Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Humanizmi, virtyt i shqiptarëve ndër breza

| E merkure, 04.07.2012, 04:05 PM |


HUMANIZMI, VIRTYT I SHQIPTARËVE NDËR BREZA

NGA PËLLUMB GORICA

Historia është dëshmitare jo vetëm e zhvillimeve të ndryshme jetësore, por edhe e mbartjes së vlerave të një populli. Ndër shekuj shqiptarët i ka dalluar humanizmi, toleranca, mikpritja, bujaria, virtyte që janë spikatur edhe në përiudha të vështira të jetës, si evokime  tradite.

Këto vlera janë treguar jo vetëm për vëllezërit e një gjaku, shqiptarët e  Kosovës,  të keqtrajtuar barbarisht nga makina vrastare  e lukunive serbe me krime monstruoze në këto 100 vitet e fundit apo edhe për banorët çamë, të dëbuar nga trojet e tyre, prehë e masakrave të shovinistëve grekë, por edhe duke strehuar e mbrojtur edhe të huajt, të pambrojtur, të vuajtur e në mjerim, pasojë e përplasjeve të luftrave gllabëruese. Humanizmi, si shembull karakteristik i virtyteve të shqiptarëve nuk harrohet në vitet e Luftës Parë Botërore. Populli ynë strehoi muhaxhirët boshnjakë në këto ditë të vështira të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 ushtarët austro-hungarezët, pas humbjes së luftës, në një gjendje mjaft të mjerueshme, kockë e lëkurë, që të kujtonin lypësat e rëndomtë të rrugëve, shqiptarët, nuk i lanë të vdisnin urie. Ato vite për Shqipërinë u quajtën “uria e madhe", apo koha e nenmses ku mungonin buka dhe sendet e tjera të ushqimeve, veshmbathjet dhe çdo gjë e nevojshme. Të tjera fakte dhe dëshmi tregojnë për humanizmin e pashoq të shqiptarëve. Strehimi dhe mbrojtja e hebrenjve prej ndjekjes nga bisha naziste që kërkonin shfarosjen e tyre, qëndron në gurthemelet e shpirtgjerësisë së shqiptarit. Më 8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi pa kushte dhe vendin e tyre e zunë forcat naziste gjermane, që vërshuan drejt Shqipërisë, duke zënë pozicionet e lëna bosh. Forcat gjermane, gjatë hyrjes në Shqipëri, mbollën terror në Jug, si në fshatrat Borovë e Barmash, përkundrejt propogandës se nuk janë pushtues dhe se qëndrimi  i tyre ishte i përkohëshëm e kalimtar në Shqipëri. Pas kapitullimit nazistët gjermanët nuk i konsideronin ushtarët dhe oficerët italianë të Italisë  fashiste si robër lufte, por tradhëtarë të boshtit, duke i vënë në grykën e armëve, si fajtorë të humbjes së luftës në Gadishullin Ballkanik e Veriun e Kontinentit Afrikan. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane e fazhizmit, me nacionalizmin e tij të tërbuar, shumë ushtarë e oficerë italianë në Shqipëri, në pamundësi për ikje në vendin e tyre nën këtë terror e zhdukje, gjetën strehë e përkrahje nga populli shqiptar. Një pjesë e tyre, në tentativë për t’u larguar në Itali, u masakruan në ditët e para pas kapitullimit.

Kryesisht banorët e zonave fshatare me tolerancën dhe shpirtbujarinë i mbrojtën dhe i mbajtën gjallë nga kërcënimi i urisë, dimrit të egër të 1943-1944-trës, ndjekjeve të nazistëve, të cilët me anë të dy operacioneve, të Dimrit dhe të Verës së 1944-trës, nuk kishin mëshirë as për shqiptarët.  Ky fakt nuk mund të shuhet nga ndërgjegjjia e popullit tonë, si ditët më të rënda dhe për këtë perandori pushtuese, me ushtarë të katandisur keq e më keq.  Është mbresëlënës ky humanizëm dhe me të vërtetë mirnjohës për këta fatkeq të gënjyer nga fazhizmi, që erdhën si pushtues. Populli ynë u tregua jo hakmarrës kundrejt tyre, por i strehoi, i mbrojti, duke mos harruar ç`kishin vuajtur nga pushtuesit fashistë, luftërat, reprezaljet, djegiet, vrasjet, masakrat e tyre.  Shqiptarët i urryen si pushtues, por nuk i keqtajtuan ushtarët italianë dhe nuk u dorëzuan asnjë prej tyre nazistëve gjermanë, të cilët, po t’i kapnin, do t’i vrisnin. Ata ishin viktima, që i katandisi fazhizmi, duke i hedhur në këtë cep të Ballkanit. Një pjesë e tyre u inkuadruan në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Shqiptare, pjesë e batalionit “Antonio Gramshi” të  Brigadës së Parë Sulmuese.

Banorët e  krahinës së Sulovës së Elbasanit, si gjithë Shqipëria, me gjithë mjerimin e ulur këmbëkryq dhe kushtet e vështira të luftës, strehuan dhjetëra ushtarë italianë, duke i mbrojtur nga ndjekjet e nazistëve. Sulovarët ndanë copën e bukës, edhe pse dikush nga këta ushtarë mirësinë e ktheu në tradhëti tek gjermanët. Dëshmitë, si kujtime të kohës, vijnë nga bashkohës me copëza ngjarjesh, emra, veprime, kontribute, karaktere të ushtarëve italianë. Mësuesi veteran, Riza Cërriku, tregonte:  “Ushtarët italianë u strehuan në familjet e fshatarëve të mesëm, por edhe në familje të varfëra. Nga ana tjetër shumica prej tyre treguan se ishin të interesuar të punonin, se s’dëshironin për të luftuar. Kishte nga ata që në fshatrat e Sulovës treguan se ishin specialistë të mirë si ndërtues, të cilët punonim mirë murin e gurit, por edhe punimet e drurit” Ata ndërtuan shtëpi, hapën puse uji, vetullorë ullinjësh, shtruan kalldrëme guri etj, që janë edhe sot, si një dëshmi e  kësaj kohe, meritë e punës nga këta ushtarë italianë. Në Linas, 6-7 prej tyre ndërtuan disa shtëpi, që kanë mbetur të emërtuara deri vonë si shtëpitë e ushtarëve italianë. Po ashtu, në Mollas, kujtohet se me shumë mundime hapën një pus uji, shtatëmbëdhjetë metra të thellë, që përdoret edhe sot. Gjithashtu, ata bënin çdo lloj pune në ara, duke ruajtur bagëtitë, mbjellë e krasitur drurë frutorë. Interesant është fakti, se në Lumas, gjatë punës në një arë, zbuluan objekte të vjetra qeramike që i përkasin një vendanimi me histori të lashtë. Ështe detyrimi ynë moral që t’i kujtojmë gjithmone për shembullin e tyre të njerëzishëm familjet sulovare që i strehuan ushtarët fatkeqë italianë. Në Selitë u strehuan në familjet e Ibrahim Sades, Dine Sades, Refit Micit, Llan Sades etj. Në Linas, në familjet e Faslli Metushit, Kajo Hysës, Gani Hoxhës, Hekur Metushit, Myftar Ragës. Në Kamuna në familjet e Çeç Cërrikut, Halim Cërrikut, Nexhip Cërrikut, Zenun Cërrikut, Sherif Cërrikut, Ymer Cërrikut. Në Mollas, në familjet e Rakip Gjinit, Rushit Gjinit, Qerim Çalës, Myslim Çalës, Nuri, Kurtit, Ali Kurtit. Në Topojan, në familjet e Islam Mëhallës, Zyko Mëhallës, Ali Hoxhës, Arif Mëhallës. Në Dragot, në familjet e Qazim Çalës, Riza Çalës, Beqo Shkëmbit, Ramo Senjës, Dervish Senjës. Në Klos ,në familjet e Mehdi Qevanit, Arif Memës, Rakip Xherisë, Fezo Xibrrakut, Asllan Vishkullit, Dervish Çalës. Në Qyrkan, në familjen e Sherif Xibrrakut, Zyko Plakës. Në Qafë, në shtëpitë e Isuf Qevanit, Fehta Mustës. Në Lumas, në familjet e Ali Shërmadhit, Sali Shërmadhit, Mehmet Senjës. Në Floq, në familjet e Haxhi Kumrisë, Dule Tafës Hajredin Tafës, etj. Në Banjë, në familjet e Sali Hoxhës, Aqif Hoxhës etj.

Ushtarët dhe oficerët italianë disa muaj pas çlirimit të vendit, në pranverën e vitit 1945, u rikthyen në atdheun e tyre, Italinë, pranë familjeve me kujtimet më të mira dhe mirënjohjen edhe për banorët e krahinës së Sulovës, me dëshirën që një ditë do takoheshin e do ta shpërblenin këtë humanizëm. Kur u larguan ata janë ndarë me të qarë me banorët. Por rrethanat, që u krijuan në vitet e sistemit të  egër komunist, të mbylljes së tij me botën kapitaliste, ua keputën këtë lidhje dhe kujtimet e tyre u zbehën në harresën e 50 viteve, të gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas.

Humanizmi i treguar nga sulovarët, si nga mbarë shqiptarët, na bën të ndjehemi krenarë për këtë vlerë që lëvrin në deje tek shqiptarët ndër breza.