Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vargu peizazh jete

| E premte, 13.07.2012, 08:36 PM |


R e c e n s i o n

VARGU PEIZAZH JETE DHE PESHË E MENDIMIT POETIK E FILOZOFIK

(Naxhie Berbati-Kastrati: “Më dhemb ky acar...”, poezi, 2012)

Nga Sejdi BERISHA

Naxhie Berbati-Kastrati, ka kohë që vargun e ka bërë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së vetë, e cila tani e sa kohë është edhe mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali” në Pejë. Ajo qysh si e re, kohë pas kohe është prezantuar me poezi dhe tregime të shkurtra nëpër revista e gazeta. Ndërsa, ditë më parë u prezantua edhe me librin e saj të parë me poezi “Me dhemb ky acar...”, i cili është një sublimë e tërë atyre ndijimeve shpirtërore të saj jo vetëm të ditëve të sotme, por edhe të kohës edhe më të hershme qysh si fëmijë dhe e re. Dhe, për ta shprushur ndijimin shpirtëror të autores, në të lexuar të kësaj tufe poezish, sikur hasim pra, edhe “letërnjoftimin” e peshës së këndimit, e cila nuk shkruan vetëm sa për t’i shprehur ndjenjat, vetëm sa për të bërë varg, apo sa për t’ia bërë me dije dikujt se ajo është poete. Jo. Ajo di dhe është e kujdesshme për temën që prekë, për vargun dhe poezinë e shkruar. Për këtë dëshmojnë edhe tërësitë ciklike: “Hajmedet”, “Shpresa teje buron...!”, “Preke zemrën ti...”, “Për dejtë e gjakut tënd...” dhe “Në frymim trashëgimie”.

Refleksioni poetik si qëndresë përballë sfidash kohore

Si zakonisht, poetët janë të ndjeshëm, dhe si të tillë e ndjejnë përgjegjësinë dhe për çdo gjë shkruajnë, atë ta përjetësojnë, e ndjejnë përgjegjësinë që më të dashurit t’i përmes vargut t’i bëjnë pjesë të jetës. Këtë karakteristikë, pothuaj se e hasim kudo në libër por në forma të ndryshme. Dhe, që në poezinë e parë “Hija jote iku”, autorja shpalosë “djegiet” e veta që e kanë vërsulur në shpirt e në zemër, e që ia trazojnë damarët e trupit, gjë e cila, nganjëherë reflektohet si pamundësi apo etje e madhe për ta luftuar atë që nuk e lë të rrugëtojë e qetë: “Luta perëndinë/Të të ruaj/T’i kurojë plagët tua”, kështu që nga mungesa e gjyshes, të cilën autorja e quan nënë, krijon peizazh jete me ngjyra përcëlluese, të cilat janë shprehje e karakterit të saj, e ndijimit shpirtëror, i cili edhe më shumë ia provokon mendjen për këndimin poetik, e cila fushë, tanimë ka karakter të qëndrimit përkushtues dhe të papërkulshëm për t’u shoqëruar e mishëruar me vargun. Andaj, ai, pra vargu, edhe pse dhemb, atë e do dhe gjithnjë e preferon si pjesë jete: “Nana/S’është më/Nuk është, se po të ishte/Do e shihja dorën e saj/Nga dritarja të zgjatur/Nga ballkoni”.

Një ligjërim i tillë, pra, sikur reflekton mesazhin plotë dritë dhe shpresë, për atë çfarë kërkon autorja, për atë që dëshiron të bëhet hartë e një kopshti që i ngjanë ëndrrave me shumëkuptimësi, me shumë aromë e freski bliri, por që, nuk prishë punë që edhe therrat aty zënë vend. Në këtë rast, duke dashur të paraqesë idilikën, qoftë edhe të botës së femrës mbase edhe të vetë njeriut, ajo me plotë mllef, por në të njëjtën kohë, butë e ëmbël japë vërejtje: “Luleborë moj/Me flokët kurorë/Kush moj kush guxoi/Hapat t’i ndalojë”.

Krahas këtij vargëzimi, edhe malli si pjesë e pashmangshme e dhembjes dhe e lumturisë përnjëherë, rrjedhë në formë mendimi, që reflekton qëndresën dhe pa luhatshmërinë për përballjen me sfidat e jetës, bile edhe atëherë kur është më së rëndi, më së vështiri: “Mallin e ngujova/Në një guacë deti/I robëruar është/Rron”! Dhe, sërish pasojnë vargjet të cilat autoren e kanë lidhur ngushtë me nënën, me atë që dot asnjë njeri, së paku shpirtërisht, nuk mund ta mohojë. Një gjë të tillë e hasim tek shumë poezi, si te “Zemra e botës” e në shumë të tjera. Ndërsa, kur është fjala për peshën e lirisë dhe të atdheut, përmes vargjeve ajo fuqishëm pasqyron rrugëtimin historik, por në një tjetër formë, që ndoshta dallon nga shumë krijues të tjerë: “...Ata gëzojnë vendin e tyre/I tyre kopshti, janë edhe lojërat/Mësuesja.../Të huaja jemi veç unë eti/Ç’po bëhet me ty moj Arbëri?!”.

Kjo temë vazhdon të himnizohet edhe me faqe të tjera historie, që kanë sjellë telashe edhe për kafshatën e bukës: “Një sofër e shtruar/Me bukë elbi/Me një grusht kripë/Fëmijët e uritur/Gllabërojnë kafshatat/E bukës nga çerepi”!

Vetia krijuese - zë i arsyes edhe atëherë kur shpirti shndërrohet në pelegrin për ta përqafuar dritën

Tek autorja e këtij libri hasim një vargëzim aq natyral, sa që kemi përshtypjen se çdo fjalë, çdo varg e poezi e ka rrjedhën e lumit, i cili krijon ngrohtësi edhe atëherë kur dhemb acari. Këtë fuqi të shprehjes, çdo poezi e ka si zë, i cili arsyeshëm troket jo vetëm sa për të tingëlluar si varg, por na sjellë begatinë e këndimit të përcjellë me mesazhin dhe metaforën si faktorë që dëshmojnë për etjen, madhështinë dhe për mallëngjimin edhe atëherë kur shpirti shndërrohet në pelegrin për ta gjetur e përqafuar dritën dhe dashurinë që i takojnë njeriut, të cilat, herë i takon e herë vetëm i ëndërron.

Një larushi e tillë mendimesh, hijeshon ngjyrën poetike të vargut duke shprehur vendosmërinë, të cilën, nganjëherë e tundin dhe e luhatin jo vetëm erërat e kohës, por edhe gjërat e tjera, të cilat mund të ndodhë që dalin si cung përpara, por rrugëtimi e ka kuptimin e rrugës, dhe, edhe nëse është i mbyllur për një kohë, ai sërish dhe gjithnjë mbetet rrugë e hapur: “Bëhu burrë-gjyko/Bëhu trim-fal/Bëhu ndjenjë-dashuro”, ose: “Shihe diellin/Qiellin e hënën/Lejo të bjerë shi”!

Ndërkaq, qortimi poetik ka peshë dhe kuptim shumëdimensional, i cili, në shumë vargje e ka mesazhin por edhe “lutjen” që për ta mos lënduar asgjë në jetë, por për ta lënë e për ta bërë të lumtur: “Pse brenda një dite/Tri herë gëzofin e ndërron//... Ç’po të bën lisi/Që aq drejtë rri/...Pusho t’jesh kuçedër/S’jemi në përrallë”!

Autorja e librit “Më dhemb ky acar...”, e pranon se nganjëherë, në kuptimin më të mirë të fjalës, por edhe nga etja për lumturi, i “tërbohen” ndjenjat: “Edhe behari i mugulluar/U rrudh nga bryma/U zhduk nga rrufeja/Kush e zuri dritën/Kush e fshehu diellin?!”. Kjo dëshmon edhe një gjë tjetër. Se, përpëlitjet jo vetëm të ndjenjave, janë faktor i qenësishëm, në krijimtari. Andaj, pikërisht për këtë arsye, autorja e shfrytëzon këtë, për të krijuar histori apo për të hapur debat për periudhat e kaluara kohore por edhe për jetën e vetë krijueses, e cila, përmes vargjeve sikur shfleton ditar, i cili përbrenda tij nuk e ka vetëm jetën dhe ecjen e saj. Me këtë, ajo shumëfishon kuptimin dhe peshën e vargut dhe me përjetimet, të cilat nuk i ka as për një hë të shlyera: “Në mua përjetime të moçme/Në rrugicat e errëta, përpëlitje/Ca rreze të zbehta dielli/Çdo gjë ndriçon-Asgjë s’bën dritë/...Në rrugicat qorre flet jeta/Pëshpëritin vargjet lozonjare”.

Ndërkaq, në këtë kontekst, dashuria, gjë e rëndomtë, përcjellët me dhembjet e pashëruara dhe me pallatet e ëndrrave, që, nëse këto bashkohen, atëherë duken dhe janë madhështore, të bukura dhe faktorë që nuk ç’kapen dot: “...Do të falënderoj/Për ndjenjën/Sinqeritetin që pate/Në besë/E fjalë/Në dashuri...”!

Fuqia e shkrimit për ta shndërruar në këngë madhështinë e njeriut të thjeshtë...

Edhe prozat e shkurtra që janë përfshirë në këtë libër, por edhe shumë vargje për fëmijë, janë pjesë e begatisë së librit dhe e krijimtarisë së autores, e cila, bie fjala, duke vargëzuar për Kakariçin (varreza të vjetra në qytetin e Pejës), për stacionin e trenit, për kalanë dhe për gjëra të tjera, përveç se na bën me dije se në cilën lagje të vendlindjes e ka rritur shtatin dhe e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë, ajo, na përkujton apo edhe na provokon me Kakariçin, që është histori në vete, e me të cilin, ndoshta poetja ka dëshirë të na intrigojë për ta kujtuar dhe ndriçuar historinë e këtyre varrezave, respektivisht të qytetit nëpër periudha.

Me fjalë të tjera, në këtë libër, sikur takojmë jo vetëm një kënaqësi këndimi poetik por e hasim edhe një biografi të njeriut i cili, me butësinë e tij dhe me përplasjet e veta u këndon më të dashurve, të cilët dëshiron t’i ketë e t’i hasë kudo e kah do, më në fund edhe atje ku dheu nuk e humb pamjen, ngjyrën, peshën as kujtimin për asgjë: “Kërkoje në varreza/Thanë disa/Tmerr.../Fotografia jote/Në mermerin e ftohtë”!

Ndërtimi i vargut në këtë mënyrë, japë për të kuptuar se autorja di të këndoj, bile mu atëherë kur malli e dhembja ia gllabërojnë kujtimin, i cili pastaj, fshehurazi përvidhet kudo, edhe në poret e trupit, edhe në shikimin e tretur, kjo, gjithnjë për ta prekur, shijuar e drejtuar ecjen e kohës, e cila pamëshirshëm di të trazojë... Në tërësinë e këtij libri, hasim dashurinë që përfshinë çdo segment, çdo rrafsh, e cila dashuri, kudo dhe në çdo kohë lëndon e shëron mendjen dhe shpirtin, madhështon ëndrrat dhe synimet, gjë kjo e cila reflekton karakterin dhe këmbëngulësinë për ta bërë poezi, për ta shndërruar në këngë jetën e njeriut të thjeshtë. por e cila gjë krijon një kohezion në mes të autores dhe përplasjeve shpirtërore që i ngjanë pra acarit që dhemb. Megjithatë, të gjitha këto i ngjajnë shpresës, edhe pse, ajo nganjëherë e besa edhe shpesh është e lodhur duke qenë mes kthetrave të errësirës dhe pafundësisë.

Ndoshta, edhe për këtë arsye, shumë vargje, poezi dhe proza të shkurtra, në vete ngërthejnë ironinë jo vetëm të autores por edhe të kohës si edhe elementin satirik të begatuar me peshën e mendimit filozofik dhe poetik. Në kuadër të kësaj, autorja, me poezitë kushtuar njerëzve që e bëjnë jetën, mendjen dhe diturinë e historinë, ajo bën përpjekje që sado pak ta lajë një borxh ndaj të gjithë atyre që atdheun e kanë bartur kudo me vete për ta ruajtur për ne dhe për brezat që vijnë. Prandaj, kujtoj se libri i Naxhie Barbatit-Kastratit, e ka vlerën dhe peshën që autoren arsyeshëm e kurajon për të krijuar dhe për të bërë vepra akoma edhe më me vlerë, të cilat do ta dëshmojnë cilësinë e vargëzimit të kësaj krijueseje, e cila nuk mbetet pa u vërejtur dhe pa u komentuar në rrugëtimin krijues dhe në tërësinë e vlerave letrare, që dita me ditë dëshmojnë për arritje të reja.