E premte, 19.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Speciale » Karanxha

Ilia S. Karanxha: Kryepeshkopi i Durrësit Pal Andrea Engjëlli

E marte, 03.07.2012, 07:17 PM


KRYEPESHKOPI I DURRËSIT  PAL ANDREA ENGJËLLI

Nga Ilia S. Karanxha

Të shkruash për jetën e veprën e  kryepeshkopit të Durrësit Pal Engjëlli në vështrim e  parë,  për bollëkun e dokumentave që e citojnë, duket si diçka e thjeshtë  mirëpo po të kemi paraysh se kjo  biografi  mplekset në formë  violente me veprimtarinë  falsifikuesve të nipërve  e stërnipërve të tij gjatë shekullit të XVI-XVII  çështja paraqitet e vështirë e komplekse. Bile deri në atë pikë  sa ato kushtëzojnë bazat e kulturës  moderne  shqiptare. Për këtë arsye sot  çështjen e Engjëllorve të Drishtit,  më saktë pasuesit e kryepeshkopit të Durrësit,   duhet t'i konsiderojmë  si një problem shqetësues  në shkencën albanologjike.

Përsa i përket  ditëlindjes të Pal Engjëllit mund të shënojmë me një farë rezerve vitin 1427 (në ndonjë rast e gjejmë edhe më 1417) të cilin na e referon  nipi i tij Andrea Petro Engjëlli në Gjenallogjitë e tij  po aty ku ka referuar edhe ditëlindjen e të jatit të vet Petro  herë më 1443 e herë më 1441 ndërsa vdekjen e këtij të fundit e ka fiksuar më 1512. Si  vendlindje  pranohet pa rezerva Drishti.

I pari biograf që përmënd familjen Engjëlli  duket vetë Marin Beçikemi (Barleti) i cili  na  shënon daljen e tyre në skenën historike shqiptare më 1448 gjatë konfliktit shqiptaro-venecian kur  Andrea Engjëlli, babaj i Pal e Petro Engjëllit, turet  jashtë mureve të qytetit të Drishtit për të përballuar sulmin e Hamza Kastriotit.  Iniciator në këtë punë -shkruan Beçikemi- qe Andrea Engjëlli , njëri nga të parët e vendit, burrë i dëgjuar për vepra i lavdëruar për merita në luftë (Andrea Angelus unus ex optimatibus/Clarus vir factis/& emerite in bello). Bile atij në vepra e Skëndërbeut  i rezerverohet edhe një fjalim.

Pjesamrja e Andreas nga ana e Serenisimës  kundra Skënderbeut nuk i kirijovi ndonjë avantazh të madh se pas tre vjetësh u akuzua per komplot e vdiq në burg nga torturat më 1451. (....Andreas Anzolo fuit tormentatus et ob tormenta mortuus est in carceribus- G. Valentini: AAV, vol. xxi doc. 5763). Familja i kundërshtoi akuzat e pabaza dhe më 1454  u riabilitua nga Avogaria e Komunës të Venedikut megjithëkëtë  atyre i mbeti fama e keqe si  armiq të Venedikut.

Mbi rininë dhe formimin e Pal Engjëllit pothuajse nuk ka asnjë të dhënë të drejtpërdrejtë dokumentare. Marin Beçikemi (Barleti) që e vendos Pal Engjëllin fill pas Skënderbeut  na e përshkruan atë  si një : ...burrë i paisur me mendje shumë të lartë dhe me zotësi shumë të rallë në të folur, me dituri si askush dhe i vaditur me lartësinë e shënjtë dhe humane, si greke si latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë dhe në zakone, i flaktë për fenë e krishterë, burrë që Skënderbeu e mbante mbi kry për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës që e respektonte dhe e dëgjonte si ndonjë orakull gjithë epirotët dhe arbërit...

Ku u edukua dhe studio  Pal Engjëlli  mbetet akoma e panjohur edhe pse  Farlati sugjeron se  ai kalovi rininë e tij në Kostandinopoli dhe u rikthye në atdhe më 1453 pa na refruar ndonjë burim.

Për herë të parë emrin e Pal Engjëllit tonë e takojme në 20 prill të vitit 1457 ku nis karierën e tij  kishtare si presbiter  në Durrës (presbitero Paulino Angeli de Drivasto) por me sa  duket  fillimi nuk ka qënë aq i  mbarë mbasi ai hyn në konflikt me  presbiterin  Antoni de Lauris i cili kishte qënë emëruar nga papa si kryedhiakono për Arqipeshkvinë e Durrësit. Çështja u shtrua në  Këshillin e    Dhjetëve  në Venedik i cili i kërkon Pal Engjëllit të paraqitet aty për të dhënë llogari përndryshe do të dëbohej nga e gjitha Shqipëria.  Për zgjidhjen e këtij konflikti Pal Engjëlli ka udhëtuar si në Romë po ashtu edhe në Venedik ku duket se i ka bindur si autoritet kishtare po ashtu edhe ato civile në të drejtat e tij. Një urdhër dukal i Pasquale Malpieros (Shih O. Schmitt – Paul Angelus Erzbischof von Durrazzo, në Thesaurismata XXX-2000, ff. 127-161. ) i datës 17 shkurt 1458 e ka çliruar përfundimisht nga mosmarveshjet dhe i ka hapur rrugën e karierrës së tij kishtare.

Më 8 dhjetor 1459 vdes në Durrës kryepeshkopi italian Stefano Bonacorsi. Pas katër ditësh klerikët  shqiptarë të qytetit të mbledhur në kisha e Shën Isidorit së bashku me qytetarët më të shquar në bazë të zakoneve dhe Kapitujve të Katedrales së Durrësit vendosin në krye të saj Nikolla Topinë i cili rridhte drejpërsëdrejti nga familja princore e Topijve mirëpo Nikolla nuk mundi dot të  gëzonte   gjatë postin e kryepeshkopit mbasi më 19 mars të vitit 1460 papa Pio II  emëroi kryepeshkop  të Durrësit kryedhjakon  Pal Engjëlli. Kështu papa i ndezur për luftën e madhe   antiturke  zgjodhi një kryepeshkop që ishte në anën e kryqëzatës.

Pronuncimi i  Pal Engjëllit krah Skëndërbeut vërhet qysh në hapat e para të karierës së tij si kryepeshkop.  Duke u mbështetur tek Historia e Skëndërbeut e Marin Beçikemit (Barletit) mund të supozojmë se  ai duhet të ketë marë pjesë në pregatitjen e fushatës për në Itali por me shumë ngjasa ai është afruar me Skëndërbeun edhe para kësaj ngjarje. Në fakt emri i tij del për herë të parë në veprën e mësipërme  pikërisht  në Raguza ku në kualitetet e kryepeshkopit mer pjesë në përcjelljen e skënderbegasve duke mbajtur aty edhe një fjalim. Nga konsiderat e Beçikemit me këtë rast  lihet të nënkuptohet se bashkëpunimi i tyre ka qënë më i hershëm : Pal Engjëlli , krypeshkopi i Durrësit, i cili ka qënë shoku dhe pjesmarsi i të gjitha mundimeve, rreziqeve dhe këshillave të Skënderbeut, si ndonjë Ahat tjetër  i Eneut, duke falenderuar qytetarët dhe popullin e Raguzës mbajti këtë fjalim....

Ka shumë të ngjarë që i ati i Marin Beçikemit (Barletit) të ketë qënë një bashkëpuntor i ngushtë me Pal Engjëllin dhe me porosinë e tij  të ketë ndërmjetësuar për shuarjen e tensioneve mes Lek Dukagjinit dhe Skëndërbeut.

Si merita të tjera të Pal Engjëllit janë të njohura në këtë vepër ndërhyrja e tija  për ta bindur Skëndërbeun që të marë pjesë në kryqëzatën anti turke të nxitur nga papa Pio II(1463-1464). Veprimtari që konfermohet edhe nga një relacion i emsiarit venecian Gabriele Trevisan më 1465 (Shih O. Schmitt 2000).   Gjithashtu në veprën e Beçikemit theksohet roli i tij  si këshilltarë i parë i Skëndërbeut sidomos në prag të rrethimit të  dytë të  Krujës (1466).

Përsa i përket  referimit që bën Marin Beçikemi (Barleti) në lidhje me  kurorën mbretërore të Skëndërbeut dhe kardinalatin e Pal Engjëllit si një rast historik  i humbur u keqpërdorën  nga niprat  e kryepeshkopit në mes të  shek XVI  për  spekullime të  shumta.

Merita të tjera të pakudërshtueshme të Pal Engjëllit janë ato të lidhura me veprimtarinë e tij si ambasador i Skëndërbeut. Para kryqëzatës së mdhe në Milano tek Francesco Sforca(qershot 1464) e mbas vdekjes të Gjergj Pelinit në Republika e Venedikut.

Me vdekjen e Skëndërbeut më 17 janar 1468 Serenisima në fillim të shkurtit   nuk gjente  emër tjetër që të zëvendësonte autoritetin e prijsist shqiptar në trojet e tronditura nga gjëma veç atij të Pal Engjëllit. Dokumentat e dala për këtë qëllim, ku Pal Engjëllit i kërkohej rikthimi me urgjencë në Shqipëri, konfermojnë në një formë të qartë  presitigjin e këtij peshkopi drishtan  në ambientin shqiptar jo vetëm si një udhëheqës shpirtëror por edhe politk. Misioni i tij kryesor dhe i fundit ishte të mbante regullin në vënd dhe mbi të gjitha të bindëte  Donika Kastriotin që të hynte së bashku me birin e vet  Gjonin  nën umbrellën mbrojtëse të Venedikut.

Ai u  rrikthye  në Shqipëri afërsisht aty nga fillimi i  marsi i viti 1468 por mbas kësaj date gjithçka mbetet  në erësirë të plotë. Zonja Skënderbega – siç e kujton  Gjon Muzaka- u hodh në mbretërinë e Napolit dhe jo në Venedik. Pal Engjëlli pa mbushur viti vdes  më 1469.  Në se duam t'i besojmë ditëlindjes që na trasmeton i nipi i bie të ishte 42 vjeç. A ka qënë kjo një vdekje  natyrale? Sido që të jetë fundi i   kryepeshkopi të shquar shqiptar  ruan në vetvehte  akoma shumë të panjohura.

Duke nisur nga mezi i shekullit të  XVI  e mëtej të bijtë e Petro Engjëllit pra  niprit e Pal Engjëllit për të  ngritur lart lavdinë e familjes së tyre e për ta paraqitur vehten  mbi gjithë shqiptarët në Venedik u hodhën në një veprimtari falsifikuese dokumetash e shkrimesh të ndryshme.  Emrat e pjestarve të familjes së tyre e mbi të gjitha Pal Engjëlli u përdor gjërësisht për të ilustruar merita të qënë e të pa qëna.  Fakti në vetvete nuk është  krejt i panjohur  në shkencën albanollogjike apo atë evropiane.  Problemi kryesor qëndron  në shkalla e njohjes të këtij aktiviteti dhe në veçimi i  falsifikimeve brënda  kësaj prodhimtarie  të bollshme  letrare që shumë herë kanë ngatruar edhe studiozë seriozë e të kujdesshëm.

I pari që kritikon disi tërthorazi pretendimet e tyre për origjina të lavdishme ishte vetë Marin Beçikemi  pikërisht kur shkruhej Historia e Skëdërbeut  dhe  të dyja familjet jetonin në Padova. Kështu ndërsa Ëngjëllorët pretendonin origjinat e tyre nga zanafillat e themelimit të Drishtit Beçikemi konstaton:  E shoh me vend që ta them këtu...se nuk dihet nga kush është themeluar qyteti i Drishtit dhe as që njihet disi lashtësija e tij, megjithëqë qytetarë, të cilëve u pëlqen t'i besojnë gabimit të vet e shpien me mburrje fillin e themelimit të qytetit te romakët. Dhe më kujtohet se i kam dëgjuar të mburen për këtë, duke e quajtur vehten kolonë të romakëve e të pretendojnë se e kanë zanafillën e tyre që andej. (M.Barleti Hist. Sk. 1982, f. 207).  Me që vepra Historia e Skëndërbeut u botua më 1522  edhe këto pretendime madhështore të Ëngjëllorve ishin shfaqur para kësja date por ato u konkretizuan vetëm në mes të shek. XVI kur Andrea Petro Engjëlli filloj të botonte si Gjenallogjitë e familjes po ashtu edhe të ashtuqojturën vepra e tretë e Barletit Compendium....të cilat i  manipuluan ato në përputhje me interesat  lavdidashëse familjare.

Me këtë  frymë lavdimadhe u manipulua  nga Pal Pietrër Engjëlli një variant i shkurtuar i Historisë të Skëndërbeut e shkrojtur po nga  Marin Beçikemi e cila mbas gati 45 vjetësh  u referua me pa të drejtë si vepër e  Dhimitër Franku;  Kodi dorëshkrim i Laurencianës (Firence) me të famëshmen formulë të pagëzimit etej. Në këto vepra apo  dorëshkrime   gjejmë se fam. Engjëlli kishte qënë familja më e fuqishme feudale në Shqipëri, se Pal Engjëlli dhe Petro Engjëlli ishin vëllezërit e Skënderbeut. Se Pal Engjëlli u shpall kardinal  nga papa  Pio II se  xhaxhaj i tyre    kishte shkrojtur një formulë pagëzimi  në gjuhën shqipe  qysh më 1462 etj. (Shih I. Karanxha: Barleti apo Beçikemi?)

Jo me shumë kujdes është pranuar sot në shkencën albanollogjike si një vepër  autentike të ashtuqojturat statute të katedrales së Drishtit të cilat veç botimit të hershme nga Dr. V. Novak e M. Shufflay (1927) kanë pasur një ribotim të ri në  Tiranë (Dr. M. Ahmeti e Dr. E. Lala: Statutet dhe urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit..Ombra GVG- Tiranë 2009).

Vetë fakti që  Novak e Shufflay tërheqin vëmendjen se kujtimi për një jetë të tillë të përbashkët në shtëpinë e kanonikëve të Drishtit ka qënë shumë i diskutuar nga hulumtuesit të vemëndshëm të historisë së Drishtit (f. 73)  e më tej citimi i disa prej veprimtarive falsifikuese të Andrea Petro Engjëllit duhet t'i shtynte studiuesit e rinj shqiptarë të shtronin me përparësi çështjen e autenticitetit të këtij dokumenti.

Mirëpo një gjë e tillë në vepër nuk duket  edhe pse botuesit  e rinj  pranojnë  deri diku veprimtarinë fallsifikuese të  këtij pinjolli të shtëpisë Engjëlli  ata  nuk venë re aty  frymën ekzaltuese e lavdëruese ku gjithë proçedurat e miratimit të këtyre statuteve synojnë të lartësojnë   mbi të gjithë  figurën e kryepshkopit Pal Engjëllit i prezantuar këtu edhe me titullin  kumbues: Gjykatës i territoreve Ilirike.   Disa prej  veprimtarive  fallsifikuese të A. Engjëllit përpiqen t'i justifikojnë e t'i japin një farë legjitimiteti dhe ndërkohë  krijojnë një konfuzion akoma të madh kur përpiqen të njehsojnë  figurën e Pal Ëngjëll Dushit  me  kryepeshkopin e Durrësit Pal Engjëlli.  I pari   përmëndet që më  1442 si peshkop në Shas (Paulum Amgelum Duscum sauciensem episcopum) më 1443 peshkop i ritit latin në Drisht më tej nuncio apostolik në Shqipëri me detyrën e paqtimit të Skëndërbeut me Dukagjiansit(1452), në dokumeta të tjera përmëndet edhe si kryepeshkop i Krajës dhe më 7. III. 1457 ngrihet në shkallën e nuncios për Dalnacinë, Shqipërinë e Sërbinë(G. Valentini : AAV vol. 18,  dok. 4801, 4803. M. Sciambra..Il “Liber brevium”...1968, f. 169 nota 51)   i dyti  Pal Engjëlli ynë  siç e pamë  më sipër në po këtë vit sapo nis karierën e tij si presbiter në Durrës. Pal Ëngjëll Dushi duhet  të ketë vdekur më 1457 me që më 23 shtator të këtij viti  vendin e peshkopit të Drishtit e zuri kanoniku vendas  Nikolla Suma.

Edhe sikur në origjinë tek ky dokumet të ketë pasur diçka të vërtetë një sërë kontradiktash brenda  veprës,  të cilat fatkeqësisht  nuk gjejnë një shpjegim kritik nga ana e  botuesve të rinj,  e bëjnë më se të sigurtë faktin e manipulimit edhe të Statuteve të Katedrales së  Drishtit  sipas të njëjtit stili që janë manipuluar  e ndryshuar edhe dokumetat që përmëndëm më sipër.

Pavarsisht nga  veprimtaria  falsifikuese e lëvdat e tepruara me vend e pa vend    Ëngjëllorve të Drishtit figura e kryepeshkopit të Durrësit  Pal Andrea Engjëlli(1427-1469) mbetet në piedestalin më të lartë të historisë  tonë  jo vetëm si një klerik i shquar  shqiptar por edhe si një persoanalitet  me peshë të madhe  politike në ngjarjet e shek. XV.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora