E enjte, 18.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati: Princi Gjin

E merkure, 11.07.2012, 07:58 PM


Shpëtim Kastrati

PRINCI  GJIN

tregim

Vetëm bora kishte privilegjin që ta pushtonte pllajën e madhe atje ndër Alpe, të ngjeshur në kraharorin e sajë përjetësisht ashtu të “virgjër” dhe me banorët e sajë shtatëlartë e të rreptë, por të paktë e të paprekur asnjëherë nga hordhitë pushtuese.

Borana e Gjelbër që e kishte marrë emrin nga vetë toponomi karakteristik i sajë, i çuditshëm midis asaj mbretërie të frikshme honesh dhe shkëmbinjësh. Rridhte ashtu vetiu,  sepse gjysmën e vitit ishte krejtësisht e bardhë dhe e mbuluar nga riti i përjetshëm i dëborës. Ndërsa gjysmën  tjetër e nginjur në gjelbërim nga shkurret, ahishtet, gështenjat dhe të mbjellat e fshatarëve.

Aty ishin ngulur përtej mijëvjeçarit, pesë lagje ose pesë fshatra që jetonin disi larg botës tjetër aty përrreth, por në harmoni dhe të qetë. Duke u vërtitur nëpër pllajën mbi male si bletët për të mbledhur nektarin e sajë të paktë, por të bollshëm për ta, për të jetuar aty përjetësisht ngaqë kishin rënë në ujdi me “marrëzinë” e natyrës.

Princi Gjin që ishte i parë, i përhershëm e i gjithëkohshëm në principatën e Alpeve, Boranën e Gjelbër, kishte rënë në mendime të thella. Prania e turkut në këto vise, nuk ndillte për të mirë. E ç’mund të prisje nga një pushtues edhe ashtu në male, siç ishin ata? Përveçse fatkeqësi dhe andralla, ç’mund të sillte tjetër? Siç kishte ndodhur edhe me të parët e tyre dikur, që i kishin detyruar të ngjiteshin për të jetuar deri aty ku mund ta prekje qiellin me dorë. Nga luftra dhe tragjedi të herëpashershme, nga lindja e tyre deri në vdekje. Nga brezi në brez. Ai rridhëte nga fisi Gjinaj që përbënin edhe fshatin më të madh aty dhe që gjendej edhe në krye të shtegut të vetëm nga mund të hyje në Boranën e Gjelbër. Pastaj rradhiteshin njeri pas tjetrit katër fshatrat e tjerë; Kolaj, Lucaj, Prekaj dhe Martinaj. Të shpërndarë simetrikisht duke zotëruar të gjithë pllajën. Në qendër të sajë ndodhej edhe kisha e madhe e përbashkët, së bashku me varrezat përbri, të ndara në parcela të vogla sipas fiseve. Diku aty pranë ndodhej edhe lugu ku bëhej pazari çdo të enjte, pasi për çdo të dielë gjindja aty frekuentonin kishën duke ushtruar ritet e tyre të moçme. Nëpër hapsirën e lugut tymosnin ose zhurmonin edhe kuvlitë e gurta të zejtarëve të vegjël; si kovaçi, samarxhiu, poçepjekësi, nallbani etj. Ndërsa si shkollë përdoreshin ambjentet e kishës, ku fëmijët mësonin lutjet, dhe të këndonin e të vallzonin si të parët e tyre.

Përveç kripës dhe pëlhurës së lirit në Boranën e Gjelbër, të gjitha prodhimet e tjera të domosdoshme prodhoheshin dhe ndërroheshin aty me njeri – tjetrin, pa pasur nevojë për botën tjetër aty më larg. Edhe martesat zakonisht bëheshin midis pesë fiseve, përveç rasteve të rralla që mund të jepnin ose të merrnin përtej Boranës së Gjelbër. Vetë shtegu i ngushtë dhe i gjatë 500 – 600 metra përpjetë midis honeve e bënte të kufizuar lëvizjen nga Borana e Gjelbër me botën tjetër. Ndërsa për ushtritë këmbësore armike të atëhershme, as që bëhej fjalë që të ngjiteshin deri atje pa dijeninë dhe mirëkuptimin me banorët e sajë. Kjo ishte provuar disa herë nga pushtuesit romakë, por ata asnjëherë nuk mundën të ngjiteshin atje. Ose gjetën vdekjen nga shigjetat dhe gurët që u hidhnin banorët e Boranës së Gjelbër nga sipër, ose u kthyen mbrapsht përgjithmonë. Edhe zanafilla e Boranës së Gjelbër nga këtu buronte:

Shtatë djelmosha që refuzuan t’i nënshtroheshin rregullave të pushtimit të Cezarit të athershëm për t’i shërbyer atij si ushtarë të Perandorisë Romake, jo vetëm që nuk u bindën, por morën vashat e tyre dhe u ngjitën për të jetuar përgjithmonë aty. Pesë prej tyre mbijetuan, dhe pikërisht: Gjini, Ndreka, Luca, Prela dhe Martini. Të cilët krijuan këto fshatëra që janë edhe sot po aq të lirë si edhe më parë.

Ishte në traditën e Boranës së Gjelbër që gjithmonë një nga Gjinajt përgatitej dhe trashëgohej si Princ, dhe me të njëjtin emër Gjin. Kjo vazhdimësi në kohë, ose dhjetra e qindra breza,nuk lëkundej sepse jeta dhe vazhdimësia e sajë ishte e thjeshtë dhe e kuptueshme për afro 700 banorë që jetonin aty. Hallet dhe mirësitë ishin të përbashkëta, të pandara nga njeri - tjetri dhe të patjetërsueshme. Fati dhe natyra e vështirë i kishte bashkuar këta njerëz po ashtu si ahet nëpër gurishte që kishin ngritur pyllin të sfidonin kreshtat dhe honet përrreth.

Ultimatumi që kishte marr Princi Gjin nga një kompani spahinjësh që ishte vendosur në brinjë të malit përball, e kishte bërë më të heshtur dhe më të vëmendshëm. Ai kishte dëgjuar për mizoritë e tyre rreth e rrotull Boranës së Gjelbër dhe e dinte se ata një ditë do të drejtoheshin edhe aty, por ai nuk do të bënte as më shumë dhe as më pak se të parët e tyre. Ata i kërkonin të dorëzonte xhelepin (detyrimin). Pas kësaj Princi e dinte se do të kërkonin edhe djemtë për nizamë (ushtarë). Pastaj do të vinte nënshtrimi, kishën ose do ta shembnin ose do ta bënin repart për spahinjtë e asqerët e tyre. Dhe do të merrte fund jeta dhe harmonia e trashëguar me aq sakrificë dhe mund. Ata i kishin bllokuar hyrjet dhe daljet për aty, por kjo nuk do të thoshte që ata do t’i izolonin përgjithëmon. Një ditë do të vinte edhe fundi i tyre siç kishte ndodhur edhe me pushtues të tjerë. Për kripën dhe lirin, ata do të gjenin një mënyrë se si ta merrnin, por ai po mendohej që tu jepte një mësim këtyre spahinjëve, sepse, Borana e Gjelbër, nuk do të dorëzohej kurrë dhe do të mbetej e papushtueshme si edhe më parë. Ndaj kishte thirrur edhe Pleqësinë që përbëhej nga të parët e fiseve dhe prifti Nikë. Ftesës për takim me të dërguarin e pasaçëm të Sulltanit, Pasha Xhemalit, nuk  i kishte kthyer përgjigje ende.

Të nesërmen ai i dëgjoi të gjithë me rradhë, dhe të gjthë ishin të një mendimi; hasmit nuk duhej t’i hapej rruga, ata ishin gati të luftonin si të parët e tyre, dhe pushtuesit nuk i njihnin asnjë detyrim. Princit Gjin i kërkuan që të mos takohej me Pasha Xhemalin, sepse vetëm pabesi dhe intriga mund të prisje prej tij. Ata kërkuan që të përforcoheshin rojet dhe djemtë të stëviteshin për luftë. Princi i pranoi mendimet e tyre, por u tha se do të takohej me Pasha Xhemalin për t’i treguar atij se kush është Borana e Gjelbër në të vërtetë, dhe këtë e kishte peshuar mirë. Nuk u dha hollësi për takimin, por u tha se do të merrte dhjetë djemë të fortë me vete.

*  *  *

Shpend Avdia që ishte dorëzanë me dyqindë trima, po prisnin tek hyrja e shtegut për në Boranën e Gjelbër së bashku me Pasha Xhemalin dhe dhjetë spahinjtë e tij. Princi Gjin që sapo kishte zbritur, i la dhjetë djemtë e tij mënjanë dhe i bëri shenjë Shpendit se ishte i gatshëm të bisedonte me Pashanë. U ulën në disa gurë dhe po bisedonin kokë më kokë, Princi Gjin, Pasha Xhemali dhe Shpendi. Për gjysëm ore bisedë ranë dakord që Pasha Xhemali me dhjetë spahinjtë e tij së bashku me Princin Gjin dhe djemtë e tij, të ngjiteshin për në Boranën e Gjelbër. (Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që një pushtues të ngjitej deri në Boranën e Gjelbër).

Princi Gjin, pesë djem i nisi përpara, dhe pas tyre ai vetë me Pashanë dhe dhjetë spahinjtë, dhe pas spahinjëve pesë djemtë e tjerë. Pashai po i thoshte Princit Gjin se ishte shqiptar me origjinë dhe Sulltani e kishte zgjedhur posaçërisht që ai të merrej vesh me ta. Princi nuk fliste por i ngjitej shtegut ngadalë sepse Pashai dhe spahinjtë mezi ecnin nëpër atë hon me një shteg aq të ngushtë. Dhe herë pas here përdornin thikat që i ngulnin nëpër të çarat e shkëbinjëve që të mbanin ekuilibrin. Pashai po djersitej megjithëse ishte i fortë fizikisht, por detyrohej ta ndiqte Princin që shkiste nëpër shteg si lepur, duke dihatur. Sa më shumë që ngjiteshin rruga bëhej edhe më e vështirë, por Pashai nuk ankohej dhe e ndiqte pas më me ngadalë dhe i kujdesshëm. Kishte parashikuar edhe rreziqe, por mjafton që ai të kryente qëllimin e tij. Të nënshtronte këta malsorë të pabindur me hir a me pahir dhe me siguri do të kishte kujdesin e vet Sulltanit për më tepër karrierë në pushtetin Perandorak. Kur kishin bërë mëse gjysmën e rrugës Princi u ndal, thirri një nga djemtë që kishte përpara dhe nxori dy thasë nga brezi. U kthye nga Pashai dhe i tha:

-           Pasha, tani ne të dy duhet të marrim vallen deri atje lart, ndryshe nuk mund të bëhet.

_     Për çfarë valle e ke fjalën? - ia ktheu Pashai i habitur.

-      Për vallen tonë, - ia preu shkurt Princi, dhe duke i zgjatur thasët  

mbante në dorë i tha prerë: - zgjidh një nga këta.

Djemtë e Princit dhe spahinjtë e Pashait shikonin të habitur dhe nuk po kuptonin se çfarë po ndodhëte, por ishin të gatshëm të luftonin me njeri – tjetrin në çast. Seicili me dorën tek doreza e shpatës prisnin vetëm sinjal nga i pari i tyre, megjithëse nuk ishte vend për luftim dhe vdekja ishte e sigurtë për të gjithë. Këtë Pashai e nuhati i pari, por nuk po i binte në të, idesë së Princit. Ishte në një moment që nuk hynte në punë shpata apo dredhia që ai dinte me qindra nga këto. Çasti e donte që vetëm t’i bindej tjetrit, për të shmangur rrezikun apo grackën që nuk e kishte hasur ndonjëher. Kishte kaluar në jetën e tij dhjetëra e qindra kurthe e gracka ose të tilla i kishte ngritur vetë, por në këtë rast nuk po kuptonte asgjë. Çdo të bënin me këta thasë në mes të kësaj gremine? Dy palë armiqë në një pozicion që vdekja të merr përpara se të mendosh dhe jo të veprosh. Këtë nuk po e kuptonte dhe nuk kish sesi të bënte asnjë manovër. “ Këtu nuk ka vend as për valle as për luftë”?  e pyeste veten për të dhjetën herë.

-           Pasha, - theu heshtjen Princi – merre një.

-           Pashai mori njërin ç’i  zuri dora, i mori erë, era thartirë ose kripë, iu

drodh mishi me atë zhele në dorë, por nuk kishte rrugë tjetër, ndaj pyeti edhe pa u menduar, - çdo të bëjmë me këta?

-           Vepro si unë, - i tha Princi dhe e veshi thesin nga koka deri tek

vithet.

-           Pashai hezitoi në çast, por trimi që i rrinte pranë Princit e urdhëroi: -

Vepro! -  Pashai e shkoi thesin nëpër kokë si edhe Princi më parë, i bindur si kone.

-           Princi i tha trimit që ta lidhëte seicilin me litar aq sa të shtërngoheshin

duart brenda thesit e të mos liroheshin, ndërkohë i porositi spahinjtë që ta ndiqnin Pashain duke ecur, por askush të mos e prekte për ndihmë, ndryshe do të shpoheshin nga shigjetat e trimave që nga lartë. Kur trimi kishte mbaruar punë dhe kishte dalë përpara, Princi i thirri Pashait: - Tani shkojmë, atje lartë po na presin. – dhe u nis me hapa të ngadaltë përpara.

Tani Pashai nuk kishte më dilemë se çfarë duhet të bënte, tek ndjente hapat e lehtë të Princit përpara. Vërtet i duhej të hiqte vallen ashtu si i kishte thënë ai. Një valle që as e kishte dëgjuar dhe as e kishte menduar. Ashpërsia e shpirtit të tij nuk hezitonte të vdiste, por sedra e luftëtarit që të vdiste në këtë mënyrë e mundonte. Me veshët si të dhelprës ndiqte hapat e Princit që dalngadalë po shuheshin, por edhe duke e kuptuar që ai nuk mund të ecte po aq sa ai. Kjo jo vetëm e sëmbonte por e kishte tendosur vetëm në një qëllim, që të ndjente rrokullisjen e Princit sa më parë në atë hon të thellë. Me qindra herë përsëriste lutjet e tij dhe ecte ngadalë si kërmill. Në fillim duke e cekur supin mbas shkëmbit, por thesi që kishte veshur i ngecte nëpër ciflat e tij dhe e rrezikonte më tepër. Hoqi dorë nga kjo manovër, por nuk kishte orientim tjetër sepse edhe hapat e Princit nuk po i ndiente më. Vetvetiu sillte ndër mend taktikat dhe teknikat që kishte mësuar nëpër shkolla apo ato që kishte mësuar gjatë përvojës së luftës, por nuk gjente dot rrugëdalje. Bile tani nuk kishte as mundësi të hakmerrej edhe kundër Princit, të paktën ta rrëmbente edhe atë poshtë në greminë. Dy tre herë u luhat për të rënë poshtë ngaqë e vrisnin mendimet e liga, prandaj i la edhe lutjet dhe përqëndrohej tek hapat që t’i hidhëte sa më me kujdes. Por fytyra e Princit nuk i shqitej, ajo i bllokonte pamjen, i bllokonte trurin, nervat dhe ndijimet aq të domosdoshme.

Princi ishte shkëputur disi nga Pashai, ecte me kujdes dhe me hapa të matur. I ishte dashur që ta bënte këtë rrugë me dhjetra herë natën, për tu sjellë kripën njerzëve aq të domosdoshme dhe ja kishte dalë mbanë. Ndaj kishte besim që do të ngjitej patjetër deri tek njerëzit që e prisnin me padurim dhe me gjak të ngrirë. Por këtë herë në thasët e kripës rrinin bashkë, shpresa dhe vdekja, liria ose robëria, që po u ngjiteshin shkëmbinjëve me aq zell që të dyja. Por ai e dinte se çdo hap të sigurtë që hidhte, po aq largohej edhe robëria për popullin e tij. E dinte që të gjithë e prisnin me padurim dhe po luteshin për të. Kjo e bënte më të sigurtë dhe më të matur dhe i kishte tendosur nervat vetëm tek këmbët e tij që zgjidhnin me kujdes rrugën. Befas e ndjeu atë që nuk donte. Ndjeu nën këmbën e tij një lëvizje, një rrëshkitje të lehtë, që ishte fatale dhe e pariparueshme pa vëmendjen, por e kostueshme për misionin e tij. Nuk donte ta ndjente, nuk e dëshironte këtë thyrje, ciflosje dëshirash. Nuk donte t’i jepte shkas për ngazëllim atij krimbi që zvarritej pas tij, që do ta krimbëte popullin e tij, do t’i shtonte mballomat e një bote tjetër, e një lukunie tjetër, do të sakatonte arsyen dhe dashurinë e tyre të ngritur dhe të ruajtur me shekuj. Nuk donte të rrëzohej shpresa e popullit të tij për të jetuar i lirë, me djersën e tij dhe i qetë si më parë. Nuk donte që trimat e tij t’i merrnin e t’i kthenin në ujqër për të shqyer popuj të tjerë. Ndaj nën këmbë ndiqte lëvizjen e ngadaltë, ndërsa këmbën tjetër e mëshonte fortë në truallin e shkëmbit duke u bërë gati njësh me të. Duke u bërë si shkëmbi për të njësuar vullnetin e tij që përkiste me botën për të cilën po luftonte, me atë botë që ishte edhe pak metra larg tij, e dashur , e sinqertë, siç e dëshironte dhe e dëshironin. Ndiqte me kujdes zhvendosjen dhe dalngadalë e bëri të tijën, tani ajo i bindej, ishte ai që po e shkëpuste atë copë nga shkëmbi që nuk i duhej. U ndie një rrapëllimë duke marrë edhe klithmat e njerzëve deri poshtë në humnerë, përveç klithmës së tij që ishte brenda tij, brenda vetë shkëmbit ku ishte njësuar.

Pashai që dëgjoi rrapëllimën dhe klithmat e njerzëve i brofi zemra, bashkë me të ishte rrëzuar edhe gjysma e urrejtjes së tij, dhe befas fytyra e Princit që nuk i shqitej po i largohej, ndërsa i ngjalleshin fytyra të tjera të përvuajtura, që i binin në gjunjë për t’i mëshiruar. Kjo dalldisje gati i kushtoi sepse u hepua nga pakujdesia ku kishte hedhur këmbën, por u mbajt duke bërë një ulje të shpejtë të trupit me aq sa mundej. Megjithatë tani Pashai ngutej të shkonte më tej, i kishin shteruar edhe rezervat e fundit të durimit.

Fytyrat e përvuajtura që po i shfaqeshin mezi priste që t’i vinte në provë edhe më të vështira se sa kjo që po hiqte vet. Spahiu që i vinte pas dhe kishte vënë re nxitimin e tij i pëshpëriti: “Kujdes, mos u ngut, se nuk ka ndodhur asgjë” Automatikisht fytyra e Princit iu shfaq përpara, aq sa deshi ta kafshoj, hapi gojën e skërmitur por ndjeu shijen e thesit dhe të kripës. Kjo e solli në vete, por fytyra e Princit i afrohej edhe më pranë. Ishte e padurueshme, por ashtu siç ishte ai i lidhur në thes nuk kishte ç’ti bënte. Tani e ndjente që ai kishte përparuar dhe ishte gati në mbrritje, por këtë ai nuk donte ta shihte, nuk donte as ta mendonte. Iu kujtua  spahiu që i vinte pas, atë e kishte një nga besnikët e tij më të mirë. Idenë që i kishte shkrepur por që s’mund ta bënte vetë, tani mund ta bënte vetëm spahiu i tij. Vetëm ai, sepse ai i kishte duart e lira dhe kishte një thikë në dorë, që e përdorte për të lehtësuar rrugën. Nëqoftëse deri tani ishte zhgënjyer nga mendimet boshe, po i jepej shanci i fundit që ta shihte Princin në fund të greminës. Nëse do të shkonte edhe ai pas tij, le të bëhej, sepse tani ishte i bindur që nuk do të arrinte kurrë atje lartë. Nervat e tij ishin shtendosur, këmbët i ishin mpirë dhe ato i shtynte vetëm instikti përpara. Goditja me thikë nga larg dhe befas që mund të bënte spahiu drejt e në shpinën e Princit ishte e vetmja mënyrë që ai mund të çlirohej. Dhe ishte i sigurtë që spahiu këtë dinte ta bënte mirë, sepse ai i njihte spahinjtë e tij. Por ndjeu që ai kishte humbur edhe të qënit Pasha. A mund t’i jepte urdhër tani ashtu i damkosur në thesin e kripës? A do t’i bindej spahiu në këtë prag vdekjeje? Të një vdekjeje që e kishte zhytyr në qënien e sajë dhe e mundonte.“ Por sidoqoftë vdekje për të gjithë” mendoi. Dhe ngaqë nuk kishte mundësi të kthente kokën, ktheu trupin nga spahiu për t’i dhënë urdhër, por në të njëjtën kohë hodhi edhe hapin që nuk e mbajti. Hapi kishte rënë atje ku pak më parë Princi kishte hequr atë pjesë që shkëmbi nuk e donte. Tani nuk kishte më kohë për të dhënë urdhërin e tij tinzar, por e pasoi një pasthirrmë e lemerishme: “Qofsh mallkuar Gjiiiiiiiiin”! Dhe u shemb në tabanin e humnerës poshtë.

Princi që sapo kishte mbrritur sipër, i çliruar edhe prej thesit nga populli i tij, u thirri spahinjëve: - Merreni  Pashain tuaj dhe çojani Sulltanit, se kjo tokë nuk e mbajti dot.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora