E merkure, 24.04.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nëna e Maries së vrarë për gjakmarrje: Shteti, indiferent

E merkure, 04.07.2012, 06:51 PM


Policia jep shpërblim për gjetje hajdutësh. Po për vrasësit e vajzës sonë?!”

Dy javë pas ngjarjes së rëndë, ku vajza 17 vjeçe Marie Qukaj u qëllua për vdekje për motive gjakmarrjeje së bashku me gjyshin e sajë Kolë Qukaj në Dukagjin, familja e viktimës 17-vjeçare i bën apel shtetit të mos qëndrojë kaq në heshtje, pasi një tjetër fëmijë mund të vritet nesër, sërish për gjakmarrje.

Shtëpia e Maries ndodhet në fshatin Omaraj, në atë pjesë të Dukagjinit që i takon Rrethit Malësi e Madhe. Hidhërimi për vdekjen e 17-vjeçares dhe gjyshit të saj duket se nuk janë larguar ende nga muret e kësaj shtëpie.

Shumë pak fjalë, shumë lot, shumë qetësi dhe shumë pikëllim. Kjo është atmosfera që ka pllakosur familjen Qukaj, e cila kujtimin e Maries 17 vjeçe tashmë e mban vetëm në fotografi. Nëna e Maries, Shaqe Qukaj, thotë se do të gjejë forcë dhe do të përcjellë një mesazh në media, pavarësisht se zakoni dhe tradita në rast morti nuk e lejon.

Mesazhi i nënës së Maries së vrarë për gjak është: “Shteti të mos qëndrojë kaq indiferent, pasi nesër mund të vritet një fëmijë tjetër për gjak.” Shaqe Qukaj thotë se askush nga strukturat shtetërore nuk ka shkuar në shtëpinë e tyre për të pyetur. As policia, asnjë qeveritar, asnjë politikan. Askush. Ndodhi një ndër krimet më të rënda në Shqipëri dhe në këtë shtëpi nuk ka hyrë asnjë njeri i shtetit.

Ndërkohë një tjetër familjar thotë: “Si ka mundësi që shteti kur grabitet një bankë jep mijëra euro shpërblim për ata që japin informacion për autorët dhe kur vritet një vajzë 17 vjeçe për gjak dhe shqetësohet edhe ambasada amerikane, shteti ynë nuk e vë ujin në zjarr. Kjo mënyrë se si sillet shteti e çon popullin drejt vetëgjyqësisë”.

Largohemi nga shtëpia e Maries, duke lënë pas burrat që mundohen të tregohen të fortë me cigaret e dredhura të shtrënguar fort mes gishtave. Ndërsa lotët e grave flasin më shumë se fjalët.

Marie Qukaj u vra dy javë më parë në fshatin Kasnec të Komunës Pult në Dukagjin, së bashku me gjyshin e saj Kolë Qukaj. Vrasja sipas policisë është kryer nga tre anëtarë të familjes Prroni, dy vëllezër dhe xhaxhai i tyre, të cilët e kanë kryer krimin e rëndë për motive gjakmarrjeje. Babai i dy vrasësve dhe vëllai i të tretit ishte vrarë dy vite më parë nga Gjokë Qukaj, vëllai i Maries, pas një sherri për një vijë uji në fshatin ku banonin.

Kërkimet

Dy javë pas krimit, asnjë gjurmë e vrasësve

Dy javë nga vrasja e Marie Qukajt dhe gjyshit të saj Kolës, autorët e krimit janë ende të lirë. Burime nga Policia e Shkodrës pohuan për gazetën se janë duke u bërë disa aksione në zona dhe kohë të ndryshme, duke verifikuar informacionet që vijnë në lidhje me vendndodhjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes, por ende nuk ka pasur rezultat konkret. Burimet nga policia bëjnë të ditur se është duke u bashkëpunuar dhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, pasi një nga informacionet është se tre anëtarët e familjes Prroni mund të jenë larguar në drejtim të Tropojës. Largimi drejt zonave të thella të Tropojës është i mundur, pasi zona e Dukagjinit është në kufi me Tropojën. Në të njëjtën kohë policia ka shpërndarë fotot e të dyshuarve në pikat e kalimit kufitar. Gjëja të cilës i tremben më shumë agjentët e policisë kriminale është fakti se autorët e krimit mund të kenë kaluar në zona shumë larg vendit të ngjarjes, duke përdorur rrugët malore dhe mund të kenë kaluar përtej kufirit në Malin e Zi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora