E enjte, 25.04.2024, 09:48 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Xhelal Marku: Një udhëtim drejt bjeshkëve turistike të Selitës, Mirditë

E shtune, 07.07.2012, 12:08 PM


Një udhëtim drejt bjeshkëve turistike të Selitës, Mirditë

Nga Xhelal Marku

Bjeshkët e Selitës në Mirditë, identifikohen shpesh edhe me emrin e bukur të Malit Kunorë, që është dhe një nga zonat me resurse më të shumta turistike, i njohur për vlerat e turizmit shëndetësor në vend. Ndaj, duhet thënë që në fillim, se Kunora, ky vend i bukurive të rralla natyrore të Mirditës, ka hyrë në historinë e Turizmit Shqiptar, si një nga mrekullitë e destinacioneve tona malore, më të vizituara, por dhe më të preferuara për pushuesit. Është një emër, që të bën për vete, sapo të shkelësh mbi “trupin” e saj të blertë, të mbuluar me pyje e lëndina,  me plot lule shumëngjyrëshe, ku gjarpërojnë shpateve me bardhësinë e tyre edhe shumë burime ujore. Kunorë e ka emrin dhe vërtetë si një kurorë e bukur lulesh ngjanë. Katër male të këtyre bjeshkëve, Kunora, Valmori, Didhja e Mulli, që vijnë njëri pas tjetrit, si të zënë dorë për dorë, i qëndrojnë si kurorë e gjelbër mbi krye peisazhit piktoresk të zonës së Selitës, që nis nga kështjella natyrore e Trangës,  ku  Heroi

ynë      Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, ka lënë gjurmët e gojëdhënave e të legjendave të tij e deri në lartësitë e Kunorës, kufi me zonën e Lurës të rrethit Dibër. Këtu, poeti, piktori, gazetari dhe kameramani rrëmbehen natyrshëm në krijimtarinë e tyre, për t`i marrë Kunorës sa më shumë pamje nga bukuritë e saj. Është një përkushtim i ligjshëm ky, që të imponohet ashtu vetiu, nga pasioni dhe frymëzimi, që ndjen vizitori me shikimin e parë. Mbresa dhe emocione pafund në këtë vend të njohur turistik, që natyra i ka falur pakursim të gjitha bukuritë, mrekullitë e pafundme të saj. Ky mal i bukur i Komunës së Selitës, që shënon dhe kufirin ndarës midis dy rretheve: Mirditë e Dibër, mban në “gjoksin” e tij në anën perëndimore, pikën turistike të burimit të magjishëm kurativ të Kroit të Bardhë dhe në lindje, po një tjetër mrekulli natyrore – Parkun Kombëtar të Lurës me të shtatë liqenet e famshëm të tij. Ndaj, poeti mirditor, Mjeshtri i Madh, Gjokë Beci, autori i mirënjohur i shumë teksteve të këngëve të krahinës, shkruan:

“...Buzë Valmorit kush ka dalë,

Mrekullinë me sy ka parë...”

Dhe vërtetë këtu, në lartësinë e Malit të Kunorës, syri të joshet nga peisazhi me mrekullitë e natyrës së bukur të bjeshkëve të Mirditës, që të befasojnë me pamjen e tyre, të emocionojnë e të frymëzojnë me koloritin mbresëlënës, që i karakterizon ato. Unë, si njohës i mirë i asaj zone, kur përmend emrin Kunorë, njëherësh në përfytyrimin tim vjen edhe emri – Kroi i Bardhë. Një burim i papërsëritshëm kurativ në vendin tonë, që në konsideratën dhe mentalitetin e vizitorëve njihet si një ujë i bekuar, si një ujë i çudirave dhe i mrekullive të pafundme kuruese. Dhe, këtë bekim e shpreh qartë edhe vetë emri i tij, me të cilin ai identifikohet – Kroi i Bardhë. Këtu, vërtet bukuria dhe shenjtëria nuk kanë kufindarës. Ato njësohen ashtu, krejt natyrshëm, duke formuar magjinë jetësore të bjeshkëve të Kunorës në Mirditë. Të prekshme, të jetuara, të provuara vlerat turistike të këtyre anëve, madje edhe nga vizitorë të huaj. Kështu, u bë i famshëm uji i Kroit të Bardhë edhe nëpërmjet analizave në institucionet ndërkombëtare të studimit të ujrave kurative. Ndaj për t`u njohur nga afër me vlerat kurative të këtij burimi legjendë, bashkë me kolegët e mi, specialistë të Agjensisë Kombëtare të Turizmit, Sokol Kongoli, Ergys Faja e Andi Nallbani, organizuam një udhëtim për në bjeshkët e Komunës së Selitës, në territorin e së cilës ndodhet ky ujë çudibërës.

Udhëtimi i vitit

Kështu e kanë quajtur kolegët e mi, udhëtimin tonë të përbashkët të asaj fundjave të meskorrikut të 2011-tës, kur ne vendosëm të shtegëtonim drejt pikës turistike malore të Kroit të Bardhë, që ndodhet në shpatin perëndimor të Malit të Kunorës. Një rrugë jo aq e gjatë sa e vështirë për t`u ngjitur në këtë lartësi, rreth 1300 metra mbi nivelin e detit. Temperaturat e nxehta të korrikut, na detyrun të nisemi heret në mëngjes, për t`iu shmangur vapës. Fillimisht, kilometrat e para në rrugën e re të Kombit, ishin të këndëshme dhe kaluan shumë shpejt e pa u ndjerë. Duke kaluar në këtë rrugë, me sytë tanë pamë ndryshimet e shpejta, që solli infrastruktura e re e moderne në të gjitha fshatrat dhe qytetet e zonave, që përshkon, drejt skajit më verior të vendit, Kukësit. Janë sinjalet e para të gjallërimit ekonomik të tyre, ku kanë hedhur shtat dhe po rriten çdo ditë me dhjetra objekte tregtare e industriale, që kanë rritur punësimin dhe të ardhurat për frymë të këtyre anëve. Është një buzëqeshje, që e lexon kudo në sytë e njerëzve të këtyre anëve, që nga Miloti, përgjat Mirditës e deri në Kukës. Ato janë zona me shumë pasuri të mbitokës e të nëntokës, me resurse të mëdha turistike dhe energjitike, por që rregjimi komunist i së kaluarës i la në harresë për gjysëm shekulli, pa investime, pa rrugë, pa ekonomi. Sjellim në kujtesë një thënie të një emri simbol të minierave, emrit të veteranit të njohur të minierave të Mirditës, Dod Tusha, që e nisi punën si minator dhe më pas u bë drejtor në disa miniera të rrethit, duke filluar me Kurbneshin, Spaçin dhe së fundmi me Rubikun. “Kemi  jetuar  mbi  flori, thotë ai, e megjithatë  nuk  jemi ngopur  as  me  bukë  thatë, vetëm  për  arsye    politikave    gabuara  ekonomike. Punuam dhe sakrifikuam  një  jetë    tërë dhe nuk fituam asgjë, por shkatërruam edhe pasuritë tona, minierat dhe pyjet, duke i shfrytëzuar ato pa kriter, si të mos ishin tonat...”. Sot, Mirdita përjeton realitetin e ri të një jete me plot gjallëri, projekte të pafundme, investime e inisiativa private, që ia kanë ndryshuar faqen zonës. Udhëtimin tonë turistik e mundëson një djalë i ri nga Selita e Mirditës, që është i kullës së  Mikelëve, një biznesmen i suksesshëm, ish emigrant për gati dy dekada, i quajtur Alfred Mikeli, i cili me automjetin e tij komod na ofroi këtë udhëtim të këndshëm turistik për në bjeshkët e Kunorës, të cilin kolegët e mi, specialistë të turizmit e vlerësuan dhe e klasifikuan, si udhëtimin më të mirë të vitit 2011. Pasi kalojmë urat e mëdha të autostradës së Kombit, aty ku bashkohen dy lumenjtë e Fanit, drejtimi i rrugës tonë degëzohet drejt qytetit të Rrëshenit, që është dhe qendra administrative e rrethit të Mirditës. Është një qytet, që vitet e fundit jo vetëm është zgjeruar, por edhe ka marrë një bukuri e hijeshi të veçantë. Kjo falë dhe punës së kujdesshme të kryebashkiakëve, për ta mbajtur pastër e bukur dhe me gjelbërimin e duhur qytetin e tyre. Sigurisht, rruga e re e Kombit ndjehet se i ka dhënë më shumë jetë edhe vetë qytetit të Rrëshenit. Përballë tij, tashmë ka hedh shtat dhe po zgjatet drejt Klosit të Matit edhe një tjetër rrugë e re. Është një projekt cilësor i destinacionit të shkurtuar të variantit të rrugës së vjetër, që kalonte në këto anë, para se të ndërtohej Hidrocentrali i Ulzës, i cili përmbyti një segment të saj, duke e nxjerrë jashtë funksionit këtë rrugë të domosdoshme për këtë zonë. Duket se punimet kanë ecur shpejt. Në gjatësinë nga Rrësheni e deri në Perlat, traseja e rrugës pothuajse ka përfunduar, bashkë me veprat e artit, ku është shtruar çakulli dhe pritet të fillojë së shpejti edhe procesi i  asfaltimit. Nga Perlati, rruga jonë merr drejtimin majtas për t`u ngjitur drejt Kurbneshit, ku na pret dhe kryetari i Komunës së Selitës, Vladimir Gjikola, një djalë i ri dhe energjik, i pasionuar pas turizmit në këtë zonë. Është një rrugë e pamirëmbajtur, me plot gropa e vështirësi deri në fshatin Lëkundë, për të cilën sigurisht na u desh një kohë më e gjatë për ta përshkuar atë. Tanimë, u them kolegëve të mi, se kemi hyrë në zonën e Komunës së Selitës të rrethit Miditë dhe po i afrohemi gjithnjë e më shumë qytetit të minatorëve, Kurbneshit, që është dhe qendra e Komunës. Në sfond na shfaqen si në ekran njëri pas tjetrit, fshatrat, Lëkundë, Trangë, Kthellë, Zajs e Kurbnesh –Fshat. Ngjitemi në kodrën e Qafë-Pëllumbthit, ku dhe peisazhi i zonës shfaqet më i plotë me bukurinë dhe larminë e tij. Përballë na shfaqet ashtu hijerëndë, i sertë e tërheqës me peisazhin e tij të gurtë, maja e Gurit Gjon, si dhe malet Mulli, Didhje, Kunorë e Valmor, që së bashku formojnë një ansambël të bukur e piktoresk malesh në bjeshkët e Selitës, që ndodhen në skajin më lindor të rrethit Mirditë. Tek ura e vjetër në hyrje të qytetit të Kurbneshit takojmë kryetarin e Komunës, që na priti me bujarinë tradicionale të Selitasit, “Mirëse erdhët”! Një kafe dhe pak minuta bisedë në zyrën e tij, për të vazhduar më pas udhëtimin tonë drejt Kunorës, ku ndodhet uji i famshëm kurativ i Kroit të Bardhë, një vend turistik mjaft i frekuentuar nga pushuesit. Rruga kalon mes për mes Luginës së Selitës, ku rrjedh me kaltërsinë e tij, lumi i Urakës. Në të dy anët e rrugës verojnë tufa të shumta bagëtish. Është një zonë e pasur me kullota e pyje. Që nga larg të joshin tingujt karakteristikë të këmborëve, zërat e gëzueshëm të barinjëve, që komunikojnë me njëri – tjetrin në distancë, nga një shpat në tjetrin, por dhe ndonjë tingull i kënshëm fyelli, apo zë i bukur i qenëve të stanit, që jehojnë shpateve të luginës me kumbimin e tyre. Janë tinguj, që i japin jetë e gjallëri Selitës, kësaj zone me shumë pasuri e resurse turistike.

Vlerat turistike të Shpellave të Selitës

  teritorin  që përfshin  Komuna Selitë e Mirditës,  ndodhen  edhe shumë  shpella, si  dhe  puse  natyrorë,    përveç  vlerave turistike,  kanë  edhe  vlera  studimore për pushuesit. Sipas dëshmive historike, trojet e Selitës rezulton  të kenë qënë të banuara,  qysh    kohët  e  lashta.  Këtë  e  vërtetojnë  edhe zbulimet  arkeologjike, që  janë  bërë    disa  shpella të zonës,  ku  janë  gjetur  vizatime  dhe  dëshmi  te  tjera,  të cilat  hedhin dritë mbi  lashtësinë  e  popullimit    këtyre trojeve. Ekspedita e specialistëve të Turizmit, shpreh interesimin për t`i vizituar disa nga këto shpella. Ndaj, tek udhëtonim përgjat luginës, para se të hynim në fshatin piktoresk të Mërkurthit, Vladimiri – Kryetari i Komunës, ndalon dhe na fton të vizitojmë njërën prej shpellave më të njohura të vendit, Shpellën e Shutërrisë, e cila ndodhet fare pranë rrugës, në të majtë të saj. Ishte kënaqësi, por dhe kureshtje për ekipin tonë turistik, për të mësuar diçka nga kjo shpellë, ndaj u ngjitëm me shpejtësi drejt saj. Për mua, si ish korrespondent i RTSH-së për Mirditën për 25 vjet me radhë, ky vend nuk ishte i panjohur. Ndaj fillova të bëj ciceronin e shpellës për të pranishmit në këtë vizitë. Vite më parë, këtu në thellësitë e kësaj shpelle, ndërmarrja e ujrave të Mirditës kishte ndërtuar një stacion pompimi për nxjerrjen e ujit në sipërfaqe për ujitjen e tokave të zonës. Kjo e mundësonte vizitën në shpellë, nëpërmjet shkallëve metalike rrethore, që ishin montuar nga gryka e deri në fundin e saj, ndaj sqarova se unë kam pasur rastin të zbres në thellësinë e Shpellës së Shutërrisë, ku edhe kam filmuar. Aty kam parë një bregzalli të zakonshëm me zhavor, si dhe një lumë që zhurmonte papushim me rrjedhjen e tij, por për mungesë ndriçimi nuk arrita të shohë sa i madh ishte ky lumë dhe as të identifikoj shtratin e tij. Sot, pamja, që na ofrohet, është pa pompa, ashtu në formën e saj origjinale, si shpellë me hyrje vërtikale, që e vështirëson, ose e bën të pamundur vizitën e saj në thellësi. Si e tillë, ajo nuk ka as elementët e sigurisë për vizitorët, duke mbetur vetëm një strehës e përshtatshme për zhvillimin e pëllumbit të egër, i cili duket se këtu ka gjetur vendin e duhur, për t`iu shmangur gjuetisë. Mendoj, se i takon pushtetit vendor, i cili në bashkëpunim me specialistët e speleologjisë, të hartojë projekte dhe t`i realizojë ato për të mundësuar vizitat në këtë Shpellë, tepër interesante për vizitorët. Shpella e Shutërrisë është një objekt i rëdësishëm dhe i veçantë turistik për zonën. Ajo ka formën e një pusi natyror rreth 70 metra të thellë, ku muret e saj i zbukurojnë edhe stalaktidet e stalakmidet, ka dhe një lumë të nëndheshëm në fundin e saj, që mendohet se dherdhjen e ka në lumin me të njëjtin emër, në Shutërri të rrethit të Matit. Lidhur me këtë fakt, banorët vendas tregojnë se, dikur në lumin e Shpellës së Shutërrisë, me porosi të Gjon Dedës - ish Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Mirdirës të asaj kohe, ishte hedhur një sasi boje, që ngjyrosi më pas edhe rrjedhën e lumit të Shutërrisë në rrethin e Matit. Kjo mbahet mend si prova e parë e studimit për vendderdhjen e Lumit Shpellor të Shutërrisë në Selitë të Mirditës. Lëmë Shpellën e Shutërrisë dhe  vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Mërkurthit, një toponim i veçantë i këtyre anëve. Është një fshat i bukur e piktoresk, me shumë burime, me një gjelbërim të këndshëm, të cilit malet i qëndrojnë rreth e rreth si kurorë, duke ja shtuar bukritë që ka. Sapo shkëputemi nga rruga nacionale Tiranë-Lurë dhe marrim drejtimin drejt Malit të Kunorës, ku ndodhet edhe pika turistike e burimit kurativ të Kroit të Bardhë, para syshë na del një tjetër shpellë e Selitës, që mban emrin - Shpella e Mërkurthit, e cila ndodhet po pranë rrugës Qafë-Mërkurth – Kunorë, në të majtë të saj. Është një nga shpellat      thella  dhe me  shumë  kate  e  nënkate, me shumë stalaktide e stalakmide,     e  bëjnë atë  mjaft  interesante për t`u vizituar nga turistët, si dhe studjuesit e shkencës së speleologjisë. Ndaj, kjo shpellë e përmasave të mëdha, ndoshta më e madhja e vendit tonë, është vizituar edhe nga disa turistë të huaj, të cilët janë shprehur me shumë interes për hapsirat e saj arkeologjike. Ajo është një shpellë e vizitueshme, por pushteti vendor duhet të kujdeset më tepër për të, duke kryer studime e projekte lidhur me përmirësimin e kushteve për vizitorët, që nga hyrja, ku mungojnë shkallët e deri tek ndriçimi i hapsirave të saj, që paraqesin interes të veçantë për studjuesit e speleologjisë dhe pasionantët e saj. Kjo është shpella më e vizituar nga turistët vendas e të huaj, të cilët interesimin e veçantë të tyre e kanë shprehur edhe duke fjetur një natë vere në të, siç kanë vepruar vitet e fundit një grup turistësh francezë. Ne e pamë me sytë tanë vendin, ku ata kishin ndezur zjarrin, por dhe vendin, ku kishin shtruar dyshekët për të fjetur. Një pasion i madh i turistëve të huaj ky për speleologjinë tonë, por mendoj, që meriton dhe një vëmendje më shumë nga ana jonë, për këto objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e natyrore, që pasqyrojnë edhe historinë e këtij vendi. Për këto shpella, që kanë një thellësi e gjatësi ende të paverifikueshme deri më sot, ekzistojnë edhe shumë legjenda e gojëdhëna me interes për studjuesit e kësaj fushe. Por, ato nuk janë të vetmet shpella në zonë, pasi në territorin  e Komunës Selitë, gjenden edhe disa shpella të tjera, si Shpella e Fatmirave në Valmor, Shpella e Borës në Didhe, Shpella e Gjoit rrëzë Kepit Gjon, si dhe disa shpella të tjera pa emër, përgjat Luginës së Urakës, ku secila prej tyre përbën një histori më vete trashëgimie e legjendash për zonën. Përveç shpellave, në bjeshkët e Selitës gjenden  edhe  shumë  puse  natyrorë,  me  ujë  dhe  pa  ujë,    e  bëjnë  këtë  zonë  tërheqëse, por dhe mjaft  interesante  për  vizitorët.

Veçoritë dalluese të burimeve ujore të Selitës

Veç bukurive natyrore, klimës së rrallë, pasurive nëntokësore, pyjeve e kullotave, bjeshkët e Selitës në Mirditë, janë të përmendura edhe për burimet e shumta e të veçanta ujore. Themi të veçanta, sepse të tilla nuk gjënden në zona të tjera të krahinës. Pothuaj gjithë territorin e saj e përshkon lumi i Urakës, që buron nga Gryka  e  Selitës  dhe  pasi  përshkon  37 kilometrat  e  gjatësisë    tij, derdhet    liqenin e  Ulzës. Ky  lumë,  ka  ujë    ftohtë  dhe    kulluar,  ku  rritet  një lloj peshku i veçantë dhe shumë i shijshëm,  që quhet trofta  me  pika    kuqe. Lumi i Urakës ka  kushte  ideale  edhe për ushtrimin e  plazheve  të vegjël  malorë,  pasi  rrjedha  e  tij   ka  krijuar natyrshëm edhe shumë  gropa    mëdha  e    thella,  me  ujë    qetë,  ku  mund    ushtrohet  lirshëm  sporti  i  notit. Burimet e shumta ujore, por dhe terreni i përshtatshëm e malor i Komunës Selitë, e bëjnë atë,  njësinë administrative me potencialet më prodhuese të energjisë  elektrike në rrethin e Mirditës. Janë disa studime dhe projekte të kryera në këtë fushë, për të cilat pritet miratimi dhe më pas fillimi i investimeve, që këto burime ujore, do t`i kthejnë në më shumë dritë dhe energji, në më shumë të ardhura për zonën e Selitës dhe banorët e saj. Por, duhet theksuar, se burimet ujore në këtë zonë, janë jo vetëm të shumta, por dhe karakteristike, pasi këtu gjendet edhe një lumë i nëndheshëm, siç është lumi i Shutërrisë, por gjendet edhe një burim i famshëm kurativ, siç është ai i pikës turistike të Kroit të Bardhë,    buron    shpatet  perëndimore    Malit    Kunorës,    lartësinë  mbi  1300 metra  mbi  nivelin  e  detit.  Ky burim i magjishëm e fantastik, tashmë i famshëm dhe çudibërës për  vlerat  e  tij  kurative, të vërtetuara këto dhe me analizat laboratorike brenda e jashtë vendit, ka një frekuentim të jashtëzakonshëm e të përvitshëm nga pushuesit.  Ai ndodhet buzë rrugës autorurale Qafë - Mërkurth - Kunorë, një degëzim ky, me një distancë vetëm prej 12 kilometrash nga rruga autokombëtare Tiranë – Lurë. Preng Mark Prenga, një banorë i vjetër i zonës, thotë: “...Vlerat  kurative    ujit    Kroit    Bardhë, për herë të parë janë  zbuluar  nga  austriakët,  gjatë  Luftës    Parë Botërore, ku sipas gojëdhënave, thuhet se disa ushtarë austriakë, rastisën të kalojnë pranë këtij burimi dhe si të lodhur që ishin nga lufta, u ndalën dhe pinë ujë, por dhe pushuan tek burimi i Kroit të Bardhë. Pasi u freskuan me ujin magjik, nga këmbët, duartë, krahët e fytyra, në mënyrë të menjëhershme, ata ndjenë shlodhjen dhe morën energji të reja për të përballuar marshimet e mëtejshme të luftës. Thuhet se, ishin vlerat e këtij uji të famshëm, që i bënë ushtarët austriakë, të qëndronin më gjatë pranë këtij vendburimi, prej të cilit, pastaj e patën të vështirë të ndaheshin...”. Dhe që nga ajo kohë, kjo pikë turistike ka filluar të frekuentohet si vendi më i preferuar i turizmit shëndetësor, derisa sot ka arritur një popullim mbi kapacitetet e saj. Edhe pse kushtet e akomodimit në këtë vend pothuajse mungojnë totalisht, pasi këtu, deri tani, ende nuk është bërë asnjë investim, numri i pushuesëve që preferojnë të shijojnë ujin kurativ të Kroit të Bardhë, klimën dhe pamjet piktoreske të natyrës në bjeshkët e Kunorës, sa vjen e rritet. Pra, edhe në kushtet e munguara, ku pushuesit jetojnë në çadra e në stane, që ndërtojnë vetë me duart e tyre, në mungesë të energjisë elektrike, dhe të një infrastrukture  rrugore të dëmtuar e të  pamirëmbajtur prej vitesh, ata sakrifikojnë bashkë me familjet e tyre, vetëm në emër të vlerave kurative të burimit çudibërës e fantastik të Kroit të Bardhë.  Ndaj, është për të ardhur keq, që në këtë vend të magjishëm të turizmit shëndetësor, historikisht nuk është vënë dorë deri më sot. Projekte ka, investimet mungojnë. Mendohet se, me një teleferik prej vetëm tre kilometrash gjatësi ajrore nga qyteti i Kurbneshit, udhëtimi i turistëve do të  bëhej shumë më i shpejtë, por dhe shumë komod. Ndërsa, Mark Mikeli, ish kryetar i Komunës Selitë, thotë: “...Edhe me çakull sikur të shtrohej fillimisht rruga ekzistuese, efekti i saj do të ndihej menjëherë dhe  zona  do    merrte  një zhvillim të ri, por dhe  investitorët  privatë  do ta  shihnin ndryshe këtë pikë turistike, që realisht përfaqëson burimin më fitimprurës dhe me shumë perspektivë për komunitetin e zonës...”. Është kjo arsye, që banorët e Komunës Selitë, të cilët jetojnë në një terren me resurse të shumta turistike,  ende vazhdojnë të përballen  me  kushte    vështira  jetese,    shkaktuara  nga  falimentimi  i  industrisë, si  dhe  shfrytëzimi  pa  kriter  i  pyjeve.  Të ardhurat e munguara, sot, ata synojnë t`i kërkojnë më shumë tek Turizmi, por dhe tek sektori i blegtorisë, si sektorët e lënë në harresë në të kaluarën, për të cilët ekzistojnë kushte tepër të favorshme për zhvillimin e tyre, pasi selitasit e Mirditës prej  shekujsh flenë mbi thesaret turistike të vendit të tyre, por dhe mbi florën e pasur të kullotave natyrore, që i rrethojnë këto mjedise të bukurive përrallore të bjeshkëve të zonës.

Kroi i Bardhë i Mirditës, destinacioni turistik malor më i preferuar për pushuesit.

Në anën perëndimore të Malit të Kunorës, në vijën kufitare, që ndanë Mirditën me Dibrën, në lartësinë gjeografike rreth 1300 metra mbi nivelin e detit, ndodhet një burim uji me veti të rralla kurative, që quhet – Kroi i Bardhë.

Pranë këtij vendburimi të famshëm e çudibërës, që shëron shumë llojë sëmundjesh, shkojnë për të pushuar çdo vit (gjatë stinës së Verës, si dhe gjatë muajve të parë të Vjeshtës), qindra pushues nga e gjithë Shqipëria, por dhe turistë të huaj. Edhe pse në këtë pikë turistike, kushtet e akomodimit e të trajtimit, si dhe infrastruktura janë të papërshtatshme, numri i vizitorëve ka ardhur vazhdimisht në rritje. Sipas të dhënave, që disponon Komuna Selitë e rrethit të Mirditës, që administon territorin e këtij destinacioni të përmendur malor, pikën turistike të Kroit të Bardhë, e vizitojnë për çdo vit, mbi pesë mijë pushues, të cilët vijnë në këtë vend për vlerat e jashtëzakonshme kuruese të këtij burimi të magjishëm, papërfillur aspak vështirësitë e mëdha të udhëtimit, si dhe mungesën e kushteve të akomodimit e të trajtimit. “ ...Në këto rrethana, si mirditor që jam, thotë inxhinjeri kimist, Nikoll Marku, ndjeva një obligim për të bërë një studim laboratorik  mbi cilësitë, përmbajtjen dhe vetitë kuruese të këtij uji. Kështu, në vitin 1994, përfundova studimin e parë të burimit të Kroit të Bardhë, rezultatet e të cilit i publikova edhe në disa institucione europiane, që merren me studimin e ujërave kurativë...”.

Për të verifikuar vlerat kurative të këtij burimi, në nëntor të vitit 1996, erdhi posaçërisht në Mirditë edhe një grup specialistësh austriakë.  Megjithëse ishte prag dimri, grupi shkencor i studimit u ngjit pranë këtij vendburimi, për të bërë analizat e nevojshme nëpërmjet një laboratori fushor. Konkluzioni i tyre ishte: “...Ky burim ujor ka veti të rralla kurative, por meqënëse ka prurje të pakëta, që llogariten vetëm 20 litra në minutë, nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për grupin tonë studimor...”. Ky qëndrim i studjuesëve të huaj, ia rriti dhe më tepër përgjegjësinë dhe përkushtimin kimistit mirditor, për të kryer studime të reja edhe më të hollësishme për këtë burim ujor, duke u përqëndruar sidomos në vlerësimin fiziko-kimik dhe mikrobiologjik të tij. Kështu, nga ristudimi i bërë në vitin 2004, rezultoi se, turisti që viziton Kroin e Bardhë, për një kohë prej 15 deri 20 ditë në vit dhe konsumon sasirat e nevojshme të ujit nga ky burim, për tre vjet me radhë, fiton një gjallërim të përgjithshëm të organizmit të tij. Konsumimi në sasinë e rekomanduar i ujit të famshëm e çudibërës të Kroit të Bardhë, ndikon gjithashtu fuqishëm edhe në organet e tretjes e të metabolizmit në përgjithësi, vepron me shumë efikasitet ndaj sëmundjeve të rrugëve urinare, në tretjen e lëndëve ngacmuese të indeve të veshkave, shkrinë gurët në veshka, qofshin këta edhe të karakterit urat, fosfat, karbonat apo oksalat. Uji i Kroit të Bardhë ka dhënë efekt të dukshëm edhe në gjëndërrat e trupit, gjëndërrat mbiveshkore dhe ato embrionale, shëron sëmundjet e pielonefritit e të  nefritit, normalizon treguesit e gjakut tek të sëmurët anemikë, rrit sasinë e hemoglobinës në gjak, etj. Ai shëron plotësisht sëmundjet e pagjumësisë e të dhimbjes së kokës, si dhe sëmundjet e tjera me origjinë nervore. Uji i magjishëm i Kroit të Bardhë vepron ndaj mukozës së zorrëve, duke bërë një pastrim të plotë të tyre dhe eliminon precipitimin e kripërave në faqet e enëve të gjakut, duke krijuar elasticitetin e nevojshëm të tyre. Ai gjithashtu, shëron sëmundjen e trombophilebitit, spondylitis ankylosans, sëmundjen e kyçeve, të poliartritit kronik e të kolonës vertebrale dhe ndikon shumë në shërimin e sëmundjes së reumatizmit. Dhe jo vetëm kaq, por uji i Kroit të Bardhë, përmirëson edhe  funksionimin e vezoreve, ndihmon në shërimin e azmës bronkiale, etj. Edhe pse ky burim nuk përmban jod, është vërtetuar me analizat përkatëse, se ai shëron plotësisht strumën (gushën), ndikon shumë në normalizimin e rrahjeve të zemrës dhe forcimin e punës së saj, si dhe në rritjen e qarkullimit të gjakut, etj. Vetitë kurative, ky ujë i merr nga përmbajtja e Radonit, Fluorit, pH të theksuar bazik, etj, që janë elementë kimikë mjaft të rëndësishëm dhe me vlera të mëdha për kurimin e shumë llojë sëmundjesh. Të vetmit probleme për këtë burim kurativ, janë sasia relativisht e vogël e ujit, rreth 20 litra në minutë, si dhe  pamundësia e konservimit të tij, pasi vetëm për njëzet minuta nga koha e mbushjes, ai i ruan vetitë e tij kuruese. Për këtë arsye, pirja e ujit rekomandohet të bëhet pranë burimit, sepse këtu pushuesi thith njëkohësisht edhe sasitë e nevojshme të gazit shërues të quajtur Radon, që çlirohet nga burimi bashkë me ujin e mrekullueshëm të bjeshkëve të Kunorës në Mirditë. Ndaj, vizitoni pikën turistike të Kroit të Bardhë, se do të befasoheni me mrekullitë e natyrës së këtij vendi.

Darka mikpritëse e selitasve tek burimi i Kroit të Bardhë

Sapo kemi shkelur në pikën turistike të Kroit të Bardhë të Mirditës, shumë pushues, vizitorë, apo dhe barinj, që verojnë me tufat e tyre bjeshkëve të Selitës, na kanë rrethuar me mikpritjen e tyre tradicionale, e shprehur kjo me një mirëseardhje të sinqertë e bujare. Janë rreth dymijë pushues, që kanë ardhur nga disa rrethe të vendit për të marrë vlerat kurative të këtij burimi të famshëm kurativ. Afrohemi tek Kroi, që rrjedh papushim nëpërmjet një tubi plastik ngjyrë portokalli. Disa grupe pushuesish janë në rradhë për të pirë ujë, por dhe për të marrë vlerat e gazit kurativ të Radonit, që shliron burimi bashkë me ujin e mrekullive të kësaj zone. Pyesim, pse është vënë ky tub plastik tek çezmja? Pushuesit, sqarojnë se as hekuri, as guri e as druri, nuk i rezistojnë këtij burimi më shumë se disa orë. Ndaj, është gjetur ky tub plastik i rëndomtë, mbi të cilin nuk vepron uji kurativ i këtij burimi. Ekipi i specialistëve të Turizmit, i ndodhur mes pushuesëve të shumtë, nis dialogun me ta. Burra e gra, fëmijë e të moshuar, dëshmojnë me gojën e tyre për vlerat e larta kuruese, që ata kanë marrë nga ky burim i rrallë në vend, i cili në dukje është aq i thjeshtë e aq i zakonshëm. Afrohemi për të pirë ujë dhe ne, se vapa dhe udhëtimi na kishin lodhur, por dhe etja na kishte marrë. Provojmë mrekullinë e natyrës tek ky ujë i famshëm dhe më pas qëndrojmë tek stani i miqëve të Alfredit e të Vladimirit, që ndodhej aty, fare pranë burimit. Këtu, Marku e Nesti, bashkë me grupin e çobanëve, na shtruan drekën dhe nisën menjëherë përgatitjet e shumta për darkën model, që me bujarinë e tyre ata kishin planifikuar. Shumë shpejt, dy keca u futën në hell dhe nisën gatimet edhe me furrën e improvizuar këtu në bjeshkë. Dihet tashmë cilësia e mishit në kullotat e bjeshkëve të Selitës, me një bimësi të pasur e me plot lule, madje dhe lule kurative, që ka me sumicë kjo zonë. Përballë nesh na shfaqen si një plantacion tarracash edhe stanet e bletëve, që pronarët e tyre i kanë ngjitur në bjeshkë, për të marrë nga flora e veçantë e këtyre anëve nektarin dhe mjaltin e rrallë e me vlera kuruese. Gjithshka cilësore dhe bio nga ushqimet, që konsumojnë pushuesit e pikës turistike të Kroit të Bardhë. Mishi dhe bylmetrat si aty dhe askund tjetër, kosi po ashtu, gjalpi, etj. Ndaj është vështirë t`i rezistosh tundimit të këtyre ushqimeve me shije të jashtëzakonshme, që bjeshka ofron për turistët. Sakaq dhe mbrëmja bie me qetësinë e saj mbi këtë terren të këndshëm klime. Ndonëse nën dritën e qirinjëve, ajo darkë gatuar me ushqimet më të shijshme të botës, me pijet karakteristike, me atmosferën mikpritëse më të mrekullueshme të selitasëve të Mirditës, ashtu siç dinë ata të presin, ka zgjatur shumë, deri pasmesnate. Ishte një darkim i rrallë dhe për t`u mbajtur mend gjatë nga të gjithë ne të pranishmit. Ndaj dhe për këtë arsye, kolegët e mi të punës e kanë quajtur këtë udhëtim, udhëtimi më i mirë i vitit 2011. Pas këtij darkimi të këndshëm e mbresëlënës, në orët e vona të pasmesnatës, ne nisëm udhëtimin tonë drejt Fushë-Lurës, aty ku do të akomodoheshim për fjetje. Edhe këtu, kushtet dhe shërbimet nga pronari i Hotelit të ri, Hasan Hoti, ishin perfekte. Me kursimet e tij, të mbledhura gjatë emigracionit për shumë vite në Greqi, ai ka ndërtuar një hotel modern e të kompletuar, mu në qendër të Lurës.

T`i rikthejmë Lurës nurin e saj të bukurive natyrore

Mëngjesi i së nesërmes, na pushtoi me peisazhet e bukura të zonës së Lurës Turistike. Fshatra të mrekullueshëm, ku spikat gjelbërimi e pastërtia, shtëpi të bukura e karakteristike prej guri, por dhe bulevardi i ri, i asfaltuar e me trotuare, i ndërtuar vitet e fundit. Ndaj, këtu, vizitori që vjen për herë të parë, nuk e kupton mirë, në se është në qytet, apo në fshat. Dëshira e ekspeditës tonë turistike është të ngjitemi për tek liqenet e famshëm të Lurës. Me makinë nuk shkoni dot, na thanë tek Komuna, pasi rruga ekzistuese është shumë e dëmtuar, me karaxhata të larata, ku dhe fuoristrada nuk kalon dot. Në këto kushte u nisëm më këmbë. Ishte një rrugë e gjatë, e lodhshme dhe krejtësisht malore. Pas dy orë udhëtim, specialistët e Agjensisë Kombëtare të Turizmit, kapën lartësinë, ku ndodhen shtatë liqenet e mrekullueshëm e të përmendur të Parkut Kombëtar të Lurës. Ishte për të ardhur keq, për dëmet kolosale, që i kanë shkaktuar këtij Parku, jo vetëm prerjet e paligjshme, por më tepër se këto, madje shumë më tepër se këto, zjarret e qëllimshme nga keqëbërësit, duke shkatërruar për çdo vit, ekologjinë e pasur dhe mjediset përrallore të bukurive fantastike të Krahinës së Lurës. Janë pamje rrënqethëse për vizitorin vendas e të huaj, këto pamje, që ende kanë mbi “supe” blozën e zezë të zjarreve, ku duhen shumë vite për t`i rikuperuar pyjet e për t`i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme. Përballë këtyre pamjeve, duket inekzistent shërbimi pyjor në Lurën e bukur, por inekzistent dhe sehirxhi duket edhe qëndrimi i pushtetit vendor, dy institucione këto, që kanë preferuar heshtjen përballë këtij shkatërrimi të përvitshëm të vlerave turistike të njërës nga perlat e Turizmit Shqiptar, Lurës. E megjithatë, duhet të theksojmë se edhe në kushte të tilla, Lurën Turistike e vizitojnë përsëri turistët e huaj dhe ata vendas, për hirë të klimës, të mikpritjes dhe të emrit të mirë të saj, që ajo ka krijuar në vite. Dhe kjo, është një realitet, që ne e pamë me sytë tanë, pasi tek Liqenet, gjetëm çifte të rinjsh britanikë, të cilët prej ditësh kishin ardhur për të kaluar pushimet e tyre në Lurë. Lura ka bërë emër në Turizmin Shqiptar, ndaj duhet mbrojtur e zbukuruar me çdo kusht, që asaj t`i rikthehen vlerat dhe nuri i bukurisë së saj natyrore.



(Vota: 735 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora