Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Rrëfim për moshën e ëndrrës

| E merkure, 11.07.2012, 06:51 PM |


RRËFIM  PËR  MOSHËN  E  ËNDRRËS

Vështrim rreth vëllimit poetik “Qirinjtë e Galaktikës” të poeteshës Iliriana Sulkuqi

NGA PËLLUMB  GORICA

Çdo kush lexon sipas shijes së tij. Nga rafti i librave të bibliotekës sime mora e lexova librin me poezi “Qirinjtë e Galaktikës” të poeteshës elbasanase Iliriana Sulkuqi, që jeton mes Amerikës e Shqipërisë. Iliriana, ashtu e imët, por me një botë gjërash, që kanë aq shumë fisnikëri njerëzore, një poete me veçori të stilit, të cilat burojnë nga temperamenti i  saj, talenti e pjekuria artistike,  në krijimtarinë e saj, vizaton me dorë të lirë marrëdhëniet e brishta njerëzore ku sundon malli e regëtin dashuria.

“Qirinjtë e Galaktikës” është një titull që tregon se poetja nuk është vetëm një det ndjenjash që konkurrojnë në udhët e ndritura të galaktikës, por edhe shumë e guximshme për t’u ndeshur me një realitet misterioz dhe për të nxjerrë aty temën e poezisë që dëshiron. Ndaj asaj nuk i ka ngelur peng që, dashuria se bëri mal të ishte maja:

“S’më bëri diell, të isha rrezja,

S’më bëri det të nisja dallgët.”

Kush janë qirinjtë e galaktikës, që poetesha Iliriana Sulkuqi në këtë vëllim poetik mundohet t’u kapë ndriçimin e të spërkasë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë atyre që duan të jetojnë e të ndryshojnë jetën? Pak dritë për të gjithë. Yjet e shumtë të galaktikës ajo i ka shndërruar në qirinj, të cilët i mban të gjithë në duart e saj dhe kërkon me çdo kusht të ndriçojë errësirën, të zbardhë zemrat, të ngrejë lavdi heronjsh, të hapë varre të ndershëm njerëzish. Drita e qirinjve duhet të depërtojë thellë deri tek madhështia e gruas dhe besimi i njerëzve te Zoti, ndaj Iliriana deklaron se:

“Rrënjët vijnë era tokë,

Kurse toka erë grua,

Por “se beson Zotin, ti vjedhë lotin”

Poezia e Iliriana Sulkuqit është gëzimi dhe brenga, blerimi dhe thatësira, jeta dhe vdekja, humanizmi dhe antihumanizmi. Fluturon mbi krahë ëndrrash në thellësi horizontesh dhe kur duket se nuk ka më rikthim ajo shpejt zgjat dorën dhe kap një brengë nëne ose bisedon me një mështekën dhe çuditet se si ajo ruan virgjërinë në këtë kohë të trazuar. Ajo futet në arsyetime filozofike, udhëton në shtigje të panjohur galaktikash pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti i përditshëm dhe nuk harron se mbi të gjitha është njerëzorja, njeriu që i jep kuptim jetës e vdekjes. Aty ajo gjen edhe ferrin edhe parajsën, zbulon përditë në origjinën mistike të prejardhjes së njeriut gabimin e Evës ndaj superioritetit mashkullor të Adamit dhe ndeshjen e madhështisë midis dritës dhe errësirës, që kanë qenë gjithmonë në shekuj në konflikt argumentues. Dhe kjo është dhënë në mënyrë sintetike, me një argument poetik shumë të goditur në poezinë “Dialog engjëll djall dhe dy përgjigje”,që edhe pse figuracioni ngjan si fjalë të përditshme, mesazhi është shumë fluid:

Engjëlli: Besomë të dua si jetën.

Djalli : Për cilën jetë të betohet?

dhe vjen pas përgjigjes së Engjëllit, ajo e Djallit:

Djall, hej djall e bir djalli,

s’ta besoj të vërtetën.

Edhe sikur të më ngresh nga varri.

Maskiliteti dhe feminiteti ndeshen shpesh në poezinë e poeteshës Iliriana Sulkuqi, por më shumë për të ngjizur harmoninë midis dy sekseve se sa për të krijuar ndarje, më shumë si një domosdoshmëri  për ardhmëri  njerëzore  e për zhvillim jetësor.  “Përse e pranojmë praninë tuaj?” pyet meshkujt e çuditur poetja. Por kjo është një pyetje sugjestive sepse ajo shpejt jep përgjigjen:

Si në letrat e bixhozit zi e kuq,

Si në fizikë plus minus

Si gjysmat e tokës me ditë e natë

Ne qajmë dhembjen tonë të bukur

Ju ikni të ç’burrëruar dhe kaq ….

E rritur mes brengave të jetës, poetesha Iliriana Sulkuqi sikur ka edhe një farë ndrojtje, ajo me vargun e saj shkel herë mbi qelqe dhe ruan mos thyen e herë sikur shkel mbi gjemba e ruhet të mos quket. Ndaj ajo është si me mëdyshje në triptikun e jetës. Rrobat e vajzërisë asaj si bëjnë më. Fustanin e nusërisë ajo s’e prek dot, kurse “rrobat e gjyshes “ ajo nuk do t’i veshë më. Në tre vargje poetja ndërthur poetikisht tri nyjet e jetës, që nuk janë lehtë të jetohen: Vajzërinë, nusërinë, plakjen. Tri gjërat e bukura të jetës:  Fëmijëria, rinia, pleqëria dhe që secila ka të bukurat dhe të shëmtuarat e veta dhe duhet të jesh vërtet njeri me arsye, të kesh lënë kocka në udhët e jetës që t’i jetosh e t’i meritosh ato tri mosha që në fund të fundit përbëjnë atë libër të mrekullueshëm që quhet jetë.

Poetesha nuk e duron dot boshllëkun, zbrazëtirën, ndarjen, mungesën e dashurisë njerëzore. Vetëm një që e ka provuar një akt të tillë mund të shkruajë vargje të tilla me peshë të rëndë e respekt të thellë për dashurinë jetësore:

Midis meje dhe meje

Një fije floku sa një kilometër

Hapësirë

Ku lindet e rritet marshi im funebër.

Iliriana Sulkuqi nuk ka kufizim në ndjenjat poetike. Dashurinë e ka për të gjithë,  por ajo veçon dashurinë për nënën.  Edhe pse ka një dashuri për njeriun ajo ruan specifikën e qelqtë  të dashurisë për të dashurin e saj. Vetëm moshë nuk ka kjo poete ashtu si të gjithë poetët që misioni i tyre është në funksion të pastërtisë dhe harmonisë natyrore e njerëzore, ndaj deklarimin e saj poetik po e vëmë si mbyllje të këtyre shënimeve të shkurtra:

Ja kështu i dashur mik

Poet si unë - unë si të tjerët

Moshën prej ëndrre kur e rrëfejmë

Se kemi më vetëm për vete…