Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Kondoliza Rajs për nën-presidente?

| E premte, 13.07.2012, 07:59 PM |


KONDOLIZA RAJS KANDIDATE PËR NËN- PRESIDENTE?

Nga Frank Shkreli

Media të ndryshme këtu në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar ditët e fundit se kandidati i Partisë Republikane për president, Mit Romni është duke konsideruar të njoftojë se shpejti kandidatin ose kandidaten e tij të preferuar për nën president, në kundershtim me praktikën tradicionale kur kandidati për nënpresident njoftohet zakonisht në kuvendin e përgjithshem të partisë në muajin gusht. Janë përfolur disa emëra kandidatësh, por asnjë aq serioz që të tërheqë vëmendjeen e kujt deri të Ënjtën mbrëma kur një numër burimesh mediatike dhe të tjera njoftojnë se ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs në administratën e Presidentit Xhorxh Bush është tani në krye të listës të ëmrave që po konsiderohen seriozisht nga kandidati republikan për president, Mit Romni.

Një ndër këto burime që po citohet sonte është portali konservativ Drudge, i cili citon ekskluzivisht burime që ai thotë se janë afër fushatës së Mit Romni, e të cilat thonë se Kondoliza Rajs është kandidatja e preferuar dhe se emëri i saj kryeson listën e kandidateve të mundëshëm për nën-president. Megjithse njoftimi zyrtar për kandidatin për nënpresident, nuk pritet të bëhet edhe disa javë, zhurma rreth emërit të Kondoliza Rajs, në këte kohë, të le të nënkuptohet se kandidatura e saj duhet të merret seriozisht. Sipas portalit Drudge, Kondoliza Rajs u duartrokit me ovacione në një takim të kohëve të fundit në shtetin Utah, gjatë të cilit thuhet që ajo të ketë paraqitur një argument të fortë e të gjithanshëm për një udhëheqje të fortë amerikane në botë. Ditët e fundit, sipas këtij portali, ajo u ka dërguar perkrahësve të saj një komunikim nepërmjet internetit e në të cilin ajo citohet tu ketë thene atyre se "viti 2012 mund të jetë një vit pikëkëthesë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës."  Ajo citohet se i ka paralajmëruar përkrahsit e saj se "zgjedhjet e këtij viti janë ndër më të rëndësishmet në jetën tonë. "Shpesh më kërkojnë të flas në lidhje me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara si edhe mbi sfidat me të cilat do të përballen Shtetet e Bashkuara në të ardhmen. Mirëpo, ne nuk do të kemi mundësi të merremi me asnjë prej këtyre sfidave ndërkombëtare, nëqoftse më së pari nuk rregullojmë punët e mbrendshme dhe ekonominë."

Lajmi për kandidaturën serioze të Kondoliza Rajs vjen pasi bashkshortja e kandidatit republikan Ann Romni është cituar në media të ketë thenë se emërimi i një gruaje për nënpresidente do të përmirësonte dukshëm mundësitë e bashkshortit të saj Mit Romnit për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të Nëntorit. Vetë Zoti Romni është shprehur se kandidati i tij për nënpresident duhet të ketë të gjitha afteësitë dhe përvojën, si dhe të jetë i gatëshem për të marrë në dorë detyrën e presidentit nëqoftse paraqitet nevoja.

Kondoliza Rajs është përmendur shpesh si kandidate e mundshme për nënpresdiente e kandidatit të Partisë Republikane për president Mit Romni, por ajo ka thënë se ështe e kënaqur si profesoreshë në universitetin Stanford të Kalifornisë. Madje gjatë një interviste me rrjetin televiziv amerikan CBS, pyetjes nëse ajo do të pranonte kandidaturën per nënpresidente, ajo iu përgjigj në menyrë kategorike me një JO absolute. Por ajo nuk kishte si të përgjigjej ndryshe me këte rast, pasi nuk kishte një propozim zyrtar nga kandidati për president, Mit Romni.

Cilido qoftë vendimi i Zotit Romni, fakti është se Kondoliza Rajs do të ishte një kandidate e shkëlqyeshme për nën president. Shumë veta pyesin se ç’pret Mit Romni që nuk e emëron Kondoliza Rajs kandidate për nën-presidente ashtuqë, në këte mënyrë, të përqendrohet në javët dhe muajtë e ardhëshëm të fushatës së tij, në përpjekjet për të bindur popullin amerikan se ai është një kandidat më i mirë se kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe financiare si edhe, sipas tyre, për të rivendosur rolin e duhur dhe të nevojshëm të Amerikës në arenën ndërkombëtare. Kondoliza Rajs mund të siguronte përkrahje nga dy grupe demografike -- në radhët e femërave dhe të afrikano-amerikanëve -- dy grupe këto që siç duket tani Mit Romni nuk ka aq shumë përkrahje në radhët e tyre.

Përvoja e Kondoliza Rajs në politikën e jashtme, inteligjenca e saj natyrore si edhe eskperienca e saj në qeveri dhe në sektorin privat, e bejnë atë një kandidate të shkëlqyeshme dhe serioze për nënpresidente të Shteteve të Bashkuara.