E premte, 29.03.2024, 01:47 AM (GMT)

Kulturë

Lefter Çipa: Polifonia, fosforina e këngës shqiptare

E marte, 10.07.2012, 06:01 PM


Flet “princi” i këngës labe, poeti i mirënjohur popullor, Lefter Çipa

“Polifonia, fosforina e këngës shqiptare”

Nga Albert ZHOLI

S’e heq kurrë cigaren nga goja dhe pse mjekët ia kanë ndaluar. Megjithatë është shumë energjik dhe i saktë. I lidhur pazgjidhshmërisht me këngën polifonike, ai jo vetëm është një nga autorët më kryesorë të teksteve të kësaj kënge magjike, por dhe hulumtues dhe ndjekës i vëmendshëm i të gjitha festivaleve folklorike që realizohen në të katër anët e atdheut me këto këngë. Këtë radhë e takuam në Festivalin e V Ndërkombëtar të Polifonisë të zhvilluar në qytetin antik të Bylisit, ku ai ishte dhe një ndër anëtarët e jurisë. Kur flet për polifoninë ai nuk të fal asnjë gabim. Në dorë mban një orë me kurdisje, ku në qendër të saj është një fotografi e Enver Hoxhës. Kur e pyet për  të, ai hesht dhe qesh. Nuk do të bëjë asnjë koment, por flet sërishmi për polifoninë si një thesar që është i vetmi në llojin e vet në gjithë botën dhe që është pagëzuar në Shqipëri.

Pse e quani polifoninë Fosforinë?

Fosforinë, sepse kjo këngë magjike ka vetinë e shkëlqimit dhe të ndriçimit si fosfori në errësirë që të ndriçon rrugën edhe në natën pus. Ajo është kaq magjike, sa askush s’e merr mend se sa fosfor mban përbrenda.

Jeni i kudondodhur kur flitet për polifoninë. Si do ta përkufizonit këtë perlë të kulturës shqiptare?

Si do ta përkufizoja?! Kënga polifonike, është mbret i këngës së shpirtit. Kjo këngë është shpërthimi më i mirë i shpirtit, që nuk njeh pengesa, që nuk njeh, kufizime, por është i lirë , si zog shtegtar. Polifonia është përjetësi. Një popull që nuk këndon, vdes. Pa mushkëritë e mbushura të polifonisë së veçantë, sidomos asaj labe, shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Sidomos në këto ditë vere, ku nxehtësia po djeg dheun, polifonia po na e zbut këtë vapë me atë gurgullimë të përjetshme që na e bën jetën më të butë dhe më me dritë. Kënga labe, apo polifonia në tërësi është si një thesar i rrallë dhe i pashoq që shkëlqen si një margaritar. Ajo do të mbetet  kryevepër e kulturës së popullit shqiptar, të cilën UNESCO, kjo seli e mendjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje.

Ky vlerësim i UNESCO na jep të drejtën të ndihemi krenarë?

As që vihet në diskutim. Askush në botën e qytetëruar nuk të vlerëson pa meritë. Kjo gjë të harrohet. E them me gojën plot se ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej mrekullive të kësaj bote. Keni dëgjuat për testamentin e Fan Nolit?

Diçka kam dëgjuar, por megjithatë dua të ma përsërisësh?

Fan Noli në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga lebër safi. Sepse e dinte që ajo e bënte të përjetshëm...Dhe kish të drejtë. Kur këndohet polifonia duket se këndojnë hyjnitë që zbresin nga qielli në tokë

Nuk lodhesh që shkoni në shumë aktivitete?

Pse ti mendon se të lodh polifonia? Polifonia të shëron. Kur shkoj në aktivitete të tilla, jeta më bëhet më e bukur, më e gjallë, më me vlerë, më me stimul. E ku ka më mirë se të dëgjosh këngën e Zotit.

Mendimi juaj për Festivalin e Pestë Ndërkombëtar të Bylispolifonisë?

Është një ndër aktivitetet më të bukura që kam ndjekur. Kam qenë këtu në Festivalin e Parë, jam ndjerë si mbret. Në një lartësi të tillë që sheh deri në Tiranë, mes shkallëve të gurta të amfiteatrit të vjetër, me të vërtetë ndihesh i vlerësuar, por dhe shumë krenar për historinë. Ky qytet antik mbi 2500 vjeçar ka në themele një histori që me të vërtetë duhet parë me lupë. Ja shiko themelet e amfiteatrit të vjetër, shiko stolat e veçantë ku uleshin mbretërit.. Dallohen këta stola të gurtë për vetë ndryshimin, për vetë specifikën e ndryshimit. Një histori e tërë. Një histori që të rrënqeth për bukurinë e rrallë. E ku ka më vend piktoresk. Besoj se në këtë amfiteatër të lashtë ku ne po bëjmë Festivalin e Pestë, ndoshta dikur ka jehuar polifonia  po aq bukur dhe pse me mjete jo moderne. S’ka pasur mjete, por ka pasur një kulturë që të mahnit. Në këtë qytet shikon banja që i kanë rezistuar kohës. Shikon punishte vere sikur të jetë ndërtuar sot, shikon puse uji sikur janë bërë para disa ditësh, shikon gurë që peshojnë tonelata, që sot zor se mund t’i transportosh. Pra ky festival ka vlera të shumëfishta, të njeh me historinë tonë, por edhe të sjell afër tingullin e bukur të këngës që të magjeps. Për mua Bylispolifonia është një festival tepër i veçantë.

Sot flitet shumë për termin Isopolifoni dhe Polifoni. Si duhet përcaktuar?

Polifoni. Në këtë këngë të vjetër sa dhe kombi në fillim merret kënga, pastaj mbahet isoja. Isoja vjen nga një fjalë po e huaj greke, që në radhën e ndërtimit të këngës nuk zë vendin kryesor. Shumzërëshi shqiptar, apo vënçe apo labçe do të ishte më e saktë. Kur këndohet, thuhet kush ja merr

dhe jo ai që mban iso të mbajë rolin kryesor.

Sa tekste këngësh polifonike keni bërë?

Unë s’mbaj shënime apo ditar. Kënga është burim i jetës sime. Unë shkruaj sa herë më vjen frymëzimi. Dhe frymëzimit nuk i them hajde, por është ai që më fton. Nuk e di kur krijoj, ashtu sikundër kurrë s’e kam marrë mundimin të numëroj se sa krijoj. Vargu është një thirrje e brendshme e shpirtit. Ai të kap nga dora dhe të thotë vetë hajde ulu.  E kam lënë të lirë vargun. Unë kënaqem kur poezia ime bëhet këngë apo bëhet pjesë e populli tim, paçka se s’kam mundur t’i numëroj.

E keni menduar ndonjëherë veten larg Himarës?

As me Parisin, as me Uashingtonin nuk e ndërroj. E keni parë në mëngjes detin e Himarës, po në mbrëmje!?...   Mos ma bëni këtë pyetje, se ndihem keq. Himara është kryeqendra e botës për mua. Pa Himarën unë s’do të isha Lefteri.

I keni shërbyer ndonjëherë bashkëshortes?

Vetëm njëherë, dhe dola shumë i fituar. Se di se ç’vit ishte, por di që atë ditë kisha mbetur pa lekë në xhep dhe në paketë kisha vetëm dy cigare. E kupton, vetëm dy cigare! Mund të rri unë pa dy paqeta në xhep?! Bashkëshorten e kisha pa qejf atë ditë. Shkoj në shtëpi dhe ajo me urtësinë e saj më thotë, më bëj një kafe. Ishte hera e parë në jetë që më thoshte. U bëra kamerier. E bëra kafenë dhe mora ca filxhanë të bukur që ajo i mbante për reklamë, sepse nuk i përdorte kurrë. Kur marr të dytin, poshtë tij doli një 5 mijëshe dhrahmi. Sa u gëzova, njëherë gatova dhe fitova. Kur i çova kafenë gruas, ajo u habit. Pse ke marrë këta filxhanë, më tha, unë s’i përdor kurrë. E mori me mend që kisha gjetur dhe dhrahmitë dhe më tha, të paktën më lër gjysmat!...

Keni qenë ndër iniciuesit e albumit “Vajza e valëve” të Mimoza Kosturit, mendimi juaj për të?

Ka një zë të veçantë. E kanë në gjak si familje polifoninë. Kur e kam dëgjuar për herë të parë jam mrekulluar. Nga ai moment e kam nxitur për një album të tillë. Isha në promovimin e albumit dhe vërtetë mora si shpërblim atë që mendoja.

Mimoza Kosturi

Albumi “Vajzë e valëve” dhe Lefter Çipa

“Vajzë e valëve” ishte një album që e justifikoi ëndrrën të dytë. Këtë album unë vendosa që ta bëja me repertorin që zotëroja më mirë. Ky album ka 11 këngë. Albumi duhet që të krijonte besimin më shumë tek vetja. Ai i ka të gjithë elementet, se përmbledh folklorin e Himarës, Gjirokastrës dhe të Zagorisë, por ka edhe këngë labe brenda, të bërë nga rapsodët dhe këngët e spikatura të Lefter Çipës. I madhi Lefter Çipa ka qenë ndihmësi dhe nxitësi im më i mirë në këtë album. Ai më ka orientuar në çdo drejtim.

Para se të realizoja albumin, pashë dokumentarin e Himarës në bashkëpunim me Lefter Çipën dhe jam mahnitur. E kam dëgjuar disa muaj rresht. Pastaj guxova dhe këndova. Unë dua të jem e saktë me çfarë atë afron tabani dhe pastaj aftësitë e mia. Ishte një investim i madh si nga ana shpirtërore dhe nga ana ekonomike. Mbështetja që më dha Eno Koço, që e mori përsipër që këtë album ta realizonte në Londër dhe për t’i bërë një investim sa më profesional ishte një vlerësim maksimal. Albumi u realizua në studiot e Radio-Tiranës, por u shumëfishua në Londër dhe u prezantua në ambientet e teatrit “Metropol”. Pata një mbështetje nga artdashësit, por dua të falënderoj edhe regjisorin Kiço Londo që ka qenë në atë periudhë në teatrin Metropol, i cili na mundësoi sallën. Ka qenë një koncert i veçantë. Polifonia në vetvete i ka të gjitha elementët për t’i dhënë kënaqësi publikut. Deri në atë moment kisha bërë shumë punë dhe mendova ta pasuroj edhe me elementë të tjerë. Bëra një takim me Petrit Rukën, një njohës dhe dashamirës i polifonisë dhe mjaftoi një bisedë me të për të organizuar promovimin.

Katina Bejleri, këngëtare

Lefter Çipa mbetet për mua një nga princërit e teksteve të polifonisë shqiptare. Tekstet e tij kanë erë deti, mali, janë të lira, me hapësirë. Sa herë lexoj tekstet e tij,l mbetem e shtangur. S’e di se nga ku burojnë ato vargje. Duken si vargje hyjnore. S’ ta mbush mendjen që ai burrë aq elegant, të bëjë vargje që të mrekullojnë shpirtin. Kur këndoj ato tekste më duket se marr me vete zjarrin e vatrës himarjote për ta përcjellë në çdo vatër shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora