E premte, 19.04.2024, 12:53 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Një replikë, me shumë druajtje, profesorit të nderuar, z. Paskal Milo

E enjte, 12.07.2012, 06:34 PM


NJË REPLIKË, ME SHUMË DRUAJTJE,  PROFESORIT TË NDERUAR, Zotit PASKAL MILO.

Nga Mërgim Korça

Tek e lexova intervistën e të nderuarit profesor Paskal Milos, ndërmjet katër intelektualëve të ndryshëm të intervistuar për “Gazeta SOT”, (lidhur me vlerësime figurash personalitetesh të së kaluarës), nisur nga jo pak kundërshtí që mu ngjallën rreth pohimeve të tij, një mëdyshje e theksuar më kaploi :  të replikoja ndaj thënjeve të profesorit apo më mirë të heshtja ?  Por, nga ana tjetër, vetë mënyra e pahijëshme se si profesori i nderuar, i cili dikur ka qenë jo vetëm mis (anëtar) qeverije por edhe hiç më pak se sa kryediplomat i vëndit tonë, i drejtohet personit të Kryeministrit duke nëpërkëmbur jo vetëm normat më fillestare të mirësjelljes qytetare pa lé të etikës diplomatike, fushë në të cilën profesori është specialist, kristalizoi dhe plotësoi në syt’e mij livelin e qytetarísë këtij të katapultuari në majat më të larta të shkencës, kulturës, politikës si edhe drejtimit të vëndit tonë.  Pse e theksoj se kësisoji u kristalizua dhe u plotësua para syve të mij figura e profesorit në fjalë ?  Sepse pa dashur aspak t’ia numëroja zotit Milo atë demonstratë të madhe në Tiranë të të dënuarve dhe të vuajturve nga diktatura, për t’iu kundërvënë vendimit që mori si edhe zbatoi ish ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme z.Paskal Milo që vendosi në sallën e hyrjes së Ministrisë Punëve të Jashtme  fotografitë e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, që në krye të shkëlqente portreti i diktatorit Enver Hoxha !  As nuk kisha ndërmënd të merresha me tubimin, me rastin e përkujtimit të Mbledhjes së Pezës, ku zoti P.Milo doli me … ato teza hymnizuese të tijat që gjithsecili i di rreth figurës diktatorit.  Shtoj këtu se nuk kisha ndërmënd të merresha as me enigmën kur si deus ex machina z.Milo nxorri letrën dorëshkrim të ish Kryeministrit Mehmet Shehu, [që kurrë nuk u muar vesht a ishte fotokopje, sepse origjinali i saj, (me sa jam unë në dijení), nuk gjëndet në dokumenta arkivore, kurse po të qé ORIGJINALI, a ka se si profesori i nderuar e ka përvetësuar nga materiale arkivi ?].

Pra, nisur nga qëndrimi i tij përgjatë intervistës në fjalë, dhe unë prirem t’ia ve në dukje pa as më të voglin mllef, sepse gjithsecili bën të tijën, kundërshtít’e mija sa u takon pohimeve të profesor Paskal Milos të cilat fillojnë që në krye të intervistës tek pohon se “… pa llogaritur këtu Ahmet Zogun, i cili përveç akuzës për vrasjet e Bajram Currit, Avni Rustemit, etj, ka shitur tek jugosllavët edhe Shën Naunin. Dhe pa llogaritur faktin tjetër se ai bëri pakt me jugosllavët për kalimin e Shqipërisë brënda shtetit jugosllav …”  Me sa më rezulton mua, nuk egziston asnjë pakt as me Sërbinë e as me nëntë njësitë jugosllave të Karagjeorgjeviçit për t’a inkuadruar Shqipërinë e asaj kohe brënda saj.  Aq më tepër sepse, me aq sa di unë, nuk ka pasë egzistuar asohére akoma një shtet i quajtur mirëfilli Jugosllaví !   (Konfederata e Jugosllavisë është shpallur zyrtarisht me atributet e një Shteti Jugosllav më 29 Nëntor 1945, së rishmi me aq sa di unë). Gabim shprehjeje e zotit historian ? Mundet. Mbase ai, duke e patur disi të mbingarkuar kujtesën historike, pa asnjë mbrapamendim të keq të na i pështjellojë mëndjet tona, që e ndjekim profesorin e nderuar me shumë vëmëndje të mësojmë prej tij në këtë lëmë, i ka ngatërruar emrat e dy drejtuesve të vëndit tonë dhe mënyrën se si u shpreh Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.të Partisë më 15 Dhjetor të vitit 1947 ku tha shprehimisht : “…Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË ...” si duket gabimisht dhe pa asnjë keqdashje, profesori i nderuar i a ka mveshur sikur e ka thënë Ahmet Zogu !   Gabime që ngjasin .

Në vazhdim jam i detyruar t’ia paraqis lexuesit shprehimisht pyetjen drejtuar zotit P.Milo nga intervistuesi : “…Berisha thotë shprehimisht se : “Abaz Kupi nuk ka bashkëpunuar as me gjermanët, as me komunistët”. Ju si mendoni ?”  Përgjigja e zotit P.Milo ësht’e prerë, kategorike :

“Abaz Kupi është një tradhtar tipik që ka bashkëpunuar me okupatorin”.

Tashti kemi ardhur në një pikë ku nuk mundem të vazhdoj më gjatë pa ia kujtuar profesor P.Milos një kriter shkencor themelor historik i cili, përgjatë analizash të tilla, nuk ka se si të shmanget :  LIDHUR ME ÇDO NGJARJE, KOORDINATAT HAPSINORE SI EDHE ATO KOHORE, JANË TË LIDHURA MES TYRE, së pari, NË VARTËSI TË ÇVENDOSJES SË VROJTUESIT DHE NË VAZHDIM, së dyti, GJYKIMET E DHËNA NGA VROJTUESI JANË NË VARTËSI TË VETË POZICIONIMIT AS HAPSINOR DHE AS KOHOR POR INTERESASH TË VETË VROJTUESIT.

Ku qëndrojnë pra, sipas meje, dy gabimet themelore të profesorit të nderuar P.Milo në pohimet që ai bën nisur thjeshtë nga interesat e tija ?  Fillimisht, nisemi nga vetë deklarata e bërë prej tij kohë më parë duke e përcaktuar veten : “… unë jam historian dhe politikan.” Ky pohim i tij është dukshëm pështjellues, hutues. Ai, me pozicionimet e tija përgjatë periudhës së diktaturës komuniste, nuk ishte gjë tjetër veçse zëdhënës, e theksoj bilé, zëdhënës i egër i frymës P.P.Sh.-së qëndrim të cilin ai fillimisht të maskuar e me ndrojtje e dora, dorës duke e zbuluar sa vjen e më dukshëm, nuk e ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Më falni, do të shtoja se dishka ka ndryshuar mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste tek profesori yn’i nderuar, ka ndryshuar forma e të përshtaturit me mjedisin.  Kjo po, pa as më të voglin dyshim !  Doemos mbas këtij pohimi, natyrshëm lind pyetja në se konsiston ky kamuflazh i tiji ?  Fillimisht ai u tërhoq zvarrë dhe u integrua me t’ashtuquajturën partí Social-Demokrate.  Pse e quaj kamuflazh ?  Sepse në esencë po ai person, po me bindjet e tija politike pro sistemit komunist, erdhi edhe u strehua në partinë emri i së cilës kishte një të kaluar bindshëm demokratike.  Si gjeti çerdhe z.Paskal Milo në të ?  Sepse në krye të saj ishte vënë një komunist fanatik dhe mis qeverije përgjatë diktaturës komuniste, shoku Skënder Gjinushi !   E në vijim si vazhdon dhe e thellon përshtatjen ndaj mjedisit profesor P.Milua ?  I largohet komunistit tashmë të kthyer në social-demokrat dhe krijon partin’e tij të ré q’e pagëzon Demokracía Sociale ! (?)  Ka më gjë për t’iu shtuar këtij plani të parë ?   Po, ka.  Do të doja që lexuesi i këtyre radhëve t’a shikonte sfondin e përflakur të kësaj ballíne skene të shfytyruar, t’a mësonte dhe t’a shikonte se ku përfunduan themeluesit në vitin 1943 të partisë Social-Demokrate Shqiptare, letrarja e talentuar si edhe atdhetarja Muhsine Kokalari si edhe juristi e atdhetári Skënder Muçua !

Pa e zgjatur fare, Skënder Muçon e kapën dhe e pushkatuan forcat gjermane.

Po me Muhsine Kokalarin ç’ngjau ? Fillimisht pushteti komunist më 12 Nëntor 1944 i a pushkatoi pa gjyq dy vëllezërit, Mumtazin si edhe Vesimin.  Pastaj e arrestuan vetë Muhsinenë e cila, mbas 16 vitesh burg si edhe 22 vitesh internim, duke punuar punëtore krahu në bujqësí si edhe në ndërtim, i mbylli vitet e punës si fshesáre rrugësh në Rrëshén !  E në prag të cakut fundor të jetës së saj që i a shkurtoi sëmundja e kancerit, Ajo qé shprehur me ngashërime “Kam 38 vite që nuk e di se çdo me thënë FAMILJE !”

Në vazhdim, e shikoj me shumë keqardhje, se si kujtesa historike Zotit Paskal Milo i bëka shumë lojëra, duke mos dashur t’a pranoj në asnjë mënyrë, se anashkalimet e fakteve z.Milo i bën qëllimisht.  Por nuk mundem të mos i a kujtoj profesorit të nderuar faktin se si kur në traktet e emërtuara gjatë luftës “Zëri i Popullit”, Enver Hoxha shprehej se “… mbështetur në luftën prej LUANI që po bën Bazi i Canës askush nuk mund t’a nënështrojë Shqipërinë …” !   Ose në vazhdim, a nuk qé Abaz Kupi që në Konferencën e Pezës të 16 Shtatorit 1942 u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar ?  (Sa për një kujtesë, shtatë ishin të zgjedhurit në K.P.N.Çl. prej të cilëve vetëm Enver Hoxha dhe Myslym Peza mbetën “heronj”, kurse të pesë të tjerët u emërtuan nga E.Hoxha në vazhdim si TRADHËTARË) !  E kjo gjëndje u kristalizua qartë mbas Mbledhjes së Mukjes të zhvilluar nga 1 deri më 3 Gusht 1943, kur u rravijëzua qartë vija ndarëse në mes nacionalistëve si edhe internacionalistëve !  Që nga ajo periudhë Abaz Kupit jo që filloi t’i mohohej lufta e bërë, por komunistët e shpallën edhe armik !  Doemos, i gjëndur para këtyre ballafaqimeve me fakte historike nga njera anë, si edhe pohimeve të çuditëshme të profesor Milos, nga ana tjetër, i cili vazhdon edhe thotë :  “… Berisha me këtë që thotë po më bind përfundimisht, se ai nuk e njeh fare historinë. Ai duhet të lexojë dokumentet e kohës, sidomos materialet e arkivave britanike, ku aleatët tanë anglezë dëshmojnë bashkëpunimin kriminal të Abaz Kupit me pushtuesit gjermanë. Në qoftë se Berisha nuk i ka këto dokumente, ose në qoftë se ai nuk i gjen dot, këto dokumente ia jap unë”, pa u nisur fare as nga etika e të shprehurit pa lé nga konsiderata personale, por thjeshtë nga e vërteta historike, nuk kam se si mos të ndërhyj edhe të saktësoj se tashti më “shoku Paskal”, mund dhe duhet t’i bëjë publikë ata dokumenta që disponoka por, edhe duhet t’a ketë mirë parasysh faktin se si secilido, njohës i historisë së kaluar dhe me logjikë të ruajtur, duke bërë krahasimet përkatëse, di të arrijë  në përfundimin se oficerët anglezë, në pozicionimin e tyre që nga fillimi i asaj që u quajt L.N.Çl. për asnjë çast, e theksoj së rishmi se për asnjë çast, nuk janë nisur nga interesat kombëtare shqiptare por vazhdimisht kanë shikuar, gjykuar dhe vepruar vetëm sipas interesave të Britanisë Madhe.

Për t’a ndriçuar këtë fakt, (lidhur me dokumenta të kohës që pretendon zoti P.Milo), mbas shpalljes së pavarësisë Shqipërisë, Konferenca e Londrës e ambasadorëve, 21 dhjetor 1912 – 23 mars 1913, periudha më kuptimzez’ e asaj konference për shqiptarët, qé ajo që u dha sllavëve troje banuar vetëm nga shqipfolës !  E sa për t’a nënvizuar këtë SKANDAL, t’a mësojë lexuesi se vetëm Sërbia mori 20.000 km2 troje shqiptare, (kur e gjithë Shqipëria sot numron 28.748 km.2)!(?)  Ministri i Jashtëm i Anglisë, Sir Edward Grey pohonte : “... Objektivi kryesor i konferencës, ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit ...” !  Ndërsa historia provoi se ajo, me gjithë nëpërkëmbjen që u bëri interesave shqiptare, nuk i a arriti fare barazpeshës që gjoja kish si pikësynim.  Ç’e provon këtë pohim timin ?  Vetë shpërthimi i Luftës së I-rë Botërore !  Me këtë rast nuk kam se si mos t’ia kujtoj lexuesit se si do të kishte qenë shumë mirë për historianët tanë t’i kishin mirë parasysh se si e kaluara historike ka lidhje thelbësore të brëndëshme me të tashmen.  Mjafton të kujtojmë se si jo vetëm mbas Luftës I-rë botërore, por edhe mba asaj të II-tës, problem nga më kryesorët vazhdon të jet’edhe sot e kësaj dite Stabiliteti në Ballkan !

Në vazhdim të ndjekjes së fillit të arsyetimeve të historianit tonë z.Paskal Milo i cili, kur pyetet nga intervistuesi :  “Çfarë shkruhet aty”, (lidhur me ç’kanë shkruar oficerët britanikë), përgjigjet shprehimisht :  “ Çfarë nuk shkruhet thuaj, më mirë. Të gjitha të zezat e Abaz Kupit janë shkruar mbi të bardhë. Dhe këto i shkruajnë vetë oficerët britanikë që qëndruan në shtabin e Abaz Kupit. Bashkëpunimi kriminal i Abaz Kupit me pushtuesit është kaq i thellë, saqë britanikët nuk kishin se çfarë t’i bënin më për ta larguar nga kjo rrugë e tradhtisë.”

Dhe ne, kureshtarë t’a mësojmë të vërtetën e mirëfilltë, ja se ç’gjejmë në librin “The Great Betrayal”, (Tradhëtia e Madhe), me autor Nicholas Bethel, [anëtar i Dhomës së Lordëve nga viti 1967-1999 si edhe anëtar i Parlamentit Europian nga 1979-1994 si edhe nga 1999-2003 edhe specialist i politikave ndjekur në Europën Qëndrore si edhe Lindore], në faqen 13 ai shprehet :  “… Shqipëria i u la  italianëve, por në vitin 1941 vihet ré fillimi i një lëvizjeje rezistence ku Abaz Kupi, një luftëtar i shquar dhe mbështetësi më i fuqishëm i Mbretit Zog, filloi rekrutim forcash për restaurimin e Monarkisë.  Po aty, në faqen 21 thuhet shprehimisht : “Shtabi i Përgjithshëm i S.O.E.(1)-së qé  informuar së rishmi rreth akteve jo miqësore të E.Hoxhës, por ata vazhdonin t’a mbështesnin.  Kjo ësht’edhe pika kyçe e cila akoma vazhdon dhe e mban të ndezur shkëmbimin e replikave ndërmjet oficerëve britanikë që morën pjesë në luftë në Shqipëri … Përse Shtabi i Përgjthshëm i S.O.E.-së nuk e pranoi mbështetjen e  aleatëve të natyrshëm të Britanisë së Madhe por e mbështeti lëvizjen komuniste ?  A nuk do të kishte qenë ndryshe n.q.se ata do të kishin furnizuar Legalistët dhe Ballistët ?  A do t’a kishte ndryshuar ky fakt rezultatin e luftës civile në Shqipëri? McLean, Smiley si edhe Amery e kanë besimin të plotë pozitiv në këtë drejtim dhe janë të bindur se Britania bëri një gabim duke mos e kuptuar që në krye se si vetë komunizmi kishte me qenë në një të ardhme kundërshtari për t’u përballuar me të ! Kurse Hibberti, Davidsoni  si edhe Watrousi  besuan në të kundërtën … dhe, (-sipas tyre-shënim M.K.), McLean,  Smiley si edhe Amery po luftonin kundra armikut  të gabuar.  … Emery i përshkruan këto ngjarje shumë gjallërisht në librin e tij “Sons of the Eagle”, (Bijt’e Shqipes), se Abas Kupi kërkonte ndihma të hedhura me parashuta në një kohë që në Gushtin e 1944-ës nacionalistët kishin filluar të vepronin ashpër në Verí.  Këtë gjë Amery edhe McLean-i i a kishin raportuar Shtabit Qëndror të S.O.E.-së i cili kishte lëvizur nga Cairo-ja në Bari … porse ndihmat Britanike nuk po dukeshin në horizont … Njerëzit në Bari e kishin pasë ndarë mëndjen se me vlerë ishte furnizimi i partizanëve.  Me një ndërhyrje sado të vogël Britanike ose Amerikane ne mund t’a kishim shpëtuar Shqipërinë në gjirin e Perëndimit.” Nuk mund të lihet pa përmëndur edhe fakti se në faqen 41 autori Nicholas Bethel ve në dukje se si McLean-i si edhe Emery mbas lufte i mbanin lidhjet e tyre me ish shokët e armëve shqiptarë Abaz Kupin me shokë :  “Ne u jemi të detyruar këtyre njerëzve si në shkallë kombëtare e gjithashtu edhe personale.  Ata kanë shpëtuar jetë britanikësh si edhe amerikanësh.  Po të mos kishte qenë ana politike e problemit, atyre do t’u jepeshin dekorata Britanike.  Ata pa dyshim që i meritonin ato” !  Ja pra, këto të vërtetat e palës britanike të dokumentara, që e përforcojnë tezën se si ata në plan të parë, edhe pas lufte, kishin interesat e tyre !

E lemë tashti gjithë këtë ballafaqim me realitetin e atëhershëm të dokumentuar dhe u rikthehemi pohimeve të z.P.Milo që thotë integralisht : “Më vonë, britanikët kur panë se rruga e kolaboracionizmit të Abaz Kupit me gjermanët nuk kishte kthim prapa, u detyruan t’i shkruajnë Londrës, për të hequr bashkëpunimin me të, në lidhje me çlirimin e Shqipërisë. Unë, por edhe shumë të tjerë disponojmë letrat e aleatëve, drejtuar Londrës ku vazhdimisht i kërkohej e njëjta gjë: braktisja e Abaz Kupit nga aleatët”. Dhe atje, më në fund u diskutua përfundimisht se Abaz Kupi nuk ndreqej më. Prandaj, erdhi urdhri i braktisjes së Abaz Kupit, meqenëse ai kishte shkuar shumë në thellësi me lidhjet ushtarake që bënte haptazi me oficerët gjermanë.”

Me që mendoj se nuk kam më se ç’të zgjatem me referenca për t’iu kundërvënë pohimeve të natyrës romaneve-historike që historiografë ish komunistë, e sot të shtirë si demokratë-socialë na paraqisin, nuk kam se si mos t’a ftoj lexuesin e interesuar të qëmtojë se si ata britanikë q’e kanë njohur dhe bashkëpunuar me Abaz Kupin e quajnë “Hero Shqiptar,”daç David Smailey, po ashtu Julian Emery tek libri “Sons of the Eagle” dhe në vazhdim edhe Peter Kemp tek “No colour or Crest”!

Ja edhe pyetja e fundit e intervistuesit drejtuar profesor Milos rreth Abaz Kupit si edhe përgjigja e tij lakonike :

A është e vërtetë se komunistët e kanë dënuar me vdekje Abaz Kupin, në listën e tyre?  Përgjigja e profesorit të nderuar Paskal Milo e shkurtë dhe kategorike :

E kanë kërkuar që të sillej në Shqipëri për të dalë para gjyqit, për ato që kishte bërë.

Zoti Milo i vlerëson gjyqet ku K.Xoxi me B.Spahinë fillimisht dënonin atdhetarët, intelektualët si edhe klerikët nga më të shquarit shqiptarë e pastaj dora, dorës, ata vetë, kryetari si edhe prokurori i trupit gjykues  u dënuan si tradhëtarë !  Shumë konsekuent edhe logjik Z.Milo. A nuk qenë po ata gjyqe që s’lanë Hero të Popullit komunist pa dënuar?  N.q.se nuk i di faktet, unë pa fare përtesë i a huaj zotit P.Milo dokumentacionin e gjyqeve të T.Sejkos, B.Ballukut, P.Dumes, A.Këllezit, K.Theodhosit etj. etj. e deri tek vrasja apo vetëvrasja tamam enigmë e M.Shehut, e në vazhdim edhe gjyqet farsa të K.Hazbiut e Feçor Shehut. E pikërisht përpara kësaj drejtësije profesori i nderuar, mëton të gjykohej edhe Abaz Kupi, për të cilin emisarët Britanikë flasin disi shumë më ndryshe, nga ç’mëton t’a paraqisë historiografía komuniste !  Apo jo ?

Në vazhdim të intervistës i drejtohet edhe një pyetje tjetër profesor P.Milos :

Po për Muharrem Bajraktarin çfarë mendoni ?

Sa e matur, e drejtpeshuar, tamam një përgjigje prej historiani-politikan, (siç e ka përcaktuar veten e tij z.Paskal Milo), vjen edhe përgjigja e profesorit të nderuar : “Për të ende nuk kam krijuar një optikë të saktë. Duhet të thellohem akoma në studime për të thënë diçka të saktë dhe precize. Përgjigjen për të, do ta jap kur të vijë momenti, pas shfletimit të dokumenteve ekzistuese të kohës.”

Nga që Muharrem Bajraktari u largua nga Atdheu i tij 67 vite të shkuara dhe ndërroi jetë  në vitin 1989, tashmë 23 vite të shkuara, (e sa për kureshtí pikërisht ditën përkujtimore të vdekjes edhe të Leninit, më 21 Janar), patjetër që profesor P.Milua ka sa të dojë kohë që jetën edhe veprën e Muharrem Bajraktarit t’a mbulojë sadopak tisi i harresës së bashkëkohësve të tij e kësisoji, historianët-politikanë i kanë pastaj të gjitha mundësitë të spekullojnë rreth të vërtetave, t’i fshehin e t’i shpërfytyrojnë ato sipas interesave të tyre !  Kjo edhe arësyeja përse profesori ynë P. Milua do kohë t’i studjojë faktet !  Mirëpo për rastin konkret sido që t’a vërtisin punën historianët të cilët, bashkëpunimet (kolaboracionet) tradhëtare dhe në dëmin e Shqipërisë të Enver Hoxhës fillimisht lidhur me interesa grupi e në vazhdim për interesa thjeshtë personale, duke i zhdukur një e nga një të gjith’ata q’e ngritën, e mbështetën dhe u flijuan verbërisht për të, nuk arrijnë t’i zhdukin faktet e dokumentuara por që akoma mbamëndja e bashkëkohësve ka arritur t’ua  transmetojë pasardhësve e kjo trashëgimí verbale, e lidhur edhe me dokumenta autentikë të kohës, flasin si vijon lidhur me figurën e Muharrem Bajraktarit :

Ai kthehet në Shqipëri në 1940-ën dhe menjëherë vihet në udhëheqje të  rezistencës antifashiste në zonën e Kukësit.  Në vazhdim të luftës, në Shtatorin e vitit 1943, Muharrem Bajraktari, në krye të forcave kundraitaliane, e çliron qytetin e Kukësit.

Më 10 Gusht 1944, në kuadrin e organizimit më të thelluar të luftës pa kompromis ndaj ushtrive gjermane, Muharrem Bajraktari organizoi me krerët e Lumes si edhe Hasit atë që u quajt "Beselidhja e Lumes".  Duke e parë se si po fuqizoheshin forcat kundragjermane të udhëhequra nga Muharrem Bajraktari, partia komuniste u përpoq t’a hidhte ne krahun e saj por ai i kuptoi qellimet e tyre.  Duke qene se M.Bajraktari nuk pranoi të bashkohej me ta, një nga dëshmít’e politikës terroriste që bënte P.K.Sh. në vazhdën e luftës civile të ndezur po prej saj, qé atentati që u bë kundra tij në Gostil të Kukësit, (gjëra të cilat kategorikisht mundohet t’i fshehë profesori yn’i nderuar Paskal Milua).  Mirëpo veç morísë dëshmive të tjera ësht’edhe ajo e Sejfulla Malëshovës në Plenumin e II-të të Beratit, (23-27 Nëntor 1944), ku Enver Hoxha e pranoi se metodat sektare të përdorura nga P.K.Sh. të drejtuar prej tij, e kishin kthyer partinë në një parti TERRORISTE.  Me atë rast E.Hoxha kërkoi ndjesë publikisht para Plenumit !

Që profesori ynë i nderuar z.Paskal Milo t’a ketë më të kollajtë dhe t’i sqarojë lehtësisht idét’e tija të mjegullta rreth figurës Muharrem Bajraktarit, po e adresojmë tek dy dokumenta arkivi :

1-Fjala e Manush Myftiut në mbledhjen e Komitetit Qëndror të P.K.Sh. Nëntorin e vitit 1944 :

“S’kemi patur pikëpamje të qartë se si duhej të silleshim me Bajraktarët.  Dinim vetëm që Bajraktarët ishin pjesë e reaksjonit … Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kishte filluar të luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam, se ky element i pademaskuar dhe i pakomprometuar do të fitonte influencë dhe do të tërhiqte turmat me vete … Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për t’a zhdukur.  Zhdukja e tij ishte e domosdoshme.  Ne menduam dhe për mënyrën si t’a zhduknim … Populli e pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kishte ardhur të na jepte dorën …”

Lidhur me qendrimin e Muharrem Bajraktarit flet shquar edhe letra e dërguar nga ish sekretari i pare politik i qarkut Abedin Shehu derguar K.Q. në të cilën shkruante:

2-"Siç kemi referuar dhe herë të tjera, Muharrem Bajraktari është një njeri që, duke përfituar nga moskomprometimi direkt me okupatorin dhe reaksionin në kohë të mëparëshme, ka influencë të konsiderueshme në Lumë si dhe në zonat e tjera të Malësive të Veriut, dhe bilé ka filluar të shtrijë ndikimin e tij edhe në Kosovë".

Për t’a mbyllur edhe me pyetjen drejtuar z.Paskal Milo lidhur me figurën e Muharrem Bajraktarit, (duke marrë parasysh edhe përgjigjen e tij), krejtë  natyrshëm  më vjen ndërmënd  pyetja  tejet e sinqertë : Mundësitë janë dy, ose profesori yn’i nderuar e ka dijenín’e këtyre dy dokumenteve dhe nga që këto në vënd që t’a diskreditojnë M.Bajraktarin na e ngrenë në atë piedestal që i takon dhe që e përforcojnë pikërisht tezën se L.N.Çl. u transformua nga P.K.Sh. në LUFTË CIVILE, fakt që profesor P.Milua mundohet t’a kundërshtojë deri me ofeza personale duke i quajtur edhe të pandershëm ata q’e mbështesin këtë tezë dhe i kundërvihen pikëpamjes aq të mbrojtur nga profesori ynë se nuk ka patur luftë civile.  Kurse mundësija e dytë, (të cilën as nuk dua t’a mendoj se ësht’e mundur), historiani partiak nuk e di egzistencën e këtyre dy dokumenteve, gjë e cila flet nga ana tjetër, se si personat e ideologjizuar si zoti P.Milo nuk mund të jenë historianë !

Vijmë edhe te pyetja e fundit drejtuar profesorit të nderuar Paskal Milos :

Po për Bahri Omarin?

Edhe kësaj here z.Paskal Milo, profesor i nderuar por edhe i indoktrinuar, nuk shmanget dot nga vija e tij ideologjike edhe përgjigjet : “ Sa emra hedh Berisha në ditë, nuk do të rrimë që t’i analizojmë të gjithë …”

Profesor P. Milua me përgjigjet e dhëna, e që i trajtuam më sipër, është më se i lexueshëm dhe i tejdukshëm si sa i takon frymës që mëton të përcjellë nga lart poshtë e duke u shprehur vazhdimisht EX CATEDRA nëpër mediat televizive që, (asaj kategorije pseudo-historianësh u a hapin dyert pa kursim tamam si përfaqësues të denjë të njeriut të ri socialist, krijesa të diktatorit Enver Hoxha), gjithashtu edhe lidhur me këmbënguljen e tij mbështetur në po atë ideologjí q’e ka pasë udhëhequr gjatë periudhës diktatoriale.  Kështu që ai mundohet t’a anashkalojë një personalitet si Bahri Omarin pa e përfillur fare, sepse ësht’i ndërgjegjshëm që kundërvënja ndaj tij nuk është se do të ishte aq e lehtë për profesorin e nderuar.  Megjithatë shkurt, fare shkurt, i rikujtojmë se Bahri Omari ka qenë zgjedhur anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar.  E doemos duhet t’ia rifreskojmë mbamëndjen historike e t’i rikujtojmë se si i vetmi kusht që të zgjidheshe mis i atij Parlamenti, si letër kredenciale shërbente lufta dhe përpjekjet e bëra për t’ia arritur Pavarësisë Shtetit Shqiptar. Nga ana tjetër, me shumë ndrojtje guxoj t’ia ve në dukje profesor Paskal Milos së nderuar, se Bahri Omari që nga viti 1915 e deri më1919-ën qe drejtor i Gazetës Dielli të Bostonit !  Në vazhdim, kur u kthye në Europë nga Shqipëria, (mbasi e mori pushtetin Ahmet Zogu), ishte anëtar i Bashkimit Kombëtar. E përgjatë këtyre pak ndalesave, përgjatë këtij fluturimi simbolik për të treguar pozicionet që ka mbuluar Bahri Omari, nuk mund të mos e zemë në gojë faktin se si ai ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Shtetit si specialist në formulimet sa më të sakta të ligjeve.  E do t’a ndaloj vrapin rreth një pozicioni shumë delikat që ka mbuluar Bahri Omari duke pranuar portofolin e Ministrit të Punëve të Jashtëme në qeverin’e kryesuar nga Rexhep Mitrovica.  Dua t’i hedh dritë pikërisht atij pozicioni sepse, në aq muaj sa Bahri Omari e mbuloi drejtimin e atij dikasteri, (doemos i mirëkuptuar edhe nga Kryeministri), ka patur një shkëmbim këmbëngulës shkresash me Ministrín’e Punëve të Jashtëme të Gjermanisë derisa u arrit që të liroheshin nga burgje e kampe të Gjermanisë shqiptarët që ishin deportuar atje.  E për t’u nënvizuar ësht’edhe e veçanta se kërkesat emërore për personat që kërkohej të liroheshin nuk bënin asnjë dallim në se subjekti kishte qenë arrestuar dhe internuar si nacionalist apo si komunist.  Bahri Omari i jepte rëndësi faktit që personi në nevojë mbështetjeje ishte SHQIPTAR !  E kjo një merit’e madhe si e Kryeministrit Rexhep Mitrovicës e gjithashtu edhe e Ministrit të Jashtëm Bahri Omarit !

E për t’a mbyllur edhe me personalitetin e patriotit Bahri Omari që u gjykua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special ku pretencën e bëri prokurori Bedri Spahiu dhe vendimin e dha trupi gjykues i kryesuar  nga Koçi Xoxe, do t’ia ve në dukje profesorit tonë të nderuar z.Paskal Milo, shënimin në ditarin e tij ku Bedri Spahiu, tashmë i çliruar nga vargonjtë ideologjikë, më 28 Dhjetor 1969 ka shkruar shprehimisht :

Një çast po kujtoj  vrasjen e Bahri Omarit. Ai para pushkatimit u thirri shokëve : “Ktheni ballin nga pushkët ! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

Përgjatë kësaj hullíje nuk kam se si mos t’a vé në dukje faktin se si profesori yn’i nderuar Paskal Milo, po t’i ishte përgjigjur pyetjes së intervistuesit rreth Bahri Omarit, së pari duhej të përballohej me vazhdimin e nxirjes, (sipas stilit komunist). të figurës një atdhetari të shquar por, nga ana tjetër, do të ballafaqohej edhe me problemin tjetër se si i kunati i Bahri Omarit, Enver Hoxha, e sakrifikoi burrin e së motrës si edhe mirëbërësin e tij duke e lënë motrën vejushë si edhe nipat e tij jetimër.  E kjo, vetëm me vetëm që t’a merrnin vesh  mvartësit e tij e deri poshtë tek populli i thjeshtë, se me ç’tiran të pashpirt kishin të bënin !  Mirë këto, po profesori yn’i nderuar duhej pastaj të ballafaqohej edhe me një problem tjetër i cili, në pamje të parë as që del në pah :  Si duhej t’a përligjte ai këtë qëndrim kriminal të Enver Hoxhës, nga njera anë, dhe në vazhdim t’a hymnizonte atë si udhëheqës të ndritur mbështetur në bëmat e tija, siç vazhdon e bën edhe sot ?!

PËRMBYLLJE E REPLIKËS :  Ndonëse profesori i nderuar z.Paskal Milo me bindjet e tija komuniste, nuk ka të ngjarë t’ua verë veshin se ç’kanë thënë dhe si vepronin personalitete të përkushtuar fésë, pavarësisht se besimesh të ndryshëme fetare, pa lé të vlerësojë thënje figurash vërtet madhore të Kombit shqiptar.  Megjithatë unë do t’u drejtohem thënjeve të tyre.  Mos i përfilltë profesori ynë, le t’i mësojë lexuesi, (ai që nuk i di), e t’i gjykojë si profesorin e gjithashtu ato personalitete që diktatura, dhe në emrin e saj z.P.Milo, i përbalti dhe vazhdon t’i përbaltë !

Nënë Tereza lutej përditë :  “O Zot, bën që atje ku ka gabime unë të sjell të vërtetën”.

Edhe Baba Rexhebi lutej e thosh :  “ Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj edhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë vetëm duke u bazuar në drejtësí”.

Këto të vërteta si edhe drejtësí na i predikojnë Nënë Tereza si edhe baba Rexhebi e po për këto të vërteta si edhe drejtësí vuan edhe ndërgjegja e kombit.

Ndërsa Mustafa Kruja, nënëshkruesi i Dokumentit të Pavarësisë si edhe ai që aq shumë sakrifikoi për Shqipërinë duke pranuar të bëhej kolaboracionist i prirë vetëm nga interesat e vëndit, në kundërshtim flagrant me Enver Hoxhën që u bë kolaboracionist herë me njerën pal’e herë me tjetrën veç prirur nga interesat e tija egoistike të sunduesit absolut e duke i nëpërkëmbur haptas interesat e vëndit, Mustafa Kruja me  librin e tij “Shkrime Historike”, (në citatin e kopertinës pasme të librit), shtron një platformë thellësisht shkencore lidhur me kriteret themelore që duhen respektuar nga shkencëtarët që i venë vetes detyrën skajshëm të rëndë t’a shkruajnë historinë.  Ja se si shprehet ai integralisht :

“Kush merr pêndën me shkruem historí, ai do të harrojë përkohsisht deri kombsín e vet, në qoftë se vêhet me shkruem historí për tê, njipërnjí sikur nji gjyqtár qi kishte me pasun për të gjykuem nji njerí të vetin.  Këtu nuk flas për historinë edukative qi mësohet nëpër shkolla, por për historín’e kombit shkurt.  Veçse as historisë edukative gënjeshtra nuk i lejohet kurrë, mund t’i lejohet vetëm heshtja për ndonji të vërtetë fort t’idhët qi mundet me lânë gjurmë negative n’edukatën patrijotike të nxânsit ende të papjekun për me kuptuem rolin e vërtetë të historisë, qi âsht me na mësuem se s’ka komb, sikur s’ka as individ, pa të meta, dhe me na rrëfyem me shêmbujt e mirë të saj rrugën se si me i qërtuem këto.”

Jo rastësisht po e mbyll replikën ndaj një interviste ku mbizotëron fantazíja keqdashëse e një njeriu i cili, me pretendimet e një historiani dhe shkencëtari të mirëfilltë, veç me mllef, mëndjemadhësí, si edhe cektësí në lëmin që trajton, i jep konsideratat e tija, duke e ballafaquar këtë mendësí tipike komuniste me një mësim tamam shkencor se si ai, që pseudohistorianët dhe lakéjt’e diktatorit si edhe ideologjisë mbrapshtë proletare e quajtën përgjatë 47 viteve të diktaturës egër komuniste KOLABORACIONIST, FASHIST SI EDHE TRADHËTAR TË VËNDIT !  Mirëpo populli e ka fjalën e urt’e cila thotë :  E VËRTETA SI EDHE E DREJTA VONOJNË POR NUK HUMBASIN.  VJEN DITA E DALIN NË SHESH !

Kësisoji lexuesi e ka mundësinë të gjykojë se si Mustafa Kruja, njeri nga e gjithë Plejada e atyre që luftuan dhe punuan t’a ndërtonin Shqipërinë me përkushtim të madh atdhetár për të dhe të mirën e saj, i cili tërë jetën ia përkushtoi Atdheut si edhe shkencave gjuhësore e historike, ku vetëm ndër rezultatet e parë ishte fakti se qé radhitur me nënëshkruesit e Aktit të Pavarësísë Kombëtare, dhe vetëm me shtatë radhë Ai vendos e përcakton kriteret  mbi të cilët duhet të mbështetet shkruarja e historisë së një Kombi !

E pikërisht sepse këto kritere janë nëpërkëmbur përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste dhe në vazhdim, e kur sot, me sa duket, 21 vite mbas shkërmoqjes së komunizmit në Shqipëri, janë pjekur kushtet që këto kritere shkencore më në fund të zbatohen me themel dhe tekstet e historisë të paraqesin të vërtetat dhe vetëm të vërtetat historike duke i zëvëndësuar përfundimisht ato të mbushurat me mashtrimet, shtrembërimet, shfytyrimet si edhe fantazít’e gënjeshtërta që për dhjetravjeçarë me radhë u shkruan dhe u publikuan nga ata që rrethanat e sollën të ishin pjes’e fituesve mbas Luftës së II-të botërore !  Me pak fjalë, të shkruhet historija e vërtetë, me fakte të plota dhe dokumenta të kohës, e përfundimisht të zëvëndësohen ata tekste historije ku vetëm botimi i fundit rekomandohej si zyrtari dhe i vërteti, sepse ishte konform masave të fundit partiake në kuadrin e asaj lufte që bënte diktatori brënda përbrënda partisë së tij e me vrap historishkruesit servilë i formulonin tekstet sipas frymës së fituesit !

(1)- S.O.E. ishte një organizëm tepër sekret Britanik përgjatë Luftës II-të Botërore, krijuar më 22 Korrik të vitit 1940 me detyrën të mblidhte të dhëna karakteri ushtarak, të organizonte dhe të udhëhiqte spiunazhin si edhe sabotazhin në Europën e okupuar, kundra fuqive të Boshtit, si edhe të mbështeste lëvizjet e rezistencës.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora