E merkure, 24.04.2024, 02:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Rrëfimi i zërit më të vjetër shqip

E diele, 06.04.2008, 03:02 PM


Blerina Goce - Metropol

I regjistruar nga Norbert Jokli, zëri deri më tani i panjohur, do të bëhet i dëgjueshëm për të gjithë në internet

Është zëri më i vjetër i incizuar në shqip. Daton në vitin 1914 dhe për 5 minuta në sfond dëgjohet e folura e një shqiptari në dialektin e Gostivarit. Tani për herë të parë bëhet publik me nismën e albanologut Robert Elsie në albanianlanguage.net. I gjetur në arkivat e Vjenës, zëri është një regjistrim i bërë nga Norbert Jokli, dokument që deri më tani ka mbetur i panjohur.

"E gjeta para dy-tre viteve në arkivin e Vjenës. Pas dy-tre muajsh ai do të jetë në dispozicion të të gjithëve e çdo njeri mund të dëgjojë zërin e parë shqip duke klikuar në internet", shprehet Elsie, ndërsa shpjegon se ky zë i përket një shqiptari, i cili punonte në një ëmbëltore në Budapest. "Jokli e mori këtë shqiptar dhe shkoi me të në Vjenë ku qëndruan për një muaj, në Institutin e Fonogrameve, pasi vetëm aty kishte aparat incizimi. Zëri shqip thotë fjalë të thjeshta, numra dhe rrëfen një përrallë shqipe në dialektin e Gostivarit".

Prezantimi i gjuhës shqipe duket se është preokupimi i hershëm i studiuesit Elsie, i cili këto ditë ndodhej në Shqipëri për një tjetër projekt mbi gjuhën shqipe, që ai preferon ta quajë "udhëtim me zërin shqip". Duke lëvizur anekënd Shqipërisë, dr. Elsie dhe grupi i tij i punës incizojnë dialektet e ndryshme shqiptare dhe "i bëjnë koleksion", për të parë si flitet gjuha shqipe në fillim të shekullit XXI. Por dr. Elsie nuk preferon të flasë shumë mbi këtë projekt që është ende në fazat e fillimit. "Duhet të mbledhim më shumë materiale", komenton albanologu, ndërsa rrëfen se pjesë e këtyre dialekteve të mbledhura janë edhe incizime nga viti 1999, nga Lufta e Kosovës, të cilat po i përpunon për t'i bërë të prezantueshme në internet dhe në fund do t'i krahasojë.

Poezia "del" nga thellësitë

Projekti i premtuar për t'u përkrahur nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, prej të cilit kjo e fundit më vonë hoqi dorë, për realizimin e antologjisë më të madhe të poezisë shqipe në anglisht, më në fund do të realizohet. Pa ndihmën e MTKRS-së, Elsie "ia doli mbanë" që me një botues në SHBA të bëjë të mundur botimin e kësaj vepre voluminoze që përmban 250 poezi, me rreth 250 poetë që prej fillimeve të poezisë shqipe, që nga Pjetër Budi deri në autorët bashkëkohorë. E titulluar "Ndriçim nga thellësitë", antologjia do të dalë nga botimi në qershor dhe Elsie rithekson se do të jetë antologjia më e madhe e poezisë shqiptare në anglisht. E vështirë për të përfshirë e veçuar poezi të autorëve shqiptarë në vite, dr. Elsie shpjegon se kriteri i përzgjedhjes së poezive, pjesë e antologjisë është ai estetik, si dalin poezitë në përkthimin anglisht.

Krahas saj, një tjetër vëllim poetik i një poeti të njohur shqiptar, Azem Shkreli, është në programet e Elsie. Botimi i vëllimit me poezi në shqip dhe anglisht "Azem Shkreli", pak pas pavarësisë së Kosovës, është kuptimplotë për Elsien.

"Është një projekt i filluar para 5 vjetësh dhe do të botohet pas një viti", cilëson ai, ndërsa pranon se edhe për albanologjinë nuk ka interes të veçantë, është i bindur se ka interes në rritje për kulturën dhe historinë shqiptare. "Tani Shqipëria është një shtet evropian si të tjerët e shumë shpejt do të inkuadrohet në BE. Bota ka nevojë të dijë më shumë për kulturën shqiptare. Gjithashtu, me pavarësinë e Kosovës, që ka nxitur e po nxit më shumë interes, kemi dy shtete shqipfolëse. Kjo me siguri shton interesin e botës për kulturën shqiptare. Por mbetet shumë për të bërë se albanologë ka shumë pak. Madje, edhe të huaj që flasin shqip ka shumë pak".

Në shënimet e dy anglezëve

Poet dhe piktor anglez, Eduard Lear, në vitin 1848, bëri mjaft udhëtime në Shqipëri, në Manastir-Shkodër-Himarë-Greqi. Përshtypjet e tij i përmblodhi në një udhëpërshkrim të bukur për Shqipërinë në atë kohë. Në një libër, i cili u botua në ato vite e më pas u ribotua dy herë në shekullin XX, por me titullin e ndryshuar, "Udhëtim në Greqi". Tani dr. Elsie do ta ribotojë këtë udhëpërshkrim të Lear me titullin e mirëfilltë "Udhëtim në Shqipëri". Ai mendon të pajisë librin edhe me pikturat e Lear, ndërsa thekson se libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe, gjë që deri më sot nuk është bërë asnjëherë.

Edhe botimi në anglisht i veprës së Uilliam Martin Leake, libër i fillimit të shekullit XIX që trajton gjuhën shqipe e greke është pikëqëllimi i Elsie. "Kjo vepër e botuar në shqip prej Xhevat Lloshit nuk është ribotuar në anglisht", dijëson albanologu, "i dashuruar" me shqipen dhe kulturën tonë prej vitit 1978, kur erdhi për herë të parë në këtë vend e u kuriozua nga "çmenduritë e Shqipërisë socialiste".

"Erdha me një grup studentësh nga Gjermania që mbaruam studimet në Bonn. Për habi, profesori ynë mori një ftesë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1978, për të shkuar në Shqipëri. Pata mundësinë të vizitoja Shqipërinë në një kohë kur askush s'shkonte në Shqipëri dhe që atëherë kam ardhur në Shqipëri çdo vit për dy javë. Kjo ka nxitur interesin tim për kulturën shqiptare", pohon ai. Që prej atij viti ka filluar të mësojë gjuhën shqipe, por nuk është e lehtë. Në Vlorë të gjithë e pyesnin: “Prej nga je?”. Dhe edhe sot duket se mjaft vetë i bëjnë këtë pyetje, paksa se është njohës i mirë i kulturës, historisë dhe studiues i kësaj gjuhe...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora