E premte, 19.04.2024, 11:00 AM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Transformimi i Rilindjes

E merkure, 04.07.2012, 08:36 PM


Transformimi i Rilindjes në feudalizëm e bujkrobë, dhe epilogu trishtues

Rilindja: Përkushtim  dhe trishtim (Recension)

Autor: Bajram Kabashi

Botues: Prograf, Prishtinë, 2001, f. 440

Nga Isa Mulaj

“Rilindja”, është ky një emër i madh dhe shumë domethënës në çfarëdo kuptimi. Shqiptarët më së miri e mbajnë mend si periudhë historike me emrin “Rilindja Kombëtare” që u dha atyre një indentitet kombëtar më të formësuar. Në këtë shkrim vështrohet një Rilindje tjetër në një pjesë të territoreve shqiptare, atë në Kosovë. Është fjala për gazetën e vetme të përditshme me këtë titull në gjuhën shqipe gjatë periudhës së komunizmit dhe sundimit të dhunshëm serb. Autori është ish-gazetar i kësaj gazete prej vitit 1982 e deri në fund të ekzistencës së saj në dhjetor 1998.

Rilindja ishte një rilindje në komunikimit masiv dhe përpjekjve për avansimin e  identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve në Kosovë që kanosej nga dy lloj grupesh. I pari dhe kryesori ishte pushteti komunist jugosllavo-serb, kurse i dyti ishte ai i servilëve shqiptarë të tyre brenda në Rilindje me lidhje në shërbimin e sigurimit famëkeq UDB. Grupin e tretë e përbënte një grup gazetarësh, ku përfshihej edhe Autori si personazh kryesor i librit, me orientim kah anticensura për interesin afatgjatë të shqiptarëve. Në këtë trekendësh kishte përplasje të vazhdueshme në raportin e forcave 2:1. Beteja e filluar me demonstratat e vitit 1981 që pasoj me represalje të mëdha ku u burgosën aktivistët dhe disidentët kyç, po vazhdonte në një front tjetër me qëllim të njëjtë – atë të luftës nëpërmjet lapsit për vetëdijësimin e popullsisë. Ishte ende koha e diferencimeve indeopolitike që kishte përfshirë edhe disa gazetarë në Rilindjes si të dyshimtë ose jo aq sa duhet të dëgjueshëm, ku u kërkohej anëtarësimi në LKJ (Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë). Autorit i bëhet presion për anëtarësim në LKJ se përndryshe nuk mund ta kryej detyrën dhe ushtroj profesionin e tij. Ai edhe është marrë në biseda informative rreth shkrimeve të tij. Pasojat e mundshme për Autorin në Rilindje gjithmonë i neutralizonte Ali Sutaj. Nuk kaloj shumë kohë dhe disa gazetarë, përfshi edhe Autorin, u përjashtuan nga LKJ për shkak se e kishin nënshkruar Apelin 215 të intelektualëve për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës. Pikërisht nga “Rilindja” filloj dhe rrjedhi procesi i dorëzimit të librezave të Partisë dhe braktisjes së saj.

Libri mbulon shumë lëmi kritike të jetës dhe veprimtarisë në Kosovë ndërmjet periudhës 1982-1999 si politikë, luftë, arsim, terror, shantazhe, intriga, diferencime, nepotizëm dhe keqpërdorime në Rilindje, por edhe në Shqipëri prej rënies së komunizmit deri më 2000. Informatat që popullsia i merrte gjatë asaj kohe ishin më së shumti në formë interpretimesh nga ata që kishin qasje në mjetet e informimit si radio, TV, dhe shtypin ditor alternativ. Shtypi ditor alternativ ishte gazeta Bujku si vazhdimësi e Rilindjes që dilte pas mbylljes së kësaj të fundit më 05 korrik 1990 deri në dhjetor 1998 (në këtë kohë kishin dalë edhe Koha Ditore dhe Kosova Sot), dhe në Shqipëri ku ende botohej Rilindja me emër të pandryshuar. “Gazeta Bujku në të vëretë ishte gazeta Rilindja që nuk lejohej të botohej me këtë emër. Këtë e kanë pasur parasysh edhe organet okupuese serbe, por paraqiteshin kinse nuk dinin gjë” (f.119). Përse Serbia e lejonte daljen e Bujkut, Autori e sqaron kështu: “Kosova të vetmin pushtet faktik e kishte administratën pushtuese serbe, e në rastin e Bujkut, udhëheqja e dhunshme serbe e njohur me emrin Panorama [në pallatin e shtypit të Rilindjes] me ndihmën e disa udhëheqësve të gazetës ka vjelë tatime të majme dhe një profit tjetër që është ndarë ndërmjet disa udhëheqësve serbë dhe shqiptarë. Kështu vazhdimisht deri pak para se të përfundonte viti 1998” (f.125). Në libër tregohet edhe për rrogat deri në 4.600 marka për disa gazetarë kosovarë si korrespondet në Shqipëri dhe Zvicërr që ishin të lidhur me “klanin”, ndërkohë që shumë gazetarëve tjerë në po të njëjtën gazetë (Bujku) si Autorit i cili kishte punuar dy vite pa marrë asnjë rrogë, u mungonin kushtet elementare të punës dhe jetës. Në faqe 192 shfaqet një foto e Autorit, i ulur këmbëkryq në kauç pranë makinës së shkrimit të vënë në një karrige të thjeshtë druri, me këtë sqarim: “Në funksion të informimit, edhe kur ballfaqohesha me mungesën e kushteve elementare të punës: Duke shkruar për gazetën Rilindja në banesën private në ish lagjen Taslixhe të Prishtinës (fotografuar më 30.05.1995)”. Për poshtërimin e mundit dhe sakrificës jepen argumente të bollshme sa edhe për oportunizmin dhe keqpërdorimin e mjeteve dhe misionit të informimit nga të tjerët brenda të njëjtës gazetë. Në mes tjerash, është e trishtueshme se përkundër represionit serb ndaj popullsisë, ndikimi politik i LDK-së në udhëheqësinë e gazetës e kishte transformuar Rilindjen feudalë dhe bujkrobë. Po shkëpusim një nga citatet që tregojnë këtë degjenerim dhe shpërfytyrim: “Në njërën anë angazhoheshim t’i jipnim zemër popullit që poshtërohej nga Serbia e në anën tjetër ishim dyfish të poshtëruar nga pushtimi serb dhe poshtërimi i klaneve drejtuese të gazetës. Këta të ashtuquajtur gazetarë, redaktorë dhe kryeredaktorë të Rilindjes, gjithmonë ardhjen në krye të gazetës e kanë kuptuar afrim të qypi i arit, tek prona e tyre, tek pasurimi që mund ta arrinin nga angazhimet tejet sakrifikuese të ‘bukjrobërve’! Dhe, mendoj se edhe vetë zëvëndësimi i emrit të Rilindjes, pikërisht me emrin Bujku për gazetën e përditshme gjatë atyre viteve, vetvetiu ka folur për këtë farë mentaliteti të ulët. Ishin të tjerët që i korrnin frytet e punës së madhe ‘lavërtare’  të ‘bujqve’” (f. 124).

Rilindja: Përkushtim  dhe trishtim është një pasqyrë reale koxha ndryshe i ngjarjeve që shumica prej nesh i kemi marrë në formë shabllone pa i parë dhe përjetuar si Autori. Gjersa Kosovën po e brente në çdo anë pushteti i dhunshëm serb, brenda në Rilindje/Bujku paturpësisht vazhdonin keqpërdorime të mëdha, përvetësimi i rezultatit dhe poshtërimi i të tjerëve për interesa individuale e klanore, ose siç thonë shpesh njerëzit zgjate Zot kët mot, ani pse ishte mot shumë i ligë që do të sillte pasoja edhe më të mëdha kolektive. Për marre nuk linin gjë pa bërë (sikur sot shumica e mediave) duke mos e ditur përgjegjësinë e informimit të publikut. Në këso raste, veprimet e armikut të jashtëm (pushtetit të dhunshëm të Serbisë) ishin të pritshme në një kohë të caktuar për t’u japur mësim bashkëpunëtorëve keqpërdorues në Rilindje se dielli i tyre eksploatues ndaj bashkëkombasve të vet përendon në momentin kur pushteti i huaj nuk ka më interes prej tyre dhe nuk do t’i kursej as ata dhe as që do të ketë ndonjë konsideratë për dobitë që i kanë sjellë. Të gjithë pa dallim i kishte hedhur në baltën e Bllacës në tokën e askujt ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë në fillim të prillit 1999. Vetëm aty kishte vend për të gjithë pa diskriminim dhe diferencim. Në këtë ‘bashkim’ kishte çdo lloj njeriu dhe profesioni; të mençur, budallenjë, akademikë, profesorë, politikanë, gazetarë, studentë, nxenës, biznesmenë, të varfër, gra, fëmijë, pleq. Autori tregon se pikërisht të pasurit dhe ndonjë ‘vizionarë’ i Rilindjes ishin ata që vraponin më së shpejti në marrjen e bukës humanitare. “[Behluli] u ngrit rrëmbimthi të siguronte bukë. U mundova ta takoja, por nuk munda për shkak të tollovisë të madhe. Kurrë se kisha parë Behlulin (Behlul Jasharin, gazetarin e njohur të Rilindjes dhe njëri ndër shokët më të mirë të Autorit që atëherë punonte edhe si korrespondent i ATSh – Agjencisë Telegrafike të Shqipërisë nga Prishtina) aq të shqetësuar. Aq shumë ka qenë i dhënë pas profesionit sa që ndodhte që tërë ditën rrinte pa futur gjë në gojë. Tash Behluli ishte i uritur! Tri vite më herët Behluli e pati botuar një reportazh imagjinativ në Bujkun e vitit të ri [1996], një shkrim mjaft optimist me të cilin e parashihte çlirimin e Kosovës, që duhet të ndodhte një vit pë vonë [1997], andaj me raportin e tij imagjinativ për ardhjen e lirisë në Kosovë njoftonte nga kati më i lartë i Pallatit të Shtypit, aty ku sipas imagjinatës së tij ishte hapur një restorant luksoz. Atëherë i pata thënë se raportin e tillë imagjinativ, me të cilin do ta njohtosh ATSh-në, ndoshta do të kesh rast ta bësh nga Kukësi! Kur e pashë në Bllacë, doja t’i thoja që t’i raportonte ATSh-së prej atyhit...”.

Ndonëse i ndodhur vazhdimisht nën shantazhe dhe kurtha që nga komunizmi monist dhe ai plurist (ky i fundit i shqiptarëve), përndjekje të familjes (burgosjen e vëllait Salih Kabashi, po ashtu publicist dhe themelues i gazetës Republika) një moment kritik që kanë munduar t’ia ha kokën gazetarit (Autorit) ia vlen të mbahet mend. Ai i vrasjes së katër shqiptarëve nga familja Hoxhaj në fshatin Uçë të komunës së Istogut në mbrojtje të shkollës shqipe (atëherë të organizuar nëpër shtëpi private). Autori në cilësinë e gazetarit, edhe më herët kishte dërguar rreth dyzet shkrime në Rilindje prej të cilave ishin botuar vetëm pesë – gjashtë! Për rastin e Uçës përgatit një raport me shumë hollësi dhe kishte arritur të siguroj emrin e policit vrasës serb që ishte nga Osojani i komunës së Istogut. Redaksia i kishte hequr shumicën e atyre detajeve dhe e kishte gjymtuar dukshëm shkrimin sa që nuk ngjante me atë të Autorit, por e kishte lënë emrin e kriminelit serb. Ndonëse emri i vrasësit, siç pajtohet edhe Autori, ishte në rregull, heqja e detajve tjera dhe spikatja e emrit ka mundur t’i kushtojë shtrenjt gazetarit nga vrasësi të cilin e kishin transferuar në stacionin policor të Gurrakocit (vendlindja e Autorit) ‘pa qëllim’. “Sa herë që qëndorja atje [në shtëpi, në Gurrakoc], ai [vrasësi serb] më përcillte dhe mundohej ta gjente rastin dhe çastin për të më veçuar...shihej se donte të më hakmerrej” (f.161). Hakmarrja me siguri se do të vinte po të mos vritej vrasësi gabimisht në Klinë nga policia serbe ku e kishin transferuar me detyrë. Vrasësi kishte dalë natën pranë stacionit policor në Klinë i dehur për të shkrepur një batare. Kolegët e tij duke menduar se janë sulmuar nga UÇK-ja shtijnë në drejtim të tij duke e këputur përgjysmë me plumba.

Kjo është vetëm një hyrje rreth sakrificës së gazetarit në kohët historike për popullin e tij që mbeti i painformuar dhe i pa përgatitur rreth tragjedisë së pashmangshme që do t’i vinte si kolektiv. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot në mentalitetin e këtij populli si rezultat i moszhvillimit dhe emnacipimit të trurit, e sidomos në sferën e lapsit dhe komunikimit masiv. Po të bëjmë një analogji të gjendjes së sotme të kësaj lëmie me atë periudhë, mund të themi se e njëjta praktikë vazhdon me metoda të ngjashme. Është acaruar dhe thuajse pranuar si ‘vlerë’ veprimtaria e oportunizmit, nepotizmit, korrupsionit, poshtërimit, vjedhjeve dhe përvetësimit të rezultateve të të tjerëve. Pësimi kur populli masovikisht e pa veten të hedhur në baltën e Bllacës për vdekje të ngadalshme (dhe nëpër male tjetërkund) nuk i ka sjellë kurrfarë mësimi. Është po ky popull që lejon të futen nenet 37, 38, dhe 39 në Kodin Penal të Kosovës me të cilat parashihet penalizimi i gazetarëve. Është po ky popull (mendohet për shumicën) që u cilëson si budalla, të marrë, psikopat e çka mos tjetër sa herë që ju e denonconi dhe luftoni të keqen e përbashkët. Dashamirët më të mëdhenj, duke përfshirë edhe ata brenda familjes, mund t’iu këshillojnë: “Kqyri punët tua e mos i shti veti therrë n’kamë t’shonsh”, ndërsa në rast se edhe bëheni viktimë e sakrificës për kauzë të drejtë, ka gjasa të nxjerrin “vlerësimin” se “mirë ia kanë bërë se iu krujke pa nevojë”. Kjo të bënë të pendohesh e të turpërohesh skajshmërisht pse je pjesë e këtij populli dhe kombi. Pyetja më e shpeshtë në shumë raste është: “A thua, pse unë ekzistoj në këtë kohë, u përkas këtyre njerëzve; pse i njëjti si jam kështu nuk më ka rastisur të jem kinez, indian, anglez, apo i çfarëdo populli tjetër por i këtij”?  Testoni dhe analizoni me kujdes mentalitetin e këtij populli duke filluar nga anëtarët e familjes. Bisedoni seriozisht me ta. Çdo kund e hasni atë mentalitetin se “s’ka mujt ai me i kqyr punt e veta po me ia ba vetit”. Në bazë të kësaj logjike, të gjitha ato vrasje, masakra dhe flijime që janë bërë në Kosovë, janë të arsyetuara me atë se viktimat s’kanë mujt me i kqyr punt e veta! Por e vërteta reale është krejt ndryshe. Qindra mijëra njerëz që u hodhën në një trekendësh balte brenda ditëve që nuk kanë mundur ta imagjinojnë as fantazerët më të mëdhenj, e ka vetëm një sqarim preciz – te mentaliteti i ultë e i poshtër i popullit “me i kqyr punt e veta”. Pse ky popull nuk i shikonte punët e veta por shkonte për të vdekur kolektivisht në baltën e territorit asnjanës? Nëse dreqi ekziston në realitet, ai ka gjasa të jetë vetëm në shpirtin e këtij mentalieti të mprapshtë të shumë shqiptarëve që përqeshin, përbuzin dhe poshtërojnë sakrificën e lapsit në luftimin e së keqes kolektive.

Pas masakrës në fshatin Uçë, po t’i kishte ndodhur ndonjë hakmarrje me pasoja tragjike Autorit, të tjerët që nuk janë prekur drejtpërdrejtë nga ai rast, do të shpreheshin: “Ia ka bërë vetes se iu krujke atina me shkru kur i dike pasojat”, pikërisht siç thonë edhe sot shumica e popullit (ju lutem secilit testojeni këtë mentalitet). Ndërkaq, kur i godet hataja, shprehen dhe ankohen sikur plaka 90 vjeçare pas masakrës në Uçë: “Kuku çka i ka gjetë prej shkaut! Kemi pas kujtue se mà nuk do t’na vret dora e shkaut, por qe, ia nisi apet. Kallxoi krejt dyjes, n’mujsh, çka po na bon shkau”! (f.154). Këtë kod në mentalitetin e shumicës dërmuese të shqiptarëve e kam kuptuar, por nuk jam në gjendje ta sqaroj sa duhet (sepse ka elemente të dreqit brenda!) dhe nuk po mundem t’ia gjejë tharmin e tij. Në rastet kur dikush ua masakron gjysmën e familjes, gjysma e mbetur do të kërkojnë nga Bajram Kabashi dhe Isa Mulaj t’i “kallxojnë krejt dyjes” se çka ka ndodhur. Në të kundërtën ose kur i ndodh tragjedia tjetërkujt dhe Bajrami ose Isa bien viktimë të hakmarrjes pikërisht se kanë dashur ta denoncojnë jo për “krejt dynjanë” por së paku brenda popullit të tyre, shumica do të shprehen kështu: “Po na dhimbsen shumë, veç me fol t’drejtën edhe kanë lyp, se kanë mujt me mshel gojën e me i kqyr punt e veta”. Por nëse tash vjen shkau i bënë këta sallatë me thika e bajoneta, kërkojnë Bajrama e Isa ku janë e ku s’janë me i kallxu krejt dyjes se veç shqiptarëve nuk mjafton! E di një metodë që e ka praktikuar NKVD-ja për zhbërjen ose zhdukjen e një mentaliteti të ngjashëm, por nuk mund ta elaboroj pa qenë i sigurt se ekziston vendosmëria e shumë njerëzve për zbatimin e saj në Kosovë. Në mungesë të zbatimit të kësaj metode, serbët përsëri mund t’i bëjnë bashkë shqiptarët në trekendëshin e baltës ku ka vend për të gjithë, ta zëmë, pas 120 viteve! Mirëpo, duke e ditur se historia në kohë nuk përseritet me skenare të njëjta, atëherë është e sigurt se serbët nuk do t’i hedhin shqiptarët në baltën e Bllacës, por do t’i mbysin krejt brenda në Kosovë! Plani i serbëve është qind për qind kështu dhe i realizueshëm sepse ne duhet t’i kqyrim punët tona deri në momentin kur të na lënë ata! Vetëm rreziqet e jashtme shpesh herë e kanë çrregulluar këtë mentalitet të çuditshëm të këtij populli prej ‘kanibalizmit të brendshëm’, por nuk kanë qenë në gjendje t’i jepin ndonjë mësim sepse vetë populli nuk do të mësoj edhe nëse zhduket si qenie. Mbi të gjitha, është për t’u dhimbsur vendi i bukur me shkëmbinj, fusha, pyje, kaça, manaferra, se populli jo.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora