E enjte, 25.04.2024, 03:04 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Xhelal Marku: Kulla e Sufë Laçit

E diele, 15.07.2012, 09:38 AM


Kulla e SUFË LAÇIT, objekt i rëndësishëm historik, kulturor, arkitektonik dhe turistik i Reçit të Dibrës

Nga Xhelal Marku

Gjurrë-Reçi është fshati më verior i krahinës së Reçit në rrethin e Dibrës, i cili i mbështetur në prehër të maleve në të djathtë të rrjedhës së lumit Malla, duket sikur i fton dhe i përshëndet vizitorët me pamjen e tij piktoreske e tërheqëse. Një fshat i vogël dhe i bukur, me njerëz punëtorë e mikpritës, trima dhe bujarë, por dhe të besës, që kanë ditur të ndërtojnë jetën e tyre edhe këtu në lartësitë e bjeshkëve. Ndonëse me pak tokë, ata vazhdimisht kanë pasur një ekonomi të stabilizuar e me të ardhura të mjaftueshme, të cilat i siguronin kryesisht nëpërmjet blegtorisë. Është kjo arsye, që shtëpitë e tyre të bukura e të grupuara, hijeshojnë fshatin me bardhësinë që kanë dhe njerëzve të saj u lexohet dukshëm bujaria, kjo traditë e lashtë e Reçit, e Dibrës dhe e gjithë shqiptarëve. Unë pata rastin ta vizitoj këtë vjeshtë (2010) Gjurrë-Reçin, që tanimë lidhet edhe me rrugë makine, sepse luginës së Mallës po ndërtohen tre hidrocentrale të rinj. Dhe, të them të drejtën, u befasova me pamjen madhështore të kullës së Sufë Laçit, e cila qëndronte si kështjellë në krye të fshatit me pamjen e saj të gurtë, ashtu si dyqind vjet më parë: me oxhakët që tymonin papushim, me portën e hapur të mirëseardhjes e të bujarisë, por dhe me njerëz, që oxhakun e odës bujare të Laçëve e kanë mbajtur përherë të ndezur. Një kullë e madhe, jo vetëm për nga përmasat, por së pari për nga teknologjia e ndërtimit të saj, me një arkitekturë të rrallë e të veçantë për zonën e veriut, ku spikat dukshëm mjeshtria e lartë e ndërtuesëve vendas, të cilët tek ky objekt, duket sikur kanë derdhur tërë talentin e tyre. Kulla e Sufë Laçit, tashmë ka hyrë në shekullin e tretë të jetës së saj, thonë trashëgimtarët e kësaj kulle, ku kanë banuar gjithsej pesë breza të fisit Laçi, me rreth njëqind pjesëtarë të kësaj familjeje. Ajo përfaqëson një nga objektet më të vjetër e më të vizituar turistik të Krahinës së Reçit, e njohur dhe e respektuar si Mali i Parë, ndër nëntë Malet e Dibrës. Sipas dëshmive, kjo kullë, u ndërtua si një nevojë e domosdoshme për të përballuar numrin e madh e në rritje të vizitorëve, që trajtoheshin gjithnjë si mysafirë të saj, që vinin nga të gjitha zonat e Dibrës, por dhe nga rrethet e tjerë fqinj e më gjërë. Kjo kullë, ishte dhe mbetet një objekt i njohur turistik, shumë i frekuentuar nga vizitorët për vlerat e saj historike, kulturore e arkitekturore, që përfaqësonte.  Ajo, prej vitesh kishte bërë emër  në të gjithë Dibrën edhe për vlerat e saj mikpritëse e humane, por shërbente edhe si një pikë orientimi për udhëtarët, që kalonin për herë të parë në këtë zonë dhe që nuk e njihnin rrugën. Kulla e Sufë Laçit njihej gjithashtu si vatra më mikpritëse e zonës, por edhe si vatra me ekonominë më të mëkëmbur në Reç të Dibrës. Ajo kishte hyzmetqarë, të cilët shërbenin në punë të ndryshme, si: ruanin bagëtitë, bënin dru për zjarr, punonin tokën, mbillnin e korrnin, por dhe që gatuanin dhe shërbenin në punë të tjera, si shtëpi e madhe që ishte. Kjo shtëpi, mbante rreth një mijë krerë bagëti të imta dhe një numër të konsiderueshëm gjedhesh, ku pothuajse çdo natë therej nga një bagëti, për të respektuar mysafirët e ardhur në kullë. Ndaj, shprehja: “Bujrum tek Sufë Laçi!”- ishte e njohur për të gjithë vizitorët e kalimtarët, qoftë edhe ata të rastit. Sipas një përllogaritje, tek kjo kullë, janë pritur me bujarinë e reçjanit rreth dy mijë mysafirë në vit, pa llogaritur këtu ardhjet gjatë ditës. Dhe e gjithë kjo mikpritje, që kishte një kosto të madhe, bëhej krejtësisht falas në kullën e Sufë Laçit, të cilës sipas rrëfimeve të banorëve vendas, emrin e mirë  për bujarinë dhe mikpritjen e saj, e kishin dëgjuar bashkëkohësit edhe tej kufijëve shqiptarë, deri në Stamboll të Turqisë. Ndaj,  shprehja: “ Ta ndezim zjarin në oxhak si tek Sufë Laçi, ta shtrojmë sofrën si në odën e Laçit”, etj, dëgjohej kudo në Dibër. Ajo ishte një portë përherë e hapur për mysafirët, ku e jashtëzakonshme konsiderohej vetëm nata pa miq. Dhe nuk ishte vetëm mikpritja e bujaria, që i ftonte mysafirët tek kjo vatër e njohur në krahinë, por së pari vlerësohej shkalla e lartë e sigurisë në këtë kullë, besa dhe burrëria, që i karakterizonte banorët e saj në vite. Që këtej e ka burimin edhe shprehja e të zotit të shtëpisë Sufë Laçi në atë kohë: “Rrini lirshëm miq ! Jeni në besën time!” – shprehje, të cilën ai e përsëriste shpesh në odën e miqëve. Ndaj, për këtë arsye, por dhe për komoditetin që kishte kulla, kjo vatër u kthye edhe në një objekt të rëndësishëm historik, ku vinin e takoheshin shpesh personalitetet më të larta të Kombit tonë, si, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mit`hat Bej Frashëri, Bajram Curri, Muharrem Bajraktari, Elez Isufi, Dali Ndreu, Cen Elezi etj, të cilët bisedonin dhe merrnin vendime për probleme të rëndësishme për fatet e këtij vendi.

Vlerat  arkitekturore    Kullës

Duke parë numrin e madh të mysafirëve, që frekuentonin kullën e Laçit, Beshir Laçi i parë bashkë me Merë Laçin, të cilët me punën e tyre të palodhur kishin vënë pasuri në vite, vendosën të ndërtojnë një kullë të re, që sot njihet me emrin “Kulla e Sufë Laçit”. Kjo kullë tre katshe u ndërtua përgjat dy viteve nga ustallarë vendas dhe njihet si kulla me arkitekturën më të veçantë në rrethin e Dibrës. Për ndërtimin e saj, punuan njëzet e pesë mjeshtra e punëtorë të llaçit e të transportit. Ajo që bie në sy me pamjen e parë të saj është cilësia e lartë e punimeve të kullës, e cila është ndërtuar krejtësisht me gurë të gëdhendur dhe në stilin e vjetër të traditës, duke ruajtur tipiken e odës dibrane. Madje, me gurë të gëdhendur janë ndërtuar këtu, jo vetëm muret e jashtme të saj, por edhe pjesa e brendshme e mureve, ç`ka i jep kullës rezistencë e qëndresë të jashtëzakonshme dhe një shkallë të lartë sigurie për banorët e saj. Të gjithë gurët e gëdhendur, që janë vendosur në pjesët e brendshme të mureve, janë punuar me daltë të llojit kunj, gjë që mundëson qëndresën e suvatimeve mbi to. Kulla është ndërtuar me frëngji, për efekt sigurie dhe mbrojtjeje dhe është e rrethuar gjithashtu edhe me një avlli karakteristike me mur guri të punuar, që arrin lartësinë mbi dy metra. E gjithë sasia e gurëve, që është përdorur për ndërtimin e kullës, është marrë në masivin shkëmbor të Kojzakut, e cila pasi është punuar në vend, është transportuar pranë objektit vetëm me kafshë, ç`ka përbën një volum tepër të madh pune. Po kështu, edhe lënda e drurit e kullës, është prerë e gjitha në bjeshkët e Rëptacit dhe në Livadhin e Nushit, që ndodheshin në një distancë tepër të largët dhe e gjithë sasia e saj është transportuar krejtësisht me krahë. Kuptohet qartë pra, preokupimi i madh i mjeshtrave të ndërtimit të kësaj kulle, për të zgjedhur cilësinë e lartë të bazës materiale, pa marrë parasysh largësinë, vështirësitë dhe kohën e gjatë, që duhej për transportimin e saj për në objekt. Dhe kjo cilësi e lartë punimesh, duket edhe në qëndresën e kullës, tek e cila në më se dy shekuj, nuk ka lëvizur asgjë. Ajo qëndron e bukur, e fortë, e pastër dhe pa asnjë dëmtim, siç ka qënë në fillimet e saj. Kanë rënë dhe tërmete, madje edhe të fuqishëm në këtë zonë, por Kullës së Sufë Lçit, nuk i është dridhur “çerpiku”. Dhe kjo, falë teknologjisë së saj, arkitekturës së saj, falë dhe mjeshtërisë së lartë e të përsosur të punës së ndërtuesëve të kullës.

Historia  e  kullës

Kulla e Sufë Laçit është e njohur në Dibër, jo vetëm për vlerat e veçanta arkitektonike që ka, por dhe për vlerat e saj historike të trashëguara në vite. Është ky fakt, që  në këtë kullë, janë arkivuar jo vetëm cilësitë më të larta të malësorit dibran, si, mikpritja e besa, por dhe një pjesë e historisë së kombit, sepse jorastësisht, këtu kanë qënë mysafir edhe disa nga personalitetet tona më të larta kombëtare, që takoheshin jo rrallë me njëri tjetrin dhe bisedonin, për t`u dhënë zgjidhje problemeve të rëndësishme për fatet e vendit tonë. Ishte së pari besnikëria e burrave të kullës së Laçit, siguria, qetësia dhe bujaria, por edhe komoditeti i kësaj kulle, që i ftonte për kuvend figurat e kombit. Ata vinin tek kjo kullë, për supersigurinë që ajo kishte nga brenda me njerëzit e saj, besnikë e trima, të urtë e të drejtë dhe nga jashtë, me avllinë e fortifikuar dhe oborrin rreth saj, që e ruanin një tufë qensh të egër e  të rrezikshëm, për të panjohurit që afroheshin. Kështu, fill pas konferencës historike të Pezës, në kullën e Sufë Laçit, me ndërmjetësimin e Ramadan Çitakut, është organizuar takimi i parë i Haxhi Lleshit me Muharrem Bajraktarin, për të arritur kompromiset e nevojshme politike për interesat e kombit, por për shkak të pikëpamjeve të kundërta që mbronin palët, nuk u arrit asnjë rezultat konkret. Në këto kushte, Muharrem Bajraktari shpalli papajtueshmërinë me lëvizjen e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe iu kundërvu hapur asaj deri sa u arratis në vitin 1946. Por, kulla ka pritur e përcjellur në besë edhe mjaft figura të tjera të kombit, që tek kjo vatër bujare e krahinës takoheshin e bisedonin shpesh për problemet më jetësore të vendit.

Vlerat turistike të kullës e të krejt zonës së Reçit

Në kushtet e sotme, kur rrugët rurale e përshkojnë Gjurrë-Reçin tej e tej, duke e lidhur atë me të gjithë fshatrat e zonës, sigurisht që vlerat turistike e arkitekturore e kulturore të kullës së Sufë Laçit, bëhen më të njohura e më të prekshme nga vizitorët. Këtë  e mundëson më së miri infrastruktura e re e sapopërfunduar. Madje, në këtë zonë, nuk është vetëm kulla, që paraqet interes për vizitorët, por e gjithë lugina e lumit të pastër malor të Mallës, që buron nga liqenet e Lurës, ku pushuesit, përveç plazheve, mund të ushtrojnë edhe sportin e bukur të peshkimit në këtë lumë, ku rritet trofta e veçantë me pika të kuqe, e mrekullueshme dhe me shije të jashtëzakonshme. Këtu, gjenden edhe disa shpella, si ato në zonën e Kojzakut, ku vizitori relaksohet edhe nga klima e freskët dhe ajri i pastër, aroma e luleve shumëngjyrshe, luleshtrydhet e shijshme, si dhe nga gjelbërimi i këndshëm, me bimësinë më të pasur të zonës në livadhet me të njëjtin emër – Kojzak. Pikërisht ky vend, Lëndina e Kojzakut, edhe në të kaluarën, njihej si pika turistike më e preferuar e zonës së Reçit, ku ne nxënësit e at`hershëm, shkonim shpesh në piknik. Dhe nuk është vetëm Lëndina e Kojzakut një mjedis turistik, i bukur e shlodhës, pasi lëndina të tilla ka shumë në zonën e Reçit të Dibrës, si, Lëndina e Mollzës, ajo e Fushës së Madhe, e Fushë-Lugjes, Fushë-Lethisë, etj. Reçin e përshkon mes për mes edhe lumi i Drinit të Zi, i cili ofron edhe plazhe për pushuesit, por është shumë i përshtatshëm edhe për ushtrimin e sporteve të ujit, si garat me Kanoe, garat e Rafting, peshkimi, etj. Madje këtu, një ekip sportiv gjerman i Kanoes, qysh në vitin 1938, është parë nga banorët vendas në një udhëtim aventuresk përgjat luginës së Drinit të Zi, nga burimi e deri në vendderdhjen e tij, në Detin Adriatik. Po kështu, në zonën e Reçit gjëndet edhe një llojë i veçantë i dashit me katër brirë, ose dhe me gjashtë brirë, një fenomen i rrallë ky, që ka ndodhur në fshatrat, Kraj-Reç, Tejmalle, etj, ç`ka përbën jo vetëm një kureshtje për vizitorët, por edhe një fushë studimi për këtë fenomen biologjik interesant, i përsëritur për vite me rradhë. Malet e shumta dhe kullotat e pasura, që ka Reçi, krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, si dhe për ushtrimin e sporteve të alpinizmit, trekingut, çiklizmit malor, hipizmit, gjuetisë, etj. Duke vlerësuar faunën e pasur të zonës së Reçit, ku në pyjet e saj që nga dushku e deri tek ahu, rriten me shumicë, derri i egër, lepuri, thëllënxa, gjeli i egër, etj, gjuetarët e lakmojnë atë si zonën më të preferuar të tyre për sezonin. Por, resurset më të veçanta të Reçit, janë dhe mbeten, bujaria dhe mikpritja karakteristike e reçianëve, e shprehur kjo, së pari me fjalën më të vjetër: “Bujrum!” dhe më pas me gatimet e shijshme sipas traditës, me ushqimet bio dhe cilësinë e veçantë të mishit, ashtu siç kanë ditur ta presin mikun në kullën e Sufë Laçit dhe në çdo vatër tjetër reçiane. Ndaj, vizitoni Kullën e Sufë Laçit, rrënojat e qytetërimit të lashtë të Reçit në Fushë-Qejzë, varret e vjetra në Tejmalle, Qafë-Drajë e Mollzë, Teqen e Sheh Halimit në Bardhaj-Reç, si dhe shumë objekte të tjera turistike të krahinës së Reçit, që paraqesin interes për studjuesit e historisë, kulturës e të arkitekturës për zonën. Vizitoni këto objekte të trashëgimisë kulturore të zonës së Reçit, sepse prej tyre do të mësoni shumë të thëna e të pathëna për këtë krahinë të njohur e me shumë tradita në rrethin e Dibrës. Kulla e Sufë Laçit, si kulla më tipike e zonës së Reçit të Dibrës, është një objekt tërheqës dhe me vlera turistike, që paraqet interes për viozitorët dhe studjuesit e huaj e vendas. Ndaj, e vizitoni atë, se të tjera surpriza do t`ju shfaqen në sytë tuaj, ku sapo të shkelni në këtë vend, do të ndjeheni të qetë e të sigurtë si në shtëpinë tuaj, ku mikpritja e bujaria e rrallë gjurrë-reçase, do t`ju shoqërojë në çdo hap tuajin. Vizitoni Reçin, sepse tek çdo derë, që do të trokisni, në të 10 fshatrat e tij, nga Draja në Hurdhë, e nga Tejmalla në Ndërshenë, në të 35 kilometrat katrore të territorit të kësaj krahine me emër në historinë e Dibrës, do të befasoheni me bujarinë e mikpritjen vendase. Një “Bujrum” me zemër e me shpirt nga reçianët, do t`ju bëjë shpejt për vete, por dhe do t`ju miqësojë përjetësisht me ta. Ndaj, vizitoni Reçin e Dibrës, me resurse të shumta turistike, se surprizat në këtë vend, nuk kanë të sosur.



(Vota: 605 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora