E marte, 23.04.2024, 02:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Dimërimi i buzëve të saj...

E premte, 13.07.2012, 07:47 PM


KRISTAQ TURTULLI

DIMËRIMI I BUZËVE TË SAJ...

... Megjithatë jo, lodër e verbër e erës..

...Kisha qënë fëmijë harrakat si gjithë çamarokët e lagjes së vjetër " Pali Hunda". Bridhnim skutë më skutë, gërmadhë më gërmadhë, për të mbledhur kuti konserve apo shishe plastike të ndyera, të hedhura rrëmujshëm. Duke qëlluar me gurë minjtë e mbedhenj bojëhiri. Duke qëlluar kutitë dhe kacavjerur nëpër drurët frutorë të senatoriumit. Dallohesha për shkathtësi, i fshihesha mjeshtërisht rojes së senatoriumit, një burri të gjatë, si gërdallë, që e thërrisnin "mama dhi", kur largoheshim nga territori i rrezikshëm, dhe krahu i tij i gjatë.

Ato vite të fëmijërisë ishin kohë të shkujdesura pa zap e pa stap. Por një ditë e pata pisk, gjatë vrapimit të harbuar, për të mos rënë në duart e "mama dhisë", pa kuptuar u fsheha në një dhomë të veçuar, larg godinës masive të spitalit, fare pranë pemëve frutore. Nga plasat e derës vështroja vrapimin dhe shfryrjen e rojes "mama dhi". Ai u largua tutje, humbi mes drurëve. I lehtësuar kafshova pjeshkën dhe gojsa m'u mbush me lëngun e ëmbël. U ktheva ngadalë duke u përtypur ngeshëm. Tre hapa larg meje mbi tavolinë dallova diçka të mbuluar me çarçaf të bardhë. Gjithë shkujdesje u afrova. E zbulova. U mpiva. Pjeshka e thërmuar më shkau nga goja dhe u rrokullis në kanatjere. I gozhduar, pa mundur të lëvizja duar e këmbë, as qerpikët, vështroja. Përpara meje qe një njeri i shtrirë, një krah ndehur larg meje. Ishte një vajzë flokëverdhë, që dukej sikur flinte, pas një lodhje të gjatë. Pas një copë here e mora veten. Mekanikisht zgjata dorën e preka butas si ta zgjoja. I ndjeva ftohtësinë e mermertë. U drodha. Megjithatë qerpikët e gjatë i krijonin hije të lehtë mbi mollëza, si drithërimë vjeshte.

Isha i bindur se flinte. Por ajo ishte krej lakuriq, mbuluar me një çarçaf të hollë, në ambient të ftohtë pa diell..!

Ndjeva një farë keqardhje për këtë moskokëçarje të njerëzve. Ishte pa dyshim e dhimbshme, për njeriun që flinte, si dhe për të tjerët që e kishin lënë ashtu, në një lakuriqësi të zbehtë dhe indiferencë të plotë...

Mbi të gjitha nuk kisha parë kaq afër dhe ngeshëm një femër lakuriq dhe paturpërisht duke treguar gjithçka, që kushdo mundet ta fshehë me sa mundet. Përpara se ta zgjoja, duhej ta kqyrja me nge. Ajo ishte aq e bukur, si një lule pranvere. Qerpikët e saj vazhdimisht lëshonin hije mbi molëzat e zbehta. Mora guximin, duardridhur preka gjoksin e vogël, m'u duk shumë i fortë dhe tmerrësisht i akullt. Nuk i vura rëndësi dhe asnjë faj vajzës së bukur. Kështu lakuriq në ambientin e ftohtë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Matanë rrugës dëgjova ulërima, sharje dhe skërmitje. Dallova vërdallosjen e nervozuar të rojes së spitalit, 'mamadhi'. U mbështeta pas murit me ndjenjën e frikës, se ndoshta roja shtynte derën dhe hynte brenda dhe më mbërthente për fyti me panxhat e mëdha si lopata. I tmerrshmi 'Mama dhi' u përdrodh boa mes pemëve frutore.

U afrova kujdeshëm drejt lakuriqësisë femërore, shtrirë aty mbi tavolinë. Fillova ta prekja, pa i vënë rëndësi ftohjes së mollëzave të gishtrinjve. Vërtet nuk isha plotësisht i rritur, por dhe fëmijë nuk isha sepse kisha ndjerë së thelli hovjet e brendëshme trupore. Çuçurisnin qosheve me shokët, e qeshnim me zë, për ndonjë fërfëritje fustani apo zbulim aksidental kofshësh. Një ditë vura bast me një shok, të vrojtoja dhe të zbuloja kujdesshëm ‘Gjënë sekrete’, që fshihej nën fustanin e pastrueses së shkollës Juli. Sipas fjalëve të përhapura nëpër shkollë besohej se pastruesja Juli nuk mbante asnjëherë brekë. Bastin e fitova, pastruesja Juli nuk mbante brekë dhe ‘Gjëja sekrete’ mbuluar me push të errët më  hutoi, aq sa nuk vura re kur mu vërvit pas kokës fshesa e madhe e pistë që Julia fshinte korridoret dhe u gremisa nëpër shkallë si top furbolli.

Një hop më mbërtheu drithërima. Vajzë ishte vërtet shumë e bukur dhe qeshë plotësisht i bindur, që nuk më kishin zënë kurrë sytë të tillë dlirësi. Ndoshta bukurinë ia shtonte lakuriqësia e shpenguar, e mrekullueshme dhe pa kokëçarje. Mbase bukuroshja e heshtur ishte mërzitur së fshehuri nën petk sekretet e mëdha dhe trupin e derdhur. Kështu befas i shkrepi në kokë, të futej në këtë dhomë të mënjanuar, të zhvishej krejt lakuriq, të shtrihej mbi këtë tavolinë dhe në çastin e mbërdhinjës u mbulua me çarçaf.

I shtrëngova gjirin e plotë, ndjeva mollëzat e gishtërinjve që ngelën mbi të. Me siguri duhej të kishte pirë ilaç për gjumë, përderisa nuk ndjeu shtrëngimin e gishtrinjve të mi. Në fillim prekjen dhe vëzhgimin e vajzës e mora si lodër, befasi të këndshme, të pa hasur kurrë më parë. Sigurisht për mendimin tim ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, krejt ndryshe nga zhbirimi i rastësishëm nga poshtë fustanit të pastrueses dhe rrëzimi im i rëmbyeshëm nëpër shkallë, apo nga një trazim i rrëmbyer i ndonjë çapaçuleje të klasës. Ky ishte një hap i hatashëm, për të shqyrtuar gjithçka që nuk mundja më parë. Ky rast për gjithë shokët e mi ishte pamundësi. I preka flokët e gjatë e të verdhë, m'u duk sikur kërcitën, lëshuan një shkëndijim ndër gishtërinj, aq sa u tremba dhe nxitimthi largova dorën.

Kaq mjekim i fortë për gjumë të ish vallë sa vajza s'po zgjohej, e të vështronte përreth si dhe praninë e dikujt që kqyrte lakuriqësinë e shkujdesur dhe maramendëse.

Vështrova hijen drithëruese që i krijonin qerpikët e gjatë mbi mollëza. Mu duk sikur ajo hije shtrihej ngadalë, po bëhej gjithnjë e më sunduese. I preka mollëzat, si ta largoja këtë hije, e të ishte e zbardhur si më parë. Gishtrinjtë e mi shkanë lehtazi gati pa ndjerë mbi hundën e drejtë, si të gdhendur, lëvizën më poshtë, butë, ëmbël mbi buzët e plota, të zbehta, të ftohta. Gishtrinjtë qëndruan një copë herë aty, drithma, si për të vërtetuar plotësisht në ishin prej mishi, apo prej diçkaje tjetër, që e bënte ashtu siç flinte tmerrësisht të largët, e jo ballë për ballë në të, në një ambjent kaq të ngushtë. Për herë të parë në jetën time po ndjeja topitje të gjithanshme dhe dëshirë të çakorduar njëherësh...Sikur isha tjetër njeri dhe jo ai djalë që kisha mbushur me pjeshkë kanatjeren e vjetër dhe të shqyer tek cepi nga nxitimi teksa kërceja nga pema dhe vrapoja sa më hanin këmbët nga 'mama dhia.'

Një çast më mbërtheu frika, po sikur vajza të zgjohej, e të më sulej dhe të më zgërlaqte me gjithë rroba. Me siguri doza e ilaçit për gjumë ishte shumë e fortë, ndaj e mposhta frikën. Më thanë të drejtën s'do të kisha kurajo të përballesha me këtë femër, paçka se ishte krejtësisht lakuriq. Mbi të gjitha do të më rëndonte ndjenja e fajit të panjohur.

Nuk kisha guxim t'i prekja përsëri flokët, më trembte shkëndijimi. U zgjata ngadalë, me shumë kujdes, me frikën e zgjimit të vajzës dhe përgjegjësisë së fajit. vendosa buzët mbi cepin e buzëve të saj. U largova vrulltas. S'u ndje asnjë reagim. Atëhere mora guximin dhe i puthita buzët mbas buzëve të saj. Çuditërisht nuk ndjeva asgjë përveç një akullsire të lemeritshme, por ajo ishte puthja ime e parë, buzë për buzë, ndaj fajësova mosnjohjen time dhe asgjë më shumë... megjithatë nuk guxoja ta puthja më. Gjithsesi atë çast puthjet buzë për buzë m'u dukën marroqe, ta pakuptimta, përderisa ishin aq të ftohta. Buzët e plota të vajzës m'u dukën të njomura...

Gati harrova dimërimin e buzëve të vajzës, të cilat më ngjasuan nga ftohtësia me copërat e akullit, që këpusnim nga streha e shtëpisë, i lëpinim gjithë kërshëri, aq sa na mpiheshin buzët, dhëmbët dhe na digjte gryka. megjithëse nuk ndjenim ndonjë shije të veçantë, përsëri i lëpinim me ngulm. Lëpirja vazhdonte derisa akulli shkrihej dhe uji na hynte tinëzisht në mëngë...

Një hop m'u bë sikur vajza po përpëliste qerpikët e gjatë, gati sa nuk më ngriu gjaku nga frika. Bëra tre hapa prapa. Shpina m'i ngjesh mbas murit të pasuvatuar. Sikur të ngrihej dhe të gremisej drejt meje, të bërtiste, të më hakërohej, pse jo mund t'i ngulte gishtërinjtë në fyt dhe unë do të përpëlitesha fare pranë lakuriqësisë si një zog i trembur e pa shpresë. Hutimi t'i shkurton krahët.

Prita një copë herë. Asgjë nuk ndodhi. Vajza vazhdonte të qëndronte shtrirë, krejt zbuluar, me çarçafin, që ia kisha flakur ndër këmbë. Përderisa po shqyrtoja ngeshëm e me qëllim nudizmin e femrës, nuk isha më fëmijë që, të kacavjeresha nëpër pemë për të vjedhur pjeshka, ndaj duhej të mblidhja veten, ndryshe të ikja me vrap e të lija këtë vajzë qetësisht. Mora guximin iu afrova sërish. Përsëri habia më cytte në mendime, si mund të qëndronte kaq gjatë, zhveshur dhe të mos ndjente ftohtë! E puthura ishte e fortë, si të ndjeja njomësinë e buzëve të saj. Kaq e vështirë të ishte puthja. Pse është kjo mani çmëndurake e njerzve të etur marrëzisht pas puthjes, kur ato janë tmerrësisht të akullta? Vetëtimthi më mbiu një mendim. Preka me kujdes trupin e vajzës që nga majërat e gishtërinjve të këmbëve, në gjunjët, kofshët, deri tek gjoksi. Aty tek gjinjtë dorën e mbajta më gjatë. Vajza kishte kohë që qëndronte e ngrirë, palëvizur, pafrymë, Ndërkohë dita po thyhej. Dhoma kish vetëm një dritare të vogël, krah murit të lartë të spitalit. Drita depërtonte si e mekur, ambienti po përmbytej ngadalë nga terri. Trupi i lakurqtë i vajzës, dukej sikur po zhvendosej, largohej flluidshëm, mbështjellë me errësi.

E dridhura mi mbërtheu fillimisht majërat e këmbëve, u përhap me shpejtësi në gjithë trupin. Ç'mund të bënte kjo vajzë gjithë natën e zhveshur, mbuluar me një çarçaf fare të hollë! Ta hajë dreqi, a mund të ishte kaq marrëse kjo vajzë e bukur. Ajo nuk duhej të qëndronte kurrësesi kështu, e zhveshur, në një dhomë shumë të ftohtë, për orë të tëra. Dëshira për ta zgjuar ishte shumë më e fortë se gjithçka tjetër, ndaj e shkunda nga shpatullat. Vajza nuk po zgjohej! Përse?! Dhoma po përfshihej nga një errësirë e madhe. Më mbërtheu ankthi dhe frika. Ngrita çarçafin e mbulova, duke vështruar me frikë dhe me keqardhje vajzën e hijshme. Eca nxitimthi së prapthi. Hapa derën. Dola. Befas u gjenda në duart eshtake të 'mama dhisë'.

- Të zura zuzar, - hunguriti 'mama dhia'.

- Më zure, - ia prita.

- Ishe fshehur në dhomën e të vdekurve hë, kujtoje se do të më shpëtoje.

Trupi m'u drodh si gjeth dhe murmurita me naivitet.

- Aty ishte një vajzë.

- Çfarë, -ia pat mama dhia dhe ia plasi të qeshurit me të madhe, po rritet me të vërtetë një brez i çmëndur. Çfarë doje të gjeje zotrote aty, Ufo?

Roja vazhdonte të qeshte me të madhe, gishtërinjtë po dobësonin shtrengimin nga supet e mi. U shkëputa me vrull dhe ia krisa vrapit. 'Mama dhia' as që çau kryet për ikjen time, por vazhdonte të qeshte pa ndrërprerje.

Për të larguar topitjem dhe të papriturën, hipa në murin e lartë të  senatoriumit, kërceva furrishëm aty, përpak sa nuk ndrydha këmbën. Turra vrap në çezmën më të afërt. Futa duart në ujin e rrjedhshëm. Fillova t'i kruaja mbas postafit me furi. Fërkova fytyrën, buzët, duke përhapur gjithandej cerka pështyme...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora