E shtune, 20.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Ëmbëlsisht e vrazhdë Amy Winehouse

E merkure, 02.04.2008, 08:20 PM


Një trup i mbushur me tatuazhe e pirsing, sikur do t’i tregojë botës hartën për të mbërritur tek ishulli i shpirtit të saj fort i trazuar.

Nga Olti Curri - Spekter

Amy Winehouse
Një trup i mbushur me tatuazhe e pirsing, sikur do t’i tregojë botës hartën për të mbërritur tek ishulli i shpirtit të saj fort i trazuar. Por rrugën për në botën e Amy Winehouse ajo ka ditur ta udhëheqë me zërin e saj drithërues, që duket si një brilant i dhuruar nga mbretëresha të muzikës soul. Ajo këndon jazzin të përzierë me hip-hop, duke e interpretuar si një divë e zezë e viteve 40, sepse lehtësisht të kujton Billie Holiday apo Ella Fitzgerald. Këngët e saj tregojnë drejtpërsëdrejti për tradhti, seks dhe vese të natës, ku rrëfimi vjen në një dialekt të ngushtë.
Normale, ajo ka lindur në vitin 1983. E ku mund të ishte tjetër vendlindja e një artisteje si Amy Winehouse (Emi Uajnhauz), nëse nuk do të ishte Londra qyteti ku gjithçka është e mundur?!

E pra, Amy ia doli që nga brishtësia e moshës adoleshente të tërheqë vëmendjen e një qyteti ku çuditë janë më se të zakonshme. Pas çdo kënge të re të saj, kritikët duken si të detyruar të mbushin shkrimet apo komentet e tyre me lëvdata mbi krijimet dhe interpretimet e anglezes më të famshme të kohës që jetojmë. Pa ditur të ndalen, edhe kur Amy zgjedh të tërhiqet momentalisht nga skena muzikore. Mediet nuk pushojnë së foluri për intimitetet e saj. Faqe të para gazetash, revistash dhe interneti tregojnë për abuzimet e saj me drogën, gjobat në hotele, ku bën rrëmujë, e deri te dëshira e saj e fundit që të dizenjojë një linjë veshjesh sipas stilit të saj. Derisa bota të vishet njëlloj si Amy Winehouse, që tani ajo ka filluar të këndojë njëlloj si kjo diva e ditëve tona.

Biografi

Amy Jade Winehouse lindi më 14 shtator 1983 në Enfield (Middlesex) në Angli. Ajo u rrit në Southgate, lagje në veri të Londrës, ku familja e saj (me origjinë ebraike-ruse) përbëhet nga babai farmacist dhe nëna infermiere. Fëmijëria e Amyt ka rrjedhur nëpër ditë e net të mbushura me tinguj magjikë të muzikës jazz, pas së cilës nëna e saj ishte shumë e pasionuar. Ndërkohë që nëna adhuronte Carole King dhe James Taylor, babai gjithashtu dëgjonte artistë të tjerë të po kësaj rryme, si Sarah Vaughn dhe Dinah Washington. Këtyre shijeve u shtohej edhe pasioni i gjyshes për Frank Sinatrën.

Në moshën 13-vjeçare Amy e ndali përkundjen mes ritmeve që pëlqenin familjarët e saj dhe nisi të krijojë tingujt e saj, duke luajtur për qejf me kitarën akustike, të cilën ia kishin dhuruar prindërit. Ndoshta shija muzikore në të dëgjuar është ndikuar nga preferencat e prindërve, por zëri sigurisht që jo. Ai është i saj, një dhuratë e natyrës, të cilin me kalimin e viteve ajo do ta gërvishtë aq sa duhet, duke pirë shumë cigare dhe duke bërë jetë nate. Si adoleshente tipike angleze, Amy përshkon disa faza kohore ku i pëlqen rryma grunge e më pas Jeamy Hendrix.

Ashtu siç është zakon i vogëlusheve të përvëluara nga dashuritë e para, edhe Amy në atë periudhë ndikohet nga i dashuri, që i transmeton në shijet muzikore disa grimca nga ritmet rege. Më vonë Amy nis studimet në shkollën e teatrit Sylvia Young, por nuk mundet t’i përfundojë, pasi e përjashtojnë për faktin se nuk studion, por edhe se paraqitej në mësim me një vëth të madh në hundë. Kështu që u thotë “lamtumirë” mësimeve mbi teatrin dhe kalon në një shkollë vetëm për vajza në South London, por edhe atje nuk është se e pushton dëshira për të mësuar. Amy e urrente edhe atë shkollë dhe në çdo moment të lirë që i paraqitej futej në klasën e muzikës për të luajtur në piano ose kitarë. Që në moshë të vogël Amy tregoi se më shumë sesa studimi i pëlqente muzika, ndaj në shkollën e saj, kur ishte vetëm 10 vjeçe, krijoi një grup të muzikës rap, i cili frymëzohej nga modeli i muzikantëve të njohur rap të kohës Salt'n'Pepa. Amy e pagëzoi grupin e saj me emrin “Sweet'n'Sour”. Pasi e largojnë nga dy shkolla njëra pas tjetrës, në moshën 16- vjeçare adoleshentja e talentuar nisi të marrë mësime mbi historinë e muzikës dhe të ushtrojë zërin e saj. Përvojat e para si interpretuese Amy i ka gjatë kohës kur u bë pjesë e Youth Jazz Orchestra.

Dashuria e saj mbi tingujt magjikë kalon nga adhurimi për Ray Charles dhe Roy Avers në pasionin për rrymën hip-hop e r&b. Emrat që kishin bërë famë në këtë fushë, me energjinë dhe punët e tyre, do të bëheshin shkolla e vajzës londineze. Mjaftuan pak shfaqje dhe menjëherë filluan të përhapen fjalë mbi zërin e magjishëm dhe këtë talent të ri që po lulëzonte. Talenti i vajzës së “vrazhdë” Amy Winehouse, e cila tashmë kishte nisur rrugën e të kënduarit, zbulohet nga Simon Fuller, një nga ideatorët e konkursit për këngëtarë të rinj “Pop Idol”. Shtëpia muzikore “La Island Records” ishte e para që nuhati se një zë i tillë i mungonte tregut muzikor. Ata i ofrojnë këngëtares kushte që të përgatisë muzikën e saj, duke i venë në dispozicion edhe ndihmën e disa autorëve të njohur, si Felix Howard, Matt Rowe, Stefan Skarbek, Commissioner Gordon dhe Salaam Remi. Amy në këtë mënyrë vihet nën kontratë me agjencinë “19 Entertainment”, e cila bëhet ndërmjetëse dhe kujdestare mbi kontratën që artistja nënshkroi me “Island Records”. Në këtë periudhë, notë pas note doli më 2003-shin albumi i parë debutues me titullin “Frank”. I lavdëruar si nga publiku ashtu dhe nga kritikët, bashkë me 300 mijë kopjet e shitura, disku i parë i Amyt merr diskun e platinit.

Formula fitimtare duket se është përzierja e ritmeve jazz i vjetër me timbrin e ngrohtë dhe modern të zërit që Amy tashmë e kishte kthyer në një markë të pangatërrueshme.

Në fakt, zëri i saj ngjan “i zi” dhe shumë më i pjekur se mosha e artistes së re. Kritikët janë të mahnitur pas timbrit të saj, ndërkohë që mediet rrëmojnë dhe nuk kursehen të shfaqin edhe anët më të errëta të veseve të Amyt, e cila bashkë me Salaam Remi kompozon singëllin “Stronger than me”. Kjo i jep mundësi të marrin vlerësimin për  këngën më të mirë bashkëkohore dhe çmimin “Ivor Novello Award 2004”, një vlerësim prestigjioz në muzikën angleze. Po në të njëjtin vit Amy rrëmben edhe dy kandidime në Brit Awards (British Female Solo Artist dhe British Urban Act). Albumi “Frank” bëhet një minierë me singëll të suksesshëm, si “Take The Box”, “In My Bed”, “Pumps”. Gjithë ky sukses dhe famë e menjëhershme, që do të ishte arritje për çdo artist të ri, për Amyn bëhet motiv ankthi dhe pakënaqësie. Gjithë këto rezultate pozitive të punës muzikore asaj i duken prodhime “të manipuluara në studio”. Njerëz përreth saj menduan se këto ide të këngëtares ishin pjellë e një njeriu me pak përvojë, por nisur nga mosha duhej pranuar se Amy i kishte shumë të qarta në kokë idetë e saj. Në atë kohë erdhi vendimi i Amy Winehouse që të largohej për disa kohë nga skena muzikore, por pa mundur të harrohet nga mediet, sidomos ato që ndjekin skandalet. Pushimi artistik i këngëtares nuk u shoqërua nga heshtja e medieve, të cilat shpeshherë e kanë në faqet e para të tyre për shkak të gafave, mungesës së korrektësisë që, fatkeqësisht kanë lidhje me sasinë e madhe të konsumit të alkoolit dhe drogës. Pas gjithë këtyre problemeve, fati i keq e godet këngëtaren me një sërë krizash depresive, të cilat vijnë duke u shtuar dhe i sjellin asaj një dobësim të ndjeshëm. Periudha larg krijimit të muzikës së re zgjat për Amyn plot një vit e gjysmë, por e gjithë kjo kohë e ka parë atë në performanca të shkëlqyera live. Për ta nxitur edhe më shumë dellin e saj krijues, ishte i nevojshëm takimi me DJ dhe prodhuesin  Mark Ronson, i cili kishte punuar pak kohë më parë më Robbie Williams, Christina Aguilera dhe Lily Allen. Artistja soul bindet dhe u rikthehet kompozimeve, duke sjellë në pak javë disa nga këngët më të rëndësishme të albumit të saj të ardhshëm.

Tetori i vitit 2006, ekzaktësisht 3 vite më vonë, pas debutimit të Amyt (nga i cili është dobësuar katër prerje), sjell për publikun “Back To Black”. Albumi është krejtësisht i ndryshëm nga ai i mëparshmi dhe më pak i ndikuar nga rryma jazz; aty ndjehet i qartë ritmi që të kujton grupet muzikore femra të vitve 50 dhe 60. Të njëmbëdhjetë këngët e albumit janë prodhuar nga Salaam Remi dhe DJ Mark Ronson, i cili dy singëllat “Wake Up Alone” dhe “Rehab” i transmeton për herë të parë në radio gjatë emisionit të tij. Kënga “Rehab”, që flet për temat jetësore ndaj të cilave Amy ka qenë viktimë, e ngjisin albumin në dhjetëshen më të mirë të klasifikimeve britanike. Suksesi i albumit nuk mbetet vetëm në Angli, por prek vendet më të mëdha të globit, duke e bërë Amyn fituese të çmimeve të ndryshme. Gazetat nuk kursehen në lajmet mbi problemet e saj dhe, njëkohësisht me suksesin e albumit lexohen lajme të tilla, si ai në “L'Independent”, që tregojnë mbi depresionin e Amy Winehouse. Këngëtarja cilësohet si një person i prekur nga psikoza maniakale që refuzon të mjekohet.

Amy vetë do ta pranojë se ka vuajtur nga shqetësime nervore dhe në të ushqyer (anoreksi dhe bulimi).

Krahas komenteve mbi problemet e depresionit, edhe historitë që lidhen mbi përdorimin e drogës dhe alkoolit nuk kanë të sosur. E lidhur shpirtërisht me Blake Fielder-Civil, ata vendosin të martohen në muajin maj 2007 në Miami Florda, por edhe jeta familjare nuk rrjedh ashtu siç duhet. Në tetor të atij viti Amy arrestohet në Norvegji për posedim lëndësh narkotike (marijuanë) dhe një muaj më vonë, gjatë manifestimit të “MTV Europe Music Awards”, ajo ngjitet në skenë dy herë rresht në gjendje të turbullt.

Edhe fillimi i vitit 2008 nuk sjell për talentin britanik ndonjë periudhë qetësie; të gjithë kanë parë në internet të shpërndarë një filmim të saj duke tymosur një lloj droge me emrin “crack”. E me gjithë shkatërrimin në planin fizik dhe psikik, në ceremoninë Grammy Awards 2008 (Oskarët e muzikës), që u mbajt në Los Angeles, Amy triumfon duke fituar katër çmime. Mëkat që zëri më i bukur i muzikës bashkëkohorë nuk mundi ta marrë vizën e hyrjes në SHBA, pasi ky vend e quan atë të rrezikshme për shkak të lidhjes me drogën dhe pjesëmarrjen e saj në atë eveniment. Gjithsesi, ajo mundi të këndojë drejtpërsëdrejti nga Londra, përmes një lidhjeje satelitore.

Nga goja e Amit:
 
“Nuk jam në rregull me të gjitha ato gjëra që do të doja, por mendoj se asnjë grua nuk është.”

“Ka disa mbrëmje që zbavitem shumë, por më pas e kaloj masën dhe kështu prish mbrëmjen time dhe të të dashurit tim. Jam me të vërtetë një pijanece.”.“Më pëlqejnë studentet. Ka raste që ndihem më shumë burrë sesa grua. Por nuk jam lesbike, te paktën jo para se të pi një gotë alkool.”  

Mick Jagger:
"Do të birësoja Amy Winehouse"
"Është fantastike, por shpesh rrezikon jetën ".

Talent i padiskutueshëm, por është e mbushur me probleme që lidhen me drogën dhe alkoolin.Amy Winehouse, përveçse ka ngjitur hit-paradat e gjysmës së botës, ka marrë edhe mbështetjen e Mick Jagger, i cili është shprehur i gatshëm ta "birësojë" këngëtaren."Amy është një artiste e shkëlqyer që bën muzikë fanstastike-ka thënë lideri i Rolling Stones – por kam frikë se mund të vdesë po vazhdoi ështu". Mick Jagger ka rrëfyer se  do të kishte pasur dëshirë që Amy të ishte vajza e tij  "për ta drejtuar në botën e frikshme të muzikës".Lideri i Rolling Stones, ka pohuar se edhe ai vetë ka lujatur me drogën deri pa mbërritur afër fundit, por pa dashur kurrë se duhet të vdesë i ri.
Jagger ka ndarë skenën me Amyn, gjatë verës që shkoi. Por më pas zëri i mrekullueshëm i muzikës soul-jazz e braktisi këtë evenmiment për shkak të problemeve me drogën.

"Ishte mëkat.Do të ishte e jashtzakonshme në atë seri koncertesh.Amy do të ishte zëri femër perfekt për Rooling Stones, sepse ajo i përket asaj kategorie te këngëtareve soul-jazz, të cilat në të shkuarën na kanë frymëzuar.Në gusht të vitit të shkuar 23 vjeçare Amy Winehouse pati një kolaps për shkak të konsumit të një sasie të madhe droge të miksuar me alkool.Pak ditë më pas, këngëtarja hyri në një klinikë rehabilitimi, një "Rehab", e cila i jep titullin njërës nga këngët më të famshme të saj.
"Sikur vetëm të arrijë të qartësohet me veten.

Sepse është e vështirë që truri te vendose ndryshimin. Sikur vetja të mos më kishte thënë që s’duhej të tejkaloja masën, vite më parë do të kisha përfunduar si Amy- ka vazhduar rrëfimin lideri i Rolling Stones – Por fatmirësisht në kokën time kam dëgjuar zërin e arsyes që më bënte të ndalesha.
Kisha kuptuar atë më kryesoren, nuk doja të vdisja i ri”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora