E enjte, 28.03.2024, 03:38 PM (GMT)

Mendime

Edita Kuçi-Ukaj: Shqiptarëve u duhet një strategji unike nacionale

E marte, 03.07.2012, 07:05 PM


Shqiptarëve u duhet një strategji unike nacionale

Nga Edita Kuçi-Ukaj

Shekulli XXI, shqiptarët i zgjoi me përplot probleme, të cilave nuk ju shihet fundi. Përkundër faktit, se shumica e çështjeve politike, janë zgjedhur, kombi vazhdon të ketë probleme të shumta dhe shumica të karakterit të brendshëm. Shqipëria u lirua nga diktatura e egër, ndërsa Kosova fitoi pavarësinë, ashtu sikurse edhe shqiptarët nëpër hapësira tjera, fituan lirinë, mirëpo shqiptarët ende mbeten me probleme të shumta dhe çështje të pazgjidhura. Tani ballafaqohemi me të këqija, që nuk janë jashtë nesh, por që janë brenda nesh dhe në ne. Me korrupsion të përmasave dramatike, me demokraci të brishtë, me klane dhe politikë të ndërtuar mbi interesa sekondare, klanore dhe personale, me ide të paqarta për orientimin e kombit dhe me institucione jofunksionale si dhe me një elitë të nëpërkëmbur e pa dinjitet. Këto janë një pjesë e madhe e problemeve, por jo krejt problemet. Shqiptarët kanë filluar të humbin besimin në të ardhmen. Andaj, po i nënshtrohen një politike të verbër, që për shumë vite i mban në agoni.

Një determinues i padiskutueshëm, që po pengon zhvillimin tonë pozitiv, mbetet tash e sa kohë, mos aftësia për të qenë unikë në projektet nacionale, drejt realizimit të aspiratave për prosperitet. Së këndejmi, po paraqiten edhe sot e gjithë ditën ndasi, po dalin sfida brenda vetë kombit, dhe çka është më e keqja, më shumë po merremi me njëri-tjetrin, se sa me të ardhmen. Në këtë mënyrë, nuk po arrijmë të ndërtojmë raporte të fuqishme politike, kulturore, me kombet e mëdha, mirpo po bëhemi vasal të gjithfarë ideve që na vijnë në forma të ndryshme. Për fat të keq, as sot, ende nuk zhvillohet një debat publik nga opinioni i gjerë, për ta gjetur shkakun, për të kërkuar alternativa, për të shtuar dilema, për t´i analizuar të gjitha trendët, pa kurrfarë emocionesh, pa kurrfarë paragjykimesh, por me qasje realiste dhe me analiza të mençura. Shqiptarët, në tërësi, që nga e kaluara e largët, u janë ekspozuar sundimeve të huaja, të cilat, për arsye të njohura, kanë rezultuar me prurje të modeleve të ndryshme kulturore, që si të këtilla kanë shënjuar deformime të shumta brenda etnisë, fenomene këto që na kanë përcjellë dhe na përcjellin edhe sot e gjithë ditën në rrugën e konsolidimit nacional. Si pasojë e gjithë kësaj, ne sot kemi shumë divergjenca shumë të fuqishme që na pengojnë të jemi unikë në proklamimet tona për të ardhmen, nuk na lejojnë të hartojmë njëherë e përgjithmonë idealin shqiptar. Së këndejmi, mund të vërehet se edhe vetë ideja e nacionit nuk është kuptuar dhe nuk kuptohet esencialisht. Patriotizmi, ka më shumë përgjegjësi se sa dashuri folklorike, nëpër retorika kafenesh e odash. Kështu, edhe koncepti i nacionales, po ta analizojmë racionalist, është redaktuar dhe tkurrur brenda një qarku shumë të vogël, pa qenë vetëdije kombëtare. Për këtë, dashamirët e pasionuar të idesë nacionale, gjatë historisë kanë apeluar për bashkim, duke kërkuar të flakën dallimet. Shumica e lëvizjeve, qoftë politike, qoftë kulturore, qoftë ushtarake për liri e prosperitet, janë bllokuar në gjysmë të rrugës. Për pasoja të gjithë kësaj, shqiptarët në shek. XXI hyjnë më përplot kontekste të natyrave jo vetëm politike, por të natyrave identitare dhe kulturore. Një problem që e rëndon çështjen shqiptare edhe sot e tutje mbetet psikologjik. Ka humbur besimi. Idealet tona janë humbur dhe zëvendësuar me interesa dhe egoizëm. Madje është edhe për keqardhje që asnjë debat nuk shtrohet në mënyrë racionale, duke iu qasur problemit në zanafillë, për të ardhur tek ato që na rëndojnë sot, në mënyrë që të hapim premise për të ardhmen. Por se vazhdon të na përcjell logjika e shtrembër, se e keqja nuk është aspak e në ne dhe e jona, nuk është kurrë pjesë e mendësisë sonë, por gjithmonë e adresuar të te tjerët, madje të shumtën e herëve duke justifikuar me “armiq”, ne e kemi vështirë të ecim drejt dhe me vetëdije nga e ardhmja. Në këtë mënyrë, të krijohet përshtypja se e gjithë bota qenka kundër nesh, gjë kjo që nuk përkon aspak me interesimin e bashkësisë ndërkombëtare për ne. Duhet, prandaj, të hapemi si shoqëri, opinioni ynë politik, kulturor, ai i mediave duhet të jetë vetëkritik më shumë se kritik ndaj tjerëve. Më duket se Qeveria e Kosovës, asnjëherë nuk ka menduar dhe pak ose aspak nuk ka bërë për qytetarin e rëndomtë. Si duket, asnjëherë nëpër histori nuk kemi menduar esencialisht për problemet nacionale, asnjëherë nuk kemi pasur projekt unik në kërkesat dhe aspiratat nacionale. Absurdi bëhet edhe më i pakuptimtë, ngase qarqet e “intelektualëve” tanë janë përplot me ngarkesa, ata e kanë gojën e retorikën përplot patriotizëm, të bëra më tepër për nam se sa për dashuri ndaj atdheut. Ai që e do atdheun, e dëshiron avancimin e tij, e jo shkatërrimin. E si zë fill ideja nacionale te ne? Jo nëpër kabinete, institute, në akademi, por nëpër kafene. Prandaj, edhe ideja nacionale, patriotizmi i kafeneve mbetet brenda këtyre kornizave. Tek ne, më shumë zhvillohet “luftë” ndaj njëri-tjetrit, se sa kreativitet për ti shpejtuar proceset përpara. Dhe sa herë që të gjendemi në situatë të palakueshme, fajin ua adresojmë tjerëve, në këtë rast, ndërkombëtarëve. Tani që fatin e kemi në duar tona, ku vallë do ti adresojmë fajet? Mos vallë, do të ndodhë atëherë tension i përmasave të mëdha nder shqiptare.

Prandaj, idetë nacionale duhet të jenë të shëndoshë, të artikuluar qartë, me konsensus të përgjithshëm nacional, nga dashamirët e  mendjet e ndritura të atdheut, të bëra dhe zhvilluara nëpër kabinete, institucione, e jo dokrra rrugaçesh. Është koha, të arrijmë konsensus kombëtar  në çështjet kruciale, jetike nacionale, ku nuk duhet të kemi mospajtime, të kemi ndasi dhe përçarje. Koncepti nacional, duhet të jetë i zhvilluar në premisa të artikuluara, që ndërlidhin  kujtesën historike, me gjendjen e tashme politike. Vetëm në ketë mënyrë, kombi ynë do të avancohet dhe do të ec krahas kombeve të zhvilluara të familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës kemi qenë qe dy mijë vjet.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora