të nivelit të lartë.

 

PËRMBLEDHJE

 

Siç e pamë gjatë këtij kapitulli, vetëvlerësimi forcon përgjegjësinë e nxënësve për respektin që duhet të kenë ndaj vetes dhe të tjerëve.

Siç del edhe nga studimi, aftësimi i nxënësve për të përcaktuar kërkesat ndaj vetvetes për njohjen e zbatimin e vlerave, normave dhe kufizimeve sociale, tregon se ata kanë arritur pjekurinë e nevojshme për të bërë vetëvlerësime të sakta e me përgjegjësi edhe në aspektin socialpsikologjik.

Vëzhgimet vërtetuan se nxënësi që di të kalojë çdo veprim të tij nën gjykimin personal, që e mbështet atë në një vetëvlerësim të sinqertë, rrit kërkesat ndaj vetvetes dhe përgjegjësinë për realizimin e tyre gjithnjë e më të mirë.

Nga kërkimet e kryera, u vërtetua se vetëpërgjegjësia, duke ruajtur ekuilibrat shoqërore, ndihmon për të krijuar marrëdhënie të drejta në mes të nxënësve.

Gjithashtu u hodh dritë mbi faktin se vetëvlerësimi fuqizon vetëpërgjegjësinë dhe së bashku motivojnë nxënësit për punë të suksesshme.

Në të gjitha shkallët e këtij studimi doli se vetëvlerësimi, vetëformimi, vetëbesimi dhe vetëpërgjegjësia realizohen me sukses kur shkolla u transmeton nxënësve vlera, norma dhe kufizime sociale me profesionalizëm të lartë, duke zbatuar teknika që sigurojnë fitimin e zemrave të nxënësve dhe jo të vendosin pushtet kërcënues mbi ta.

Në përfundim, del qartë se forcimi i vetëpërgjegjësisë mënjanon lindjen e konflikteve në shoqërinë e nxënësve dhe krijon marrëdhënie afektive mes tyre, që i hapin rrugën integrimit social dhe forcojnë vetëformimin, vetëbesimin, vetimazhin, vetëvlerësimin deri në normën që kërkohet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora