E enjte, 25.04.2024, 07:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Individualiteti krijues dhe shoqëria

E premte, 13.07.2012, 08:56 PM


INDIVIDUALITETI KRIJUES DHE SHOQËRIA

(Instikti i superioritetit)

Nga Remzi Limani

Barra e përditshmërisë së njeriut është arsyeja e shëndoshë për të mënduar se si të zhgarkohemi nga mbingarkesat e panevojshme të kohës. Shpeshherë pa të drejtë bëhemi të paarsyeshëm dhe me nguti sa bën flurudha e plumbit, kërkojmë të çlirohemi nga hijet e një kohe të vrarë dhe shtrëngimet e errësirës së pa frymë e cila na mban shpirtin peng. Për t`u çliruar nga e keqja e huaj duhet ta fusim në funksion të mirën tonë, e cila rri e fjetur në kokat e të zgjuarëve, të cilëve nuk u jepet rasti që mendjet e tyre t`i fusin në funksion të së mirës dhe njerëzores. Pra, nuk duhet të mashtrohemi me imazhet e një jete të rreme, ngase, jeta është si një borgjeze e llastuar. Na bën të mendojmë për monedhat që hidhen tregjeve gjithandej, ndërtesave shumëkatëshe e në komoditet mbretërish. Në këtë kuptim, shumë prej nesh, pa e lodhur mendjen vrapojmë pas imazheve mashtruese, duke harruar se jeta ndërtohet me durim e shpresë, me falje e pendime për gabimet tona nëpër kohë e hapësirë. Të bësh budallallëqe është njerëzore thotë një fjalë e urtë popullore por, të këmbëngulësh në budallallëk është djallëzore. Për këtë budallai ndihet krenar pasi ta ketë bërë budallakinë e tij.

Njeriu i kohës, në vazhdimësi duhet studiuar peshën e barrës së tij – gjithmonë në pajtim me arsyeshmërinë, kohën dhe hapësirës për hulumtimin e zgjidhjeve të reja, më të avancuara në kërkim të së mirës për ta mposhtur barrën e së keqës nëpër kohë. Prandaj, duke i shfrytëzuar të gjitha energjitë e mendjes krijuese dhe kreativitetin e pafund të të mirave materiale dhe kulturore që mund t`i prodhoj mendja e njeriut, duhet dhënë vetes detyrat themelore për krijimin e një shoqërie polivalende dhe fuksionale në disponim të individit krijues, vlerave nacionale dhe ideve të dala nga fryma jonë dhe forca e të menduarit pozitiv. Pra, nëqoftëse nuk ndryshohet formanti i individit, logjika dhe mënyra e ritmit të punës për krijimin e një shteti funksional dhe të vërtetë, atëherë do të jetë dëshpruese dhe tej mase depresive të jetosh pa ndjesinë e të ardhmes.

Mendimi superlativ për vetveten i mbështjellë me megalomani, adhurimi dhe gritja e kultit ndaj personalitetit vetjak të tipit egocentrik, s`është asgje tjetër përveçse sëmundje e individit – që e bën ta konsideroj vetveten qendër të gjithçkaje. Ky mendim destruktiv i dëmshëm për të dhe gjithë shoqërinë tonë, vjen si pasojë e egoizmit dhe vetadhurimit. Pra, vetadhurimi i sëmurë që nxjerrë në pah vetëkënaqësinë e individit flet qartazi për individin pushtetar dhe politikën e tij si pjesë e superstrukturës shoqërore, që në fakt pasqyron paaftësinë e tij për t`u lidhur me botën që e rrethon. Në këto rrethana me frymë prej mendjetrashëve dhe bindja e tyre se janë të vetmit që mund ta drejtojnë botën me bindjn se të gjithë të tjerët duhet të sillen rreth tyre, është çmim i lartë të cilin duhet ta paguaj shoqëria për pasojat e shkaktuara nga individi shkurtpamës. Individët e tillë duhet ta kuptojnë sa më parë se: bota është e madhe dhe brenda saj frymojnë miliarda njerëz, karshi të cilëve mund të dukemi askushi në raport me vlerat njerëzore dhe ato intelektuale. Në këtë kuptim, sa më parë që ta njohin vetveten tonë, aq më shpejt do t`i njohin të tjerët dhe vyrtytet njerëzore në funksion të së mirës, që superstruktura shoqërore të jetë konstruktive dhe të funksionoj si një familje e mbarë dhe, gjithë të tjerët t`i konsideroj anëtarë të barabartë të saj, t`i shpërblej sipas kontributit të dhënë dhe t`i sanksionoj sipas peshës së gabimeve të bëra...

Në shoqëritë e pasluftës, aty ku qëllimisht ngulfatet zëri i qytetarisë dhe i individit intelektual në kuptimin e mirëfilltë të njeriut krijues me vlera dhe ide progresive dhe, në vend të tij, na servohet tipi i individit anonimus si produkt i shoqërisë në pushtet, natyrshëm vjen deri te pakënaqësitë e ndryshme... Prandaj, akomodimi i individit anonimus në fronin e pushtetarit, pa kualifikimet e duhura përkatëse dhe intelektuale, verbërisht fillon të ndërtoj instiktin e superioritetit ekstrem karshi të tjerëve. Fatkeqësisht, e tërë kjo gati se ndodh në mënyrë legjitime, ngase në garat për pushtet, në frymën e votimeve dhe manipulimeve me votën e qytetarit dhe vota tradicionale, të cilën e rrumbullaksojnë militantët e partive politike, individit pushtetar sërish ia sigurojnë pushtetin e tij. Prandaj, individët në shërbim të partive politike, na servohen si eprorë ekzekutiv nëpër shumë institucione publike, të cilat funksionojnë nën ombrellën e pushtetit. Kjo dukuri është pjellë e frikës nga humbja eventruale e pushtetit dhe elektoratit tradicional. Partitë në pushtet, me nguti i bëjnë improvizimet e infrastrukturës me “kuadro” të cilat parësisht i mbrojnë interesat partiake dhe më pastaj i realizojnë edhe ato personale. Në këto situata, zëri i popullit, nga mospërfillja e pushtetit përjeton një afoni nga tmerri i kohës, duke mos u dëgjuar zëri i tij dhe i arsyes për të qenë të pranishëm në ndërtimin e institucioneve me kuadro profesionale. Këtu, pashmangshëm vjen deri te përplasjet dhe antagonizmave ndërmjet individit krijues dhe individit mediokër, ndërmjet shkencëtarëve dhe alkimistëve diletantë, që synonin ta zbulonin të ashtuquajturin “Gurin filozofik”, çudibërës me anë të cilit kujtonin se do t`i shndërronin metalet e tjera në ar e argjend. Prandaj, beteja për lirinë e vërtetë dhe promovimin e vlerave të mirëfillta pason si rrjedhojë e së keqës nga pushteti muskulator!…

Kjo situatë ma kujtojn filozofin Erazmo Roterdamin dhe librin e tij “Lavdërim marrisë”. Tani, vërtet krijohej absurdi i kohës dhe i hapësirës, kur lajkatarët dhe të korruptuarit i quajnë të “zotët”, për faktin se ata i krijuan të gjitha brenda natës pa asnjë mund. Ndaj, këtu krijohen hendeqet midis njerëzores dhe egoizmit, midis individëve të arsyeshmëm dhe të marrëve, të cilët po ashtu ma kujtojnë poezinë e shkrimtarit, Ali Asllani, të cilën e shkroi këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, të cilën me disa vargje më duhet t`ua rikujtoj lexuesve në këtë shkrim të kohës së sotme:

 

HAKERRIM

 

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

 

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,

ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,

ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!

 

Së këndejmi, individualiteti krijues duhet të zhvillohet dhe krijohet në kuadër të shoqërive të zhvilluara qytetare dhe brenda dimensioneve edukative ku kompetenca akademike verifikon dhe vlerëson vlerat njerëzore dhe krijuese. Andaj, jo rastësisht, veprimtaritë shoqërore dhe institucionet e mirëfillta lindin dhe zhvilloohen nga bazat e mendjeve të ngritura të individëve në cilësinë e përfaqësuesëve të një shoqërore të denjë. Në këtë mënyrë, lindin konceptet e reja të moderuara, principet dhe normat mbi pozicionet e shoqërisë së re dhe afirmimet e vlerave intelektuale. Pra, kjo është mënyra më e mirë dhe qasje adekuate e një politike të sofistikuar sociale në funksion të qytetarëve dhe individit krijues. Për këtë arsye, qasja e një politike ndryshe, eleminimi i dobësive shoqërore dhe identifikimi i vlerave të reja për një të nesërme të avancuar dhe zhgarkimi nga barra e të marrëve është domosdoja e jonë – nëse mendojmë të jemi aty ku qëndrojnë të merituarit. Pra, ideja themelore dhe kërkesa legjitime e individit krijues është: që kreativiteti i tij të zë vendin e duhur dhe të ketë status të mirëfillt shoqëror si pjesë përbërëse e një shoqërie me vyrtyte demokratike. Përndryshe, margjinalizimi, denigrimi dhe trajtimi joadekuat i shoqërisë ndaj individit nuk mund të kuptohet ndryshe veçse koncept i një shoqërie të devijuar.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora