Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Patriotë dhe tradhtarë!

| E premte, 13.07.2012, 06:07 PM |


Patriotë dhe tradhtarë!

Për aleancat e partizanëve- “nacionalçlirimtarë”dhe të nacionalistëve -  “kolaboracionistë” në Luftën e Dytë Botërore dhe më vonë.

Shkruan: Gani MEHMETAJ

Në historiografinë dhe në politikën shqiptare ende nuk është gjetur kush është patriotë e kush tradhtar. Nëse një grup politikë a ushtarak për njërën palë është patriotë, për tjetrën automatikisht është tradhtarë. Në mendësinë e dy taborëve ende ka mospajtime të ashpra për ata që bashkëpunuan me armikun dhe për ata që u bënë me mikun, sikurse që ka përzgjedhje të çoroditur në përcaktimin kush ishte armik dhe kush mik. Për partizanët- “nacionalçlirimtarë”, serbët e jugosllavët ishim miku i tyre më i madh, megjithëse Serbia e Jugosllavia ishte gjatë gjithë kohës armiku më i tërbuar i shqiptarëve. Krimet më monstruoze pas luftës i bënë “nacionalçlirimtarët” shqiptar në Shqipëri dhe “nacionalçlirimtarët” serb e malazez në Kosovë. Ata vranë njëqind fish më shumë shqiptarë se sa pushtuesit italian e gjerman së bashku. Armik i tërbuar i shqiptarëve ishte edhe Rusia, po ja për “nacionalçlirimtarët” partizanë “Rusia mëmë” ishte aleati kryesor.

Ndërkaq, e kundërta e tyre, nacionalistët “kolaboracionistë” aleatë i konsideronin Britaninë e Madhe dhe SHBA-të, Gjermania naziste ishte një aksident historik, tepër e fuqishme që t’i kundërviheshin pa ndihmën e të mëdhenjve.

Kush ishte tradhtar e kush patriotë në këtë rast-partizanët që u lidhën këmbë e kokë me armikun më të tërbuar të shqiptarëve-Serbinë e Jugosllavinë, apo nacionalistët që tentuan të vënë kontakt me aleatët, sidomos më Britaninë e Madhe. Historia ideologjike që e kemi mësuar nëpër shkolla në Tiranë dhe në Prishtinë na thotë se partizanët shqipfolës (sepse ata shqiptar s’mund të jenë)-vegla të serbëve e të rusëve qenkan patriotë, ndërsa nacionalistët që refuzuan të bashkëpunojnë me Serbinë, Jugosllavinë e Rusinë, qenkan tradhtar!

Mjerë ata që e besojnë këtë gjë dhe që përpiqen t’ua imponojnë edhe të tjerëve. Mjerë ata që e mësojnë edhe më tutje këtë gënjeshtër të madhe.

A ka përfunduar lufta civile?

Në debatet të cilat vijnë e përshkallëzohen në mënyrë të tillë që vetëm sa nuk shpërthen ndonjë batërdi, ke përshtypjen se lufta civile e “nacionalçlirimtarëve ”, kundër nacionalistëve nuk ka përfunduar. Nipat dhe mbesat e Enver Hoxhës e mbajnë të ndezur zjarrin e urrejtjes, ua kujtojnë ku e ku nacionalistëve se, jo vetëm nuk janë penduar për luftën vëllavrasëse e krimet që bënë, por sikur të kishin mundësi do ta thellonin. Është çështje tjetër që rrethanat kanë ndryshuar, por pasardhësit e Enverit, në pamundësi të vazhdimit të luftës me armë, bëjnë luftë propagandistike, duke i fyer e denigruar viktimat. Të habisin edhe historianët e sotëm të majtë që dërdëllisin sikur dikur propagandistët e Enver Hoxhës. Xhelatët e djeshëm dhe bijtë e tyre vazhdojnë të fyejnë nacionalistët dhe frymën e tyre. Historianët e majtë, pinjoll të komunizmit të Enver Hoxhës në këtë qasje s’kanë pësuar asnjë ndryshim, truri i tyre nuk është riparuar: mbreti Zog, apo Abaz Kupi, Mehdi Frashëri apo Gjergj Fishta, janë të tillë çfarë i ka cilësuar Enver Hoxha. Madje edhe lëvizja e famëkeqit Haxhi Qamili trajtohet kryengritje fshatare! Ata që e mbrojtën kombin, apo që ishin koka e kombit janë tradhtar, ndërsa ata që e masakruan kreun e kombit janë patriotë!

A ka absurd e cinizëm më të skajshëm?

Kush e kthen orën prapa? Kush ishin aleatët e kush okupuesit? Për shkak të kompromisit, apo për shkak se brezat janë rritur me edukatë ideologjike, ende sot e kësaj dite nuk është zhveshur krimi i partizanëve, të vetëquajtur “nacionalçlirimtar”.  Partizanët shqiptar nuk e çliruan vendin nga pushtuesit gjerman, por ushtria naziste u tërhoq nga Greqia e nga Shqipëria, sepse pësoi disfatë në Normandi e Stalingrad. As partizanët jugosllavë nuk e çliruan shtetin e tyre, Jugosllavinë e çliroi Armata e kuqe, derisa gjermanët tërhiqeshin drejtë qendrës së tyre. Megjithatë partizanët serb e shqiptar bënë ushtri të madhe për të qëruar hesapet brenda shtetit me kundërshtarët politik e ata imagjinarë.

Partizanët shqiptarë e serb vranë shumë shqiptar

Për çka mund të mburren partizanët shqiptarë, apo partizanët serbe e jugosllavë? Mund  të mburrën se vranë shumë-shumë shqiptarë. Në Kosovë e territoret etnike pas tërheqjes së ushtrisë gjermane, partizanët serb e malazez vranë mbi 50 mijë shqiptarë, shpërngulen mbi 250 mijë të tjerë në Turqi e Perëndim, mbajtën nën terror pjesën e mbetur të popullatës vendëse, duke i torturuar më metodat me çnjerëzore. Partizanët shqiptar kryen pjesën tjetër të direktivës së  Beogradit- pushkatuan mijëra shqiptarë: intelektualë, patriotë, klerikë katolikë dhe të gjithë ata nacionalistë që e kundërshtuan aleancën me Serbinë e Jugosllavinë, apo që kërkuan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Lufta “nacionalçlirimtare” në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të trajtohet si tragjedi, e barabartë me tragjedinë që nazistët u shkaktuan hebrenjve në Gjermani e Poloni. Ditën e 29 nëntorit, kur thonë bandat partizane se e çliruan Shqipërinë, duhet ta shpallim ditë zie e pikëllimi e jo ditë çlirimi. E para, sepse u legjitimua në qytetin Jajce të ish-Jugosllavisë ri okupimi  i Kosovës dhe i territoreve etnike shqiptare, meqë me atë datë u shpall Jugosllavia e re. E dyta, sepse duke e kopjuar Jugosllavinë, partizanët shqiptar në mënyrë servile e bënë edhe ata 29 nëntorin ditë të çlirimit, duke e lënë nën hije 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë.

Çdo glorifikim i këtyre kriminelëve do të duhej të ndëshkohej, ashtu sikurse bëhet në Gjermani, kur mohohen krimet naziste. Komunistët dhe partizanët do të duhej të shpalleshin të jashtëligjshëm, sepse gati e hodhën kombin në humnerë.

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nuk do të duhej të kishte më mëdyshje kush ishin partizanët dhe kush nacionalistët. Duhet të thuhet troç se partizanët “nacionalçlirimtar” bënë krimet monstruoze, se ishin formacione vrastare, të përgatitura dhe të dirigjuara nga  serbët. Metodat e tyre të veprimit ishin terroriste, mizore dhe brutale ndaj bashkëkombësve, servile e puthadorë ndaj punëdhënësve të tyre serb e jugosllavë.