E premte, 29.03.2024, 06:24 AM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Shkrimtari pa urti

E diele, 15.07.2012, 08:37 AM


SHKRIMTARI PA URTI

Nga Nuhi Ismajli

Në botën e mendimit dhe të artit, pra edhe në filozofi e letërsi, shembulli ideal i njerëzimit mirret krijuesi i mendimit të thellë e i porosisë së rëndësishme, jeta dhe sjelljet jetësore të të cilit përputhen me mendimet e thella e porositë e rëndësishme të veprës së tij për njerëzimin.

Por, shembujt e përputhjes së sjelljes së urtë njerëzore të krijuesve dhe mendimit të thellë e porosive të rëndësishme të krijuesit, për njerëzimin, nuk ka shumë. Sokrati konsiderohet se ishte një i tillë, i cili, me sjelljet e tij synonte t’u qëndronte pranë ideve të tij. Po, sokratë nuk ka shumë. Dobësitë e karakterit, ambicia dhe egoizmi i ulët, e mundin shpesh njeriun dhe filozofin sokrat.

Historia botërore e kulturës tregon se, jo rrallë, krijues të mëdhenj, me karakterin dhe sjelljet e tyre jetësore, kanë qenë e kundërta e ideve e porosive të mëdha të veprës së tyre.

Zhan-Zhak Rusoi, Persi Bish Shelli, Karl Marks, Henrik Ibseni, Lev Nikollaeviç Tolstoi, Ernest Heminguej, Bertolt Breht, Bertrand Rasëll, Zhan-Pol Sartri, Edmund Uillson, Viktor Golanci, Lilian Helman etj., etj., kishin sjellje tejet të ulëta, në krahasim me vlerën e ideve dhe porosive të veprave të tyre.

Rusoi, “miku i njerëzimit” (Tronkin), “mësuesi i njerëzimit “(Robespieri), “Profeti i së vërtetës dhe virtytit” (P. Johnson) etj., ka habitur botën intelektuale me idetë e ligjëratave të tij për edukatën, por edhe me sjelljet arrogante e të egra të tij, në rrethin familjar e shoqëror. Prandaj, edhe u quajt mburravec, egoist, grindavec, që kultivoi harbutërinë dhe paedukatën; provincial i pashërueshëm, i trashë dhe i pasjellshëm (P. Johnson), që e pranonte edhe vetë se “për parim ishte harbut, i papëlqyeshëm dhe i ashpër” (P. Johnson) dhe, i cili, për vetveten, thoshte: “Unë jam barbar”. Dhe, më tej: “Në zemrën time ka gjëra që më pengojnë të jem i sjellshëm” (P. Johnson) etj.

Në kohën tonë, si edhe më parë, kemi sjellje të tilla edhe të krijuesve shqiptarë, që na bëjnë të mendojmë për raportin që ekziston midis krijuesit, sjelljes jetësore të tij, dhe mendimeve e porosive të veprës së tij.

Raporti midis krijuesit shqiptar, si njeri, e sjelljeve të tij jetësore, dhe mendimeve e porosive të veprës së tij, spikatet më së shumti përmes qëndrimit të krijuesit shqiptar ndaj politikës dhe pushtetit. Vështrimi i kësaj dukurie na bën të vërejmë se ka krijues shqiptar që qëndron krejt i patundur në mbretërinë e krijimit (artit e filozofisë), por ka edhe të tillë që tregohen tejet të dobët, sa të rrëshqasin lehtë nga mbretëria e krijuesit / krijimit. Sot ka shumë krijues shqiptarë të dalluar për natyrën luftarake të personalitetit të tyre, të cilët i janë qasur me përkushtimin kryesor politikës e pushtetit. Disa prej tyre edhe kanë arritur të hyjnë në mbretërinë e politikës e të pushtetit, kurse disa të tjerë, që, si të pasuksesshëm, kanë mbetur jashtë, por vazhdojnë t’iu nënshtrohen dhe t’iu shërbejnë atyre, duke treguar mungesën e pavarësisë së unit të tyre krijues.

Në këtë pikëvështrim dy janë rastet më karakteristike për të parë raportin midis sjelljes së krijuesit të sotëm shqiptar dhe botës së krijuesit / krijimit: rasti i I. Kadaresë dhe rasti i R. Qosjes.

Para disa ditësh, patëm rastin e kërkesës që Kadare të pranojë postin e presidentit të Shqipërisë. Kadare deklaroi publikisht se nuk mund ta pranojë një detyrë të tillë. Nuk përfilli pozitën në pushtet, as të mirat që sjell pushteti. Dashti dhe mbeti krijues. Dhe filozof. Mbeti me vlerat e artit. Me mbretërinë e tij. Pra, Kadare dha shembullin e sjelljes së një krijuesi të madh. Sjellja e Kadaresë tregon se ai politikën dhe pushtetin i kupton si artist dhe filozof, i kupton si një vazhdim i luftës.

Një rast krejt të kundërt, me atë të Kadaresë, kemi rastin e R. Qosjes, i cili, siç do të shihet, politikën dhe pushtetin nuk i kupton si vazhdim të luftës, po si burim të të mirave materiale humane dhe si bazë të forcës e autoritetit edhe të krijuesit.

Shembulli: Qosja u propozua për çmimin letrar “Beqir Musliu”, të cilin e jep kryetari i Gjilanit. Ai shkoi dhe e mori shpërblimin nga pushtetari (Kosova sot, 24 qershor 2012, f. 29 etj.), e jo nga shkrimtarët ose nga ndonjë asociacion i shkrimtarëve. Pra, edhe Qosja, si krejt normale e konsideron marrjen e shpërblimit nga pushteti / pushtetari, dhe shërbimin e krijuesit ndaj tij në mënyra të ndryshme.

Më shumë para politikanëve e pushtetarëve, të djeshëm e të sotëm, sesa para krijuesve, Qosja, me rastin e pranimit të shpërblimit ligjëroi, siç shkruajnë mediat e ndryshme, “për rolin e krijimtarisë shpirtërore në ndryshimin e botës dhe për reflektimin e kësaj krijimtarie shpirtërore në lirinë e Kosovës” (Kosova sot, 24 qershor 2012, f. 29). “Liria e një populli, - ka thënë Qosja në atë rast, - më së pari krijohet në krijimtarinë e tij shpirtërore. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë, ku ne më së pari Kosovën e kemi bërë të lirë dhe të pavarur në krijimtarinë tonë, në poezi, në prozë, në shfaqje, në këngët e Dervish Shaqës e të këngëtarve të tjerë popullorë, në poezinë e Beqir Musliut dhe të poetëve tjerë” (Po aty, artikulli: Liria e një populli lind me krijimtarinë e tij shpirtërore).

Vetë Qosja, duke marrë si krejt normale pranimin e shpërblimit nga pushtetari, dëshmon se kultura atë nuk e ka çliruar dot nga zinxhirët e pushtetit e se ka mbetur rob i tij.

Pohimi i mësipërm i Qosjes nuk do ta kishte atë kuptim që e ka dhe do të ishte pohim me një porosi të rëndësishme për pushtetarin, sikur të mos pasohej nga pohime në të cilat Qosja falënderon pushtetin për çmimin dhe e lavdëron atë për “kontributin” në kulturë.

Por, për krijuesin, mjerim edhe më i madh njerëzor është atëherë kur atij, jo vetëm nuk i përkojnë sjelljet jetësore me idetë dhe porositë e rëndësishme të veprës (fjalës), por edhe kur ai injoron e zvogëlon vetveten duke dalë në publik edhe pa qëndrimin dhe idetë elementare filozofike e etike; kur idetë dhe porositë e veprës (fjalës) së tij janë në kundërshtim me idetë dhe porositë e rëndësishme; kur idetë dhe porositë e veprës (fjalës) i përputhen me sjelljet jofisnike të tij ose kur, në të, ambicia dhe egoizmi i ulët i tij e mundin njeriun dhe filozofin sokrat, për ç’shkak edhe në veprën (fjalën) e tij, në vend të ideve e porosive të rëndësishme, shpreh idetë dhe porositë e padobishme dhe, madje, edhe të dëmshme, dhe në kundërshtim me misionin e tij krijues.

Në raport me pushtetin, nga i cili çuditshëm lejon të manipulohet e korruptohet, Qosja si krijues, nuk ndalet në pohimin e tij të parë, aspak favorizues për të si krijues.

Duke dhënë shembullin e një krijuesi që zvogëlon vetveten, ai falënderon dhe i thur lavdërata pushtetit gjilanas, duke marrë atë si shembull të përkushtimit të pushtetit ndaj kulturës: “Mund të themi me plot gojën se Gjilani është shembull në Kosovë se si një qytet duhet të sillet ndaj krijimtarisë shpirtërore të popullit të vet, ka thënë laureati i çmimit të sivjetmë, R. Qosja “ (Art. i cit., Kosova sot, 24 qershor 2012, f. 29).

Kështu, pushteti arriti ta manipulojë krijuesin Qosja për krijimin e autoritetit të vet. Po, Qosja, ç’fitoi dhe a fitoi diç me shpërblimin e Gjilanit?

Për një krijues, do të thuhej: Asgjë! Assesi!

Sepse, pa marrë parasysh emrin me të cilin jipet shpërblimi i përmendur, kur kemi parasysh kush e jep atë dhe për ç’qëllim, atëherë shohim se Qosja fitoi: pak para dhe lëndimin e autoritetit të tij krijues.

Kjo nuk mund të jetë ndryshe, pra, krijuesi nuk mund të mos e zvogëlojë vetveten, kur shpërblimi ka karakterin e tij politik dhe pushtetar; kur krijuesi lavdëron pushtetin dhe me fjalën e tij njëjtësohet me pushtetin dhe i shërben  një force politike (partiake).

Me fjalën e tij lavdëruese për pushtetin, në Gjilan, Qosja bëri një nga paraqitjet më jodemokratike të një krijuesi.

Ai lavdëroi “kontributin” e pushtetit komunal në kulturë, duke konsideruar çmimin e reklamës së pushtetit, shembull të kontributit të pushtetit në kulturë dhe bëri, në këtë rast, një propagandë shumë të ulët, tejet të dëmshme dhe të palejueshme, kur, në mënyrë shumë pretenduese, synoi propagandën e tij afirmative për pushtetin dhe përhapjen e imponimin e propagadës së tij për vlerën e pushtetit (gjilanas), në vend të vlerësimeve të vetë banorëve dhe krijuesve gjilanas, të cilët e ndjejnë dhe e njohin më mirë se Qosja realitetin kulturor të vendbanimit të tyre.

(Mbase, më mirë, apo më pak e pandershme do të ishte, sikur Qosja të lavdëronte pushtetin e komunës së tij !).

Krijuesi i cili bëhet pjesë e organizimeve politike për pushtet ose bëhet pjesë e pushtetit, ndërsa kjo bëhet veç për shkak të leverdive personale, ka cenuar mbretërinë, natyrën dhe autoritetin e tij prej krijuesi. Krijuesi i tillë, i manipuluar e i korruptuar, ka zvogëluar vetë vlerën, autoritetin e tij, të cilin kurrë nuk mund t’ia kthejë politika as pushteti. Krijuesi i madh kurrë nuk ndjen hapësirë të mjaftueshme brenda politikës për pushtet dhe brenda pushtetit. Prandaj, sado është i kërkuar e i ftuar, ai qëndron jashtë politikës dhe pushtetit, sepse aty është bota e jetës së tij.

Kyçja e krijuesit në organizimet politike për pushtet dhe në pushtet, përveç vetëzhvlerësimit e vetëcenimit të lirisë, mund të jetë edhe shkaku i vuajtjeve të tij të pafund, nga të cilat mund të qajë gjatë gjithë jetës.

Dante u përfshi në organizimet politike të kohës së tij, por ua pa sherrin sa u dasht të braktiste atdheun, të vuante gjithë jetën mungesën e tij dhe të vdiste me pikëllim në dhe të huaj.

Krijuesit e mëdhenj dallojnë qartë vlerat dhe mashtrimet, krijimtarinë dhe politikën. Ndaj politikës dhe pushtetit kanë qëndrim anti dhe refuzojnë të përfshihet në to, për interesa personale. Për krijuesin e vërtetë është e denjë vetëm një mendje e lirë dhe e patëhuajsuar, sidomos nga politika e pushteti.

P.s.

Shpërblimi i Gjilanit është mjaft provokues dhe, prandaj, nxitës i debatit intelektual, sepse: në njërën anë, mban emrin “Beqir Musliu”, pra është shpërblim letrar, që jipet në emër të shkrimtarit, kurse, në anën tjetër, atë e jep pushteti komunal (gjë që, nuk do të duhej të ndodhte!). Dhe, pse ndodh kështu, fajtorë janë shkrimtarët, të cilët harrojnë se ç’janë dhe bëhen hamej dhe borizanë të pushtetit!



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora