E enjte, 28.03.2024, 11:15 AM (GMT)

Kulturë

Izet Duraku: ''Apologji për Udhën e Kombit''

E hene, 09.07.2012, 05:06 PM


“APOLOGJI PËR UDHËN E KOMBIT”

(Mbresa për librin e Rexhep Shahut me titull Apologji për Udhën e Kombit, botuar në Tiranë, në qershor 2012)

NGA IZET DURAKU

100 vjet më parë kur Shqipëria do të shpallej e lirë dhe e mosvarme, vendi do të trashëgonte krahas varfërisë, analfabetizmit edhe mungesën e lidhjes me rrugë të krahinave dhe vilajeteve me njëri-tjetrin. Bie fjala, deri në vitin 1940, për të shkuar në Kukës duhej të udhëtoje ose nga Maqedonia, në Prizren e në Kukës ose nga Mali i Zi, në Pejë, Gjakovë, Prizren e Kukës. Po në kushtet kur këto treva u ndanë me kufirin e vitit 1913, lidhja mund të bëhej vetëm në shtigje karvanesh e këmbesorësh të raskapitur me ditë e javë larg.

Rajoni mespërmes të cilit u ndërtua kjo udhë, ndonëse me një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e kombit, ka qenë rajoni më i lënë pas dore, më i përbuzuri, më i braktisuri. Qindra mijë shqiptarë, një politikë antikombtare synonte t’i izolonte në kurthin e maleve të veta të begata për të prodhuar minerale e dritë edhe për të tjerët, por edhe ironi poshtëruese pushtetarësh që në vend të ndihmës reale pillte slloganin e ndihmës ndaj zonës verilindore duke i sjellë dublantë komikë që shtuan varfërinë dhe zhvatjen prej kastës burokratike të regjimit komunist.  Përmes këtij libri bëhet më i dukshëm shembja e malit të pengesave dhe shprehja “dritë në fund të tunelit” nuk mbetet thjesht nje frazë e zbraztë, por na lejon të shohim se përmes kësaj udhe kemi hyrë në shekullin e ri bashkë me familjen e popujve së cilës i përkasim.

Edhe sipas autorit Rexhep Shahu, udha Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë siguroi lidhjen fizike të shqiptarëve në dy pjesët e ndara të kombit dhe për këtë arritje në këtë 100-vjetor kemi një krenari të ligjshme. Sikur kjo rrugë të realizonte vetëm lidhjen e Mirditës dhe të Kukësit me zona të tjera të vendit, pa përmendur Kosovën, do të ishte plotësisht e arsyetueshme hapja e saj. Tashmë, që udha ka mbaruar, duket se është mbyllur gjithashtu edhe një rreth i gjerë polemikash shoqëruese. Këto polemika të natyrshme e të panatyrshme morën udhë nga shtypi i shkruar e televizionet, përfshin sallën e Kuvendit dhe përfunduan  në dyert e Prokurorisë dhe të Gjykatës. Gjithë kjo polemikë, me një frymëzim të dukshëm nga politika, tashmë duket se është shuar. Shpeshherë ajo mori trajtat e një teatri absurd, ku autorët e pseudodramave nuk mund të fshihnin alogjizmat e dukshme: “E duam Kosovën, por udha që lidh Kosovën me Shqipërinë është e panevojshme. Jemi progresistë dhe duam zhvillimin, por kjo udhë do të sjellë rrënimin tonë, etj., etj.”

Gjithë tematika dhe argumentat e kësaj polemike kundërshtuese, herë-herë me tone të qeta, por më së shumti me tone të dukshme emocionale, që sillen në këtë libër, mbeten si një fushë studimi për t’u analizuar edhe më vonë me gjakftohtësi. Ndoshta ka vend sërish për të hulumtuar dhe gjetur burimet që e ushqyen polemikën shurdhuese e shkatrruese, kush e sponsorizoi atë, çfarë traumash dhe dëmesh shkaktoi, ç’gërmadha u bënë si pasojë e dridhjeve të saj të jashtme e të brendshme, etj, etj.

Gjithashtu, me vend do të ishte që të shihej dhe të merreshin masa për riparimin e dëmeve, vragave, tektonikës dhe çarjeve të krijuara   shpeshherë të rihapura mu mbi plagë të vjetra, që kërkojnë kohë dhe mund të madh për t’u shëruar. Apo mbase e gjitha kjo sherrnajë, ashtu siç do autori dhe do të donin bashkë me të, të shumtët e këtij vendi, ka përfunduar paqësisht tashmë, pa asnjë lloj dëmi dhe ndaj nuk ka arsye pse të shqetësohemi për mungesën e pasojave.

Stili i autorit është i saktë, i qartë, i drejtpërdrejtë. Vetë rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën, për shkak të përmasave të saj, i përjashton teprimet dhe përdorimin e hiperbolave, sepse ajo qëndron sipër çdo teprimi dhe hiperbole. Ajo është thjesht mahnitëse dhe madhështore. Përmes saj sigurohet bashkimi fizik i dy pjesëve të ndara të Kombit. Bashkimi shpirtëror, kohezioni, ngjizja e aq elementëve përbashkësues që janë formuar në mijëra vjet, përmes këtij bashkimi fizik do të forcohen e përsosen më tej.

Natyrisht, që është shumë vështirë të mbetesh në pozicionin si kundërshtar i kësaj rruge, ose më keq të shpallesh armik i saj. Shumë nga kundërshtimet për rrugën janë harruar, ose janë mohuar nga autorët e tyre. Në një betejë të hapur rruga ka mundur dhe do të mundë çdo lloj kundërshtari. Udha e Kombit tonë drejtpërdrejt, jo në mënyrë figurative, që në krye të herës është hapur në dobi të të gjithëve dhe në dëm të askujt.

Me historinë tonë 100-vjeçare, pas shpalljes së Pavarësisë mund të krenohemi për shumë gjëra. Por ajo që na bën vërtetë krenarë është se nga gjiri i Kombit tonë, që prej të ndriturit Sami Frashëri e këndej, asnjë studjues, politikan a kushdoqoftë nuk ka hartuar projekte, traktate, elaborate, studime e as ka thurë plane në dëm të të tjerëve. Që nga “Shqipëria çka qenë ç’është e çdo të bëhet” strategjia e zhvillimit tonë është kundruar krahas me zhvillimin e të gjithëve në këtë rajon të Ballkanit, duke i shërbyer gjithnjë bashkëjetesës paqësore.

Autori merr ne shqyrtim ndarjet fizike te shqiptarëve te krijuara kryesisht gjatë natës së gjatë otomane, por edhe në këto 100 vitet e fundit, që përveçse kanë përçarë hapësirën shqiptare fizikisht, kanë sjellë edhe ndarje të tjera gjuhësore, zakonore etj, të cilat mund të çonin në thërrimzime e përçarje të mëtejshme. Mbi këtë bazë ndarjesh e  përçarjesh janë ngritur një sërë paragjykimesh krahinore. Duke sjellë bashkimin, përveç begatisë ekonomike, sipas autorit, udha do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe paragjykimet e pabaza do të treten, nuk do të kenë më vend.

Struktura e librit “Apologji për Udhën e Kombit” ngrihet mbi 3 pjesë, ku fjala apologji – mbrojtje, përsëritet 3 herë. Apologjia e autorit bashkohet me apologjinë e politikës dhe apologjinë e miqve. Toni polemizues i veprës I argumentuar dhe emocional, synon të bashkojë dhe jo të ndajë. Pra, shkon në një vijë, ose në një drejtim me Udhën e Kombit. Autori kapërcen mbi mallkimin e tabuve, heton thellë në psikologjinë e demagogëve që thjesht duan do përfitime personale qoftë edhe duke rrënuar krejt ngrehinën e përbashkët. Ai  i kundërvihet me gjithë shpirt shpifjes, trillimit, përbaltjes, mllefit partiak e urrejtjes që shkon deri në racizëm të një pakice ndaj shumicës. Autori, si polemist, nuk trembet, gjithashtu, nga frika se mos e quajnë të njëanshëm. Prej kohësh nuk e tërheq moda e qenies mbi palët, sepse paanshmëria në shumë raste është krejt e pamundshme, thjesht e pambërritshme, madje e pakuptueshme. Gjithmonë vihesh përpara dilemës së zgjedhjes dhe autori nuk trembet përpara zgjedhjeve të tilla të domosdoshme, si midis të mirës dhe të keqes, të ndarjes dhe bashkimit etj, etj, të zgjedhë anën e duhur.

Gjuha e veprës, ndonëse me një kolorit të butë krahinor, është një gjuhë e pasur në fjalë e frazeologji dhe me një sintaksë të mbrojtur nga moda e modernitetit shpërfytyrues. Një gjuhë me figuracion dhe natyrshmëri.

Natyrisht shumkush mund të kërkojë më shumë nga autori. Kundruar në përgjithësi, nuk ekziston libri që do t’i kënaqte të gjithë, ndërsa libri që promovojmë sot pretendohet as nga autori se është është i pakritikueshëm. Do të ketë të pakënaqur që do të duan edhe një ose disa këndvështrime tjera, të shtojnë ose të heqin nga argumentet e trajtuara në libër. Duke kaluar nëpër filtrin njerzor është e tepër të kërkohet nga autori shmangia e plotë e subjektivizmit. Vetëm zoti do të kishte fuqinë për të kundruar në mënyrë të drejtë e të gjithanshme jetën.

Nga ana tjetër kjo vepër e madhe, e përmbushur vetëm në një aspekt të saj, ka vend sigurisht për vepra të tjera. Është fat që në këtë kohë secili mund të shkruajë librin që dëshiron, të ndjehet i qetë me ndërgjegjen e vet, i qetë gjithashtu me gjyqin e kohës.

Autori është i bindur që udha e kombit ka krijuar tashmë kushte të mëdha për të begatuar tërë vendin. Përmes saj do të shtohen mundësitë e punësimit dhe mundësitë e mbërritjes më lehtë drejt tregut. Kjo rrugë do të mundësojë të na shtojë si shqiptarë, që hapësira jonë në Ballkan të shtohet numerikisht dhe të mos derdhemi drejt zhdukjes dhe të mos shërbejmë si material gjenetik e biologjik për popuj të tjerë, për t’i rinuar të tjerët dhe për tu plakur për vete.

Në falenderimet e tij, autori shpreson me të drejtë se përmes këtij libri ka ndriçuar disa të vërteta për sot dhe për nesër. Ndërtimi i Udhës së Kombit u bë shkollë për shqiptarët, shkollë për politikën shqiptare dhe një gur prove për aftësitë dhe guximin tonë. Ajo do të na japë gjithnjë besimin e duhur se nuk ka gjë që nuk ndërtohet në këtë vend, mjafton të arrihet vullneti i duhur i vendimmarrësve. Tash që u shemb muri i shqiptarëve i Berlinit, u ça mespërmes Mali i Rrunës, me një tunel 11.6. km, që duke lidhur Mirditën me Lumën, lidh pjesë të ndara të Kombit, çdo tunel i ri që do të hapet më vonë do të na ngjajë edhe më lehtë i arritshëm.

Ku ishe ti kur luftohej për lirinë e Kosovës, ku ishe ti kur u ndërtua udha e kombit?? Këto dhe pyetje të tjera secili prej nesh ia bën vetes, por kjo nuk do të mbetet thjesht si brerje vetiake e ndërgjegjes. Vetë koha nuk do të ngurrojë të na bëjë pyetje të tilla. “Apologji për udhën e kombit” i Rexhep Shahut, duke pasqyruar në historinë tonë më të re, një moment kyç zhvillimi, vjen si përmbushje e detyrës së tij si gazetar, si detyrim për të kaluar provën e kohës. Një përballje e sukseshme. Secili ka për detyrë të pasqyrojë aktualitetin e jetës së tij, ashtu siç e sheh , siç e ndjen. Aq më tepër temat e mëdha, meritojnë gjithnjë edhe vëmendjen më të madhe.

Më në fund, me lëjoni ta falenderoj Rexhepin për kontributin e tij dhe përfitoj nga rasti të falenderoj gjithashtu dhe gjithë kontribuesit që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre madhështore, siç është Udha e Kombit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora