Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Naxhi Kasoruho: Polifoninë ta ruajmë nga turbo-folku

| E merkure, 11.07.2012, 06:08 PM |


Flet muzikologu Naxhi Kasoruho: Polifonia shqiptare tashmë qëndron krenare në gjerdanin e artë të vlerave shpirtërore

Polifoninë ta ruajmë nga turbo-folku

Nga Albert Zholi

- Çfarë vendi zë polifonia shqiptare në trashëgiminë kulturore të vendit tonë?

Polifonia shqiptare tashmë jo vetëm qëndron krenare në panteonin e vlerave të trashëgimisë kulturore të kombit tonë, por ajo është bashkuar dhe qëndron me dinjitet në gjerdanin e artë të vlerave shpirtërore, botërore që mbrohet nga UNESCO. Festivali i Bylysit vjen si domosdoshmëri dhe referencë për ti krijuar këngës polifonike tërë hapësirën dhe dimensionin e saj për të qenë prezent para publikut artdashës, ndonëse zhvillohen shumë aktivitete koncertale në skena e podiume, televizione në përvjetorë lokalë a kombëtarë, në manifestime të ndryshme të folklorit tonë ku marrin pjesë edhe shumë këngëtarë popullorë si pjesë e aktivitetit të tyre kombëtar që duhet inkurajuar dhe përshëndetur unë do të theksoja se pjesëmarrja në festivalin e Bylysit është më shumë se e domosdoshme – ajo është vitale dhe e nderuar.

Për këtë arsye unë e mbështes dhe promovoj maksimalisht këtë festival si manifestim të këngës polifonike shqiptare, duke inkurajuar organizatorët dhe gjithë artistët popullorë që ngjiten në këtë podium në sofrën e këngës, për të shpalosur edhe njëherë perlat e polifonisë sonë të mrekullueshme, befasuese të papërsëritshme dhe unikale. Janë këto vlera që kjo këngë është befasia e magjishme që ajo mbart, është veçuar dhe e papërsëritshmja e saj që UNESCO e pranoi polifoninë shqiptare si pasuri e trashëgimisë botërore.

Përfshirja e polifonisë, kësaj perle të folkloristikës shqiptare në vlerat e rralla të kulturës botërore, na bën të ndjehemi krenarë dhe na obligon ta vlerësojmë atë si pasuri të madhe të kulturës sonë kombëtare dhe të përulemi me respekt ndaj artistit të madh popull për këtë mrekulli që e përcolli me dashuri deri në ditët tona. Do të përmend këtu me nderimin më të madh korifejtë e talentuar, interpretuesit virtuoze të këngës polifonike, që e ekspozuan atë me përsosmëri befasuese duke ruajtur të pastër e autentike çka e bën atë simbol të trevave të tyre si: Neço Muka, Demir Zyko, Xhevat Avdalli, Dhimitër Varfi, Gjoliku Jaupi, Irini Qiriako, Nazif Çela, Katerina Bejleri, Arjan Shehu, Emrioni Mërkuri, Paro Ziflaj, Tomorr Leli, si dhe poetët e mrekullueshëm: Lefter Çipa, Maliq Lila, Feti Brahimi, etj., për këtë pasuri me vlerë që trashëgojmë sot, përveç këtyre artistëve një kontribut me vlerë në promovimin e polifonisë si në përgatitjen e grupeve popullore po ashtu dhe në mendimin profesional shkencor do të përmendja nga më të hershmit si: Prof. Ramadan Sokoli, Benjamin Kruta, Spiro Shituni, Haxhi Dalipi, Naxhi Kasoruha, Bajram Lapi, Bardhosh Gaçe, Sokol Shuko, Fatmir Hysi dhe Kosta Loli.

Zoti Kasoruho çfarë është festivali Ndërkombëtar “Polifonia” në Bylysin e lashtë”?

Në amfiteatrin antik të Bylysit, në këtë tempull të Ilirisë mbi 2300 vjeçare si vlerë e qytetërimit të lashtë Ballkanik shoqata kulturore “Polifonia shqiptare” organizon edicionin e 5-t të festivalit ndërkombëtar të polifonisë si shprehje e vlerësimit të lartë për këtë perlë të kulturës sonë kombëtare.

Vendi i lashtë historik ku zhvillohej ky festival përfaqësimi i të gjithë trevave ku mbartet dhe trashëgohet kënga polifonike, pjesëmarrja e grupeve polifonike nga vende të ndryshme të Europës – kontrastet tonalo-modale-tematike e larmishme pasqyron një hapësirë kohore nga thellësia e shekujve deri në ditët tona – struktura e ndërtimit të grupeve – kostumet befasuese shumëngjyrëshe deri tek interpretimi brilant i koifejve virtyozë janë vlera pozitive dhe krijojnë hapësira të gjera dimensionale që kënga polifonike të shpaloset me tërë forcën e saj impresionuese si vlerë e identitetit tonë kombëtar.

- Ç’është turbofolku si rrymë e re muzikore dhe a e dëmton ajo këngën polifonike?

Personalisht më shqetëson tjetërsimi dhe deformimi i këngës polifonike që e paraqesin në variante të shoqëruar e instrumenta elektronik që nuk di ku e kanë gjetur emrin dhe që e quajnë “turbofolk”. Turbofolku ka shqetësuar edhe vet interpretuesit e këngës polifonike të cilët shprehen konsekuent dhe të vendosur në ruajtjen e autenticitetit dhe paprekshmërisë së këngës së tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë që në vitet 1990 në mbarë vendin kudo ku të ndodheshe në kafene, në rrugë, në shtëpi do të dëgjoje me tone të larta në kupë të qiellit siç i thonë fjalës me autoparlantët dhe kasetofonët e makinave vetëm muzikë të huaj që nga mëngjesi deri në mes të natës duke e abandonuar e mohuar muzikën e këngën tonë shqiptare, fenomen ky që vazhdoj për shumë vite.

Për fat të mirë kjo epidemi do ta quaj unë kaloi pa lënë pasoja të rënda, vetëm se përreth një dekade këngën tonë e mbuloi pluhuri i harresës duke treguar një ksenofobi deri në imoralitet. Ndryshe nga ksenofobia ndaj këngëve të huaja “turbofolku” është një epidemi e rrezikshme që si “gripi spanjoll” mund të sjellë dëme të pallogaritshme apo edhe “viktima”. Ndërhyrja pa kritere e profesionizëm në këngën popullore për ta përpunuar atë dhe për të marrë motivin e saj shpeshherë edhe në perla të tilla që janë ekspozuar deri në festivalet e Gjirokastrës nga korifej virtuozë dhe që tash janë vlera në fondin e artë të kulturës sonë kombëtare, ka sjellë deformime dhe krijimtari mediokre. Këngë të tilla të “turbofolkut” që këndohen nga këngëtarë që në tre minuta vishen e zhvishen dhjetë herë, a thua se jemi në pasarelën e modës e jo në tempullin e këngës polifonike në stane e vreshta, në male e dete e mes deleve të shoqëruara me aktorë dhe parodi si ato të estradave të viteve ’50 janë shembuj negativë që me sa duket kanë motiv komercialitetin.

Në traditën tonë të këtyre 50 viteve të fundit kemi shembuj të shkëlqyer që korifeut e muzikës shqiptare si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Kujtim Laro, Aleksandër Peçi etj., dhe “princeshat” e “princërit” e këngës tonë: Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, Luçie Miloti, Vaçe Zela, Mentor Xhemali, Gaqo Çako, Ibrahim Tukiçi etj., e kanë ngritur muzikën tonë nën panteonin e artit si vlerë e lartë e kulturës sonë kombëtare duke na bërë të ndjehemi krenarë, por dhe duke na përgjegjësuar të jemi të vëmendshëm për ta ruajtur këtë vlerë duke e trashëguar në breza të pastër e autentike. Parë në këtë këndvështrim mendoj se “turbofolku” është rrezik i tjetërsimit të polifonisë, në këtë moment më kujtohet thënia lapidar e çekut Julius Fuçik që paralajmëronte: “Njerëz jini vigjilentë”.

Ja në këtë masë alarmante unë do të shprehem se duhet të tregohemi të kujdesshme në përkrahjen dhe përhapjen e kësaj rryme që e dëmton dhe e deformon artin tonë popullor. Polifonia nuk ka nevojë për agronom amatorë dhe “krasitës” injorantë deformues të kësaj perle vezulluese të artit tonë popullor. Ajo kërkon “bahçevan” të pasionuar, të përkushtuar, të aftë, patriotë që përditë ta vadisin e prashisin me tërë pasionin e shpirtit artist, për ta ruajtur, pasuruar, evoluar e trashëguar në breza të pastër, autentike, qelibare, siç na e kanë lënë prindërit dhe nipërit e prindërve tanë. Ky është amaneti i tyre dhe ne duhet ta mbajmë.

-Zoti Kasoruho ç’mendim keni për emërtimin iso-polifonia dhe jo polifonia që përdoret shpesh në folkloristikën tonë?

Termi iso-polifoni i përcaktuar mbas vitit 2005 që iu përcoll edhe UNESCO-s për ta pranuar si vlerë të trashëgimisë shpirtërore botërore është kontestuar edhe nga një pjesë e specialistëve dhe vet artistëve popullorë çka për mendimin tim kërkon një diskutim të gjerë midis muzikologëve, institucioneve kulturore dhe sigurisht pjesëmarrjen e gjerë të këngëtarëve të polifonisë për ta justifikuar këtë përcaktim në shkencën e folkloristikës tonë, ndaj nuk mundet që në këtë intervistë të mund të përcaktohet kjo dukuri në shkencën e muzikologjisë tonë. Personalisht mendoj se jo sot por edhe pas 100 vjetësh kur të mblidhen për të kënduar këngëtarë popullorë do t’i drejtohen njëri-tjetrit: merrja një këngë polifonike dhe jo merrja një iso-polifoni.