Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Duke lexuar tmerrin

| E premte, 13.07.2012, 07:00 PM |


DUKE LEXUAR TMERRIN

(Arben Kondi: TMERRI (roman), botoi ILAR, Tiranë, 2012, fq.270)

Nga Adil Fetahu

-Nuk them se e lexova me ëndje, sepse askush nuk i ka në ëndje tmerret, përveç  atyre sadistëve e kriminelëve të cilët vet janë autorë të tmerrit që kryejnë-

Arben Kondi është një intelektual e patriot i mirëfillt shqiptar nga krahina e Çamërisë,, i cili tërë krijimtarinë e vet letrare, poetike e publiçistike ia ka kushtuar Çamërisë dhe Kosovës. Ka botuar më se 20 vepra, ndërsa në panairin e sivjetshëm të librit në Prishtinë u paraqit me botimin e tetë veprave të zgjedhura nga opusi i tij letrar, si dhe me romanin më të ri  Tmerri, të sapobotuar para hapjes së Panairit.

Me Arben Kondin jam takuar sa herë ka marrë pjesë në panairet e librit në Prishtinë. Edhe sivjet (më 9 qershor) u takuam dhe, për të më bërë nderë, më ofroi me gjysmë çmimi kompletin prej tetë veprave të zgjedhura. Me qenë se unë më herët i kisha blerë e lexuar veprat e tjera, e mora vetëm romanin e sapobotuar – Tmerri. Dhe si rëndom, gjatë pushimit në bregdet (në Mali i Robit) lexoj libra (romane, libra profesionale ose historike, etj). Sivjet, ndër të parat e lexova romanin Tmerri, dhe u binda se titulli ishte zgjedhur adekuat me përmbajtjen. Nuk them se e lexova me ëndje, sepse askush nuk i ka në ëndje tmerret, përveç  atyre sadistëve e kriminelëve të cilët vet janë autorë të tmerrit që kryejnë.

Tmerrin që përshkruan Arben Kondi në romanin e tij, në mos ia kaloftë, të paktën është në nivelin e tmerrit që përshkruan Dante Aligeri për kalimin në rrathët e ferrit. Por, derisa tmerret e Dantës janë pjellë e imagjinatës së tij, këto që përshkruan Arben Kondi në romanin e tij janë reale, që i kanë vuajtur shqiptarët e Kosovës nga forcat policore, ushtarake e paramilitare, madje edhe nga vet fqinjët civil serbë.

Autori me një mjeshtri të rrallë e me një stil të përshtatshëm tregon  ngjarjet e tmerrshme të dhunës dhe ekzekutimeve që iu kanë ndodhur shqiptarëve nëpër shtëpitë dhe oborret e veta, në qendrat e grumbullimit,  dhe në kolonat kilometërshe të të dëbuarve nga Kosova, të cilët u detyruan të ikin në Shqipëri e Maqedoni, e prej andej në të katër anët e botës! Qëllimisht e thash “iu kanë ndodhur”, e nuk thash se i kanë përjetuar, sepse shumë prej tyre nuk i përjetuan, ngase u masakruan dhe ekzekutuan e nuk i mbijetuan. Dhe këto tmerre janë ngjarje reale që kanë ndodhur vetëm 13 vjet më parë, për të cilat sot mund të dëshmojnë qindra-mijëra veta, të cilët i kanë përjetuar ose i kanë parë me sytë e vet. Realizmi i tmerrit dhe “lirizmi letrar” i shkrimtarit marrin pamje të tmerrit çfarë nuk i gjenë as te trillimet e Hiçkokut.

Për të ilustruar mendësinë kriminale serbe të urrejtjes patologjike kundër shqiptarëve, autori që nga fillimi tregon karakterin e një intelektuali serb  (Zllatko Iviq, nga Nishi), i cili në Strasburg kishte kryer studimet për historinë e mesjetës së Ballkanit,  ku ishte njohur e më vonë ishte martuar  e kthyer në Nish, me një kolege franceze (Natali de For), specialiste për trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popujve të Ballkanit. Me të shpërthyer të luftës në Kosovë, veçmas me fillimin bombardimeve të NATO-s, Zllatko shndërrohet nga një intelektual, në një nacional-shovenist antishqiptar dhe antiperendimor. Ai  ndërron profesionin dhe bëhet ushtarak, ku shpejtë fiton grada të larta dhe inkuadrohet në shtabin e krimeve.

Qysh natën kur NATO filloi bombardimin e caqeve serbe, intelektuali i deridjeshëm serb Zllatko Iviq u bë si i çakërdisur jo vetëm kundër Shqiptarëve, por edhe kundër perëndimorëve: Klinton, Olbrajt, Bler, e madje sikur i thotë të shoqës franceze “edhe Zhaku (Shiraku) yt”. Për ta krijuar ndjenjen e urrejtjes së gruas franceze kundër Shqiptarëve, të cilët i konsideron shkaktarët dhe fajtorët kryesorë për bombardimet, por edhe kundër liderëve perëndimorë të cilët kishin urdhëruar e lejuar bombardimin, Zllatko i thotë gruas së tij (Natalie), ja shih se si po digjet spitali (i Nishit) nga bombat e NATO-s, dhe se sa të sëmurë e fëmijë do vdesin aty, ndonëse ishte bombarduar aeroporti dhe një qendër policore, e jo spitali. Qysh atë natë acarohen raportet midis Zllatkos e Natalies, midis të cilëve hendeku sa vinte e zgjërohej dhe thellohej. Zllatko qysh atë natë paraqitet në shtabin e ushtrisë, dhe vëhët në dispozicion për luftë. Natalie, një intelektuale e mirëfilltë franceze, e lutë të shoqin të ikin e shkojnë në Strasburg, për ta shpëtuar kokën dhe djalin e tyre, por kjo ofertë e zemëron Zllatkon, sa që i thotë asaj ti ik qysh tash po deshe, por djali (Ivi) është imi, dhe mos tento të bësh marri të ikësh me djalin, sepse nuk do mundesh ngase je nën survejim të përhershëm. Pas dy ditëve, Zllatko merr detyrën të transferohet në Prishtinë, në vorbullën e luftës kundër Shqiptarëve në Kosovë. Kur ia komunikon të shoqes këtë transferim, ajo e kundërshton ardhjen në Prishtinë, duke i thënë të shoqit se në Prishtinë do rrinte të shikonte tmerret e luftës, ndërsa djali i tyre do luante me granatat e NATO-s, me plumbat e UÇK-së, apo me revolën e të jatit. Për ta gjindosë të shoqën akoma më tepër, i thotë se  ty të gjejë punë dhe si specialiste e fushës do të kesh rastin të shohësh e studiosh trashëgimin kulturore e shpirtërore serbe në kishat dhe manastiret në Graçanicë, Pejë e Deçan.

Duke ardhur rrugës prej Nishit deri në Prishtinë, shoferi (Millutin) i shpjegon zonjës franceze se si të gjitha qytetet dhe fshatrat e rajonit të Toplicës, para njëqind e sa vjetëve kanë qenë të zotëruara nga shqiptarët, por që ata i kanë përzënë prej andej. Kështu do bëjmë tash edhe me Kosovën, dhe shqiptarët do i shkulim me rrënjë e me degë. Kur arrijnë në Preshevë, Zllatko thotë se sapo ta kryejmë me Kosovën, në radhë do të jetë Presheva me Luginën e saj, ashtu që të mos mbetet asnjë frymë shqiptari në Kosovë as në Serbi, sepse ata të gjithë janë terroristë e kriminelë. Francezja e gjorë, dinte shumë gjëra nga historia e Ballkanit dhe e Shqiptarëve, por nuk kishte guxim as të kundërshtonte as mundësi të ndryshonte gjë. Fatkeqësia e kishte futur në ingranazhin e nacional-shovenizmit serb. Kur hyjnë brenda kufirit të Kosovës, sheh kolona njerëzish që ndiqën, torturohen, plaçkitën e rrahen nga paramilitarët e ndytë serb. Vijnë e vendosën në Prishtinë, në një shtëpi të rregulluar me shije dhe që kishte gjithçka që i nevojitej familjes. Familja ishte e dy artistëve shqiptarë, të cilët kishin ikur apo ishin zhdukur. Në ballë të Hotelit grand kishte vërejtur një tabelë të madhe me mbishkrimin: “Për qenët dhe shqiptarët – ndalohet hyrja”. Aty hynin e dilnin vetëm ushtarë, policë e paramilitarë serbë. Në lokalet e hotelit, të shkollës aty afër dhe në lokale të tjera sillnin femra, i dhunonin, rrahnin, masakronin, vizatonin katër “S” serbe në trupin e tyre, e  shumë herë i vritnin. Britma e tyre dëgjohej larg përreth.

Pas qëndrimit disa javë në Prishtinë, Zllatko me familje shkon në Gjakovë, dhe vendoset në një apartament në katin e shtatë të Hotelit “Pashtrik”. Në hotel hynin e dilnin vetëm ushtarë e paramilitarë serbe, kurse nga civilët aty vinin kryetari i komunës, drejtori i Radio-Gjakovës dhe njëfar gazetari Prentiq i “Vecernje novostit”, “Jedinstvos” dhe gazetave tjera serbe. Natyrisht edhe ata ishin të veshur me uniforma ushtarake. Në fqinjësi të apartamentit të Natalisë, ishte Svjetllana, bashkëshortja e drejtorit të Radio-Gjakovës, të cilët gjithashtu kishin ardhur me detyrë nga Nishi. Svjetllana ishte kroate, një grua  zemërmirë e cila e shoqëroi dhe  ndihmoi Natalinë gjatë tërë kohës së qëndrimit të saj në Gjakovë, madje edhe ikjen e saj nga Hoteli, dhe bashkimin në kolonën e shqiptarëve që po iknin për në Shqipëri.

Nga ballkoni i dhomës së Hotelit, Natalia dhe Svjetllana shihnin krimet monstruoze që kryenin paramilitarët serb nëpër shtëpitë, oborret, dyqanet dhe rrugët e Gjakovës. Pas një aksioni të UÇK-së në afërsi të fshatit Meje, ku ishin vrarë disa ushtarë serbë, në Gjakovë kishin ardhur shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Nebojsha Pavkoviq dhe gjenerali Llazareviq. Atyre iu bashkua majori Zllatko, të cilët bënë planin e hakmarrjes. Televizioni lokal në mbrëmje lajmëroi për vrasjen e ushtarëve serbë dhe planin që kishin bërë Zllatko me udhëheqësit e tij, për t’u hakmarrë sipas formulës hitleriane 100 : 1! Dhe pastaj dihet masakra e vërtetë që kanë bërë në fshatin Meje.

Për ta relaksuar nga atmosfera e zymtë e qëndrimit në Gjakovë, Zllatko aranzhon një vizitë të Natalisë dhe Svjetllanës në Kishën e Deçanit. Gjatë rrugës ato shohin masakrat që ishin bërë kundër popullsisë së Mejës. Shohin duke ngarkuar e stivuar nëpër kamiona njërin mbi tjetrin kufoma e të vrarëve dhe masakruarëve, sikur të ishin trupa drunjësh. E tronditur nga ajo pamje Natali e lutë shoferin (Millutin) ta ndalë automobilin, del e vjell, për t’u çliruar paksa, por kur në kopshtin e një shtëpie aty afër sheh të vrarë nja dhjetë të rinjë, e lëshojnë këmbët dhe vetëm me ndihmen e Svjetllanës mezi hyn në automobil. Masakrën e Mejës Natali e quan Srebrenica e Kosovës dhe krimi i fundshekullit, me të cilin serbët ia kishin kaluar edhe Hitlerit.

Kur arrijnë në kishën e Deçanit, aty i pret me mirësjellje At Sava, mik i ngushtë i kriminelit Zllatko, dhe ky (Sava) fillimisht  e bombardon me propagandë politike serbe: “Mirësevini në djepin dhe në shpirtin e Serbisë mëmë, ju takon të ndjeheni si në shtëpinë tuaj”! Meqë Zllatko e kishe informuar At Savën, se Natalia ishte specialiste e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të Ballkanit, ky i thotë: ju e dini se këtë kishë e ka ndërtuar i madhërishmi car Stefan Dushani, nga mesi i shekullit XIV, apo jo Natali? At Sava herë-herë i flet edhe në frëngjishte. Natali vetëm buzëqeshë e nuk i përgjigjet popit, sepse ajo e dinte se atë kishë dhe shumë  kisha  tjera në Kosovë i kishin ndërtuar shekuj më parë prelatët katolik shqiptarë, kurse Stefan Dushani vetëm e kishte rindërtuar e mbindërtuar mbi themelet e kishës ekzistuese. Dhe si specialiste që ishte, Natali e kishte vërejtur se porta e hyrjes shihte nga Perendimi e jo nga Lindja. Edhe fasada dhe altari ishin të tipik romak, e jo bizantin. Kurse në afreskat e vjetra dominonin veshjet kombëtare dhe plisat e bardhë. Për shkak të propagandës së tij politike që po bënte me kishen, Natali atypëraty e humb respektin ndaj At Savës dhe fjalëve që i kishte folur në frëngjisht, sepse shpirtin nuk e kishte për frëngjishten. Për gjenocidin serb mbi shqiptarët At Sava nuk e tha asnjë fjalë.

Me të kthyer në Gjakovë, dëgjohen krisma pushkësh e automatikës. Paramilitarët kishin hyrë nëpër shtëpi për të plaçkitur, dhunuar e vrarë. Ishte zhvilluar një përleshje e armatosur midis UÇK-së dhe paramilitarëve, në të cilën kishte të vrarë nga të dy anët.Ishte vrarë edhe një vullnetar francez i cili iu kishte bashkangjitur UÇK-së, për të cilin Natali ishte krenare që bashkëkombësi i saj kishte luftuar për kauzën e drejtë, të lirisë së shqiptarëve. Natali po shihte nga ballkoni i hotelit një shqiptar të plagosur në oborrin e një shtëpie. Paramilitarët e ekzekutojnë menjëherë dhe njëri prej tyre e nxjerr thikën nga këllëfi dhe ia prenë kokën të vrarit, e po e godiste sikur të ishte top futbolli. Qëndrimi në Hotel ishte bërë i padurueshëm. Natali bënte plane se si të ikte prej Hoteli e prej Gjakove. Në një moment e sheh të shoqin Zllatko duke e dhunuar një vajze shqiptare rreth pesëmbëdhjetë vjeçe, në një kthinë poshtë restorantit të Hotelit. Nga ai moment vendosë definitivisht të ikë nga Hoteli, duke rrezikuar jetën e vet dhe të djalit. Në realizimin e planit të ikjes, e ndihmon Svjetllana, duke i sugjeruar që të merr rroba dhe ca ushqime për djalin, ta mbështjell me një batanije,  dhe nëse e pyet ndokush nga rojat e Hotelit ose rrugës, të thotë se djali ka temperaturë dhe se po e dërgon te mjeku. Prej çarçafit të bardhë të shtratit, i bënë dy shami të bardha që t’i vejë në kokë kur t’i bashkohet kolonës së shqiptarëve të mjerë që po iknin nga vendi i vet. Ikjen e realizon një natë, në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur ushtarët dhe paramilitarët strukeshin si minjtë nga frika, ndërsa i shoqi ishte në Beograd.

Peripetitë, lodhjen, frikën, plaçkitjet, dhunën dhe krimet që sheh gjatë rrugës, janë pjesë të tmerrit tjetër që përjeton bashkë me njerëzit e kolonës,  ndërsa Natali e kishte edhe frikën se mos po e zënin njerëzit e porositur prej të shoqit, të cilët po e kërkonin gjithkah. Janë të shumta tmerret e tjera që kishte parë gjatë rrugëtimit të lodhshëm nëpër vapën e majit dhe  krimet e paramilitarëve. Ndër të tjera, përshkruan një dramë rrënçethëse. Një grup i përzier ushtarë, policë e më shumë paramilitarë i sillën kolonës si bishat gjahut. Tre mjekërrosha  të ndyrë, pasi bisedojnë diçka midis vete, i afrohen një femre të bukur e të re afër Natalies, e cila kishte një djalë përdore. Kishte qenë mësuese në Pejë.  Njeni nga militarët ia prekë flokët dhe i thotë  “më pëlqen se qenke vërtetë yll, e do bëjmë çudira bashkë”, dhe e tërheqë nga kolona. Gruaja e lëshoi dorën e fëmiut të vet. I shoqi, që bartte në çafë një tjetër fëmi të vogël, me një shishe “biberon”, i thotë paramilitarit, kjo grua është ime shoqe dhe nënë e këtyre dy fëmijëve. Atëherë, paramilitari më i vjetër i thotë, nëse do të shpëtosh familjen, duhet të na jepni të gjitha paratë që keni. Burri e nxjerrë kuletën për t’ua dhënë paratë që kishte, ndërsa paramilitari ia rrëmben kuletën e fut në xhepin e vet dhe largohet. Ai më i riu i thotë burrit, kolegu i mori paratë, unë po e marr gruan. Burri kacafytet me te dhe tenton për t’ia marrë automatikun, e rrëxon përtokë, por tjetri i bie pas koke me çykë të automatikut të vet, dhe të dy shprazin breshër plumbash mbi te. Djali dhe gruaja i bien përmbi trupin e të vrarit, dhe të dy i ekzekutojnë. Fëmiun e vogël me “bebiron” në dorë e merr një plak nga kolona, por paramilitarët ia rrëmbejnë, e gjuajnë mbi kufomat e tjera dhe e godasin në kokë, e bashkë me te e vrasin edhe plakun, pastaj urdhërojnë kolonën të vazhdojnë rrugën për në Shqipëri e të mos kthehen më kurrë për ta parë Kosovën.

Skena e tmerre të tilla që forcat serbe kanë kryer mbi shqiptarët janë të shumta dhe reale.

Arben Kondi me mjeshtri i ndjesi risjell  historinë e tmerrit të ndodhur para 13 vjetëve. Romani është i zorshëm për ta lexuar, sigurisht edhe më i zorshëm për ta shkruar, kurse ngjarjet e përshkruara janë të tmerrshme. Ai të mbanë të lidhur emocionalisht dhe nuk mund t’i shqitesh deri në fjalinë e fundit. Dhe është mirë që këtë roman ta lexojnë të gjithë, përveç atyre që i kanë përjetuar këto tmerre. Është mirë të përkthehet të paktën në anglisht e frëngjisht. Zëri i ngritur në këtë roman është i prekshëm, është edhe  njerëzor (Natalia), por më shumë  çnjerëzor – Zllatko me të gjithë kriminelët e tjerë të cilët kanë inspiruar, planifikuar, urdhëruar dhe ekzekutuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë. Romani është i përshtatshëm edhe për ekranizim.

(Solli për botim në ZSh, redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj)