| E diele, 15.07.2012, 09:38 AM |
Kulla e SUFË LAÇIT, objekt i rëndësishëm historik, kulturor, arkitektonik dhe turistik i Reçit të Dibrës
Nga Xhelal Marku
Gjurrë-Reçi
është fshati më verior i krahinës së Reçit në rrethin e Dibrës, i cili i mbështetur
në prehër të maleve në të djathtë të rrjedhës së lumit Malla, duket sikur i
fton dhe i përshëndet vizitorët me pamjen e tij piktoreske e tërheqëse. Një fshat
i vogël dhe i bukur, me njerëz punëtorë e mikpritës, trima dhe bujarë, por dhe
të besës, që kanë ditur të ndërtojnë jetën e tyre edhe këtu në lartësitë e
bjeshkëve. Ndonëse me pak tokë, ata vazhdimisht kanë pasur një ekonomi të stabilizuar
e me të ardhura të mjaftueshme, të cilat i siguronin kryesisht nëpërmjet
blegtorisë. Është kjo arsye, që shtëpitë e tyre të bukura e të grupuara,
hijeshojnë fshatin me bardhësinë që kanë dhe njerëzve të saj u lexohet dukshëm
bujaria, kjo traditë e lashtë e Reçit, e Dibrës dhe e gjithë shqiptarëve. Unë pata
rastin ta vizitoj këtë vjeshtë (2010) Gjurrë-Reçin, që tanimë lidhet edhe me
rrugë makine, sepse luginës së Mallës po ndërtohen tre hidrocentrale të rinj. Dhe,
të them të drejtën, u befasova me pamjen madhështore të kullës së Sufë Laçit, e
cila qëndronte si kështjellë në krye të fshatit me pamjen e saj të gurtë, ashtu
si dyqind vjet më parë: me oxhakët që tymonin papushim, me portën e hapur të mirëseardhjes
e të bujarisë, por dhe me njerëz, që oxhakun e odës bujare të Laçëve e kanë mbajtur
përherë të ndezur. Një kullë e madhe, jo vetëm për nga përmasat, por së pari për
nga teknologjia e ndërtimit të saj, me një arkitekturë të rrallë e të veçantë për
zonën e veriut, ku spikat dukshëm mjeshtria e lartë e ndërtuesëve
Vlerat arkitekturore të Kullës
Duke parë
numrin e madh të mysafirëve, që frekuentonin kullën e Laçit, Beshir Laçi i parë
bashkë me Merë Laçin, të cilët me punën e tyre të palodhur kishin vënë pasuri në
vite, vendosën të ndërtojnë një kullë të re, që sot njihet me emrin “Kulla e
Sufë Laçit”. Kjo kullë tre katshe u ndërtua përgjat dy viteve nga ustallarë
Historia e kullës
Kulla e Sufë Laçit është e njohur në Dibër, jo vetëm për vlerat e veçanta arkitektonike që ka, por dhe për vlerat e saj historike të trashëguara në vite. Është ky fakt, që në këtë kullë, janë arkivuar jo vetëm cilësitë më të larta të malësorit dibran, si, mikpritja e besa, por dhe një pjesë e historisë së kombit, sepse jorastësisht, këtu kanë qënë mysafir edhe disa nga personalitetet tona më të larta kombëtare, që takoheshin jo rrallë me njëri tjetrin dhe bisedonin, për t`u dhënë zgjidhje problemeve të rëndësishme për fatet e vendit tonë. Ishte së pari besnikëria e burrave të kullës së Laçit, siguria, qetësia dhe bujaria, por edhe komoditeti i kësaj kulle, që i ftonte për kuvend figurat e kombit. Ata vinin tek kjo kullë, për supersigurinë që ajo kishte nga brenda me njerëzit e saj, besnikë e trima, të urtë e të drejtë dhe nga jashtë, me avllinë e fortifikuar dhe oborrin rreth saj, që e ruanin një tufë qensh të egër e të rrezikshëm, për të panjohurit që afroheshin. Kështu, fill pas konferencës historike të Pezës, në kullën e Sufë Laçit, me ndërmjetësimin e Ramadan Çitakut, është organizuar takimi i parë i Haxhi Lleshit me Muharrem Bajraktarin, për të arritur kompromiset e nevojshme politike për interesat e kombit, por për shkak të pikëpamjeve të kundërta që mbronin palët, nuk u arrit asnjë rezultat konkret. Në këto kushte, Muharrem Bajraktari shpalli papajtueshmërinë me lëvizjen e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe iu kundërvu hapur asaj deri sa u arratis në vitin 1946. Por, kulla ka pritur e përcjellur në besë edhe mjaft figura të tjera të kombit, që tek kjo vatër bujare e krahinës takoheshin e bisedonin shpesh për problemet më jetësore të vendit.
Vlerat turistike të kullës e të krejt zonës së Reçit
Në kushtet e sotme, kur rrugët rurale e përshkojnë Gjurrë-Reçin tej e tej, duke e lidhur atë me të gjithë fshatrat e zonës, sigurisht që vlerat turistike e arkitekturore e kulturore të kullës së Sufë Laçit, bëhen më të njohura e më të prekshme nga vizitorët. Këtë e mundëson më së miri infrastruktura e re e sapopërfunduar. Madje, në këtë zonë, nuk është vetëm kulla, që paraqet interes për vizitorët, por e gjithë lugina e lumit të pastër malor të Mallës, që buron nga liqenet e Lurës, ku pushuesit, përveç plazheve, mund të ushtrojnë edhe sportin e bukur të peshkimit në këtë lumë, ku rritet trofta e veçantë me pika të kuqe, e mrekullueshme dhe me shije të jashtëzakonshme. Këtu, gjenden edhe disa shpella, si ato në zonën e Kojzakut, ku vizitori relaksohet edhe nga klima e freskët dhe ajri i pastër, aroma e luleve shumëngjyrshe, luleshtrydhet e shijshme, si dhe nga gjelbërimi i këndshëm, me bimësinë më të pasur të zonës në livadhet me të njëjtin emër – Kojzak. Pikërisht ky vend, Lëndina e Kojzakut, edhe në të kaluarën, njihej si pika turistike më e preferuar e zonës së Reçit, ku ne nxënësit e at`hershëm, shkonim shpesh në piknik. Dhe nuk është vetëm Lëndina e Kojzakut një mjedis turistik, i bukur e shlodhës, pasi lëndina të tilla ka shumë në zonën e Reçit të Dibrës, si, Lëndina e Mollzës, ajo e Fushës së Madhe, e Fushë-Lugjes, Fushë-Lethisë, etj. Reçin e përshkon mes për mes edhe lumi i Drinit të Zi, i cili ofron edhe plazhe për pushuesit, por është shumë i përshtatshëm edhe për ushtrimin e sporteve të ujit, si garat me Kanoe, garat e Rafting, peshkimi, etj. Madje këtu, një ekip sportiv gjerman i Kanoes, qysh në vitin 1938, është parë nga banorët vendas në një udhëtim aventuresk përgjat luginës së Drinit të Zi, nga burimi e deri në vendderdhjen e tij, në Detin Adriatik. Po kështu, në zonën e Reçit gjëndet edhe një llojë i veçantë i dashit me katër brirë, ose dhe me gjashtë brirë, një fenomen i rrallë ky, që ka ndodhur në fshatrat, Kraj-Reç, Tejmalle, etj, ç`ka përbën jo vetëm një kureshtje për vizitorët, por edhe një fushë studimi për këtë fenomen biologjik interesant, i përsëritur për vite me rradhë. Malet e shumta dhe kullotat e pasura, që ka Reçi, krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, si dhe për ushtrimin e sporteve të alpinizmit, trekingut, çiklizmit malor, hipizmit, gjuetisë, etj. Duke vlerësuar faunën e pasur të zonës së Reçit, ku në pyjet e saj që nga dushku e deri tek ahu, rriten me shumicë, derri i egër, lepuri, thëllënxa, gjeli i egër, etj, gjuetarët e lakmojnë atë si zonën më të preferuar të tyre për sezonin. Por, resurset më të veçanta të Reçit, janë dhe mbeten, bujaria dhe mikpritja karakteristike e reçianëve, e shprehur kjo, së pari me fjalën më të vjetër: “Bujrum!” dhe më pas me gatimet e shijshme sipas traditës, me ushqimet bio dhe cilësinë e veçantë të mishit, ashtu siç kanë ditur ta presin mikun në kullën e Sufë Laçit dhe në çdo vatër tjetër reçiane. Ndaj, vizitoni Kullën e Sufë Laçit, rrënojat e qytetërimit të lashtë të Reçit në Fushë-Qejzë, varret e vjetra në Tejmalle, Qafë-Drajë e Mollzë, Teqen e Sheh Halimit në Bardhaj-Reç, si dhe shumë objekte të tjera turistike të krahinës së Reçit, që paraqesin interes për studjuesit e historisë, kulturës e të arkitekturës për zonën. Vizitoni këto objekte të trashëgimisë kulturore të zonës së Reçit, sepse prej tyre do të mësoni shumë të thëna e të pathëna për këtë krahinë të njohur e me shumë tradita në rrethin e Dibrës. Kulla e Sufë Laçit, si kulla më tipike e zonës së Reçit të Dibrës, është një objekt tërheqës dhe me vlera turistike, që paraqet interes për viozitorët dhe studjuesit e huaj e vendas. Ndaj, e vizitoni atë, se të tjera surpriza do t`ju shfaqen në sytë tuaj, ku sapo të shkelni në këtë vend, do të ndjeheni të qetë e të sigurtë si në shtëpinë tuaj, ku mikpritja e bujaria e rrallë gjurrë-reçase, do t`ju shoqërojë në çdo hap tuajin. Vizitoni Reçin, sepse tek çdo derë, që do të trokisni, në të 10 fshatrat e tij, nga Draja në Hurdhë, e nga Tejmalla në Ndërshenë, në të 35 kilometrat katrore të territorit të kësaj krahine me emër në historinë e Dibrës, do të befasoheni me bujarinë e mikpritjen vendase. Një “Bujrum” me zemër e me shpirt nga reçianët, do t`ju bëjë shpejt për vete, por dhe do t`ju miqësojë përjetësisht me ta. Ndaj, vizitoni Reçin e Dibrës, me resurse të shumta turistike, se surprizat në këtë vend, nuk kanë të sosur.