E premte, 26.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Atalanta Pasko: “Babai i quante fëmijë librat e tij”

E diele, 15.07.2012, 10:46 AM


“Babai i quante fëmijë librat e tij”

Shkolla dhe letërsia

Atalanta Pasko, vajza e shkrimtarit Mitrush Kuteli, flet për nxënësit e “Asim Vokshit”

Në vazhdën e rubrikës “Nderim shkrimtarëve”, gjimnazistët vijojnë të mbledhin kujtime për emrat më të njohur të letërsisë shqiptare. Kësaj radhe grupi prej tre vetash i nxënësve të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë; Fiona Kopali, Klaudia Hasanllari dhe Jurgen Hoxha kanë biseduar me një prej vajzave të shkrimtarit Mitrush Kuteli. Atalanta Pasko tregon se si e kujton të atin dhe pse veprat e tij nuk ishin në programet dhe tekstet shkollore.

Është shumë bukur të jesh vajza e një shkrimtari kaq të njohur e të dashur? Si e përjeton e bija, krenarinë që të jep një at, - personalitet kaq i madh?

Emri i tij, sigurisht, të bën të ndihesh mirë. Por, kur kjo krenari lidhet me kujtime të vështira për t’i prekur, ndjenja e përgjegjësisë ndaj emrit të tij, bëhet sunduese...

Ne jemi katër fëmijë. Unë jam e dyta; jam njëra nga të katërt. Kur iku babai, isha gjashtëmbëdhjetë vjeçe. E dija që ishte i sëmurë, dhe isha e vetëdijshme që ditët e lumtura në familje mund të merrnin fund shumë shpejt.

Ai vetë, ishte kaq modest, saqë në shtëpi nuk ishte shkrimtari. Ishte thjesht, babai që punon, dhe punonte vazhdimisht. Ai kishte shkresat e veta: përkthente, shkruante. Nuk imponohej, të të thoshte: “Unë jam AI”. Sa i madh ishte ai, neve na e thoshin të tjerët, ose e kuptonim nga respekti që tregonin ndaj tij.

Veprat e tij nuk ishin në programet dhe tekstet shkollore, por ne i lexonim vetë, në kohën që na mbetej nga mësimet e shkollës. Lexonim edhe përkthimet e tij. Këto, edhe i dëgjonim, kur mamaja punonte në makinën e shkrimit dhe ai ia diktonte.

Kishte një takt shumë të madh në mënyrën se si të mësonte - jo me deklarata, jo me të folur. Ai të vinte të punoje. Për shembull, mua dhe motrës së madhe na jepte dorëshkrimet dhe ndryshimet që kishte bërë në njërin variant, na thoshte: “Hidhi në kopjen tjetër”. Duke bërë këtë, ne shikonim si përpunohej stili, si mund të korrigjohej vetvetja. Dhe, kjo ishte një shkollë më vete. Ai na diktonte, edhe kur bëhej një përkthim. Faza e parë e punës bëhej me dorë. Ishte i sëmurë dhe nuk duhej të lodhej, prandaj shkruanim ne. Kishim kënaqësi, kur thoshte: “prishe këtë e thuaje kështu”. Nuk ka shkollë më të madhe dhe të efektshme. Nga ana tjetër, kujdesi i tij për ne, ishte si çdo baba - në të ngrënët e fëmijës: Sapo hapte gojën, kur dikush pyeste për fëmijët, -thoshte, “Atalanta nuk ha”, - i shkonte gjuha ku dhemb dhembi. Fëmijët i donte shumë dhe ishte shumë i lidhur me ne.

A i ngjani ju babait tuaj nga pamja e jashtme?

Vëllai i ngjan shumë, kurse unë, gjithnjë lëvdohesha, se nga babai dhe mamaja, kisha marrë dy elemente të hundës. Kur doja të tallesha me hundën time, thosha: “Unë, kam bashkuar flegrat e hundës së babës dhe majën e hundës së mamasë”. Të dyja të shëmtuara...

Po tregoheni modeste për pamjen tuaj të jashtme, megjithatë,- po në karakter, i ngjani babait tuaj?

Në karakter, sigurisht, nuk jemi ne ata që të mund të vlerësojmë veten. Ne mundemi, thjesht, të përpiqemi të arrijmë diçka nga shembull i prindërve, të jemi ata që jemi të brumosur, por, a ia arrijmë, vallë? Babai ishte njeriu që kishte provuar të shkruante i lirë, që para vitit 1944. Por, pastaj, ndryshuan kohët: u vunë kanone, u vunë ligje, u vunë rregulla politike në art. Ai, në vitin 1945 ishte njëkohësisht drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit. Ishte specialist në fushën e ekonomisë, shumë i njohur. Disa vite më parë kishte qenë drejtor i Bankës Nacionale të Bukureshtit, në Rumani. Kishte shkruar gjithnjë atë që kishte menduar, si në letërsi ashtu dhe në fushën e ekonomisë, një specialist i zoti dhe i ndershëm në atë që i thoshte logjika e profesionalizmit. Por, kishte ardhur koha, kur nuk duhej të mendoje me kokën tënde, por me kokën e Partisë dhe ta fusje në kornizën e saj gjithë veprimtarinë tënde. Pikërisht këtë, ai nuk e bënte dot. Dhe gjëja e parë që bëri ishte dorëheqja nga posti në bankë. Tha: do të merrem me letërsi. Dhe hartoi një tekst folklori. Sapo ishte martuar, kur erdhi burgu - në maj 1947. Pasi u lirua, në prill 1949, nuk punoi më në fushën e ekonomisë. Veprimtaria e tij kryesore, tani u bë përkthimi dhe i mbeti shumë pak kohë për studimet e veta.

Kjo ishte jeta e tij, shembulli i tij, mënyra e tij për të përballuar rregullat, ligjet nën kornizat e realizmit socialist, ku duhej të ketë, “këtë dhe atë”, sipas “mësimeve të Partisë”. Për shembull, Ismaili ishte një shkrimtar i ri. Bëri shkollën në Moskë. Në fillim kishte atë entuziazmin e të riut. Botoi poezi, por shumë nga ato, sot nuk kanë vlerë: Ishin poezi të mobilizimit politik të poetit. Por, këto i dhanë mundësinë atij të thoshte më pas, gjëra shumë të vlefshme, të bukura dhe të guximshme në prozë. Në një farë mënyre, ai e bleu këtë të drejtë. Po të mos bënte këtë kompromis në fillim, nuk do të kishte pasur mundësi, në fazën e dytë. Por, Kuteli, që kishte provuar të shkruante kur ishte njeri i lirë, nuk mundej ta bënte këtë kompromis. Janë dy gjëra të ndryshme të përballimit të diktaturës. Kuteli thoshte: “Unë do të shkruaj dhe kjo do të botohet. Por, si do t’ia jap lexuesit të lexojë atë që unë nuk e mendoj, ose të kundërtën e asaj që mendoj?”. Dhe nuk e bënte këtë kompromis për asgjë në botë.

Është i njohur fati tragjik i Mirtrush Kutelit në diktaturë. A mund të na flisni diçka më tepër dhe, kryesisht, si e ka përjetuar familja fatin e tij?

Ato janë faza në jetën e një njeriu që i vijnë, i sjell era, dhe ai iu përgjigjet ashtu siç ka brumin e vet. Ato nuk kanë filluar në momentin që njohëm ne babanë tonë. Ato e kanë shoqëruar atë në të gjitha fazat e jetës. Domethënë, një njeri që nuk bën kompromise me ndërgjegjen e tij, gjithnjë është i prirur që të tërheqë shigjetat e më të fuqishmëve, të atyre që kanë pushtetin në dorë. Dhe, kur erdhën në jetë, gjërat vazhdonin në rrugën që kishin nisur; që, në Rumani, për shembull, që vite më parë. Në vitin 1944 e këtej, ishte nëna që kishte barrën kryesore. Ne ishim të rinj dhe i riu është moskokëçarës ndaj disa gjërave. Im atë, ndërkohë, shikonte se si ekonomia e vendit merrte rrokullimën, marrëzirat që shkatërronin vendin. Si shkrimtar, ai luftoi deri në fund. Por, vitet e fundit, ishin ato, kur duke parë rrënimin e vendit, ai iku shumë i trishtuar. Dhe neve, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë na thellohet dhimbja e tij.

Shkrimtari Mitrush Kuteli, me sa dimë, ka lënë një letër për familjen e tij. A mund të na e tregoni këtë letër – testament të tij, dhe nëse dëshironi, të na e lexoni ju, në mënyrë që letrën me zërin tuaj ta kemi e ta ruajmë në CD-në dhe Albumin tonë?

Unë do t’u lutesha, të mos ma kërkoni këtë gjë, edhe se nuk mund, edhe se as unë, askush nuk mund të zëvendësojë zërin e tij... Ndërkaq, një kopje të letrës unë do t’ua jap me shumë dëshirë.

Faleminderit! Profesori ynë i letërsisë, na ka treguar se novela e bukur “E madhe është gjëma e mëkatit” është botuar shumë vonë; vetëm pas viteve ’90-të. Pse ka ndodhur kështu?

Është e vërtetë ajo që ju ka thënë profesori juaj. Kjo novelë e ka datën e përfundimit 16 janar ose shkurt të vitit 1947. Në atë kohë, babait sapo i kishin humbur disa vepra, si “Dashuria e barbarit Artan”, drama “Njerëz dhe ujq”. Më saktë, nuk i kishte humbur ai, por i kishin mbetur në shtypshkronjë dhe atje, thanë, se kishin humbur. Ishte koha kur ai kishte dhënë dorëheqjen nga puna në bankë dhe kur përfundoi “Gjëmën e mëkatit”, pas tre muajsh e futën në burg. Ndërkohë, ngjarjet morën rrugën e qartë të asaj, që letërsia duhej të ishte militante, letërsia duhej t’i merrte modelet nga Bashkimi Sovjetik, dhe tanimë, për botimin e një vepre, nuk vendoste më autori, shkrimtari, por Partia. Ishte një atmosferë, ku dënoheshin të gjithë shkrimtarët e mëparshëm që quheshin borgjezë. Ishte frikë të quheshe borgjez. Flitej për kufizimet ideore të Naim Frashërit, të Zef Skiroit; të të gjithë arbëreshëve. Ai që do të guxonte të shprehte diçka ndryshe, shpirtin e lirë të njeriut, do të ndëshkohej. Dhimitër Xhuvani, për shembull, që shkroi romanin “Tuneli”, u kritikua ashpër, u dëbua nga Tirana dhe u dërgua të punojë punëtor në Bistricë. E shanë, e mallkuan dhe, pas një kalvari të gjatë arriti të botojë përsëri. Prandaj, si mund të botohej në këto kushte në atë kohë novela “Gjëma e mëkatit”?

A ka vepra të pabotuara, në dorëshkrim Mitrush Kuteli?

Jo vepra. Ka shkrime të shkurtra; nja dy tregime, që mbase ai do të donte t’i ripunonte. Ka poezi të pabotuara, edhe sepse deri në fund të jetës shkroi poezi. Ka krijime të papërfunduara. Janë gjëra me interes, besoj, por gjëra të shkurtra.

Intervista juaj është me shumë art dhe detaje të bukura. Dua t’ju pyes: Ju vetë, keni shkruar?

Herë pas here. Kur jam “e mbushur”, shkruaj dhe botoj ndonjë gjë nëpër gazeta. Të fundit, kanë qenë para një viti e gjysmë. Dua ta them edhe unë fjalën time, ashtu siç mendoj dhe di unë. Kaq. Por puna do punë dhe këtu unë nuk jam model.

Jeni model si nënë, thonë. Si është vajza juaj?

Gjithnjë kam dashur që fëmija im, kur të rritet, të mund të zgjedhë drejtimin që do të marrë, me gjithë gamën e degëve dhe profesioneve të mundshme. Prandaj, jam kujdesur, si çdo prind, që ajo të mos krijojë boshllëqe në asnjë lëndë. Dhe komunikimi ynë besoj, ka qenë i bazuar gjithnjë tek e vërteta, pa truke e ambalazhe, por me taktin që dikton dashuria, dhe kjo, mendoj, është e dyanshme.

Fëmijët janë puna më e mirë që bëjnë të rriturit. Punët e tjera i bëjnë kaq keq, po kaq keq, sa s’ka.

Babai i admironte fëmijët dhe rininë. Edhe te “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, roman me temë nga Iliria e Lashtë, ka pasazhe më vete që i kushtohen rinisë. “Të falem, rini”, thoshte.

Siç ju thamë, ne mbledhim zërat e shkrimtarëve. Por, Albumi ynë ka gjashtë rubrika: 1- Jetëshkrimi i shkurtër i shkrimtarit; 2-Foto të tij; 3 - Zëri i shkrimtarit’ 4 - Imazh filmik; 5-Relike të tij; 6-Intervistë.

A mund të na thoni mendimin tuaj për Albumin tonë, dhe sidomos, si mund ta pasurojmë?

Ju e keni marrë Albumin tuaj në të gjitha përmasat që lejon teknika. E keni të plotë dhe është shumë bukur. Nuk di çfarë vërejtje të bëj, se ju e keni parë në të gjithë kompleksitetin që jep koha jonë. Mua më duket shumë mirë, në komunikim të plotë me të gjitha shqisat dhe thjesht, ju përgëzoj.

Dëshironi të thoni ndonjë fjalë mbyllëse?

Nuk e di ku donit juve ta mbyllnim. Unë shikoj një gjë, në të vërtetë; konstatoj, se brezi juaj është më i ndjeshëm, sesa paraardhësit tuaj, ndaj figurave të tilla, si Mitrush Kuteli. Mua, kjo më duket një gjë e gëzueshme dhe një shenjë e mirë. Mbase këtu e ka vendin ai fragmenti, ku Kuteli thotë: “Të falem, rini!”

 

INTERVISTUAN:

FIONA KOPALI, KLAUDIA HASANLLARI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora