E enjte, 25.04.2024, 01:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Nanë Tereza

E shtune, 07.07.2012, 03:45 PM


Nanë Tereza

Shënim: Rastësisht lexova dhe rilexova në Google fyemje ndaj Nanë Terezës, që rishtas nuk due t’i besoj se kishin dalë nga goja e një shqiptari.

Nuk due të replikoj, nuk e meritojnë. Thjeshtë po reflektoj e ftoj të reflektohet.

Nëse pretendojmë ende se jemi njerëz e shqiptarë.

Nga Daniel Gàzulli

Pothuej një shekull ma parë, kur Nanë Tereza ishte ende një vocrrake, vetëm tre vjeçe, e quhej thjeshtë Gonxhja e Kolë Bojaxhiut, tue folë për mizoritë sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta thonte se edhe “ .... vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.)

Ato fjalë plot dhimbje të Fishtës mund të thuhen edhe për qendrimin barbar që mbajtën, e jo rrallë po mbajnë disa edhe sot,  ndaj Nanës imcake, e Madhe si vetëm ajo, Nobelistes së ma të vorfënve ndër të vorfën, të atyne që ndjeheshin të përbuzun prej një shoqnie të pasun në gja e mallë, por të shkretnueme në shpirt; vështirë, pra, që historia të jetë në gjendje me kuptue se si mohuen bijën e tyne ata “të pa fé e fanatikë”, do të thonte përsëri At Fishta.

Sa i trishtueshëm do të mbetët në histori mohimi i asaj, që ishte deri në bebëz të shpirtit gjithmonë e rreshkun dashunie për Atdhe. Por ndoshta, si thotë prap Fishta në vdekje të Avni Rrustemit: “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty” (Revista “Afrimi”, viti II, maj 1924, Vlonë).

Ata e mohuen, e disa vahzdojnë ta mohojnë edhe sot, pse Ajo, siç ka me u ngja brezave të ardhëshme porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja, si askush në shekull të saj, kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri, shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve të braktisun, Nanë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem.

E ja, dikush sot (për turpin tonë) thotë se shtatoren e Nanës të mos e vendosim këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma ... për turpin e tyne, pra, e për turpin tonë. Nësa Presidenti Amerikan Bill Klinton, kryearqitektit i lirisë së Kosovës, thotë:  Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, rrahagjoksave u ban hije Shtatorja e Nanës, prandaj edhe duen ta shtyejnë diku ma andej.

Thotë At Mëshkalla: “ ... zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundet, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë, bahët fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen “thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë. Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë këte. Fanatizmi asht shumë ma i damshëm se ateizmi. Po Ajo, e Madhja, e kishte kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe  “muslimanëve u lexonte Kuranin, Induve u jepte ujë nga Gange, e katolikët i kungonte”. Ja edhe fjalët e saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për gjithmonë: “E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të bahet një katolik ma i mirë”. Po shumëkujt, pikërisht ndër ne, vëllaznit e bijtë e saj, i asht ndryshkë truni e shpirti e birret tue nda në parcela ata që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.

Ma të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë, si po duen me thanë disa mendjeshkurtë, po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë besimesh e kombësishë. Pse i tillë ishte brumi me të cilin ishte gatue ajo: prej dashunie për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran.

Kur iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexosh motivaciononi: "per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin, që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.

Vorfëninë dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për paqen”, por “një kërcënim për paqen”, pa ate “edhe” të panevojshme. E fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do mend, edhe dinjitetin.

Ajo, imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DINJITET, të barabartë para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë, që formojnë atë që na e quejmë “Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së pari, vorfëninë e mjerimin?

Sot njerëzimi asht i untë për dashuni, dhe dashunia asht përgjegja e vetme ndaj vetmisë dhe vorfnisë, ndaj dëshprimit, humbjes së shpresave; shumëkush ka harrue me buzëqeshë, ka harrue bukurinë e prekjes njerëzore, ka harrue ç’asht dashunia e njerëzëve. Kanë nevojë që dikush t’i kuptojë e t’i respektojë.

Shqiptarët, po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një zemre të madhe, që ka vend për shqiptarë sa janë e mbarë njerëzimin vetë, pse ajo ishte, asht e do të mbesë në shekuj të shekujve NANA JONË HYJNORE.

Kjo mesazhere e ndritëshme e dashunisë ndaj Zotit lindi në Shkup, në atë udhëkryq të historisë së Ballkanit, lindi shqiptare.

E gjithë jeta dhe vepra e Nanë Terezës janë dëshmi gëzimi e dashunie, madhështie e dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore, dëshmi e vlerave të gjanave të vogla, por të bame me dashuni.

Nanë Tereza na la një testament besimi të patundshëm, shprese të pamundëshme dhe dhimshunije të jashtëzakonshme.

Asht e kuptueshme që, mbas aq shekujsh të trazuem, një pjesë jo e vogël e popullit tonë të përjetojë një krizë shpirtnore tunduese. Shkaqet janë të njohuna e nuk asht këtu vendi t’i rreshtojmë.

Por kriza shpirtnore asht një karakteristikë që ka prekë edhe vetë shejtnit, ndër ta edhe Nanë Terezën, prandaj nuk ka pse të mos shpresojmë që ta kapërcejë pjesa ma e shëndetëshme e popullit tonë, ajo pjesë që ndoshta sot edhe ateiste apo fanatike, ruen të shëndetëshme karakteristikat e identitetit kombëtar e europian. Natyrisht, asht tjetër ajo krizë që të ngërthen për shkak të vuejtjeve shpirtnore pse nuk je në gjendje me u dhanë përgjegjegje njëmijë pyetjeve që të lindin kur je përditë në kontakt me vorfninë ma të skajshem, si ishte Nanë Tereza, por pa humbë kurrë yllin polar të besimit, tjetër asht kriza shpirtnore që sot ngërthen tek na shtetarë të pangopun, gjaksorë të papenduem dhe egoista të pafre. Kush ndjen krizë shpirtnore për shkak të vuejtjes së vuejtjes së të tjerëve (e nuk asht lojë fjalësh kjo), jo vetëm nuk do t’i humbë lidhjet me besimin e tij, por do ta çojë kjo krizë, kjo vuejtje, në një lidhje edhe ma të fortë e të vetëdijëshme me Zotin.

Në figurën e brishtë të kësaj grueje të duket sikur përjeton njenen prej figurave të mëdha biblike. Figura e saj mbizotnon shekullin e njëzetë poaq sa ato ngjarje tragjike, teatër i të cilave qè në dy luftna botnore, por me një ndryshim thelbësor: Nana e kapërcej mijëvjeçarin e me buzëqeshjen e vështrimin e saj gjithë dritë  ngjall përditë shpresë, e kështu do të vijojë në jetë të jetëve.

Nanë Tereza jo vetëm ka marrë prej të pasunve për t’u dhanë të vobektëve: e vetëdijshme për karizmën e saj asht përpjekë me të gjitha forcat të vejë të vorfnit në qendër të vëmendjes në një epokë kur, si dështuen andrrat revolucionare, shumë njerëz (shtetarë, politikanë, afaristë, konsumatorë)  përpiqen t’ia fshehin vehtes ashtu edhe të tjerëve vorfninë.

Por edhe ma e randë se vorfnia materiale, qenka vorfnia shpirtnore që ka kapërthye disa prej nesh.

Lutu të çlirohemi prej saj, Nanë.



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora