E premte, 19.04.2024, 03:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Maks Velo: Gruaja ime agjente e Sigurimit, dëshmoi kundër meje në gjyq

E diele, 15.07.2012, 09:33 AM


Nga: Fatmira Nikolli

TIRANE - Arkitekti e piktori Maks Velo vjen sot në një rrëfim pa dorashka. Një rrëfim që merr shtysë nga pastelet e tij. Secila prej veprave ka një botë kujtimesh pas e ai nuk ngurron që të ndalet tek secila, për të na thënë se si lindi.

Kushdo që e ka takuar atë, e di se ka karakter të veçantë. Është i drejtpërdrejtë në biseda, i thotë me të njëjtën forcë zëri si miqtë e si armiqtë, por mbi të gjitha ka një të metë-vlerë të madhe: Nuk ka frikë të flasë. I patakt? Jo, përkundrazi. E ka zët t'i thërrasësh 'zoti Velo', kështu që më e mira është ta thërrasësh Maks.

Disa javë më parë, mbase më shumë se një muaj, na pat thënë se po përgatiste të botonte pastelet e hershme të tij. "Ka kohë, do iu lajmëroj, do jenë pak kopje që do i shpërndaj për miqtë më të afërt e për gazetarët", pat thënë ashtu shkarazi, kur e takuam krejt rastësisht në pedonalen e Toptanasve. Për rreth një muaj ai shkoi në Francë ku organizoi disa ekspozita e javët fluturuan ashtu pa u ndjerë. Ia behu në Tiranë sërish këtë fillimjavë. Bie telefoni dhe Maksi pas përshëndetjeve të rastit thotë se u kthye e se në dorë ka librin. E lëmë të takohemi të nesërmen. Është tejet korrekt në orare intervistash, aq sa ka mbërritur përpara, ulur tek "Epiri" pranë kinema "Millennium". Është orar dreke dhe dielli i korrikut është krejt i pamëshirshëm. Maksi na flet për shumëçka, si i bëri pikturat dhe pse i bëri? Si i takoi personazhet e tyre dhe farë historish kanë? Dëshira e veçantë për të pikturuar ciganet, kuksianët e labët.

Janë 38 vepra të para burgut, e më pas janë ato të pas burgut.

E nisim rrëfimin me vitin 1961.

Ju i keni dedikuar një pastel në vitin 1961. Si i njohët Puzanovët?

I kam njohur nga afër dhe me Viktorinë kemi qenë në disa ekspedita. I takova për herë të parë më 1954. Viktoria ka themeluar sektorin e artit mesjetar që ishte në bodrumet e vilës së Zogut, ku është sot Shoqata e të Burgosurve Politikë. Ishin tre veta atje, Viktoria, Theofan Popa dhe Koço Zhegu. Me Viktorinë kam qenë edhe në Berat më 1956, ku ajo kopjonte afresket e kishës së Shën Mërisë. Ajo ka kopjuar 35 afreske që janë në Muzeun e Korçës. Janë kopje precize, i punonte me ngjyra dheu e kishte një aftësi të jashtëzakonshme. Ka rëndësi të përmend, se ajo ka kopjuar afresket e kishës së Vaut të Dejës para se të shembej dhe të vetmet "dokumente" janë punët e Viktorisë.

I kisha miq Puzanovët e kam mësuar prej tyre.

Ç'keni mësuar prej saj?

Nga Viktoria, më shumë kam mësuar nga heshtja se sa nga fjala, se ishte e heshtur, punonte vazhdimisht. Ka katër artikuj shumë të rëndësishëm, që janë baza e bizantologjisë sonë. Janë ripunuar nga të tjerë, janë marrë tezat e saj, janë bërë doktoratura të bizantologëve tanë. S'ka pasur shenja mirënjohjeje nga Akademia e Shkencave. Është e dhimbshme mosmi-rënjohja jonë për njerëz që kanë punuar për kulturën tonë. Ajo ka shkuar në kushte të vështira nëpër kisha, male e fshatra. Ishte e para që çoi vëmendjen e opinionit botëror tek arti ynë bizantin. Prej Viktorisë pat ardhur Llazarjevi në Tiranë, - bizantologu më i madh në botë. Kam këtë portret që e kam bërë në dhomën e tyre. I kisha afër me shpi, unë banoja tek "Hoxha Tasim" e ata tek doktor Kërçiku, i cili qe treguar jashtëzakonisht bujar dhe nuk iu ka marrë qira atyre. Shkoja shpesh. U futa te dhoma. Ata rrinin gjithnjë në një pozicion, ose lexonin të dy, ose Vasili lexonte e Viktoria ëndërronte.

"Pastruesja e zyrës" e 1963-it, është një personazh i vërtetë?

Po. Është pastruesja e Komitetit Ekzekutiv. Punoja për Parkun e madh me një grup me bullgarë. Prej tyre, na kishin lëshuar sallën më të madhe, atë kryesoren. Aty ishin ca kolltukë të veshur me pelushë e atlase të kuq. Pastruesja u ul aty në qoshe dhe unë i thashë që doja t'i bëja një vizatim.

Po pasteli me varre, çfarë do të thotë?

Është imagjinatë, por bazohet deri diku tek Gjiro-kastra e Berati. Ideja është se gjysma e qytetit është myslimane e gjysma e krishterë; varret janë të ndara, ka kisha dhe xha-mi. Po të shohësh vizatimin, është vizatimi im i parë kubist e njëkohësisht, këtu fillova të bëja format e para abstrakte, pra në vitin 1964.

Tri gra nga Shëngjergji...

Më bënin shumë përshtypje, se shajakun e kishin shumë të trashë dhe veshjet e tyre merrnin forma shumë të forta, shumë të rrumbullakosura. Banonin diku pas Dajtit dhe vinin në pazar. Më kanë mbetur në mendje. Në fakt, ngacmimet primitive më kanë ndjekur në të gjithë artin tim modern. Po ta shohësh janë edhe tri forma, edhe tri volume të mëdha abstrakte.

Sa iu rrëmben "ky primitivitet?

Ne nuk jemi akoma në gjendje të kuptojmë vlerën që ka pasur primitiviteti ynë. Tributë tona primitive kishin vlerë të jashtëzakonshme. Unë kam punuar dy tribu, lebërit dhe kuksianët. Për shembull, veshja e kuksianëve, ajo e zeza ka prerjet më kubiste të veshjeve botërore. Më ka pëlqyer arti ynë popullor.

Në vitin 1968 keni bërë edhe një punë me kunguj. Ka ndonjë arsye te veçantë?

Më pëlqenin kungujt dhe i mbaja në studio. Pse? Më tërhiqnin format e jashtme me realitetin tonë. Kungujt më pëlqenin se më kujtonin Dardhën, fëmijërinë... E bëra në një tavolinë të rrumbullakët prej druri. Origjinalin e 1968-ës e kam, por kam bërë edhe një me porosi që ma kanë kërkuar.

Vihet re se janë shumë të pranishme ciganet në punën tuaj. Pse? çfarë iu tërheq tek ato?

Ciganet ishin pasuri e pashterueshme, në formë, në ngjyrë, mënyrë sjelljeje, lëvizjeje... Këtë ciganen e 1969-ës e kam bërë me imagjinatë, pastaj e bëra edhe me vaj, ishte e madhe rreth 1 m e 68 cm. Ma morën, ma dogjën po unë dua ta ribëj, sepse është në fotografinë e dosjes së burgut. E kanë fotografuar para djegies.

Pse ta kenë djegur? Ku e kishte problemin me regjimin vepra?

Unë e kam të qartë pse e dogjën, po e kam të vështirë ta them. Mendoj se djegia e kësaj vepre apo dënimi im, ishte i tëri nga ligësia e artistëve. Nuk ishte Dega e Brendshme, as ministria, as pushteti popullor që i bënte ato, por ishte ligësia e artistëve.

Pra, kolegët tuaj ishin të ligë? Pse?

Po, se sot asnjeri prej tyre nuk është në gjendje të bëjë botimin që bëj unë. Ka 20 vjet dhe asnjëri s'e ka bërë, sepse asnjë s'ka punë si të miat. Ata e dinin se çfarë punësh kisha unë dhe donin që ato punë të zhdukeshin. Edhe sot ëndërrojnë të më zhdukin... Unë nuk bëja ndonjë luftë me ta, por e kuptonin se kjo që bëja unë ishte ndryshe, nuk ishin realizëm socialist. Kjo duket qartë me ekspertizën që ka bërë Kujtim Buza.

Tani që isha në Francë, një gazetar më mori një intervistë. Ai kishte lexuar ekspertizën dhe vendimin e gjyqit. I kishte bërë përshtypje një fjali ku thuhej se "Maksi, megjithëse ecën në rrugët e Tiranës, me mendje është në rrugët e Parisit, New-Yorkut, Pekinit"... Gazetari qeshte dhe thoshte se është aftësi e jashtëzakonshme që "të jesh diku e njëkohësisht të jesh edhe në tri vende të tjera. Si është e mundur të të akuzojnë për një aftësi?".

Keni realizuar edhe një bojaxheshë. Duket një komuniste të devotshme. Si erdhi kjo vepër?

Ka një histori të bukur. Në vitin 1969, vendosa edhe unë njëherë të bëhesha piktor i realizmit socialist. E kam me gjithë mend. Thashë, do bëj një vepër që të ma pranojnë. Vendosa të shkoj në një kantier dhe shkova në një nga këto pallatet që po bëheshin asokohe. Marr pastelet dhe gjej bojaxheshën me të gjitha konditat që kërkoheshin: Duke punuar, e veshur, me rroba... E bëra mbi një metër dhe e çova në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nuk ma pranuan as këtë dhe unë hoqa dorë përfundimisht nga realizmi socialist.

Duket e vrenjtur, edhe pse komuniste... Mbase këtu qëndronte problemi?

Epo unë nuk i transformoja dot. Nuk i bëja dot të qeshura dhe ajo ishte mjeshtri më vete.

Si i ruajtët këto pastele?

Disa u dogjën, disa kanë shpëtuar. Ka pasur shumë, s'i kanë marrë të gjitha. Tani që isha në Bretanjë, fondacioni më bleu vetëm një punë, atë të grave zadrimore. Ata më kërkuan që të ekspozoja punë shqiptare, kishin interes për punët shqiptare. Kam vizituar muzeun e veshjeve të femrave të Bretanjës; ato ishin të gjitha veshje të zeza, me këpucë të drunjta, - punime me dorë, - ndërsa ne e kemi me shumë ngjyra.

Kemi edhe një bllok ndërtesash në Tiranën e hershme pa trafik...

Është një bllok banesash tek 'Brryli' në Tiranë, në kohën që ndërtoheshin. Sikurse e sheh, ka dritën e Tiranës dhe realitetin e kohës, vinç, kullë druri, karrocë dore. E doja profesionin, e doja ndërtimin dhe e kam bërë me dashuri.

U pëlqye kjo? Ndërtimi i 'Shqipërisë së Re'?

Jo, edhe këtë nuk e pranonin, e donin fallco. S'e kuptoj. Ndërtimi ynë ishte me shumë vështirësi, saqë mendo, është bërë njëherë një sesion shkencor për karrocën e dorës, (qesh). E gjeta tani tek revista "Ndërtuesi", e mendon dot se me sa vështirësi punohej? Pra, realizmi ynë ishte falsitetit dhe piktorët tanë u bënë mjeshtra të falsitetit. Prandaj nuk i duan punët e mia, se kjo nxjerr të vërtetën se sa fallco është tërë fondi i galerisë.

E keni përjetësuar detin e Vlorës, në kohën kur qe i pastër. Pse shkonit?

Po, shkoja shpesh në Vlorë se kisha tim vëlla. Kur e panë në Francë këtë pikturë tani, më thanë se në të ka fovizëm (nga fov - i egër). Ngjyrat nuk janë ato të vërtetat. Unë bëja ato që doja, si të më vinin.

Si e mbani mend plazhin e kohës?

Ishte shumë i pastër, nuk kishte ndotje, ruhej bregdeti. Sot s'e kemi më.

Ndryshon shumë mënyra e sotme e të pushuarit me atë të kohës suaj? Veshja e femrave?

Ndryshon, por unë nuk e quaj një pasuri sepse pasurinë e njeriut nuk e bën kostumi i banjës, por vlerat e personale. Atëherë kishte një gjë, që ishin më të kujdesshëm, kishte më shumë ndjenjë, më shumë miqësi e më shumë sinqeritet, ndërsa sot ka shumë shtirje e falsitet.

Keni disa punë në Pezë. Si e keni kaluar me banorët e këtij fshati?

Shumë mirë, më kanë pritur mirë. Më çuan për riedukim në Pezë. Ata banorët s'donin t'ia dinin se isha për riedukim. Ishte një kooperativë e madhe që përfshinte 23 fshatra. Në fillim shkova si inxhinier, pastaj si gjeometër, pastaj më çuan për të punuar në arë me gratë dhe kam edhe vlerësim brigade. Nga pezakët ruaj kujtime të jashtëzakonshme dhe që nuk e përfillnin faktin se isha si armik aty. As që bëheshin merak. Në Ndroq kam punuar po ashtu, sepse i pikturoja zonat. Kodrat janë të jashtëzakonshme për t'u pikturuar.

Atje ishit kur iu arrestuan?

Po. Shkoja në Pezë me një mikun tim që punonte si veteriner. Ai më tha se kishin pushkatuar dy poetë në Librazhd. Pushkatimi solli një fakt të panjohur që nuk është studiuar akoma: Hetuesit duhet të pushkatonin sa më shumë njerëz që të ngriheshin në detyrë!

Pra, e kishin si kriter?

Po. Ngriheshin në detyrë, sa më shumë veta të dënonin e të pushkatonin. Edhe hetuesi im Dhimitër Shkodrani pushkatoi në Fier Xhavit Sallakun, nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv, ndaj u gradua, erdhi në Tiranë dhe do të më hetonte mua, madje donte të më pushkatonte, se kisha akuza të rënda që të çonin në pushkatim. Nuk e di se kush ka ndërhyrë që më ndryshuan akuzat. Atëkohë ishin arrestuar Edison Gjergo e Ali Oseku, kështu që e kisha radhën unë. Sigurisht, ishte peshqesh i Lidhjes së Shkrimtarëve që për mua s'ishte Lidhje Shkrimtarësh por kriminelësh, sepse nuk ka Lidhje Artistësh që të dënojë njerëzit e vet.

Unë s'kisha vrarë njeri; kisha disa vizatime që mund t'i kritikonin se nuk i pëlqenin, po s'kishin lidhje me krimin. Kujtim Buza thoshte se Maksi është kundër grave socialiste e realizmit, por unë nuk kisha shkruar se isha kundër, unë bëja punën time, ata të veten. Arti është perceptim personal, është mbivendosje, është sjellje e re. Është tjetër gjë se kush ka vlerë, por s'ke të drejtë ta zhdukësh, siç më kanë shkrirë e djegur 248 punë.

E ndjenit nevojën e penelit në burg?

E vetmja gjë që kërkova kur isha në burg. Njëherë kur erdhi mamaja të më takonte ishte të më sillte disa penela. Meqenëse ngjyrat nuk lejoheshin, thashë se për penelat s'kishte urdhër ndalimi.

Jua lejuan?

Po, çuditërisht mendova në fillim, pastaj e kuptova. Të nesërmen erdhi polici dhe më kërkoi një penel. Unë e dija që kishte një taksë. Vetëm sa i provoja në dorë, i prekja, ua ndjeja butësinë.

Burgu dëmtoi karrierën tuaj, ju vetë. Po me familjen ç'u bë? Si ndikoi tek ata?

Burgu i shkatërroi ata të shtëpisë sime. Motra, Diana, atë ditë që unë u arrestova pati një krizë dhe e çuan në spital. Pastaj e hoqën nga puna edhe Dianën edhe Rozën. Pirron e hoqën nga kryekirurg në Vlorë në Himarë. Babai vdiq i dëshpëruar më 1982 kur unë isha në Spaç, por shyqyr Zotit, nuk i hoqën nga Tirana edhe pse bënë 100 të zeza të tjera. Por, ajo kohë nuk ka marrë fund, vazhdojnë lidhjet indirekte me të gjitha mënyrat. Realizmi socialist vazhdon në forma të tjera. Askush nuk u bë Krisht dhe nuk kërkoi falje. Unë e botova librin për të cilat u bëra kriminel.

Keni edhe nudo, ku i keni bërë?

Në një fshat në jug të Francës. Atje i organizonte komuna mundësitë për të realizuar piktura nudo. Këtu në Tiranë nuk gjen dot një modele nudo për të punuar.

Prania e femrës në pikturat tuaja, është e dukshme. Herë e bardhë, herë cigare, herë e veshur trashë, e herë të tjera format i duken lehtësisht. Por ju, nuk keni folur për femrën në jetën tuaj. Përse?

E para, ne nuk jemi një popull civil që flasim për gjëra delikate, intime. Nuk jemi tipa që i themi të gjitha gjërat publikisht. E dyta, kam pasur një eksperiencë shumë të hidhur me gruan me të cilën u martova. Ja, për këtë.

Si ishte kjo eksperiencë e hidhur?

Ishte agjente e Sigurimit. E kam pasur dëshmitare në gjyq dhe e kam të vështirë ta prek këtë temë, e kam të vështirë të flas, - të paktën derisa të dalin dokumentet, të cilat s'po i marr dot. Sepse, edhe dokumentet nga arkivat nuk iu jepen të gjithëve, iu jepen disave. Dua më shumë të botoj dokumentet se sa të flas vetë. Edhe ato janë me rekomandime politike.

Sa i takon femrës, unë kam folur nëpër libra për të, për femrat në përgjithësi. Në akt-akuzë kam shumë akuza për femrat.

Me të drejtë, apo pa të drejtë?

Sigurisht, kam bërë gabime edhe unë, në kuptimin që, si djalë i ri, isha i çlirët dhe pa paragjykimet që kishte koha. Megjithatë, mendoj se nuk është e rëndësishme kjo. E rëndësishme është femra që influencon në artin që një artist bën.

Gratë e Pikasos janë bërë pikturë. Po të kishte pasur vetëm një marrëdhënie me to, s'do të kishin atë dhunti që kanë. Në atë rast, pra në rastin kur e pikturon, atëherë merr një domosdoshmëri shpjegimi i gruas që është në artin tënd, edhe nëse e ke grua, edhe nëse s'e ke grua. Në këtë kuptim, unë nuk kam pasur nudo të një të dashure, s'bëja dot, dhe nuk mund të bëj dot as sot. Një femre shqiptare s'mund t'ia kërkosh këtë. Unë, nudot që kam bërë i kam realizuar në një fshat në jug të Francës. Ne nuk kemi e nuk jemi të tillë njerëz që të vlerësojmë femrën e trupin e saj, e pastaj të japim edhe shpjegime.

Cila është femra ideale për një artist?

Varet nga artisti. Frojdi bënte nudo femrat e shëmtuara, të shëndosha e me shumë dhjamë, të shëmtuara pra, ndërsa Modiliani të bukurat, të dobëtat. Pra, ndryshon nga njëri tek tjetri.

Atëherë ju, jeni më shumë si Frojdi apo si Modiliani?

Unë nuk kam pasur shumë mundësi të bëj nudo. E ëndërroj edhe sot të bëj nudo. Madje unë i bëj kështu: Ato që kam në vizatime, që i kam bërë në Francë, i hedh në ngjyrë vaj, por nuk bëhet kështu, duhet ta kesh modelen përballë. Nudoja tek artistët është si punë hyjnore, domethënë kur lodhet nga të tjerat vepra ose kur ka probleme, bën një nudo që të pastrojë mendimet. Këto mundësi unë nuk i kam, nuk i bëj dot. Por e kam peng këtë. Ndaj edhe unë i bëj pastelet jashtë.

E keni takuar më ish-bashkëshorten tuaj?

Jo, s'e kam takuar, sigurisht që jo. Madje, kur e shoh nga larg ndryshoj trotuar.

Pse ua bëri këtë? Pse dëshmoi kundër jush?

Është problem shumë i gjatë dhe s'dua t'i futem. Unë dua të nxjerr letrat që ato kanë çuar tek Nexhmije Hoxha, në Komitetin Qendror të Partisë. Duhet të botohen letrat, e kur të botohen ato, s'ka më nevojë për shpjegime. Ato ishin nënë e bijë dhe ishin të dyja agjente të Sigurimit. Këtë gjë, unë e mora vesh mbas martese. E ëma e saj kishte dënuar një këpucar. Kur e mora vesh u tmerrova, por e kisha marrë vesh vonë dhe kishte marrë fund çdo gjë. Kur u bëra gati të ndahesha, - i bëra planet, do kërkoja divorcin, - m'u kundërvunë dhe bënë kundërveprimin. Është një nga tragjeditë e shumta të asaj kohe. Është problem delikat.

 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për ribotim-Kadri Mani

/etnike@gmail.com/



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora