Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Pesha e trajtimit të jetës dhe historisë

| E diele, 15.07.2012, 08:57 PM |


Analizë libri

PESHA E TRAJTIMIT TË JETËS DHE HISTORISË PËRMES FJALËS DHE HESHTJES

(Prend Buzhala: “Këpucët e rënda të lirisë”, poezi - botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë -2010)

Këndimi poetik, shpeshherë e detyron dhe e “rëndon” mendimin për etjen e shpjegimit të fjalës dhe të mungesës së saj, midis të cilave gjëra, fshihet dhe ndrydhet koha dhe njeriu, vuan edhe poeti për ta shtruar atë që ndoshta njeriu edhe e di, por nuk e di për ta thënë.  Andaj, fjala ngelet si memece, apo si mjet urtësie për ta mundur luftën shpirtërore, për ta ëmbëlsuar dhembjen e zemrës, e cila duket si pallat ku ngelin të ngujuara gjërat më me vlerë, ku gjurmët ngelin vetëm si shikim, i cili e truan, edhe mallkon edhe përgëzon. Të gjitha bashkë, këto shndërrohen në fotomorgamë, në arnë të vjetër, apo e gjithë kjo duket si një përftim që grish e grish mendjen.

Nga Sejdi BERISHA

Nëse fjalën e konsiderojmë si nocion fondamental të jetës, të bërjes dhe të organizimit të saj, autori i librit “Këpucët e rënda të lirisë”, Prend Buzhala, në këtë aspekt, peshën dhe imagjinatën e këndimit poetik e bën detyrim të mendimit jo vetëm filozofik apo të përditshmërisë, por edhe të “debatit” me vetveten dhe me opinionin përtej stadit të të filozofuarit. Një formë e tillë, edhe sot e kësaj dite ka munguar e mungon dhe, po ashtu, nuk është shtrirë dhe as nuk është bërë pjesë pothuaj se e domosdoshme në krijimtarinë letrare, e veçmas në poezi. Prandaj, përmes intrigimit të “Fjala”, shpie në trajtimin në një rrafsh, të fjalës dhe të heshtjes, të cilat, në brendinë e njeriut gjithmonë kanë qëndruar si flakë që gjithnjë e përherë përvëlon, kuptohet në mënyra të ndryshme: “E pse nuk flet?/...Heshtja si valë shpirtin ta përvëlon”! Mirëpo, nuk është vetëm kjo karakteristikë e këndimit të tillë, sepse, autori na përkujton se njeriu fjalën e konsideron faktor qenësor të ndërtimit të çdo tempulli shpirtëror dhe jo vetëm shpirtëror: “...Para Fjalës rrije gatitu/Si ushtari më i mirë/Duke u përkulur para saj/Si shenjtori më i përvuajtur”!

Detyrimi i mendimit filozofik dhe fjala si faktor qenësor në këndimin poetik

Por, përmes “Fjalës”, poeti depërton thellë jo vetëm në unin dhe në mendjen e vetë, por, sikur atë e shndërron në analizë apo edhe në provokim studimi e hidhërimi, që bashkërisht nxjerrin e shtrojnë shumë pyetje e pak përgjigje, bile kur ndodhin ato, janë apo edhe duken të luhatshme: “E pse të flasësh/Përnjëmend/Kur gjithçka tënden ta mohojnë”, ose: “Kur kërkojnë prej Teje/Ta shndërrosh Fjalën në predhë/Kundër një të pafajshmi/Asnjë rrugë nuk e gjen/Që të qon në shtëpi”! Një qasje e tillë na bën për të kuptuar, se autori ka zgjedhur por edhe vetë e ka një shtrirje të gjerë të këndimit që i ngjanë edhe hidhërimit, edhe pezmatimit, por edhe lumturisë, sepse, ai, mbase edhe njeriu, edhe përkundër të gjitha sfidave dhe të papriturave di ta shoshitë, ta kuptojë dhe ta organizojë rrugëtimin.

Shkrimtari dhe publicisti, Prend Buzhala, ka një prirje të veçantë filozofike edhe kur shkruan, edhe kur bën analiza, por edhe kur ndijimin shpirtëror e kthen në varg. Andaj, edhe kur e analizojmë titullin e veprës “Këpucët e rënda të lirisë”, i cili në fillim sikur lë përshtypjen e një titulli të thjeshtë dhe arkaik, përkundrazi, një titull i tillë, jetën dhe luftën për te dhe për liri, ta shndërron e ta sjellë në pyetje, në të cilën duhet “detyrimisht” të përgjigjesh, ngase, zakonisht, e krijon problemin edhe për Fjalën. E, Fjala për jetën si ecje apo si vrapim edhe maratonik, por edhe si ecje edhe e ngadalshme, edhe si ecje idilike, edhe e mbrapshtë, edhe tragjike e me përplasje, kur të gjitha i “lidhë” bashkë, atëherë, këta faktorë ndërtojnë e hapin rrugë të reja, që nganjëherë pothuaj se shemben dhe prishen  shpejtë. Për këtë arsye edhe janë të rënda “këpucët e lirisë”, çështje kjo e cila, nuk qëndron vetëm sa për t’u çliruar nga armiku e okupatori, por duhet të qëndrojë edhe atëherë kur vjen liria, kur jeton në liri, sepse: “E pse të flasësh tash?/Në liri fjala nuk flitet:/Ajo është vetë liri që krijon lirinë,/Është dritë që krijon dritë”.

Historia dhe jeta e njeriut, secila në vete, janë përherë karakteristike e me plotë ngjarje, që krijuesi, për të na bërë që ta shijojmë jetën dhe lirifrymëmarrjen, sikur na vë njëfarë lloj laku jo vetëm në qafë, por me te na lidhë e mbështjellë tërë trupin, në mënyrë që ne pastaj vetë për t’u liruar e çliruar nga ai siklet, i cili, nganjëherë i ngjanë edhe jetës në “Pavijonin-6” të Çehovit. I ngjanë atij ambienti e asaj zymtësie, nga e cila, edhe pse me pak shpresa, njerëzit e atij mjedisi përpiqen ta lumturojnë vetveten, por edhe jetën e tyre, për shumë shkaqe dhe arsye, t’ua shpjegojnë të tjerëve, botës... Ndërkaq, poeti këtë e “shtrëngon” edhe më shumë me “detyrimet” e shpjegimeve ende të “kacavjerra” para mendjes, ndërgjegjes dhe arsyes: “E, ti nuk flet!/Thuajse Fjala është muze/...Thuajse Fjala është kazermë ashtërore/Për të thyer eshtra”!

Nëse i referohemi këtyre vargjeve si konotacion i rrjedhave historike, atëherë, më të vërtetë autori, para nesh na sjell komplet tablo nga periudhat historike, të cilat, përmes vargjeve mund të analizohen dhe lirshëm të studiohen duke nxjerrë plotë komente, kuptohet të ngarkuara me dhembje e krenari, por edhe me hidhërim për tërë atë që ka ndodhur në cilëndo kohë dhe në cilindo rrafsh e periudhë kohore qoftë, e për të na kulmuar me përplasje dhe me debatet e parealizuara dhe të pakoordinuara e të pa artikuluara as nga njeriu e as nga shoqëria, gjëra këto që i ngjajnë ironisë së pashmangshme. Për këtë arsye, poeti na mbanë në ankth për gjithçka: “Mirë e ke,/Hiç mos fol!/Se fjala âsht gjakbâme/Të sjell telashe të pafund”.

Vargu përcëllues dhe ironia e pashmangshme për rrjedhat kohore dhe ditarin e historisë

Megjithatë, autori,  me “hapat” e rëndë të lirisë nuk na liron nga rrethi vicioz, apo nga ai rrethi i zjarrtë i mendjes dhe i arsyes: “A përnjëmend e ke/Për të mos e thënë/Asnjë fjalë për bé?”, dhe tjetrën: “A ke menduar ndonjëherë/Çka do të thotë  të mos flasësh?”! Është ky një zë edhe i plasjes edhe i arsyes, ndoshta i artikuluar dhe i ngritur për kohën e shkuar, e cila është përmbyllur me lëshime që njeriun e kanë prangosur në mendje, në ndërgjegje, në vetëdijesim dhe në arsye, të cilat gjëra e përcjellin në çdo kohë, në çdo hap, e ndjekin dhe e rëndojnë deri në fund. E çfarë është edhe më e tmerrshme; lënë gjurmë shkrumbi e hiri përnjëherë, e pas kësaj, të

shoqëron malli, etja, zhgënjimi dhe pikëllimi. Për këtë arsye, poeti e do dhe e kërkon fjalën, e do zërin, sepse, heshtja më shumë sjellë terr e tmerr. Për këtë arsye edhe thotë: “Fol, pra, krejt shkurt/Aq sa zgjatë amshimi:/Përpara fjalës të del/Një Fytyrë e Pikëlluar,/Një lot i patharë ndër vite”!

Të gjitha këto vargëzime vërtetë i ngjajnë hapave të rëndë të lirisë, përmes të cilëve, edhe shpjegohet, edhe ligjërohet, edhe kritikohet, mallkohet dhe këndohet, por edhe vajtohet për kohën e shkuar e të ngarkuar me barrën e robërisë fizike dhe mendore të njeriut. Prandaj, pesha e fjalës i ngjanë historisë, i ngjanë bekimit, gëzimit dhe urrejtjes, me një fjalë i ngjanë jetës. Të gjitha këto, sikur i ka parasysh autori, dhe atë duke llogaritur në të gjitha periudhat, lëvizjet dhe përplasjet historike, për çfarë, ai është i kujdesshëm të na sjellë ndërmend mbase edhe të na këshillojë që diçka të mos harrojmë dhe gjithnjë ta kemi në mendje, si këtë: “Fjalën e lindje si një zgjim të përhershëm”!

Dhe, si sublimë metaforike dhe mendim filozofik e historik, poeti nuk dëshiron që Fjalën ta “lodrojë” për të gabuar, për të bërë mëkate e gjëra të tjera që i ngjajnë tradhtisë së shpirtit dhe të vetë njeriut dhe pisllëqeve të tjera. Prandaj, ai, për këto çështje na sjell këshillën e cila sikur i ngjanë mendimit të prerë: “Mos beso,/...Kush të ka thënë të besosh/Në Fjalët e Gojës së Huaj?/Në gjuhën e të Ligut”!

Me këtë dhe shumë poezi të tjera, tani autori me vizionin krijues e nxjerrë “arpallëkun” e jetës dhe të njeriut, të cilët, bashkë duken të mjerë, plotë ilet dhe të lodhur nga duhma e rrjedhave të motmoteve. Kurse, nganjëherë, njeriu i ngjanë demonit. Këtu reflekton edhe më fuqishëm titulli modest por ironik i këtij libri, “Këpucët e rënda të lirisë”.

Çiltërsia shpirtërore e poetit dhe mallkimi i vetvetes për realitetin e jetës...!

Tek shumë poezi, poetin gjithnjë e hasim me atë çiltërsinë e shpirtit, e cila ia lodhë edhe unin edhe shpirtin, ia plasë edhe zemrën , sa që, më të drejtë, shpeshherë nuk heziton për ta kritikuar dhe për ta mallkuar vetveten por edhe të tjerët, sepse, realiteti i jetës sikur ia ngushton të gjitha rrugët mbase edhe arsyen dhe kështu edhe hidhërohet: “...Hiçmu sysh/Vetvetja ime në pasqyrë/...As mos më bëj shoqëri nëpër rrugë/...Më kot më pëshpëritë për të vrarët/Për kriminelët/As për intrigat e thashethemet e botës”. Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, si: “Athua Hyji qenka i dashuruar vetëm në lutje”, “Mushullimë hyjnore”, “Pas të gjitha të vërtetave të mëdha” etj.

Autori është plotë mllef, ndoshta nga dëshira dhe etja për t’i thënë, për t’i treguar e për t’i vënë varg të gjitha ngjarjet dhe ecjet nëpër periudha që e grishin poetin. Bile, edhe zhgënjimin e vetë, i cili edhe mund të përgjithësohet, të jetë pjesë e secilit: “Mbeta duke u përplasur në mes ëndrrës dhe realitetit/Në mes humnerave dhe lartësive/Mbeta duke rivendosur ura të rrënuara/...Në mes të Jetës dhe Vdekjes, Kujtimit dhe Zhdukjes”.

Kjo është ajo, që njeriun dhe rrugëtimin e tij e ngarkon me botën dhe me ndjenjën, e cila qan apo është rob i zemrës, e cila rrahë e rrahë... Dhe, pas tërë kësaj, ai kthehet sërish tek zjarri dhe flaka e vetvetes: “Sapo u ktheva nga ferri i të gjallëve:/Pashë miliona njerëz, si veten time/...Këta kërkimtarë kaq të njerëzishëm/Me kaq dhembje të mëkatshme pranë të vrarëve/Panë aq ferre njerëzore të zhgënjimeve të mëdha/Pranë këpucëve të rënda të lirisë”!

Rezultatet, peshën emocionale si dhe mesazhet e autorit, në këtë vepër, duket por edhe vështirë është për t’i sqaruar deri në fund të fundit ashtu si do ai. Andaj, kujtoj se këtu edhe qëndron madhështia krijuese, pesha e këndimit të tillë që dhemb e shkruan histori në të njëjtën kohë. Gjë kjo, e cila rëndon mendimin për etjen e shpjegimit të fjalës dhe të mungesës së saj, midis të cilave fshihet dhe ndrydhet koha dhe njeriu, vuan edhe poeti për ta shtruar atë që ndoshta njeriu edhe e di, por nuk di për ta thënë. Andaj, fjala ngelet si memece, apo si mjet urtësie për ta mundur luftën shpirtërore, për ta ëmbëlsuar dhembjen, e cila duket si pallat ku ngelin të ngujuara gjërat më me vlerë, ku gjurmët mbesin vetëm si shikim, i cili edhe truan, edhe mallkon, edhe përgëzon. Të gjitha bashkë, këto, shndërrohen në fotomorgamë, në arnë të vjetër, apo e gjithë kjo, duket si një përftim që grish dhe vetëm grish mendjen.

Siç duket, kështu është në jetë. E, si të tillë e ka shtruar edhe poeti, i cili më të drejtë ka bërë pallat nga Fjala, nëse ka menduar kështu, në të cilin ndrynë dhe ekspozon çfarë do të ai vetë...

Si rrumbullakim të ligjërimit të thellë filozofik, autori në mënyrë shumë të sinqertë por i mbushur plotë pelin, thotë: “Fjala Ogur tha: do të mbetesh i vetmuar/Pas të gjitha të Vërtetave të Mëdha”. Që është pra, si një përkëdhelje shpirti, si një therje zemre për jetën e njeriut, e të njeriut tonë po se po. Andaj, libri “Këpucët e rënda të lirisë” i Prend Buzhalës, i ngjanë një shandani të madh, të paparë ndonjëherë, që mbanë po ashtu një qirinj të madh, duke i bërë dritë fjalës, heshtjes, dhembjes, lirisë, tradhtisë dhe ligësisë, e në fund, përgjithmonë e ndriçon dhomën e lumturisë. Kjo është një vepër e cila begaton mendimin e thellë poetik dhe filozofik në letërsinë kombëtare e pse jo edhe më gjerë.