E premte, 29.03.2024, 01:02 PM (GMT)

Kulturë

Arif Kutleshi: Intervistë me Dr. Kurt Gostentschnigg

E diele, 08.07.2012, 04:04 PM


INTERVISTË

· Me Dr. Kurt Gostentschnigg poet, albanolog, përkthyes, ligjërues në Universitetin e Graz-it, autor i një sërë punimesh dhe i doktoraturës për shqiptarët dhe albanologjinë, njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve, bisedoi Arif Kutleshi

KURT GOSTENTSCHNIGG

SEI!

Auf der Suche nach dem wahren Glück

mach nicht den Fehler und schau zurück,

Auch der sorgenvolle Blick nach vor

öffnet dir wohl kaum ein neues Tor.

Kannst du denn ändern, was gestern war,

und ist dir das Morgen heut´ schon klar?

Ein Gedanke, kaum gedacht, schon fort,

der nächste noch an anderem Ort.

Zu finden des Herzens heimlich´ Reich

ist für dich wohl schwer und leicht zugleich,

von selbst in die Ewigkeit versetzt,

wenn allein du lebst im Hier und Jetzt.

(23. 12. 2004).: Kujtim Rrahmani)

 

1. Zoti Dr. Gostentschnigg, ju fillimisht keni studjuar histori në Universitetin e Graz-it. Si u bë që të interesoheni për Albanologjinë?

GOSTENTSCHNIGG: Gjatë studimeve të mia të Diplomës për degën e historisë kam ndjekur dy leksione, një për historinë e Shqipërisë si dhe një për fiset shqiptare dhe kanunin e tyre. Më ka tërhequr dhe zgjodha temën për punën time të diplomës në lidhje me albanologjinë austro-hungareze. Doktorata ka qenë vazhdimi, zgjerimi dhe thellimi i kësaj teme në drejtim të marrëdhënieve midis shkencës dhe politikës.

2. Universiteti i Graz-it dihet tashmë, vazhdimisht ka qenë një vatër e albanologëve gjermanofolës. Këtu dhanë mësim e u morën me hulumtime albanologjike disa emra të njohur?

GOSTENTSCHNIGG: Po, si psh. gjuhëtarët Hugo Schuchardt dhe Gustav Meyer - ky i fundit krahas Norbert Jokl-it, Milan von Šufflay-it, Franz Baron Nopcsa-s dhe Maximilian Lambertz-it një nga kolosët e Albanologjisë -, arkeologu Arnold Schober dhe gjeografi Franz Seiner, i cili ishte organizatori dhe përgjegjësi shkencor për rregjistrimin e parë të popullsisë shqiptare në vitin 1918 gjatë administratës ushtarake austro-hungareze në Shqipëri.

3. Këtu gjithashtu, para Luftës së Dytë, i mbaruan studimet edhe disa nga emrat më eminentë të gjuhësisë, të historisë, e të letërsisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Lasgush Poradeci, Krist Maloki…?

GOSTENTSCHNIGG: Po. Unë kam përkthyer që para pesë vjetësh librin e Uran Asllanit mbi më shumë sesa 350 shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha vendbanimet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, të cilët kanë studiuar në Austri deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe të cilët pas kthimit të tyre në atdhe kanë kontribuuar në të gjitha fushat e jetës në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe në zhvillimin e atdheut. Studentët dhe intelektualët shqiptarë në Grac, ndër aktivitetet e tyre të tjera kulturore, kanë botuar në vitin 1922 revistën “Minerva”. Gjithçka mbi veprimtarinë e shumëllojshme të studentëve shqiptarë në Austri mund të lexohet në librin e Zotit Uran Asllani “Studentët Shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre. Tiranë: 2000“ dhe së shpejti, shpresoj, edhe në gjermanisht, pasi të jetë botuar përkthimi im.

4. Kontakti i parë me gjuhën shqipe, vështirësitë e para me të cilat ndeshet i huaji kur fillon ta mësojë shqipen?

GOSTENTSCHNIGG: E kam dëgjuar gjuhën shqipe për herë të parë gjatë ekskursionit të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore të Universitetit të Gracit në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 1989 dhe kam rënë që në çastin e parë në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme, e cila deri më sot ka mbetur e dashura ime. Në verë të vitit 1990 kam filluar të mësoja gjuhën shqipe në mënyrë autodidakte pa pasur mundësi të pyesja dikë për paqartësitë e metodës. Vështirësitë nuk i kam ndierë si të tilla, sepse kur je i dashuruar, je njëkohësisht i verbër për tekat e së dashurës.

5. Sa interferohen këto dy gjuhë mes vete, dhe ku simbas jush, më shumë?

GOSTENTSCHNIGG: Shqipja dhe gjermanishtja nuk kanë dhe shumë gjëra të përbashkëta përveç një pjese të fjalorit, sidomos nga fusha e fjalëve të huaja. Shqipja është, siç dihet, një gjuhë më vete brenda familjes së gjuhëve indoevropiane (e degës Satem), dhe nga ana gramatikore dhe sintaktore ajo qëndron më afër gjuhëve romane si italishtja, frëngjishtja dhe spanishtja, gjë që shpjegohet me ndikimin disaqindvjeçar të latinishtes në kohën romake në territoret e fiseve ilire, të cilat janë me shumë probabilitet paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, megjithëse kjo tezë nuk mund të vërtetohet ende plotësisht në bazë të të gjitha të dhënave shkencore të deritanishme. Vetë një nga albanologët më të shquar shqiptarë, Eqrem Çabej, e ka pohuar këtë fakt në vitin 1976 në “Studime Gjuhësore III” (botuar në Prishtinë), faqe 36, duke konkluduar, se mundësitë e një sqarimi në të ardhmen lidhen me mundësitë e pasurimit të materialit, po edhe me përmirësimin e metodës së punës.

6.Teza e disertacionit tuaj ka një titull interesant: ´Albanologjia austro-hungareze´? Deri më tashti është folur e shkruar për një politikë austro-hungareze karshi Shqipërisë, dhe shqiptarëve, por jo për një ´Albanologji austro-hungareze´. Konsideroj se është me interes për lexuesit shqiptarë të na thoni diçka më shumë e më gjërë për këtë?

GOSTENTSCHNIGG: Në monarkinë e dyfishtë të Austro-Hungarisë ka pasur shumë kombe dhe kombësi. Kështu që në albanologjinë austro-hungareze mund të përfshihen edhe pjesë të albanologjisë gjermanofolëse, të albanologjisë hungareze, çeke, kroate etj.. Në disertacionin tim (Kurt Gostentschnigg: Zwischen Wissenschaft und Politik. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Graz 1996. Shqip: K. G.: Midis shkencës dhe politikës. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918.) kam hasur problemin e kategorizimit në lidhje me disa albanologë të shquar, dhe për ta zgjidhur problemin unë kam zhvilluar tri kritere për klasifikimin e tyre si pjesëtarë të albanologjisë austro-hungareze:

së pari Shqipëria dhe shqiptarët duhet të jenë në ndonjë formë pjesë e veprimtarisë shkencore; së dyti koha e veprimtarisë duhet të bjerë të paktën pjesërisht në periudhën kohore 1867-1918; së treti lindja në territorin e Monarkisë austro-hungareze ose përkatësia tek kombet dhe kombësitë e saja duhet të jetë një fakt. Në rast se kriteri i tretë nuk plotësohet, atëherë vlen ose anëtarësia në Akademinë e Shkencave të Vjenës ose të Budapestit, ose veprimtaria si studiues dhe docent në një nga universitetet austro-hungareze, ose veprimtaria në administratën shtetërore të Austro-Hungarisë.

Kështu unë e kam „përvetësuar“ psh. Johann Georg von Hahn-in, i cili ishte gjerman, për albanologjinë austro-hungareze, sepse ai i ka shërbyer shumë vite Austro-Hungarisë si konsull në Ballkan, kohë gjatë së cilës ai i kryente udhëtimet e tija kryesore hulumtuese në vendbanimet shqiptare. Dmth. sipas këtij këndvështrimi Hani është edhe i albanologjisë austro-hungareze edhe i albanologjisë gjermane. Interferenca të tilla të ngjashme ka edhe në rastin e Franz Miklosich-it (Sloveni-Austri), Gustav Meyer-it (Gjermani-Austri), Wilhelm Meyer-Lübke-ut (Zvicër-Austri), Maximilian Lambertz-it (Austri-Gjermani), Ludwig von Thallóczy-it (Hungari-Austri), Josef Konstantin Jire?ek-ut (Çeki-Austri), Franz Baron Nopcsa-s (Hungari-Austri), Milan von Šufflay-it (Kroaci-Austri) etj..

Meqë ra fjala: termin „albanologji“ unë e nënkuptoj në kuptimin e saj më të gjërë, i cili përfshin të gjitha dishiplinat shkencore, që merren me studime mbi shqiptarët dhe vendbanimet shqiptare. Dmth. unë nuk e përkufizoj albanologjinë vetëm në gjuhësi dhe letërsi.

7. Austro-Hungaria ishte monarki, një monarki e dyfishtë, të cilën e fsheh formula ´magjike´ k.u. k.´(lexo: K dhe K). Po në qasjet e albanologëve ´austro-hungarezë´ karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve, a pati ndonjë formulë, dhe nëse po, atëherë, cila qe ajo?

GOSTENTSCHNIGG: „k.u.k.“ është shkurtimi për „kaiserlich und königlich“, dmth. për „perandorake dhe mbretërore“, sepse perandori i Austrisë ishte edhe mbreti i Hungarisë. Nuk ka asgjë „magjike“ në këtë mes. Po aq pak mund të flitet për ndonjë „formulë“ të përbashkët dhe të zbatuar me konsekuencë në qasjet e albanologëve austro-hungarezë karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve, megjithëse kishte përpjekje zyrtare ndërministrore për të hartuar një lloj programi për penetrimin dhe ndikimin paqësor në rrugë diplomatike, ekonomike dhe kulturore, në të cilin do të luanin një rol edhe studimet albanologjike, por të gjitha këto përpjekje të vonuara nuk u realizuan për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kështu instrumenti më i fortë për ndikim mbi shqiptarët dhe për të fituar simpatitë e tyre mbeti i ashtuquajturi „Kultusprotektorat“ i Austro-Hungarisë mbi katolikët e Shqipërisë së Veriut.

8. Akademia e Shkencave e Austro-Hungarisë dhe kërkimet e hulumtimet shkencore ´shqiptare´?

Ekspeditat hulumtuese para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore për në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përkraheshin nga Akademitë të Shkencave të Vjenës dhe të Budapestit. Para Luftës së Parë Botërore ato përqendroheshin në radhë të parë në studimin e situatës së bujqësisë dhe të ekonomisë pyjore, e rrjetit rrugor, e ndërtimit të porteve, e shfrytëzimit të energjisë ujore dhe e mundësive të tregut dhe të investimeve. Gjatë administrimit ushtarak 1916-1918, kur imperializmi austro-hungarez në Shqipëri kishte hyrë në stadin e saj formal (direkt), zhvillohej një eksplorim i gjerë i vendit në të gjitha fushat e shkencës në bashkëpunim me autoritetet ushtarake, ku interesat dilnin shpesh mbi karakterin shkencor të eksplorimeve, si psh. në rastin e ekspeditës gjeologjike, pjesëmarrësit e së cilës duhet të kërkonin linjit dhe bakër për qëllimin e shfrytëzimit të tyre ushtarak.

9. Mjafton një lexim edhe i sipërfaqshëm i emrave të cilët u morën me shqiptarët, për të konstatuar menjëherë, se fjala është për emra eminentë të kohës, siç ishte po e zëmë Hahn-i, të cilin ju e quani ´babai i Albanologjisë`, pastaj Meyer, Jokl, Boppi, Baron Nopcsa, Patsch, Steinmetz, Lambertz, Thalloczy, Ippen, Haberlandt, Seiner, Praschniker, Schober etj. Lista e emrave është e gjatë, mandej këtu hyjnë edhe të tjerët që kishin ´rrënjë´ jogjermane, siç ishin sllovenët, danezët, çekët?

GOSTENTSCHNIGG: Përgjigjen e pjesës së dytë të kësaj pyetjeje e kam dhënë tashmë më sipër (shih pyetjen nr. 6).

Johann Georg von Hahn mund të konsiderohet si themeluesi i të gjitha dishiplinave të albanologjisë, përveç arkeologjisë. Me veprën e tij "Albanesische Studien" (shqip "Studime shqiptare") ai hodhi bazat e një studimi sistematik në fushat kryesore të shkencës për Shqipërinë dhe shqiptarët si gjuhësi, histori, etnografi dhe gjeografi. Në këtë vijë eci edhe gjuhëtari Franz von Miklosich, "Albanische Forschungen" ("Kërkime shqiptare") të të cilit për leksikun përfaqësojnë një arritje të rëndësishme në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare. Me veprën e Gustav Meyer-it, në sasi e cilësi, mund të krahasohet vetëm vepra e Norbert Jokl-it. "Etymologisches Wörterbuch der albanischen Sprache" ("Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe") dhe "Albanesische Studien" ("Studime shqiptare") të Meyer-it janë edhe sot e kësaj dite vepra standarde të gjuhësisë shqiptare, edhe pse ato në pika të veçanta nuk janë më aktuale. Atij i njihet merita e përcaktimit në menyrë të qartë e për herë të parë të shqipes si gjuhë indoevropiane. Gjeniu i gjuhësisë ndër albanologët, në kuptimin më të qartë, pa dyshim, ishte Norbert Jokl, vdekja e hershme e të cilit la të pazbuluar disa thesare të gjuhësisë shqiptare. Si kryevepër e tij, e cila megjithatë përfaqëson vetëm një prej parapunimeve të tija të shumta për veprën e planifikuar të një etimologjie dhe gramatike shqiptare, së cilës iu kushtua tërë jeta e tij, konsiderohet "Linguistisch-kulturhistorischen Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen" ("Kërkime linguistike e kulturo-historike nga fusha e shqipes"), në të cilën ai kërkonte të bashkonte kërkimet shkencore gjuhësore me metodën e kërkimit “Wörter und Sachen” ("fjalë dhe sende"). Njohuritë e Jokl-it akoma edhe sot shërbejnë si burim për gjuhësinë që merret me shqipen. Maximilian Lambertz nuk mbetet pas Jokl-it dhe Meyer-it për sa i takon prodhimtarisë, por pikën e tij të rëndësishme e kishte në fushën e folkloristikës. Pas vdekjes së Jokl-it ai ishte albanologu që kryesonte në hapësirën gjermanofolëse dhe që dinte të jepte një panoramë integrale të gjuhës, letërsisë dhe kulturës popullore. Një vend kryesues zë ai në mbledhjen dhe kërkimin e përrallave shqiptare, për të cilën dëshmojnë "Albanische Märchen und andere Texte der albanischen Folklore" ("Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të Folklorit shqiptar"). Historiani Ludwig von Thallóczy ka mbetur në historinë e shkencës për Shqipërinë si nismëtari kryesor i të dyja veprave bazë të historiografisë shqiptare: nga njëra anë, i përmbledhjes së burimeve për historinë shqiptare "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia" dhe, nga ana tjetër, i veprës së përbashkët "Illyrisch-albanische Forschungen" ("Kërkime iliro-shqiptare"), ku bashkëpunuan edhe balkanologu i njohur Josef Konstantin Jire?ek dhe historiani i shquar për Shqipërinë Milan von Šufflay. Siç ishte Jokl në fushën e gjuhësisë ashtu ishte Šufflay për historinë. Që të dy paraqesin të njëjtin gjenialitet dhe kanë të njëjtin fat të një vdekjeje të dhunshme (Jokl u vra nga nazistët, Šufflay nga dy policë serbë). Njohësi më i mirë i mesjetës shqiptare u nda nga jeta në mes të punës së tij për një paraqitje të përmbledhur të historisë shqiptare. "Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters" ("Qytetet dhe kalatë të Shqipërisë kryesisht në mesjetë") dhe "Serben und Albaner" ("Serbët dhe shqiptarët") janë ende sot vepra të detyruara për çdo historian, i cili studion Shqipërinë. Theodor Anton Ippen dhe Franz Baron Nopcsa u shfaqën si të fundit "kërkues universalë", në kuptimin e Hahn-it, duke studiuar kryesisht Shqipërinë e Veriut në pikëpamje historike, etnografike e gjeografike. Edhe sot janë ende me rëndesi studimet e tyre mbi kanunin e Shqipërisë së Veriut dhe organizimin e fiseve, nga të cilat janë për t'u përmendur "Das Gewohnheitsrecht der Hochländer in Albanien" ("E drejta zakonore e malësorëve në Shqipëri") i Ippen-it dhe "Die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht" ("Fiset e malësorëve të Shqipërisë veriore dhe e drejta e tyre zakonore") i Nopcsa-s. Studimet gjeografiko-gjeologjike e etnografike të Shqipërisë së Veriut të Nopcsa-s, "Geographie und Geologie Nordalbaniens" ("Gjeografia e Gjeologjia e Shqipërisë së Veriut") dhe "Albanien. Trachten, Bauten und Geräte Nordalbaniens" ("Shqipëria. Kostumet, ndërtimet dhe veglat e Shqipërisë veriore"), mund t'i shërbejnë si bazë madje edhe shkencës së sotme. Si vepra themelore të etnografisë për Shqipërinë mbahen "Kulturwissenschaftliche Beiträge zur Volkskunde von Montenegro, Albanien und Serbien" ("Kontributet kulturo-shkencore për Etnografinë e Malit të Zi, të Shqipërisë dhe të Serbisë") e Arthur Haberlandt-it dhe botimi i të parit regjistrim të popullsisë shqiptare, i bërë më 1918 nën drejtimin e Franz Seiner-it. Kërkimi arkeologjik i Shqipërisë, i ndërmarrë vetëm në kapërcim të shekullit nga Karl Patsch, Camillo Praschniker dhe Arnold Schober, ka hyrë në historinë e fushës së vetë nëpërmjet zbulimit të vendeve antike në zonën bregdetare shqiptare, më i njohuri ndër të cilat është padyshim Apollonia. Rezultatet e gërmimeve janë dokumentuar në "Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro" ("Kërkimet arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi").

10. Lexuesi i sotëm shqiptar nuk ka se si të mos entuziazmohet kur lexon libra të mrekullueshme të këtyre korifejve të albanologjisë të shkruara shumica para një shekulli a më shumë, por në të njejtën kohë vetvetiu i lind pyetja, ndoshta paradoksale por e logjikshme nga distanca e sotme: përse kaq shumë? A ishim ne shqiparët atëherë tjetërfare nga që jemi sot në kohën moderne?

GOSTENTSCHNIGG: Kjo kishte të bënte me zhvillimin e përgjithshëm të atëhershëm të shkencave dhe me faktin, se në fillim të një fushe shkencore, siç ishte albanologjia ose studimet shqiptare, gjithmonë prodhimtaria e studiuesve është më e madhja, sepse ka një boshllëk të gjithanshëm për t’u mbushur. Pas hedhjes së themeleve zhvillimi i një shkence ecën me ritme më të ngadalta.

Pastaj nuk duhet harruar fakti, se një motiv kryesor për studimet shkencore është edhe politika, dhe interesat politike të Austro-Hungarisë atëherë për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe të kultusprotektoratit mbi popullsinë katolike në Shqipërinë e Veriut ishin më të forta sesa sot ato të Austrisë në rajonin shqiptar.

11. Duket se megjithatë, në fokus të vëzhgimeve permanente, megjithatë ishte kryesisht Veriu?

GOSTENTSCHNIGG: Po.

12.Ç´pati këtu në Shkodër e në krejt Veriun kaq ´fascinuese´ për të huajt? Kaq ´ekzotike´? Cila qe ajo forcë ´magnetike´ e cila i tërhoqi kaq shumë? Zor të besohet se një Ippen, Patsch, a një Nopcsa merrnin udhën e shkrepave shqiptare vetëm për të provuar vlerat morale të shqiptarëve, a për të takuar ´fëmijët e rritur e të armatosur të Europës´(Nopcsa)?

GOSTENTSCHNIGG: Interesat gjeopolitike të Austro-Hungarisë përfshinin gjithë territorin shqiptar, por mundësia e ndikimit në popull ishte më e madhe në Veriun e Shqipërisë për shkak të kultusprotektoratit të saj mbi katolikët shqiptarë në këtë zonë. Në lidhje me këtë temë kam botuar një artikull me titullin „Protektorati i Kultit austro-hungarez mbi popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut“ në revistën historike shkodrane „Phoenix 15-16 (2000/1-2)“ dhe kam mbajtur gjithashtu një kumtesë me titullin „Kontributi i Austrisë (Austro-Hungarisë) për Shqipërinë e Veriut në fushën e arsimit“ në konferencën shkencore „Shkodra në shekuj“ në vitin 2002 në Shkodër. Botimi i kësaj kumtese është ende në përgatitje e sipër.

Meqë ra fjala, të gjitha kumtesat e mia në Shqipëri që nga viti 1993 i kam mbajtur gjithnjë në shqip dhe prandaj ato botohen gjithashtu në shqip.

13. Po e shtroj këtë pyetje sepse kam parasysh jo vetëm udhëpërshkrimet e studimet etnografike, por edhe skicat, projektet, hartat, madje që nga koha e Ilirisë (Thalloczy) e deri te hartat interesante etno-demografike të Seiner-it?

GOSTENTSCHNIGG: Hartografia lidhet ngushtë me topografinë dhe gjeografinë e një vendi. Pastaj rregjistrimi i parë i popullsisë shqiptare u bë më 1918 nga Franc Seineri në zonat e administratës ushtarake austro-hungareze, gjatë të cilit përpiloheshin gjithashtu disa harta për interesa ushtarake.

14. Po Instituti Ballkanik? Cili ishte funksioni i tij?

GOSTENTSCHNIGG: Instituti i Ballkanit, i subvencionuar nga zyrat shtetërore dhe i themeluar më 1908 në Sarajevë, ishte qendra e studimeve austro-hungareze për Evropën Juglindore. Një organizim i gjerë për mbledhjen e materialeve në të gjitha zonat kërkimore, një aparat modern shkencor dhe tri seri botimi mundësonin një mbledhje gjithëpërfshirëse materialesh dhe një vlerësim optimal të rezultateve shkencore, të cilat përdoreshin më tej politikisht, komercialisht dhe strategjikisht.

15. Protektorati i Kultit? Edhe kjo një formulë tjetër, që në lexim të parë nuk sugjeron gjithaq. A do të na e deshifroni pakëz?

GOSTENTSCHNIGG: Ndikimi politik dhe ekonomik i Austro–Hungarisë mbi popullin shqiptar u vu në veprim me anë të Protektoratit të Kultit, protektorat të cilin Monarkia e arriti me Paqen e Sitvatorokut më 1615 dhe parashihte fillimisht mbrojtjen e klerit katolik në Perandorinë Osmane. Në Paqen e Karlowatz-it, më 1699, u arrit zgjerimi i protektoratit mbi të gjithë të krishterët nën sundimin turk. Porse vetëm me Marrëveshjen e Beogradit, të vitit 1739, këto të drejta fituan me të vërtetë një zbatim, në të cilin Habsburgëve iu dha një patentë e posaçme e trashëguar më parë prej Venedikut e që kishte të bënte me mbrojtjen e të gjithë katolikëve të Europës nën pushtimin turk. Në Paqen e Sistovit, 1791, kemi një zgjerim të këtij privilegji, duke e lejuar Austro–Hungarisë të hapte një konsullatë në Shkodër dhe një nënkonsullatë në Durrës. Në Kongresin e Vjenës, 1815, Monarkisë Austriake iu dha e drejta të kishte nënkonsullata të tjera, si në Vlorë, Janinë dhe Prevezë.

Konsulli ishte përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i politikës së Protektoratit të Kultit. Ndër detyrat e tij bënin pjesë veprime humaniste, ngritja e nivelit të formimit, mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe ndarja e parave. Vetëm me diplomatë të tillë si August Král, Theodor Anton Ippen dhe Alfred Rappaport, të cilët e njihnin mirë Shqipërinë dhe ishin njëkohësisht miq të popullit shqiptar, u arrit të kryhej një punë e mirë fillestare në vendosjen e bazave të marrëdhënieve të mira mes Monarkise Danubiane dhe shqiptarëve.

Më 1837 edhe Selia e Shenjtë njohu më së fundi të drejtat e Monarkisë Dualiste mbi katolikët shqiptarë. Një etapë e rëndësishme në zhvillimin e Protektoratit të Kultit shënohet në vitin 1855 kur u arrit Konkordati në mes të Vatikanit dhe Austrisë, i cili parashihte mbështetjen e një "Programi Veprimi" të Ballplatz-it nga ana e Vatikanit dhe posaçërisht veprimtarinë e Propaganda Fides. Si rezultat i këtij Konkordati, ardhja e Jezuitëve në Shqipëri u bë një faktor përcaktues i politkës kulturore të Austro-Hungarisë në Shqipëri. Prej 240 institucioneve katolike të Protektoratit të Kultit në Perandorinë Osmane, 220 ishin vetëm në Shqipëri. Hapësira e ndikimit të Austro-Hungarisë në kuadrin e protektoratit të kultit shtrihej në Shqipëri në shtatë dioqeza katolike: Shkodër, Lezhë, Durrës, Prizren, Sapë, Pulti-Pulati dhe Mirdita. Shkodra, si seli ipeshkvnore ishte qendra e katoliçizmit shqiptar. Urdhërat fetarë që ekzistonin ishin të ndryshëm: jezuitët, françeskanët, Motrat e Meshirës dhe salezianët etj.

Detyra zyrtare e Protektoratit të Kultit qëndronte në ndërtimin dhe mbajtjen e kishave, në shkollimin e klerit si dhe mbrojtjen e kongregatave në Shqipëri. Mjafton të përmendim këtu faktin e dhënë nga Arqipeshkvi i Durrësit, D'Ambrosio, i cili thotë se dioqeza e tij deri nga mesi i shekullit 19 kishte vetëm 13 kisha dhe 10 kapela, të cilat ishin drejt shkatërrimit të plotë. Ndërsa në fund të po këtij shekulli, me ndihmën materiale të Vjenës u ndërtuan tashmë 22 kisha, 2 oratorë dhe 23 kapela. Por jozyrtarisht kjo ndihmë shfrytëzohej nga Ministria e Jashtme si ndikim mbi popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut. Një pasqyrë të interesave të Austro-Hungarisë në Shqipëri nga fundi i shekullit të XIX e jep politika e subvencionit, e cila në pjesën më të madhe i shërbente Protektoratit të Kultit për përmbushjen e detyrave "zyrtare" dhe "jozyrtare".

16. Pra, protektoratet, jo vetëm sot, por edhe atëherë, aplikoheshin? A mund të heqet një paralele?

GOSTENTSCHNIGG: Sot ushtrohen të ashtuquajtura „protektorate“ nga ana e organizatave ndërkombëtare, siç janë OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja etj., mbi shtete të vogla me paqëndrueshmëri politike, ekonomike dhe shoqërore ose me konflikte ndëretnike. Kosova është një shembull i tillë. Një paralele mund të hiqet edhe me krizën e Shqipërisë në vitin 1997. Atëherë propozimi im në një artikull në „Südosteuropa-Hefte“ në Mynih qëndronte në atë, se duhet të praktikohet një protektorat i ngjashëm me atë, i cili zbatohet sot në Kosovë, megjithëse kam parasysh, se kemi të bëjmë me kontekste të ndryshme, të cilat nuk mund t’i krahasosh. Por thelbi është i njëjtë: palat kundërshtuese nuk arrijnë dot më një kompromis pa ndërmjetësim të një pale të tretë dhe presenca ndihmëse dhe kontrolluese e komunitetit ndërkombëtar është e domosdoshme për një afat të gjatë për normalizimin e situatës dhe zhvillimin demokratik të vendit nën moton e „ndihmës për vetëndihmë“. Për shkak të interesave të ndryshme të brendshme dhe të jashtme u vendos 1997 në Shqipëri për një zgjidhje tjetër, pasojat e rënda të së cilës ndihen sot në të gjitha sferat e jetës. Siç duket, politika ndërkombëtare dhe sidomos fuqitë e mëdha preferojnë nganjëherë në bashkëpunim me pushtetarët vendas „zgjidhje të rreme“, të cilat u shërbejnë më shumë qarqeve të fshehta financiare dhe kriminale. Për popullin e një vendi ose për gjithë njerëzimin nuk pyesin shumë.

17. Dihet tashmë se në thelb të politikës Austro-Hungareze karshi Shqipërisë e shqiptarëve në raportet e atëhershme gjeo-politike të Evropës –Juglindore (në kuptimin e sotëm të termit) si të thuash ´kishte zënjë rrënjë´ formula e status quo-s? Nga ana tjetër, siç mund të vërtetohet nga faktet, për të cilat keni shkruar edhe ju, monarkia e dyfishte, ndihmonte edhe materialisht, një pjesë të mirë të projekteve e të ekspeditave hulumtuese ´shqiptare´?

GOSTENTSCHNIGG: Status Quo-ja në Ballkan konsiderohej nga qarqet politike të Evropës si mundësia më e mirë për ruajtjen e sferave të ndikimit. Megjithatë fuqitë e mëdha përgatiteshin edhe për rastin më të keq të rënies së Perandorisë Osmane, duke bërë pakte të fshehta mbi ndarjen e zonave të influencës.

Për sa i përket ndihmës materiale, e cila u është dhënë ekspeditave hulumtuese të albanologëve, duhet theksuar, se kjo gjë kuptohet nga ana e interesave strategjike, politike dhe ekonomike të Monarkisë së Dyfishtë në territoret shqiptare. Ndikimi mbi një popull ushtrohet me lehtë, kur dihen „levat“, të cilat duhen lëvizur, dmth. kur njihen mendësia, kultura, zakonet etj. të këtij populli. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur gjithashtu një interesim vetëm shkencor të albanologëve austro-hungarezë, të cilët ishin të varur nga subvencionet shtetërore dhe rezultatet e të cilëve shfrytëzoheshin shpesh pa dijeninë e tyre për qëllime politike, ekonomike, ushtarake dhe strategjike, siç është ende sot në gjithë botën.

Të gjitha këto fakte dhe tregues të sipërpërmendur nuk lënë më dyshime, se shkenca është përdorur si instrument i dhunës strukturore, krahas Protektoratit të Kultit dhe propagandës komerciale për realizimin e imperializmit të fshehtë (jozyrtar, i tërthortë) ndaj Shqipërisë e, mes kësaj, tërthorazi për t'i luftuar pansllavizmin dhe imperializmin italian. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ndonjë program konkret politik për instrumentalizimin e shkencës, por të paktën për një mbështetje zemërgjerë të albanologjisë nga ana e ministrive përgjegjëse, në menyrë që ajo në një rast serioz - si u paraqit në Luftën e Parë Botërore - të ishte e gatshme të vihej në dispozicion të interesave shtetërore. Ka disa shembuj albanologësh të njohur austro-hungarezë si Hahn, Ippen, Nopcsa dhe Thallóczy, të cilët punonin edhe për shkencën edhe për politikën e vendit të tyre.

Një sqarim të shkurtër për termin “dhunë strukturore” (gjerm. “strukturelle Gewalt”): ky term është pjesë e teorisë strukturore të imperializmit nga hulumtuesi i paqes dhe i konfliktit Johan Galtung (shih “Eine strukturelle Theorie des Imperialismus. In: Imperialismus und strukturelle Gewalt. Frankfurt a. Main 1972” dhe “Strukturelle Gewalt. Beiträge zur Friedens- und Konfliktforschung. Reinbek bei Hamburg 1975”). Është fjala për një dhunë indirekte nga strukturat e sistemit (shtetëror, ekonomik etj.) ndaj një individi ose një kolektivi në dallim me dhunën direkte nga një personi ndaj një personi tjetër. Kjo dhunë strukturore shfaqet nëpërmjet raporteve të pabarabarta të forcave dhe shpërndarjes së pabarabartë të resorsave, të cilat shkaktojnë shanse të pabarabarta të jetës.

18. Baron Nopcsa dikund përmend faktin interesant, se malësorët shqiptarë kur pyeteshin se me cilin e nën cilin shtet jetonin, përgjigjeshin krejt spontanisht: me kend tjetër përveç se me mbretin, duke aluduar pra në Franz Josefin. Si u bë që mbas vitit 1918, apo edhe më përpara, interesimi i monarkisë, përkatësisht i Austrisë, për shqiptarët e Shqipërinë, por edhe për Veriun katolik, përndryshe, siç thamë, të preferuar, pothuajse brenda natës humbi?

GOSTENTSCHNIGG: Interesimi i Austrisë si shtet humbi, por jo ai i albanologëve austriakë si shkencëtarë individual. Mjafton të përmendim këtu vazhdimin e punës së Nopcsa-s, Šufflaj-it, Jokl-it, Lambertz-it etj.. Austria e vogël si pjesë e mbetur gjermanofolëse nga perandoria e madhe austro-hungareze ishte e zënë për shumë vjet me problemet e veta në radhë të parë ekonomike, por edhe politike e shoqërore në kohën midis dy Luftërave Botërore dhe për këtë arsye ajo nuk mund të ishte më një faktor gjeopolitik në hapësirën e Evropës Juglindore, ku ajo kishte humbur të gjitha zonat e saja të influencës nga koha e Monarkisë. Kjo natyrisht kishte efektin e saj negativ mbi angazhimet albanologjike dhe mbështetjen e tyre financiare nga ana shtetërore.

19. Të kthehemi tek teza juaj e disertacionit, dhe vështirësitë e ndryshme eventuale në të cilat keni hasur gjatë punës tuaj disavjeçare?

GOSTENTSCHNIGG: Nuk pata ndonjë problem të veçantë në lidhje me punën vetë, duke mos marrë parasysh gjërësinë e temes së disertacionit tim, e cila më është dukur shpesh sikur të mos kishte kufij. Kolegët e mi shqiptarë në Tiranë ishin tepër të gatshëm të më ndihmonin në çdo gjë, për të cilën kisha nevojë. Ishte koha e hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe ndër të tjerët edhe intelektualët dhe shkencëtarët shqiptarë ishin të etur pas kontakteve dhe shkëmbimeve me kolegët e tyre të huaj. Mësimdhënia me studentët më pëlqen dhe mbaj ende sot kontakte miqësore me ish-studentët e mi shqiptarë. Nga projekti i veçantë katërvjeçar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1996-2000), të cilin e kam drejtuar duke i dhënë mësim një grupi të vogël studentësh elitar në gjuhën gjermane dhe në lëmin e marrëdhënieve historike shqiptaro-austriake, kanë dalë dy historiane, të cilat janë të punësuar që nga viti 2000 në projekte të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore në Grac; një historiane, e cila punon që prej vitit 2000 në Institutin e Folklorit në Tiranë; një historian, i cili po përgatitet për mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e Tulusit (Toulouse) në Francë dhe i cili më merr herë pas here në telefon dhe më ka ftuar në ceremoninë e marrjes së titullit doktor; dhe një tjetër ish-student, i cili punon sot në Nju Jork (New York) në fushën e gastronomisë, ku njohuria e gjuhës gjermane i hyn shumë në punë në komunikim me turistë gjermanofolës. Kur e kam vizituar me ish-bashkëshorten time në Amerikë, ai së bashku me shokët e tij na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Këto frytet e gjalla të punës sime vërtetojnë, se përkushtimi im disavjeçar, shpesh në kushte jo aq të lehta në një vend të huaj me probleme të papërshkrueshme, ia vlejti më së miri.

Vështirësitë e punës sime ishin më shumë të faktorit të jashtëm sesa të brendshëm. Gjatë gjysmës së dytë të doktoratës sime duhej të punoja si lektor për gjuhën gjermane dhe kulturën e hapësirës gjermanofolëse (Austri, Gjermani, Zvicër) në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës (1993-1995). Prandaj nuk kisha mjaft kohë dhe energji për t’u përqendruar vetëm në punën e disertacionit. Kështu u detyrova të kthehesha për një vit në Grac për ta mbaruar disertacionin dhe për të mbrojtur doktoratën në verën e vitit 1996. Gjatë këtij viti isha me asistencë dhe kisha shumë probleme financiare për t’i përballuar, sepse rroga ime si lektor kishte qenë e vogël dhe kisha për të paguar qera edhe në Grac edhe në Tiranë. Ndihesha shpesh si i lënë në baltë edhe nga pala austriake edhe nga pala shqiptare. Dhe kjo gjendje është fatkeqësisht ende kështu.

E vështirë sigurisht ishte koha e trazirave në gjysmën e parë të vitit 1997 për shkak të rënies së firmave piramidale, ku kam shkuar një herë në punë mes plumbave dhe ku jam evakuuar së bashku me të huajt e tjerë nga karabinierët italianë në portin e Durrësit, kur kishte filluar tashmë plaçkitje e hapur e dyqaneve në Tiranë. Lëri më aventurat e tjera, të cilat i kam përjetuar atëherë duke shoqëruar një gazetar japonez në drejtim të Vlorës. Dhe koha e Luftës së Kosovës me fenomenin masiv të refugjatëve ndihej edhe në ambientin e Universitetit dhe në gjithë kryeqytetin.

Por të gjitha këto përjetime disi të rënda nuk më ndanin dot nga të dashurat e mia Gjuha Shqipe dhe Albanologjia, në të kundërt: pengesat dhe sakrificat vetëm e kanë thelluar dashurinë time për ato, sepse gjuha dhe shkenca lidhen me njerëzit, të cilët më kanë hyrë në zemër.

20. Ju keni hulumtuar edhe në Tiranë, Shkodër, po në arkivin e Kosovës? Lexuesit kosovar që do të ketë rast ta ketë në dorë këtë disertacion i bie në sy, siç më ndodhi mua, mungesa e historianëve kosovarë, dhe e burimeve të Kosovës? A keni ndonjë shpjegim për këtë? A ndodhi kjo për shkak se ndoshta në të gjitha hulumtimet tuaja për disertacionin, emri Kosovë, ndoshta nuk lakohet askund?

GOSTENTSCHNIGG: Nëqoftëse e lexoni me vëmendje disertacionin tim, do të vini re, se emri Kosovë lakohet në shumë vende: tek Johann Georg von Hahn, i cili ka udhëtuar edhe në Kosovë dhe Maqedoni; tek Milan von Šufflay, i cili ka botuar psh. veprën standarde "Serben und Albaner" (Serbët dhe Shqiptarët”); tek Theodor Anton Ippen, i cili ka botuar psh. "Novibazar und Kossowo (Das alte Rascien)"; tek Maximilian Lambertz, i cili trajton dialektet gege të Verilindjes duke përfshirë natyrisht ato të Kosovës; tek udhëtimet hulumtuese para Luftës së Parë dhe gjatë administrimit ushtarak 1916-1918, dhe kështu shembuj të shumtë me radhë. Si të mos përmendet emri Kosovë në disertacionin tim, kur në lidhje me rolin e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë flitet për Lidhjen e Prizrenit dhe për kryengritjet e Kosovës kundër Perandorisë Osmane? Ose kur flitet në një kapitull qendror për çështjen e etnogjenezës shqiptare, në të cilën përfshihen në mënyrë të vetëkuptueshme të gjitha vendbanimet shqiptare?

Ndërsa përfaqësimi i vogël i albanologëve kosovarë dhe i burimeve të Kosovës ka të bëjë me faktin, që unë kisha vetëm një bursë gjashtëmuajore në dispozicion për studimet e mia të doktoratës në Tiranë në vitet 1992-1993, ku jam marrë me hulumtimet në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institute të ndryshme si ai i Historisë, i Folklorit, i Arkeologjisë etj.. Në vjeshtë të vitit 1993 u punësova për dy vjet si lektor për gjuhën gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Nuk kisha as kohë as mundësi financiare për studime disamuajore nëpër arkivat dhe bibliotekat e Kosovës ose të Maqedonisë.

21. A keni ndërmend ta botoni këtë tezë si libër të veçantë, po e zëmë në gjuhën shqipe, dhe tek ndonjë botues shqiptar?

GOSTENTSCHNIGG: Po. Muajt e ardhshëm do ta përpunoj disertacionin tim dhe do ta bëj gati për botim në Grac ose në Mynih, ose në Tiranë apo në Prishtinë. Vendi i botimit varet nga mundësia dhe interesi i palëve të ndryshme.

Por nuk është e lehtë të gjesh një përkthyes të mirë të degës (së historisë/së albanologjisë), i cili di të përkthejë saktë dhe sipas kuptimit. Të korrigjosh një përkthim në imtësi është një punë kolosale, për të cilën nuk do të kem kohë në të ardhmen e afërt, sepse kam detyrime të tjera profesionale.

22. Këto dy vitet e fundit me sa dimë, ju jeni të angazhuar në proçesin mësimor universitar në Institutin e Përkthimeve Teorike dhe Aplikative. Bashkë me disa emra të njohur siç janë profesor Höflechner, e profesor Prunc, ju po përgatisni e po përcillni një grup studentësh shqiptarë në lëmin e shkencës së përkthimit?

GOSTENTSCHNIGG: Po, është e vërtetë që ne po përgatisim një grup studentësh shqiptarë së bashku me një student austriak në një kurs të veçantë trisemestrash në lëmin e didaktikës së translacionit (= shkenca e përkthimit me shkrim e me gojë), dmth. i mësojmë ata në radhë të parë, se si jepet mësimi i përkthimit me shkrim e me gojë, dhe në radhë të dytë, se si përkthehet me shkrim e me gojë sipas metodave të fundit të translacionit. Ky kurs i veçantë dhe i njëhershëm do të mbarojë në fund të prillit të këtij viti.

23. Bie në sy te këta vijues të këtij Kursi Universitar prejardhja e tyre regjionale. Jo vetëm që janë njëqindpërqind nga Shqipëria, por pjesa dërmuese e tyre janë nga Shkodra? A është ky fakt thjeshtë rastësi, apo përzgjedhja e tyre ka kaluar nëpër një ´filter´ të caktuar? Shtroj këtë pyetje sepse Universiteti i Graz-it bashkëpunon ngusht me Universitetin e Shkodrës?

GOSTENTSCHNIGG: Në fillim kishin marrë pjesë edhe dy shqiptare të Kosovës, por ato hoqën dorë më vonë. Është e vërtetë që shumica vjen nga Shkodra, një fakt i cili ka të bëjë patjetër me bashkëpunimin e ngushtë midis Universiteteve të Gracit dhe të Shkodrës, veçanërisht në lëmin e gjuhës gjermane. Pyetjen, nëse janë njoftuar apo jo Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës në rrugë zyrtare për kursin përkthimor shqip-gjermanisht në Grac, duhet t’ua drejtoni shefave të Instituteve dhe Dekanit të atëhershëm të Universitetit të Gracit, sepse kjo nuk bie në kompetencën time. Për sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve, nuk ka pasur ndonjë “filter” të caktuar, përkundrazi: në detyrën time të marrjes së kandidatëve në intervistë dhe në provim me shkrim unë jam përpjekur për një balancim të paktën brenda Shqipërisë duke njoftuar edhe Departamentin e Gjermanistikës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës për mundësinë e kandidimit të studentëve, por për shkak të një keqkuptimi në komunikim me e-mail, konkursi nuk është shpallur në kohën e duhur, kështu që sot kemi vetëm dy pjesëmarrëse nga Tirana në kurs.

24. Po kosovarët? Pra, studentët shqiptarë të Kosovës?

GOSTENTSCHNIGG: Unë mendoj, se mosprania e tyre pothuajse e plotë shpjegohet me faktin, që pjesa dërrmuese nuk studion për gjuhën gjermane, por për degë të tjera si mjekësi, drejtësi, ekonomi etj., kështu që interesi i tyre nuk qëndron në lëmin e përkthimit.

25. Në këtë Institut të Përkthimeve, në këtë vit akademik për herë të parë në historikun e begatshëm të gjuhëve të huaja të Universitetit të Graz-it, ka filluar studimi i gjuhës shqipe, si studim i rregullt, kuptohet në bashkëstudim, siç është këtu rregulli, edhe me dy gjuhë të tjera të cilat mund të zgjedhen simbas dëshirës. Mbas një semestri, a mund të na i thoni pak fjalë lidhur me këtë ngjarje kulturore, e cila fatkeqësisht, me sa dimë, ka kaluar pa kurrfarë jehone qoftë nga Fakulteti, përkatësisht, nga Instituti i Përkthimeve, qoftë nga institucionet shqiptare universitare, duke përfshirë këtu edhe masmediat e tyre?

GOSTENTSCHNIGG: Në këtë vit akademik është hapur dega e mirëfilltë e përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e Shkencës së Translacionit Teorik dhe Aplikativ, kështu që Universiteti i Gracit është i vetmi në Austri – dhe ndoshta në gjithë hapësirën gjermanofolëse -, ku mund të studiohet përkthimi shqip-gjermanisht. Kjo degë e re nuk duhet ngatërruar me Albanistikën si psh. në Mynih (München) të Gjermanisë, e cila zhvillohet vetëm në lëmin e gjuhësisë dhe letërsisë pa i kushtuar vëmendje përkthimit. Për fat të keq aktualisht ne kemi vetëm shumë pak studentë, që e ndjekin këtë degë të re, dhe kemi mbetur disi të zhgënyer nga pjesëmarrja e dobët, sepse kemi pritur më shumë, sidomos nga studentët shqiptarë të Kosovës këtu në Grac. Por ndoshta edhe reklama nga ana zyrtare ka qenë e vonuar, megjithëse është reklamuar edhe në televizion dhe në radio të Austrisë. Shpresojmë të na vijnë më shumë studentë austriakë dhe shqiptarë në vjeshtë, sepse ndryshe ekziston rreziku i mbylljes së kësaj dege të re, para se të ketë filluar vërtet, gjë që do të thoshte mosshfrytëzimi i një shansi historik për shqipen, i cili nuk do të kthehej më kaq shpejt.

E theksoj edhe një herë: studimi i rregullt i përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e Shkencës së Translacionit në Grac nuk është identik me studimin e gjuhës shqipe, pra me ashtuquajturën “Albanistikë” si psh. në Mynih, sepse qëllimi kryesor i studimit të degës së re “Përkthim Shqip-Gjermanisht” nuk qëndron në gjuhësi dhe letërsi, por në përkthim shqip-gjermanisht me shkrim e me gojë. Albanistika e mirëfilltë krahas psh. Anglistikës, Romanistikës etj. mbetet ende për t’u hapur këtu në Universitetin e Gracit.

26. Përshtypja jonë është, se ky Institut nuk ka kurrëfarë bashkëpunimi me Katedrat po e zëmë të Letërsisë a të Gjuhës Shqipe të Filologjikut të Prishtinës, a të Filologji-Historisë të Tiranës? A mund të na demantoni, dhe nëse jo, atëherë ku qendron shkaku i mosbashkëpunimit, dhe çka duhet bërë që ky bashkëpunim të jetësohet?

GOSTENTSCHNIGG: Fatkeqësisht – ose për fat – unë nuk jam as shefi i Institutit të këtushëm as i punësuar me ndonjë detyrë të veçantë në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional. Kështu përgjigjen duhet t’ua kërkoni shefave të katedrave në Grac, Prishtinë, Tiranë etj.. Nëqoftëse kisha unë diçka në dorë, do të isha i pari për nisma të tilla, për aq sa pala shqiptare do të tregonte interesim serioz, vullnet, gatishmëri dhe një vizion të qartë dhe largpamës. Se në kooperime ndërinstitucionale nuk është vend për interesa ose përfitime personale, por duhet menduar për zhvillimin e kolektivit shoqëror, anëtar i të cilit jemi ne të gjithë si individë. Një nga të dyja palet duhet të bëjë hapin e parë, psh. nëpërmjet një letre zyrtare duke propozuar një projekt të realizueshëm...

27. A keni qenë ndonjëherë në Kosovë, dhe a mbani qoftë kontakte individuale me kolegët e fushëveprimit tuaj të Prishtinës? A do të ishit të gatshëm-natyrisht nëse do të ju ftonin- qoftë madje edhe për një periudhë të shkurtër kohore ta jipnit kontributin tuaj në Universitetin e Prishtinës?

GOSTENTSCHNIGG: Kam qenë vetëm një herë në Kosovë në kuadrin e një ekskursioni universitar në vitin 1989. Fatkeqësisht nuk mbaj kontakte individuale me ndonjë koleg të fushëveprimit tim në Prishtinë. Kam takuar një herë Zotin Rexhep Ismajlin në Mynih në vitin 2000, kur kam mbajtur një referat në Universitetin e atjeshëm mbi qëndrimin tim disavjeçar në Tiranë. Siç kam treguar më sipër, kontaktet e mia personale me kolegë shqiptarë përqendrohen në Tiranë dhe Shkodër, por miqtë e mi të parë shqiptarë kanë qenë dhe janë ende sot disa shqiptarë të Kosovës, të cilët i kam njohur në fillim të viteve ’90 në Grac.

Nëqoftëse më ftonin me kushte të pranueshme, do të isha natyrisht i gatshëm – qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore – të jepja kontributin tim si historian, gjermanist, albanolog ose translator (përkthyes me shkrim e me gojë) në Universitetin e Prishtinës. Kjo në fakt do të ishte një kënaqësi dhe përvojë e veçantë për mua, një mundësi e mirëpritur për t’u njohur me vendin tuaj nga afër dhe jo nga larg në mënyrë indirekte, siç e bëj deri tani me anë të bisedave me miq shqiptarë nga Kosova dhe nëpërmjet leximit të shtypit të Kosovës.

28. Gjatë muajve korrik e gusht Prishtina organizon rregullisht Seminarin tashmë tradicional për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në të cilin frekuentojnë albanologë të huaj por edhe dashamirës të albanologjisë. Emrin tuaj, nuk kemi pasur rastin ndonjëherë ta ndeshim. Përse?

GOSTENTSCHNIGG: Përgjigjja është shumë e thjeshtë: ata albanologë dhe dashamirës të huaj të albanologjisë nuk kanë qëndruar një herë gjashtë vjet me radhë në Shqipëri ose Kosovë si puna ime, dmth. ata janë ende të etur pas eksperiencave të tilla. Megjithëse duhet të pranoj, se do të kisha nevojë për “mësim” në lëmin e letërsisë shqiptare, të cilën e njoh vetëm në përgjithësi, sepse e kam lënë pas dore për arsye se kisha detyra dhe punë të tjera me i kryer, sidhe nga ana profesionale dhe nga ana e zhvillimit personal.

29. Si albanolog i një brezi të ri gjermanofolës, dhe si përcjellës, studjues dhe hulumtues i fenomeneve shqiptare, a keni ndonjë vizion për Kosovën? Për të ardhmen e saj?

GOSTENTSCHNIGG: Para se kam filluar me shkencat e translacionit në fillim të vitit 2004, jam marrë shumë me studimin dhe analizimin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në rajonin shqiptar, respektivisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Nuk jam politikan dhe politika si fushë veprimi nuk më tërheq, sepse ajo shpërdorohet nga lakmia për pushtet dhe përfitime personale. Në radhë të parë jam njeri dhe pjesëtar i familjes njerëzore në planetin tonë Tokë, dhe vetëm në radhë të dytë jam gjithçka tjetër si burrë, austriak, shkencëtar etj.. Individët, kolektivet, kombet dhe kulturat i konsideroj si pjesë të kësaj familjeje njerëzore, të cilat duhet të përpiqen sipas mundësive të tyre për harmoni midis njëra-tjetrës, me qëllim që gjithë familja të mund të jetojë në paqe dhe të jetë në gjendje t’i zgjidhë bashkërisht problemet e mëdha dhe të mprehta të planetit tonë, të cilat nuk mund të zgjidhen më vetëm nga një ose edhe disa kombe, dhe të sigurojë në këtë mënyrë mbijetesën e llojit njeri në Tokë. Në thellësi të qenies gjithë njerëzimi është një unitet, në të cilin duhet të zgjohemi në mënyrë koshiente. Ajo që i bashkon të gjithë individët dhe kombet, është të qenët njeri dhe banor i Tokës, dhe ajo që i bashkon të gjitha fetë, është të qenët besimtar tek e vetmja Perëndi.

Për sa i përket çështjes së pazgjidhur të Kosovës, unë mendoj, se të gjitha faktoret e zgjidhjes së saj duhet ta kenë parasysh këtë fakt të pamohueshëm të rëndësisë së parë të mbijetesës së gjithë njerëzimit dhe të unitetit të tij të thellë, një fakt, i cili vlen për të gjitha konfliktet lokale dhe rajonale në botë. Një parakusht kryesor për paqen e qëndrueshme midis kombeve është balanca e duhur midis lirisë së individit dhe lirisë së kolektivit si dhe midis lirisë së njërit kolektiv dhe asaj të tjetrit kolektiv. Asnjë komb nuk ka të drejtë të sundojë një komb tjetër. Të gjitha kombet duhet të kuptojnë njëherë për gjithmonë, se janë pjesë të barabarta të së njëjtës familje njerëzore. Ndryshe nuk do të ketë shpëtim për ne të gjithë si qenie njerëzore në një afat të gjatë ose bile të mesëm. Secili prej nesh duhet të japë kontributin e vet maksimal, si individ si kolektiv, duke filluar gjithmonë tek vetvetja, duke shikuar në të ardhmen, duke i lënë shpirtërat e së kaluarës të qetë. Ajo që ka ndodhur dje, nuk ndreqet më; ajo që do të ndodhë nesër, nuk dihet ende. Duke u përqendruar në të sotmen me të gjitha forcat tona, ne e krijojmë të ardhmen tonë më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër.

Pastaj nuk duhet harruar, se pas 10 deri 15 vjetësh gjithë rajoni i Evropës Juglindore do të jetë pjesë integrale e Bashkimit Evropian, edhe Serbia dhe Kosova, qoftë e pavarur qoftë e varur. Deri atëherë të dyja kombet duhet të kenë vetëm pak durim dhe mund t’i tregojnë botës, se dinë t’i shmangen një konflikti tjetër të panevojshëm dhe se dinë të jetojnë pranë njëri-tjetrit si dy komshinj të mirë.

Një fjalë në lidhje me gatishmërinë e disa ballkanasve për të ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit: e vetmja dhunë, e cila mund të justifikohet, është ajo e vetëmbrojtjes, kur nuk ka më absolutisht rrugëdalje tjetër, sepse gjallesa, e cila mbron veten, qëndron më lartë nga ajo, që sulmon për të marrë jetë. Tradita e gjakmarrjes është mallkimi i popullit shqiptar dhe nuk e lë të ecë përpara. Vrasja nuk fillon tek sfera fizike, ajo ka zanafillën që në mendje në formën e urrejtjes. Prandaj populli shqiptar do të fitojë paqen e vërtetë, pasi ka gjetur paqen në vetvete. Sepse këtu hyn ligji i tërheqjes magnetike ose i rezonancës: gjithçka është energji, dhe energjia më subtile – përveç energjisë spirituale – është ajo mentale (mendore). Nëqoftëse të dashuroj, ti do të fillosh të më dashurosh. Nëqoftëse të urrej, ti do të fillosh të më urresh. Secili e meriton atë, që e kushtëzon vetë. Këtë të vërtetë thelbësore duhet ta kuptojnë të gjithë ata, që jetojnë ende në luftë me njëri-tjetrin. Ai, që ka pak tru në kokë dhe ka zemrën të pastër, do të dijë të zgjedhë drejt në çdo moment të jetës dhe do të fitojë paqen e vërtetë. Kjo nuk vlen vetëm për individin, por edhe për kolektivin. Se në fund të fundit: kush është vërtet “burrë” ose “trim” – ai që vret, apo ai që fal? Cili vendim kërkon më shumë forcë – vrasja apo falja?

Më lejoni edhe pak fjalë për gjendjen aktuale të Shqipërisë: Një burrë i mençur dhe zemërbardhë, i cili jetonte në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, ka thënë një herë, se do të vijë koha, “kur njeriu do të hajë njeriun”. Dhe kjo kohë ka ardhur sot në Shqipëri, ku duhet t’u paguash të korruptuarve deri në palcë miliona Lekë për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga vdekja nën thikën e kirurgut nëpër spitalet e vendit, për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga ngordhja nën gjykimin e padrejtë të gjykatësit nëpër burgjet e vendit, për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga mosarsimimi nën refuzimin abritrar të shefit të katedrës nëpër universitetet e vendit, dhe kështu me radhë në të gjitha fushat neuralgjike të jetës. Nëqoftëse vazhdohet në këtë mënyrë, është vetëm çështje kohe, derisa kjo bombë shoqërore do të shpërthejë. Dhe këtu mban përgjegjësi edhe përfaqësuesi më i lartë i shtetit edhe njeriu më i thjeshtë i rrugës, pra të gjithë që marrin pjesë në zinxhirin e korrupsionit dhe që harrojnë, se janë duke i hapur varr vetes, sepse asnjë veprim personal nuk është pa pasoja personale. Një bashkëatdhetari im, i cili kishte ardhur për vizitë në Tiranë, kur pa ca përfaqësues të partive shqiptarë të ulur në hollin e Hotel Rognerit, më tha se këtu në Shqipëri politikanët dukeshin si mafioza. Iu përgjigjja: “Jo, nuk është e vërtetë. Këtu në Shqipëri mafiozat duken si politikanë.”

30. Sa dhe si e njihni Kosovën? Gjuhëtarët letrarët historianët filozofët? Duke u marrë pak si shumë me Shkodrën e Tiranën, a mos i keni hyrë pak në ´hak´ Prishtinës? Jo vetëm ju përsonalisht, por edhe kolegët tuaj të Graz-it?

GOSTENTSCHNIGG: Në vitet e fundit kam mbledhur aq shumë material mbi Kosoven, sa mund të mbushja disa vëllime me këtë. Ndoshta do të vij dita e botimit të tyre. Përveç pjesëve tashmë të përmendura të disertacionit, të cilat i referohen Kosovës, unë kam botuar që në vitin 1992 një artikull, ku paralajmëroj për shpërthimin e “fuçisë së fundit të barutit në Ballkan” me pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin dhe Evropën, nëqoftëse nuk merren në kohë masat e duhura në lidhje me zgjidhjen ndërkombëtare të çështjes së Kosovës në bazë të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Në të njëjtin vit kam botuar në një revistë studentore të Gracit një artikull, ku u përpoqa për sensibilizimin e shoqërisë austriake në lidhje me problemin e asilantëve kosovarë, të cilët ishin arratisur për shkak të përndjekjes politike nga regjimi i Millosheviçit. Një vit para daljes së hapur të UÇK-së kam botuar një artikull shkencor mbi çështjen e Kosovës në pasqyrën e burimeve shqiptare. Në vitin 1999 botova në revistën albanologjike “Studime Filologjike” të Tiranës artikullin shkencor “Rreth historisë së trajtimit të problemit të etnogjenezës së shqiptarëve”, ku vendbanimet shqiptare të Kosovës zënë vendin e vet. Dhe në vitin 2001 botova në Mynih (në revistën “Südost-Europa”) recensionin tim mbi librin e Bardh Hamzajit, ku ai tregon për dialogun e tij me një nga komandantët të UÇK-së, Ramush Haradinaj, sot kryeministër i vendit tuaj.

Për sa i përket kolegëve të mi këtu në Grac, nuk mund të thuhet gjithashtu, se i kanë hyrë në „hak“ Prishtinës, sepse janë marrë mjaft me Kosovën dhe kanë botuar jo pak në lidhje me Luftën e Kosovës 1998-1999. Lista e botimeve të Institutit për Historinë e Evropës Juglindore e dëshmon këtë fakt. Psh. revista „Ost-West-Gegeninformationen“ i ka kushtuar shumë vëmendje çështjes së Kosovës në fazën e nxehtë të saj.

31. A mund të na thoni, me çka jeni marrë e me çka po merreni-përveç ligjëratave-, këto kohët e fundit? A keni ndonjë projekt të ri në dorë?

GOSTENTSCHNIGG: Vitin e kaluar jam marrë me përkthimin nga anglishtja në shqip të një libri, i cili është një përpilim tekstesh origjinale të mistikut, joginit dhe filozofit më të rëndësishëm të Indisë dhe të themeluesit të Jogës Integrale Shri Aurobindo (1872-1950), një sfidë, të cilën e kam mjeshtëruar vetëm për shkak të studimit dhe praktikës intensive disavjeçare të kësaj Joge. Ky përkthim i vetëbotuar sivjet me titullin “Shri Aurobindo: Evolucioni i ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë.” (anglisht Sri Aurobindo: The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth. Compiled with a Summary and Notes by P.B. Saint-Hilaire. Twin Lakes: Lotus Press 2003. 148 faqe.) vlen më shumë sesa 1000 disertacione ose 1000 vëllime poezish dhe është dhurata ime më e shtrenjtë për popullin shqiptar. Studiuesit e sotëm udhëheqës në fushën e hulumtimit të evolucionit të koshiencës, si psh. Jean Gebser dhe Ken Wilber, i referohen në veprat e tyre Jogës Integrale të Shri Aurobindos. Ky vizion gjithpërfshirës, kur pranohet me mendje dhe zemër dhe kur vihet në praktikë, është ushqim spiritual me efekte konkrete transformuese në jetë.

Si projekt i ri shkencor mendoj t’i rikthehem temës së disertacionit tim, dmth. albanologjisë gjermanofolëse duke vazhduar atje, ku e kam lënë. Si hap të parë do të botoj disertacionin tim mbi albanologjinë austro-hungareze dhe përkthimin tim të librit të Uran Asllanit mbi studentët shqiptarë në Austri deri në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë lidhje do të propozoja gjithashtu përkthimin e veprës kolosale të Jup Kastratit „Historia e Albanologjisë. vëll. I, Tiranë 2000“ në gjuhën gjermane, një punë, të cilën mund ta bëja me shumë dëshirë, por nisma për këtë duhet të vinte nga pala shqiptare, në interesin e së cilës do të ishte ky përkthim, psh. duke e financuar nëpërmjet një fondi të krijuar për mbështetjen e projekteve albanologjike dhe për përhapjen e tyre jashtë shtetit.

Kur do të vijë koha, do të botoj një revistë dygjuhësh austro-shqiptare këtu në Grac, e cila do të përqendrohet në çështje globale të gjithë njerëzimit, duke përfshirë të gjitha fushat e jetës të para nga këndvështrimi austriak dhe shqiptar. Këto fusha do të jenë psh. albanologjia, letërsia, shoqëria, ekonomia, historia, filozofia, antropologjia, kozmologjia, spiritualiteti etj..

Botimit të vëllimit tim të parë poezish (1984-2004) sivjet do t’i vijojë ndoshta botimi dygjuhësh gjermanisht-shqip me shqipërime të lira në Kosovë ose në Shqipëri.

32. A keni edhe diçka tjetër, për të shtuar?

GOSTENTSCHNIGG: Shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë kolegët e mi shqiptarë dhe tek studentët shqiptarë kudo qofshin të reklamojnë me anë të masmediave mundësinë e studimit të lëmit „përkthim shqip-gjermanisht“ në Universitetin e Gracit.

Ju falemnderit juve, Zotit Kutleshi, për pyetjet tepër interesante dhe edhe „ngacmuese“, me qëllim që të detyrohesha të reflektoja thellë gjithë veprimtarinë time të deritanishme dhe të ardhshme në lëmin e albanologjisë dhe në lidhje me popullin shqiptar, të cilin me këtë rast e përshëndes përzemërsisht.

33. Zoti Dr. Gostentschnigg, ju falemnderit që gjetët kohë për këtë bisedë interesante!

* Intervistën e bëmë në gjuhën shqipe.

Burimi: JETA E RE/ VITI LVII /Prishtinë 2005/ fq.155/176.


 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora