E enjte, 18.04.2024, 06:46 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Leonidha Peppo: Përvoja të vyera për Kardiologjinë

E hene, 09.07.2012, 06:07 PM


Nga e djathta: Dr. L.Peppo, Dr. M. Kapaj, Dr.G. Hakrama

PËRVOJA TË  VYERA  PËR  KARDIOLOGJINË, NË KONGRESIN E BARCELONËS

(Duke shfletuar bllokun e shënimeve)

Nga: Dr. Leonidha Peppo - Tiranë

1.

Është shkruar dhe më parë për pjesëmarrjen e mjekëve shqiptarë në kongrese e konferenca ndërkombëtare të rëndësishme mjekësore, ku ndihmesat aktive të tyre kanë qenë të suksesshme. Kësaj radhe, dëshiroj të sjell shkurt në kujtesën e lexuesve të interesuar, nga fusha e mjekësisë ose jo, Kongresin Vjetor të Kardiologjisë Europiane, zhvilluar në Barcelonë (Spanjë), nga data 29 gusht e deri më 2 shtator 2009. Vërtet ka kaluar një kohë ca e gjatë, por mendoj se mësimet dhe vlerat e kësaj veprimtarie aq masive mbeten ende aktuale. E them tani këtë gjë, duke marrë parasysh diskutimet e bëra, si dhe përfundimet me vlera afatgjata, që u arritën aty.

Pjesëmarrje në atë Kongres ishte e jashtëzakonshme, me 30.000 delegatë. Ndërsa delegacioni shqiptar kishte në përbërje një grup me 34 mjekë.

Për dijeninë e lexuesve, në kongrese të kësaj natyre, çdo shtet pjesëmarrës çel vazhdimisht stendën e vet, me emblemën  përkatëse të tij. Kështu, një kënd i veçantë i ishte lënë edhe Shqipërisë. Presidentja e Shoqatës së Kardiologjisë Shqiptare (SHKSH), prof. Mimoza Lezha, krahas te dhënave për ecurinë e kardiologjisë shqiptare ndër vite, kishte paraqitur në disa stenda edhe pamje nga vendi ynë. Prania e përhershme e sekretares së SHKSH-së në pavionin shqiptar, iu jepte të pranishmëve mundësira të shumta, si për të shuar kureshtjen e pamjeve të mrekullueshme të vendeve turistike të vendit tonë, ashtu edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të vizitorëve. Sigurisht që sot nuk është kush e di se çfarë, që të njohësh 2 apo 3 gjuhë të huaja. Kështu, përfaqësuesja shqiptare, njohëse e mirë e gjuhës angleze, qendronte e qetë dhe e sigurtë pranë stendës shqiptare. Ne bëmë edhe foto përkatëse aty.

Pallati i Kongreseve ishte i stërmadh, me një mori sallash, të mbushura dhe të vena në shërbim të atyre, që me pasion e punë të palodhur e këmbëngulëse, do të referonin apo do të mbanin leksione përpara të tjerëve, që janë po aq të ditur sa ata, te cilët qendronin lart në foltore. Kërkohej përgjegjësi e madhe, se duheshin pritur dhe pyetjet, rreth temave të tyre. Ata, që për mungesë kohe nuk mundën të flisnin nëpër seanca, pasi temat ishin të shumta dhe koha në dispozion jo e mjaftueshme, iu dha mundësia të shpalosnin punimet e tyre kërkimore e studimore shkencore nëpër postera. Tabllorat me përmbledhje të përqendruara ishin vendosur në salla të veçanta. Ndërsa, në orare të caktuara e të kufizuara, autori përkatës qendronte pranë stendës ë tij, gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të delegatëve. Natyrisht, kjo kërkonte përgatitje të lartë profesionale dhe gjuhësore, pasi çdokush duhet të dialogonte me të interesuarit.

Në këtë Kongres, Shqipëria u përfaqësua me tema: nga mjekja e pasionuar, Nereida Xhabija; të talentuarin Alban Dibra dhe Prof. Gani Bajraktarin, nga Prishtina, gjithmonë i suksesshëm në të tilla ngjarje shkencore kardiologjie. Ata paraqitën punimet e tyre dhe  ishin të aftë të diskutonin me nivel të lartë shkencor, me kolegët perëndimorë, gjë që u vlerësua mjaft prej tyre.

Grupi ynë kishte në përbërje të tij 11 veta, të cilëve pjesëmarrja në këtë Kongres iu mundësua falë mbështetjes financiare të Kompanisë së mirënjohur farmaceutike, KRKA.  Përfaqësuesja e saj, znjsh. Arenza Bodeci, me zotësinë e saj karakteristike, u përpoq të ndihmonte në çdo gjë. Grupi ynë u vendos në një zonë të njohur, Barceloneta, në një hotel të thjeshtë, por mjaft komod. Ishim miq të mirë, mjekë të zemrës dhe patëm marrëdhënie të shkëlqyera midis njëri-tjetrit. Të gjithë vendosëm që, si pjesëmarrja në punime, ashtu edhe lëvizjet jashtë Pallatit të Kongreseve, t’i bënim së toku.

Barcelona, qyteti më i bukur i Spanjës, kurdoherë të ofron bukurira, që ia vlen t’i shijosh. Për këtë, na erdhi në ndihmë edhe organizimi i shkëlqyer, në hyrje të mjediseve të Kongresit. Sportele të panumërt qendronin të hapura gjatë tërë kohës dhe, me shënimet  përkatëse, të orientonin mjaft mirë. Ato tregonin udhërrëfyes turistikë, nga ku delegatët mund të merrnin të dhëna për vendet karatestike të turizmit spanjoll. Po kështu, ofroheshin shërbime të ndryshme, jepeshin informacione për veprimtaritë kulturore e artistike të javës. Pra, gjeje përgjigje për gjithçka kërkoje. Në këto mjedise informuese shërbenin shumë të rinj dhe të reja, të cilët flisnin një anglishte të kulluar dhe ngahera ishin të gatshëm për të të ndihmuar.

Por, përpos këtyre që përmenda më lart, vinte përmbajtja e punimeve të Kongresit, pra ato ajo që i terhiqte gjithë të pranishmit, zhvillimi i seancave profesionale për çështje të ndryshme të kardiologjisë. Aty, lektorët e njohur, por edhe të tjerë, shpalosëm plot entuziazëm punimet e tyre, duke reklamuar personalitetin shkencor dhe duke tërhequr  vëmendjen e të pranishmëve.

Shumë vemendje tërhoqi përfaqësuesi i shquar i kardiologjisë në gjithë botën, Eugent  Braunëald. Ky është arkitekt dhe zbatues i botimit të rëndësishëm shkecor, “biblës” së kardiologjisë “Zemra”. Së bashku me Harts, autor tjetë, kanë bërë 2 botimet e kardiologjisë botërore. Ky mjek i shndritshëm, rreth 85-vjeçar, në leksionin e vet, foli për të ardhmen e kardiologjisë, në vitet 2016-2020. Prandaj salla ishte e mbushur plot, ku sigurisht ishim edhe ne shqiptarët. Ndërsa për habinë tonë, kur prof. Braunëald mbaroi leximin e punimit të tij shkencor, salla u boshatis, sikur të tjerë lektorë pas tij ishin pa vlerë!?

Pa u zgjatur, tani shënoj këtu se përfitimet tona profesionale nga ai  Kongres ishin të shumta dhe me vlera në punën tonë të mëtejshme me pacientët. Kështu, për shembull, na bënë përshtypje në temat e lexuara ose jo problematika të tilla, si: stenoza e aortës dhe përfitimet nga operacioni në të, përsa i përket cilësisë së jetës; luftimi i SIZ-së, duke modeluar direkt pjesën që i takon në gen; mjekimi i aritmive supraventrikulare dhe aritmive ventrikulare, efektet anësore të medikamenteve etj. 

2.

Bukuritë e qytetit të Barcelonës do të bëheshin synim i kënaqësisë së gjithë delegatëve, nga vende të ndryshme, pra dhe nga Shqipëria. Qyteti kish ndërtesa me kube karakteristike e të zbukuruara, që tëhiqnin menjëherë kureshtjen të veçanta të cilitdo, ndryshe nga qytete të vendeve të ndryshme, që kemi parë. Kjo rrymë e veçantë quhet gaudizëm, nga arkitekti i famshëm Gaudi, së bashku me piktorin impresionist, Pikaso, që njihen ndër njerëzit më të shquar të Barcelonës. Vend turistik dhe i dalluar ishte Katedralja, kishë e vitit 1803, e cila ndodhej në një kodër mbizotëruse të qytetit, me një pamje madhështore, të shpalosur në sytë tanë. Si kudo në vendet e tjerë, edhe Barcelona ka “Harkun e Triumfit”, simbol i fitoreve përparimtare. Ai ishte me tulla të kuqe, jo shumë i madh e i mbuluar me skulptura të njerëzve të shquar vendës, si Pau, Rodriguez… Aty na shoqëruan poza të përbashkëta fotografike, duke fiksuar kështu kujtime të paharruara, si për ne dhe familjet e të njohurit tanë.

Pas « Harkut të Trumfit » shikohej gjatësia e shëtitores me drurë, lule e llampadarë. Në të dyja anët e saj, stolat e zbukuruar për të ndenjur, të bënin ta shijoje atë hapësirë të rrallë. Në fund të asaj shëtitoreje, ku ishte e ndaluar hyrja e makinave, shtrihej i mrekullueshmi « Parku i tre dragojve ». Në hyrje të tij ngrihej madhërishëm Muzeu, me të njëjtin emër. Aty të priste skeleti i një dragoi të stërmadh. Gjithashtu, aty bëmë foto të shumta, në kujtim të kësaj kafshe, e cila nuk gjendet më dhe na çon mendimin në lashtësi. Ky park është krenaria e Barcelonës. Ndërkaq, mendja na shkonte edhe te parqet e Parisit.

Kompania farmaceutike “Novartis” organizoi për pjesëmarrësit shqiptarë një darkë, në  një nga restorantet e mira të Barcelonës. Takimi për pjesëmarësit u la te kisha e quajtur “Sagrada familja” (familja e shenjtë), që ua mbylli gojën vështruesve për një çast, me madhështinë e format e veçanta, të papara më parë. Por pastaj i la rrugë diskutimeve me ndjenja të ndryshme, sipas perceptimit vetjak. Mua, personalisht, më la përshtypje shumë të madhe, saqë aty dhe më vonë, në Shqiperi, ua tregoja  me tone të larta entuziaste, të njohurve të mi. Pranë hotelit tonë shtrihej Deti Mesdhe, i pafund, me hotele e plazhe. Menjëherë aty pranë ndodhej sheshi “Colombo” dhe në mes ngrihej obelisku shumë i lartë, me zbukurime në bazë dhe në majë ishte statuja e kërkimtarit dhe zbuluesit të famshëm botëror, Kristofor Kolombi. Ishte me pamje nga deti dhe dorën e djathtë të ngritur lart, po në atë drejtim, duke dashur të thotë “Andej”. Kjo fjalë përmbledh gjithë veprën e tij, përtej detit.

Shumë pranë tij, në këmbë, qendronte muzeu i vogël e me 5 anije të tilla, që mundën të arrinin në fund të ekspeditës. Njëra ishte më e madhe, me vendin ku rrinte udhëheqësi, si një kabinë e vogël, mbuluar me batanije. Këto m’i tregonte miku im, Kristaq Miço.

...U larguam nga Barcelona pikërisht në ditën, kur u caktuan ministrat e rinj, që dolën nga zgjdhjet e 28 qershorit 2009. Ata, që u lidhën me Tiranën, njëherësh, mundën t’ua tregonin këtë gjë kolegëve të tjerë. Ndërsa të gjithë ne e dinim mirë, se jeta në Atdheun tonë rrjedh njëlloj dhe gjithmonë e dashur, duke dhënë siguri për jetesën dhe përparimin e pandalshëm.

Sigurisht, përvoja e fituar në Kongresin e Barcelonës do të na shërbente ne, në punën tonë të metejshme me pacientët, në fushën e kardiologjisë.

Tiranë, 24 qershor 2012



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora