E enjte, 18.04.2024, 03:42 PM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Betimet sot si të dinastive serbe dikur

E marte, 03.07.2012, 08:04 PM


BETIMET SOT SI TË DINASTIVE SERBE DIKUR

NGA SHEFIK SHKODRA

Kanë marrë përsipër pasardhësit e mbretërive serbe për aventuarat e shekujve të të kaluarës. Duhet të futen ngusht e më ngusht. Duhet të mos pajtohen me paqe e qetësi.

Marrëveshje veç me dialog, kështu po thuhet përdit edhe prej të huajve. Kështu do të ishte e rendit për njerëzit marrëveshës. Kështu është më konvencionale, askush nuk do të kishte kundër as nga ana e shqiptarëve. Po këto parulla shfaqen si përseritëse e të vjetruara tashmë. Ani pse duhet kërkuar modusin më të përshtatshëm e më të pranueshëm për qytetarët dhe vendin, kjo do të ishte edhe në interes të të gjithë vendeve të rajonit dhe Evropës. Por, “njeriut ia merr me zor”, thonë, por “s’mund t’ia dhësh me zor” çfardo qoftë ai gjësend. Edhe serbët e Serbia në këtë rast, nuk pranojnë atë që u është dhënë nga ndërmjetësit tjerë, por dëshirojnë që sërish të kthehen nga e kaluara. Që ta zbatojnë politikën më çnjerëzore në Kosovë. Me provokime “harambashësh” e gjithfarë parullash, njësoj si në shekujt e kaluar, dhe kështu nuk rregullohen marrëdhëniet e mira.

Kurajo nga porositë e Nënës Madhe

Kur u vjen ngusht nga rregullimi shtetëror e ekonomik e politik i brendshëm, ‘çohen peshë’. Duhet të plaçkitin e të dhunojnë nëse munden. Atëherë kur u vjen për dore. Kështu mendojnë. Kështu u dehen kokat e politikanëve të dobët. Dhe të dehurit ua përcjellin edhe popullit. Duke marrë mbështetje gjithnjë nga aleati i saj i hapët.

Serbia dhe serbët duhet ta kenë të qartë se, nuk ka mundësi që shqiptarët sërish të pranojnë kurrfarë tutetlle nga ata. Kosova është e njohur botërisht si vend i lirë e i pavarur. Udhëheqësit me “frymën e energjinë e freskët” kanë marrë mbështetje nga nëna e madhe, të vazhdojnë aty ku kanë mbetur. Nuk kemi asgjë të përbashkët në asnjë pikëpamje me shtetin e Serbisë. Vetëm si fqinj do të ishte mirë të kemi marrëdhënie.

Të gjitha i kanë serbët në Kosovë

Ahtisari, ndërmjetës dhe përcaktues i një plani për Kosovën ishte e është mjaft në disfavor të shqiptarëve. Megjithatë, shqiptarët kanë pranuar. Tash është dashur të jenë të kënaqur serbët. Të punësuar, sipas përqindjes së qytetarëve të tyre (sërish them: ata që kanë dashur) janë të punësuar, aty ku kanë dashur dhe në çdo institucion. Prej hiçit qëndrojnë më mirë se të tjerët. Të gjitha institucionet e kultit fetar i kanë. Të gjitha monumentet kulturore, fetare e historike i kanë dhe i qeverisin pa droe. Edhe arsimimi i tyre bëhet nga plan-programet dhe kuadrot e tyre. Nuk ka mundësi të thuhet se këta njerëz nuk kanë të drejta. Dhe të drejtat nuk i kanë tepruar askujt që t’ua falin dikujt tjetër. Shteti është në ndërtim e sipër. Dhe ky do të jetë për të gjithë, por për armiqtë që me çdo kusht vijojnë dhunshëm të ndjekin politikat e decenjeve të fundit të serbëve, duke kryer gjenocid te popujt tjerë në Ballkan, nuk do të ishte mirë që të rehabilitohen e të tolerohen me këto përmasa e me të njëjtat valë.

Është për t’u habitur se çfarë përpiqen të fitojnë më tepër. Serbët në Serbi nuk i kanë këto të drejta që i kanë në Kosovë. Dhe i kanë privilegjët më të mëdha se të gjitha minoritetet dhe se shqiptarët. Në institucione janë të pranishëm po thuaj çdokund, veç aty e atje ku nuk ka pas serb, ose nuk kanë dashur t’i pranojnë institucionet e Kosovës, sikur këta të Mitrovicës veriore.

Provokimet dhe nxehja e kokave

Në një mënyrë njeriu mendon se, krejt këto që po flasin janë kamuflazhë, në anën tjetër në politikën zyrtare duhet të besohet diçka si një realitet çfardo qoftë, kur publikohet.

Raste provokuese nga ana e Serbisë ka pasur dhe ka edhe sot mjaft, por ky i fundit është i sapo kurdisur. Ky është edhe një verifikim i asaj politike që çmendurisht vuajnë në mënyrë psikopate dhe dëshirojnë që të mos rrijnë të qetë guvernantët serb. Serbët kërcënojnë dhe shantazhojnë njësoj. Ndonjëra qeveri me mentalitet agresiv edhe me fjalë, ndonjëra pak më ngadale e me kujdes, por gjithsesi me një rrahje teli. Rasti i betimit të xhandarmerisë së radikalëve, si në kohën e mbretërive të serbëve, nuk është për t’u marrë si asgjë. Jo si trembje, por syqelë e të gatshëm në rojet kufitare dhe brenda. Nuk ka logjikë që t’u zihet besë, veprimet e tyre janë si ato të “harambashve” të dikurshëm edhe sot. Kur delikuentët e manjakët mbushin kokat me raki shfryejnë me përrallat e romantizmit të të kaluarës. Provokimet kësaj radhe ishin të lejuara e të aranzhuara nga vetë politikanët qeveritarë. Këtë e bën më së miri haptas ai i cili ishte deri dje në shërbim të Sllobit, ai Ivica Daçiq, në ditën e njëfarë Vidovdani, i cili nuk merr vesh se ku do të bie populli serb, më parë e pastaj edhe të tjerët. Ky është ai i zgjedhuri me radikalin e njohur të atij Sheshilit, të cilët nuk lanë gjë pa bërë në Ballkan në këto dekadat e fundit. Këta i përgatitin fëmijët, gratë, po më së tepërmi delikuentët dhe adoleshencën bashkë me kishën dhe dalin me gënjeshtra para botës. Para botës janë me qindra vjet për Gazimestanin, një luftë me aq shekuj që e kanë humbur dhe e marrin si diçka triufale(?!)

Është gabuar pak më herët në politikën tonë

Me serbët e Mitrovicës është gabuar më herët, që nuk është vepruar sa e si duhet, e me të gjitha mjetet e një shteti ligjor. Në këtë hap ka munguar ndihma e atyre që është pritur, evropianëve me formacionin e ELEX-it. Herë-herë, më duket se kanë bërë pengesë (ndoshta kështu e kanë nga qeveritë e veta – nga Brukseli), dhe këto pengesa janë parë në shumë raste, kur edhe u kanë dhënë impuls serbëve të kësaj ane, por edhe të tjerëve që t’i kundërshtojnë edhe më tepër institucionet e Kosovës. Një rast i dukshëm, ishte kur Qeveria e Kosovës merrte vendim që në afat të caktuar t’i hiqte tabelat e vjetra për automjetet që serbët i përdornin në Kosovë dhe nuk paguanin regjistrim dhe kontribute tjera, EULEX-i, apo OSBe e thyente këtë vendim. Por, ka pasur edhe shumë të tjera raste, si pagesa e rrymës dhe obligimeve tjera shtetërore. Por, gabim ishte edhe ndarja territoriale, inaugurimi i komunave një nacionale. Edhe kjo ka kaluar dhe është vendosur ashtu. Po është dashur që të ngulet këmbë në disa përkufizime.

Institucionet e Kosovës me aleatët

Qëndimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë me vend, që të mbrohen kufijt, të mos pranohen armiqtë brenda këtij vendi dhe të ndiqen. Këtu s’ka kurrfarë dileme. Vetëm, në këtë rast është gabuar sipas meje. Nuk është dashur të lejohet, që të dëmtohet asnjë polic i Kosovës. Nuk ka kurrfarë demokracie që pret me të mirë armiqtë me parulla e me këngë, me gjuajtje gurësh a armësh kundër një vendi, konkretish Kosovës, si në kohën e viteve të tetëdhjeta (80), kur S. Milosheviqi organizonte mitingje kundër shqiptarëve. Serbëve haptas u premtonte çdo të mirë materiale e shpirtërore. Ata (qytetarët) e tyre pas tij e në zjarr. Tash ky vocërraku i Sllobit sjell hakmarrje të reja, duke i burgos shqiptarët e duke i përgatit “harambashët”, kryesisht të rinj, me epitete gjithfarësh të atyre grupeve gjakpirëse, për të thënë: ‘qe, sërish na jemi gjallë dhe e lodrojmë kalin si të duam në Kosovë!’ Nuk duhet tolerancë për asnjë fije floku. Ndryshe këta janë të përditshëm e të padurueshëm.

Toleranca edhe nga frika edhe nga miqësia

Edhe kësaj radhe u pa nga ana e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, nuk i dënuan sjelljet dhe arrogancën e serbëve. Misionarët e jashtëm u japin vërejtje policisë kosovare për “tejkalime” me huliganët serbë, atyre që mbrojnë rend në vend, e nuk thuhet asgjë për kriminelët e përgatitur nga Qeveria serbe, të hyjnë në Kosovë me aq provokime, e gati edhe luftë kundër shqiptarëve. Krejt e pakuptimtë. Nëse ata vijnë në përvjetor ta vizitojnë këtë apo atë vend, nuk do të thotë se u lejohet me gjithë atë arsenal armiqësor kundër shqiptarëve. Evropa, me keqardhje, serbët dhe Serbinë i ka toleruar dhe i toleron gjithnjë. Një pse kanë njerëz të vet nëpër kanalet diplomatike që përziejnë me lidhje, dhe dy se kanë frikë nga një zjarr që do të kallej për të gjithë. Shqiptarët janë më të dëgjueshëm dhe i shantazhojmë në momente të caktuara, kështu sicili grup me mision që vjen këtu, duket sikur donë për të kaluar një mandat sa më lehtë e pa ndonjë incident. Nuk shihet se sa po përparohet në pikëpamje politike, as kontributi në ndërmjetësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora